Kulturë
Flet për “Telegraf”, pedagogu, Dok. i Politologjisë, Sulejman Muça
E premte, 24.09.2010, 07:48 PM
Politika shqiptare është e tejplakur dhe pa risi
Nga Albert ZHOLI
Pozicioni i pedagogut të Universitetit sot shihet si një pozicion komod, i respektueshëm (pa diskutim që është i tillë), i lakmueshëm, por në shumë raste harrohet se të arrish deri në këtë stad, duhet të kalosh vite të tëra studimi, provimesh, mbrojtje temash, lëvizje jashtë atdheut për specializime apo shkollime suplementare. Kur mbaron të gjitha këto dhe arin të mbrosh dhe doktoraturën, pas më shumë se 8 vjet studimesh të larta, atëherë mund të thuash se, ky intelektual e meriton një vend pune se, ka kaluar nëpër male librash dhe kursesh kualifikimi. Një ndër intelektualët e tillë është dhe Sulejman Muça. Pas mbrojtjes së doktoraturës në Universitetin shtetëror Shën “Klimend Ohridski” në Sofie të Bullgarisë (ku ka mbaruar dhe studimet e larta), ai tashmë është pedagog në USHT, por dhe në Universitetin “Marin Barleti”. Për “Telegraf”, profesori rrëfen jetën studentore në Bullgari, kushtet e studimit dhe dallimet mes universiteteve shtetërore si dhe problemet që ka aktualisht sistemi ynë arsimor.
Z. Sulejman, ju keni studiuar në Bullgari për Politologji dhe po aty keni mbrojtur doktoraturën, a mund të na shpjegoni shkurt se ç’është Politologjia?
Po është e vërtetë se kam kryer studimet e larta në Universitetin shtetëror Shën “Klimend Ohridski” në Sofje të Bullgarisë dhe për këtë më vjen mirë se kam ndjerë një përgjegjësi personale dhe një obligim moral, ndaj vetes dhe familjes time, për vet faktin se, ky universitet është një universitet që ka nxjerr me qindra gjenerata studentësh, në përgjithësi dhe në veçanti, fakulteti ku unë kam kryer studimet, pra Fakulteti i Filozofisë ka në përbërje rreth 20 katedra, e një ndër ato është dhe katedra e Politologjisë. Pra është një degë që merret me shumë fusha të sferës, shoqërore, sociale, ekonomike, psikologjike, morale, politike etj., etj.. Këtu ndërthuren shumë specialitete si Politologjia (Shkenca Politike) Filozofia, Sociologjia, Psikologjia, Kulturologjia, administrata publike, Arkeologjia, Europeistika, Ballkanistika, etj., ose e thënë ndryshe, “Politologji” pra në shumë aspekte (gjithë përfshirëse) pra kjo vjen dhe nga Greqishtja “poli”= shumë ose “Politei” gjithë përfshirje. Për sa i përket nivelit të Universitetit të Tiranës as që nuk mund të flitet; ka shumë hapësira që lenë vend për diskutime të mëdha. Ndër to mund të përmendim:Traditën dhe eksperiencën qindra vjeçare që Universiteti i Sofjes ka krijuar, jo vetëm në ambienteve dhe hapësirave të mësimdhënies, por edhe si punim arkitekturor në vetvete si godinë. Gjithashtu, nga vet tradita e trashëguar në stilin e mësimdhënies.
Së dyti: Hapësirat që të ofron ky universitet me të gjitha kushtet maksimale të nevojshme për një institucion të tillë, i cili mund të krahasohet me shumë universitete të Evropës perëndimore.- Po ju do pyesni në ç’drejtim?- Them se në të gjitha drejtimet akademike, pra i kompletuar me salla leksionesh të përmasave të ndryshme, salla seminaresh dhe laboratorësh, etj., etj..
Së treti: Shkalla e organizimit bibliotekar pra, bibliotekat e të gjitha niveleve, pra çdo katedër ka bibliotekën e vet e pasuruar në mënyrë të përkryer me një fond të pasur librash dhe tekste të tjera akademike, jo vetëm kaq, por dhe biblioteka e Fakultetit të Filozofisë, ku për sa i përket pasurisë me libra dhe material shkencore është tepër e pasur, e mbi të gjitha me një funksionim në orar nga 08 e mëngjesit e deri në orën 19:30 të darkës.
Së katërti: Biblioteka qendrore e Universitetit, ku në të mund të studiojnë studentët e të gjitha fakulteteve, (s’kam ç’të them, s’kam fjalë për të), e organizuar në mënyrë tepër të shkëlqyer, me një rregull dhe me një shërbim absolut, pra jo vetëm e kompletuar me fondin e pasur, por edhe me sallë të madhe studimi me kushte absolute për të studiuar komod dhe i qetë. Po ashtu dhe një sallë të madhe studimi për profesorët dhe stafin akademik mësimdhënës etj.. E them këtë se, ky shërbim i bibliotekës së universitetit ishte dhe suksesi im që të mbyllja studimet e të dy niveleve shkëlqyeshëm, por dhe pranimin në këtë universitet si Doktorant, ku i mbylla këto studime me sukses, pra mund të them se, në formimin e një studenti ka të bëjë shumë vendi, ku zhvillon gjithë veprimtarinë mësimore si student.
Cili është mendimi juaj për fenomenin e korrupsionit në radhët e pedagogëve. Cilat janë arsyet dhe si mund të shmanget?
Nga vet termi korrupsion, ku duhet specifikuar në mënyrë më të qartë dhe më të thjeshtë, pra dhënie para nën dorë ose më shqeto blerje notash, me thënë të drejtën është një gjest tepër i ulët në radhë të parë për studentët dhe pastaj për stafin e profesorëve. Po pse është i ulët për studentët?- do më thoni juve- sepse në radhë të parë kemi një kontingjent studentësh që nuk frekuentojnë në mënyrë të rregullt dhe korrekte mësimet si leksionet po ashtu edhe seminaret dhe kur vjen momenti për t’u përballur në fund të semestrit apo të vitit e ndjejnë veten jashtë orbitës dhe këtu fillon tendenca e studentëve për të marrë notën pa studiuar dhe pa mësuar fare pse jo duke mashtruar edhe prindërit se gjoja profesor X apo Y s’ma dha kësaj radhe lëndën duke ngritur shumë hamendje për t’u justifikuar në familje. Kurse për profesorët s’e besoj dhe nëse ndodh një gjë e tillë për mendimin tim, ai vet si profesor s’e ka vlerën më të madhe sesa vet vlerën që i kërkon për notë një student dhe gjithmonë në jetë mbetet një njeri i etiketuar. Për mendimin tim them se nuk ka profesor që t’i vendosë taks studentit nëse ai është sistematik dhe i rregullt.
Si është kërkesa në universitetet shtetërore shqiptare në krahasim me ato private? Ju keni shansin të punoni dhe të jepni mësim në të dy llojet? Cilat janë të veçantat dhe ndryshimet mes tyre?
Së pari, mund të them se, politikat ndaj universitetit publik në vitet e tranzicionit mendoj se, kanë qenë jo efektive, pavarësisht tendencave në rritje të përmirësimit të kushteve dhe të kompletimit me ambiente, ku sot vuajnë disa departamente nga rikonstruksioni i godinave dhe kjo fal angazhimit të rektoratit për t’u krijuar mundësi lehtësuese jo vetëm kolegëve, por edhe studentëve. Për sa i përket ndryshimit mes universiteteve private dhe shtetërorit mund të them se, të dy angazhimet kanë cilësi sa të ngjashme po aq dhe të ndryshme, ku specifikat janë të shumta dhe do na duhen aq shumë kohë dhe hapësirë për t’i detajuar.
Cili është mendimi juaj për politikën shqiptare në këto 20 vjet tranzicion dhe si ka ndikuar kjo politikë në arsimin shqiptar. A e ka mbështetur ajo me investime duke pas parasysh kërkesat e kohës?
Këtu dua të ndalem pak më shumë për një analizë tepër të shkurtër, pra dua të përmend shkaqet që sollën ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri dhe indikacionet që imponuan klasën politike të asaj kohe për të pranuar ndryshimin e kursit politik. Këto ndryshime ishin të pashmangshme dhe të imponuara jo thjeshtë nga kushtet e shoqërisë tonë si faktori i brendshëm, por ishin vendimtare edhe ndryshimet gjeopolitike e strategjike të fuqive të asaj kohe pra SHBA dhe ish- Bashkimi Sovjetik, humbjen e ekuilibrave dhe kontrollin në zonat e influencës. Mundë të them se ishte e kuptueshme fare qartë se ç’rrugë do merrte Evropa që me ardhjen në pushtet të komunistit të ri dhe reformator Mihail Gorbaçov, pra “Perastroika” e famshme e tij solli natyrshëm në mënyrë graduale humbjen e kontrollit, jo vetëm në BS, por dhe mbi shtetet në Evropën Lindore. Këto ndryshime në gjysmën e dytë të viteve 1980 pra pas vdekjes së Enver Hoxhës. Por mbas vitit 1990 e në vazhdim sigurisht shoqëria shqiptare ishte tepër optimiste, për një jetë ndryshe dhe për një Shqipëri evropiane etj... Në të vërtetë kanë kaluar 20 vjet “demokraci” dhe akoma jemi në stadin e të ashtuquajtur tranzicion që me sa po shoh jemi akoma i vetmi vend në Evropë, ku jemi në fazën akoma transite, ku shumë vende të Evropës Lindore kanë kaluar këto faza. Kurse politika shqiptare mund të them se, është e papjekur për të bërë një gjë të tillë, kur vendet që dolën nga lufta, tashmë janë pjesë e familjes evropiane, kurse ne ngelëm përsëri në fund për të pritur trenin e radhës. Uroj që të hyjmë në vagonin e pasagjerëve dhe do Zoti s’na kanë rezervuar vagonin e bagazheve.