Kulturë
Nuhi Veselaj: Shumësi dhe shquarsia e emrave në shqipen standarde (XV)
E merkure, 14.07.2010, 09:33 PM
SHUMËSI DHE SHQUARSIA
E EMRAVE
NË SHQIPEN STANDARDE
(konstatime, diskutime, propozime)
Nga DR. NUHI VESELAJ
VII. KONSTATIME PËRMBYLLËSE RRETH DISA ÇËSHTJEVE
TË HAPURA TË EMRAVE TË PËRVEÇËM TË
NJERËZVE NË SHQIPEN E SOTME
Konstatime paraprake
Në këtë krye të fundit do të konstatohen disa çështje sadopak të prekura, por që mbesin të diskutueshme dhe lidhur me to njëharazi jepen mendime mbase më të qarta plotësuese se çfarë duhet pasur në konsideratë me rastin e përzgjedhjes dhe të zgjidhjes së tyre, duke filluar nga trajta përfaqësuese a mbizotëruese të emrave në shqyrtim dhe për të kaluar në çështje të tjera, të cilat përpiqemi t’i vështrojmë sipas tri aspekteve, që mund të quhen edhe parime e ato janë: trashëgimia e emërimeve, rregullësitë gramatikore në fuqi dhe prakticiteti i zbatueshmërisë.
Siç u pa nga trajtimi i deritashëm rreth emrave të njerëzve, emrat e përveçëm të njerëzve në shqipen e sotme, nuk janë në numër të vogël. Sipas burimeve përkatëse vetëm ata që rekomandohen me prejardhje iliro-shqipe ose si emra të vjetër të trashëguar kalojnë 1500-shin, madje me ripërtëritjen e tyre prej brezit në brez i bën ata edhe më të frekuentueshëm se fjalët e tjera në kuptim të përdorimit të përgjithshëm dhe sidomos si emra të përveçëm trajtash të ndryshme: të parmë, të prejardhur me ndajshtesa, kompozita dhe në trajta të shkurtuara.
Kur është fjala të shumësia, siç u vërtetua, vetëm emrat e tillë mbi bazë të prejardhjes arabo-turko-persiane për nga sasia në përdorim e sipër kalojnë 1000-shin. Edhe çështjet lidhur me ta nuk ishin të thjeshta dhe të pakta. Ato dilnin dhe dalin të nduarduarshme dhe mjaft me paqartësi, duke filluar nga drejtshkrimi, nga përcaktimi, sipas shquarsisë, i trajtës përfaqësuese e mbizotëruese, duke vazhduar te çështja e shumësit, përdorimi hipokoristik i tyre etj., çka e shtojnë ndërlikueshmërinë e përdorimit të tyre, por njëherazi edhe nxisin kuadrot për studime te kësaj tematike, sepse ku ka ndërlikueshmëri aty për studiuesin mund të dalin edhe tema me vlera të pakonsumuara ose të panjohura mirë në të kaluarën. Ç’është e drejta, siç e pamë, ndonjë dukuri ndërlidhej thjesht, si me thënë, me çështje teknike ose modele me prirje të normëzimit, jo vetëm në lëmin e strukturës emërformuese, por edhe në suazat e sistemit të përgjithshëm emëror të shqipes së sotme. Disa nga çështjet që u konstatuan ose u trajtuan sadokudo në punimin tonë, do të rikujtohen në njëfarë mënyre, por nga një këndvështrim tjetër. Gjithsesi do të ceket edhe ndonjë sirisimtari që na duket si thelbësore, mbase ndër to edhe ndonjë çështje ta quajmë anësore, e cila na imponohet gjatë rrumbullakësimit të analizës së kësaj problematike.
Siç dihet çdo problematikë brenda vetes ka edhe gjëra përbërëse, zbërthimi i të cilave veç e veç nuk do të jetë e parëndësishëm për zbardhjen e çështjeve të caktuara, andaj kërkojmë nga lexuesi i nderuar që së bashku t’i ndjekim me vëmendje të shtuar edhe konstatimet që po paraqiten këtu, sipas pikave vijuese, që po i quajmë konstatime përmbyllëse, edhe pse dihet se shumë çështje si këto që i kemi në shqyrtim, prej vetë natyrës që kanë, kurrë nuk mund të jenë çështje të mbyllura.
1. Rreth disa trajtave përfaqësuese më të parapëlqyera
nga emrat e trashëguar islamë
Ç’është e vërteta, nuk dalin të diskutueshëm aq në gjuhën tonë në parim, emrat e plotë zyrtarë, qofshin vendës, qofshin të përvetësuar nga gjuhët e huaja, sa dalin trajtat e ndryshme të shkurtuara e të modifikuara, por të përvetësuara tradicionalisht gjatë periudhave të kaluara, por edhe të tashme.
Dalin të diskutueshme gjithashtu edhe disa nga trajtat e huazimeve të reja nga gjuhët e ndryshme, qoftë të marra drejtpërdrejt, qoftë nëpërmes gjuhëve të tjera të ndërmjetme Është fjala për emra që shkrimisht ose shqiptimisht, bien ndesh me alfabetin e shqiptimin e tingujve në gjuhën tonë.
Sidoqoftë, ne këtu, sa për ilustrim do të përqendrohemi kryesisht në ndonjë shembull nga opusi i emrave me prejardhje arabo-turko-persiane, sepse këtë sferë e konsiderojmë jo mjaft të trajtuar objektivisht në gjuhën tonë.
Për këtë qëllim tash fill, konkretisht po japim nga dy shembuj për secilën gjini në të gjitha variacionet e mundshme që, sipas nesh, i ndeshim në gjuhën tonë, duke u pozicionuar subjektivisht menjëherë për ato trajta që mendojmë se mund të konsiderohen më të pranueshme se të tjerat, vështruar, siç u tha, nga tri aspekte: nga trashëgimia, rregullat gramatikore dhe lehtësia lidhur me zbatimin praktik, të cilat edhe mund të konsiderohen si trajta përfaqësuese të grupit të caktuar të emrave të përveçëm në gjuhën tonë.
a) Gjinia mashkullore
1) Nuh’ (trajtë me prejardhje arabe,.emër pejgamberi (profeti), që në hebraishte. e gjuhë të tjera del Noach (Noah), Noje, Noe Noa, shqip sipas K. Dizdarit: Nuh-i del gegnisht Nuh-u toskërisht(!), ndërsa në realitetin tonë gjuhësor e ndeshim Nuhi Nuhiu (përshtatur analogjikisht sipas grupit të emrave me -I fundore në trajtën e pashquar, tipi Nuri Nuriu, Lumni Lumniu, bari bariu (krh. *bëruo), Nuhë Nuha, Nuho Nuhoja, Nuhi Nuhija a Nuhia dhe si patronimi (emër i familjes) Nuhaj-t ose Nuhiaj-t; Nush Nushi, boshnjakisht edhe Nuhan e Nuko, madje edhe Nui, Nu(v)o ose Nua në viset që nuk shqiptohet H-ja dhe kjo nuk duhet ngatërruar me trajtën N(d)ue që etimologjikisht vjen nga trajta Anton. Me thënë të drejtën trajtën Nuh Nuhu nuk e kemi ndeshim askund, edhe pse e përmend K. Dizdari.
Ndonëse tradicionalisht e ndeshim mjaft të përdorur trajtën Nuhë Nuha, kjo gramatikisht e praktikisht nuk del e parapëlqyeshme. Në mesin tonë të pëlqyeshme dalin trajtat Nuh Nuhi e sidomos Nuhi Nuhiu dhe Nush Nushi, nga të cilat tashmë i ndeshim edhe emrat paralelë femërorë Nuhije, Nushe. Në shumës më e përdorshme për të dyja trajtat Nuh-i ose Nuhi-u na duket del trajta Nuhët, në krahasim me Nuhitë, Nuhat Nuhi(j)at. Për trajtën Nush-i shumësi i mashkullores del Nushët, ndërsa për gjininë femërore Nushet.
2). Ramadan (turq Ramazan e Ramadan, ar. Ramadhan, emër muaji), shqip e ndeshim, përveç Ramadan Ramadani edhe Ramë Rama (emër familjar Ramaj-t), Dan Dani, Danush Danushi, Danë Dana, Dano Danoja(!), Ramush Ramushi, (Ram! Rami(!)) ose Rami Ramiu edhe Zan Zani ( nga *ramaZan); (boshnjakisht) Ramadan, Ramo.
Gramatikisht përveç emrit të parë mund të parapëlqehen emrat tradicionalë: Dan Dani, Danush Danushi, Ramush Ramushi, Zan Zani dhe Rami Ramiu si emër (mode) i ditës!), shumës Ramadanët, Ramët, Ramushët.
b) Gjinia femërore:
1) Fatime (ar.-turq. Fatime) në shqipe tradicionalisht përveç Fatime Fatimja e ndeshim në trajtat: Fatime Fatimeja, Fatë Fata, Fate Fatja, Fatmë Fatma, Fato Fatoja, Time Timja, Ime Imja, Fatushë Fatusha, Fatushe Fatushja, pastaj Fatushi?! Fati! (me konotacion përkëdhelës); boshjnakisht: Fatima, Fatka.
Gramatikisht, përveç trajtës së parë tradicionale Fatime Fatimja, mund të parapëlqehen edhe trajtat Fatë Fata, Time Timja, Fatushë Fatusha ose Fatushe Fatushja si trajtë paralele ndaj emrit mashkullor Fatush Fatushi.
Në shumës asnjëra trajtë nuk paraqitet problemore: Fatimet, Fatat, Timet, Fatushet
2) Hatixhe (ar.-turq. Hatixhe) në shqipe përveç Hatixhe Hatixhja e ndeshim edhe Hatixhe Hatixheja, Hatë Hata, Tixhë Tixha, Tixhe Tixhja, Hatushë Hatusha, Hatushe Hatushja, Hatushi!; boshnjakisht Hatixha, Hatka.
Gramatikisht përveç trajtës së parë, Hatixhe, mund të parapëlqehen trajtat: Hatë Hata, Tixhë Tixha, ndërkaq shumësi nuk paraqet problem: Hatixhet, Hatat etj.
Është e vërtetë se të gjitha trajtat e shënuara (mashkullorë e femërorë) kanë mbështetje në shembuj përkatës në realitetin tonë gjuhësor, prandaj detyrë e standardologut mbetet të konstatojë dhe të përcaktojë kriterin përkatës dhe ta propozojë e ta mbështetë atë model, i cili në gjendjen e sotme më tepër u përshtatet tri pikëpamjeve të sipërcekura:
e para, gjedhës së trashëguar më të përkapshme brenda sistemit të emrave grupi përkatës të kësaj natyre në gjuhën shqipe,
e dyta, rregullës gramatikore dhe e treta, natyrisht, edhe
e treta. duhet parë anën praktike: lehtëshqiptimin dhe perspektivën që synon shoqëria.
S’do mend se përzgjedhja e njërit model (njërës trajtë) nuk është punë e lehtë, nëse më parë nuk njihen gjedhet aktive emërformuese si struktura të gjalla të sistemit të gjuhës sonë sot e në perspektivë.
Këtu ne (te shembujt e mësipërm) arbitrarisht parapëlqyem variantin shkrimor e shqiptimor jo gjithnjë më të lehtë, ngase nuk parapëlqyem trajtat me -Ë fundore në trajtën e pashquar të gjinisë mashkullore dhe as ato me -E në gjininë femërore, kur nuk paraprihen me emra paralelë.mashkullorë Po kur emrit të caktuar i paraprin emri mashkullor paralel me konsonant fundor, siç e kemi rekomanduar në shembujt e mëparshëm, mbështetur në prirjen që shprehet edhe në burimet përkatëse, atëherë, parapëlqehet që shembulli në femërore me marrë fundoren -E femërorizuese. Këtë prirje si dukuri në zhvillim do ta përforcojmë këtu edhe në pikën vijuese.
2. Rreth çështjes së përcaktimit të shquarsisë
të emrave femërorë
Si pikë të dytë, si çështje brendagjuhësorepo i themi disa fjalë rreth përzgjedhjes së trajtës mbizotëruese të shquarsisë tek emrat përkatës, ngase, në bazë të shembujve konkretë, në mjaft raste nyjë-mbaresat shquese nuk përkojnë me trajtën përfaqësuese të rekomanduar gramatikisht për emrat e përgjithshëm nga burimet tona përkatëse normative.
Bie fjala, tipi i emrave Shpresa, Besa, Afërdita ndaj trajtave Shpresë, Besë, Afërditë etj. mbetet çështje sfiduese për standardologët tanë. Sipas analizës që bëmë, përkundër rekomandimit për emrat e përgjithshëm shpresë-a, besë-a që si trajtë përfaqësuese me dalë trajta e pashquar edhe për emrat e përveçëm të njerëzve, ashtu siç rekomandojnë edhe studiuesit Ajet Bytyçi e Xhevahir Shaqiri, Rami Memushaj e të tjerë, në praktikë si trajtë mbizotëruese për emrat e këtij tipi (të përveçëm femërorë) del trajta e shquar me nyjë-mbaresën -A, pikërisht ashtu siç rekomandojnë M Gjevori, Xh, Lloshi e të tjerë, ashtu si edhe e ndeshim në burimin “Emra shqiptarësh”. Te emrat e tillë që nuk ka mundësi logjike të përftohen emra paralelë të gjinisë mashkullore, atëherë nuk vërehet as tendenca për të marrë -E në fundore femërorëzuese, si b.f. Afërdite, Shprese Bese(!), por vetëm Afërdita, Shpresa, Besa etj Andaj te ky tip emrash mbetet, si me thënë përcaktimi i trajtës mbizotëruese, Shpresë apo Shpresa? E thamë se trajta e shquar e tipit Besa, Shpresaetj. Del mbitzotëruese.
Sidoqoftë, edhe ky problem e sfidon normën, andaj standardologët duhet ta japin mendimin e tyre të arsyeshëm.
3. Rreth çështjes së përcaktimit të shquarsisë
të emrave mashkullorë
Edhe lidhur me disa emra të gjinisë mashkullore ndodh një proces i ngjashëm si ai në pikën e mësipërme, mirëpo ndërsa te emrat e mësipërm femërorë kishin një dukuri, si me thënë, të trashëguar, te këta emra mashkullorë, së paku, siç na duket neve, janë përftime të reja, madje njëri mund të quhet i shpifur nga paralagjet e shqipes së sotme letrare.
E kemi fjalën për tipin e emrave Ylli ndaj Yll, pra: Ylli (Yll), Miri (Mir) Luli(Lul), Liri (Lir) Musi (Mus) Rami (Ram!). Duli (Dul), Hysi (Hys), Suli (Sul!), Oli (Ol!), Joni (Jon), Pali (Pal) etj., prandaj problemi i përzgjedhjes së trajtës përfaqësuese të emrit të përgjithshëm përkatës të këtij grupi, siç është shembulli i konvertuar nga emri i përgjithshëm yll ylli, gur guri del jo fort natyrshëm sipas rekomandimit nga gramatika, sepse si trajtë mbizotëruese (përfaqësuese) nga tradita dilte trajta e pashquar Yll, Gur, ndërsa Ylli, Guri trajta e shquar, po tashti rasti i dyti, Ylli, si trajtë e shquar, del më në modë, sidomos në Shqipëri e përgjithësisht, mbase nga ndikimi i të folmeve të Jugut, sepse edhe atë trajtë e kemi nga tradita si Jani (Jan); Jorgji (Jorgj *Gjergji), Pali (Pal), Taçi (Kostaqi),Todi (Teodori), Kovi Jakovi), Koçi (Kosta) etj.
Në të vërtetë, po kjo prirje është duke prekur edhe disa emra nga konfesiobnui islam hipokoristikë nga tradita veriore, si Musë Musa, Ramë Rama, Hysë Hysa etj. që tani po shfaqen zakonisht në një trajtë të vetme Musi, Rami, Hysi, madje shihet shtrirje edhe te rastet si Genti, Zefi, Edi, Luli, Miri, deri edhe te Gjovalini, Pjerrini etj.
Sidoqoftë, edhe ky tip duhet t’i shtrohet vlerësimit, sepse e njëjta prirja shfaqet edhe te emrat femërorë, çka vërtet po sjell edhe probleme semantike.
Lidhur me këtë del e nevojshme të sqarohen dy çështje:
e para, trajtat e tilla të reja si Koli, Rami, Uki, Dedi s’dimë sa mund t’i zëvendësojnë trajtat nga tradita Kolë Kola, Ramë Rama, Ukë Uka, Dedë Deda, ngase ata edhe pse mbase nuk parapëlqehen gramatikisht sot, sepse përkojnë me forma të emrave të gjinisë femërore, ata në të vërtetë trashëgimish dalin të pranueshëm, mbase edhe si të tillë në raste të veçanta mund të përtërihen, dhe.
e dyta, edhe emrat e gjinisë femërore me -i fundore, ngjashëm si mashkullorë të modës(!), si Beti (për Elizabeta), Fati (për Fatime), Besi (për Besime a Besnike), Kati (për Katerina), Nexhi (për Nexhmije) etj. zyrtarisht nuk mund t’i zëvendësojnë emrat e plotë, andaj edhe lidhur me këtë dukuri ekspertët duhet ta thonë fjalën e tyre.
Sidoqoftë, edhe këta dy tipa emrash hiperkoristikë (mashkullorë e femërorë) sfidojnë, andaj standardologët tanë duhet t’i trajtojnë dhe t’i zgjidhin me kompetencë.
4. Rreth saktësisë grafo-shkrimore të emrave personalë
Çështje tjetër që meriton vëmendje është edhe saktësia e grafo-shkrimit të emrit përkatës. Secili emër përfaqëson njeriun e caktuar, bartësin e atij emri, por nëse i njëjti emër pëson ndryshim, qoftë edhe për një shkronjë të vetme, qoftë si gabim shtypi ose për ndonjë arsye tjetër, si b.f.:
-Ë ose E apo A, T apo D, fundore, F a H si b.f. Abetare Abetarja Abatare Abatarë-a, Shkurtë Shkurte Shkurta, Hamit Hamid ose Bahti Bafti, J ose H nistore ose pa të, si p.sh.: Jemin, Emin, Hilmi ose Ilmi etj.
dhe mendohet për të njëjtin person është gabim materialo-semanik, ngase në gjuhën e shkrimit grafia përkatëse përfaqëson individin e veçantë, prandaj kësaj çështjeje sidomos në gjuhën shqipe, duhet vënë kujdesi i duhur
Më poshtë po i japim disa shembuj të tjerë kësaj natyre në të dyja gjinitë, ashtu siç i kemi ndeshur në burime të ndryshme:
a) Gjinia mashkullore:
Ahmed Ahmet, Ajdin Hajdin, Bexhet Behxhet Begjet, Eqerem Ekrem Eqrem, Mehmet Mehmed, Memet, Et-hem Etem Hetem, Hafëz Hafuz Hafiz, Kemal Qemal, Xhafer Xhaferr, Xhahid Xhahit, Rushid, Rashit, Halil Alil e Lil Lilë, Xhavid Xhavit, Gjavit, Ismail Smajl, Murad Murat, Mit-had Mit-hat Mitat, Osman Asman Uthman, Shefqet Shevqet Shefket, Ramadan Ramazan, Theodor Teodor, Odise Odhise, Dhimitër Dimitër, Sylejman Sulejman Sylë Sul Suli etj.
b) Gjinia femërore:
Liri, Lirie Lirije, Fikrije Fiqrije Fiqirie Fikrush(e) Fiqrrushe, Zylfije Zulfije Zilfije, Emire Amire, Emina Emine Minë Mine, Minavere Mynavere, Munavere, Ajnishah Ainishah, Ajshe Aishe e kështu me radhë.
Shembuj të tillë, patjetër sipas detyrës zyrtare lypsen korrigjuar, duke e përzgjedhur patjetër vetëm njërën trajtë (version). Po cilën trajtë duhet parapëlqyerj, është problem në vete. Së këtejmi puna e standardologëve duhet të jetë edhe më aktive, edhe më frytdhënëse, edhe më ndikuese me rastin e përcaktimit të trajtës zyrtare të emrit përkatës. Dhe për përcaktim të drejtë le të shërbejnë tri opsionet që i përmendëm më sipër: tradita, gramatika dhe praktika, e cila nuk e mohon perspektivën.
Kuptohet se është e drejtë e detyrë e individit ta shënojë emrin e vet ose ta bartë ashtu siç ia kanë shënuar të tjerët, por njëherazi është e drejtë e tij ta ndryshojë ose ta modifikojë drejtshkrimin e emrit të vet, në përputhje me rregullat drejtshkrimore. Në këtë kontekst del edhe detyra e studiuesit ta japë ndihmesën e vet, madje sipas vendit e kuvendit, ka të drejtë dhe detyrim jo vetëm ta diskutojë vërtetësinë drejtshkrimore të emrit të caktuar, por edhe ta diktojë trajtën më të drejtë drejtshkrimore të emrit të përveçëm përkatës, duke respektuar rregullën gramatikore, në radhë të parë, por në raste, duke arsyetuar traditën ose edhe prirjet e reja që nuk janë në kundërshtim me rregullat gramatikore, përkatësisht janë në harmoni me natyrën e gjuhës sonë dhe prirjen e zhvillimit të saj..
Nga sa u tha del se edhe për këtë standardologët kanë për detyrë të përpiqen për disiplinimin e drejtshkrimit të rasteve të tilla, duke rekomanduar trajtën më të përshtatshme drejtshkrimore, duke pasur për kriter edhe trajtën origjinale, por edhe lehtëshqiptimin në gjuhën sonë. Në të vërtetë, kur rekomandimet e standardologëve vërtetohen funksionalisht e shkencërisht, atëherë edhe zyrtarisht mund të bëhet rekomandim-korrigjimi i shkronjave përkatëse që duhen zbatuar nga organet kompetente administrartive shtetërore.
Edhe pse nuk e mohojmë moton se njeriu e hijeshon emrin e jo emri njeriun, gjithsesi pajtohemi që variantet e ndryshme shkrimore, madje edhe shqiptimore që paraqiten si çështje problemore duhen zgjidhur drejt.. Natyrisht këto punë bëhen pa e cenuar të drejtën e secilit individ që ta respektojë trajtën shkrimore që ai e dëshiron, por gjithashrtu është e drejtë dhe detyrë e gjuhëtarit (standardologut) që ta propozojë trajtat më të drejta.trashëgimisht, gramatikisht e praktikisht.
5) Rreth traditës së përdorimit të emrave mashkullorë
me -Ë, ndaj atyre me -O fundore
Ne përherë po e përmendim si kriter traditën. Për mendimin tonë, pikërisht në këtë kontekst nuk ishte pa vend, po shumë me vend, konstatim-rekomandimi i studiuesit Shaqir Beranit, kur ngulmonte se ne nuk kemi nevojë t’i përvetësojmë në shqipe edhe t’i zbatojmë në shkrim e shqiptim emrat serbo-ortodoks me -O fundore, tipi Risto, K(ë)rsto, Spiro, Ratko, Stevo, Vitko, Xheko, Stanko, Stojko, Marko etj., qofshin të përdorur edhe nga vetë shqiptarët në vise të caktuara, sepse ne nga tradita emrat e tillë e të ngjashëm i kemi të përshtatur me kohë ashtu si edhe shembujt që janë në përdorim e sipër dhe kanë histori të gjatë përdorimi, siç janë trajtat me -Ë fundore në temëose pa të, parakristianë si Ukë, Gjetë etj. si dhe emrat kristianë si: Kolë Kola, Kostë Kosta, Spirë Spira, Stevë Steva, Xhekë Xheka, Stank Stanku, Stojk Stojku, Mark Marku etj., të cilët përkojnë me emrat e shkurtuar popullorë myslimanë, tipi Beqë Beqa, Ramë Rama, Shaqë Shaqa, Sheqë Sheqa, Babaplak Babaplaku,Durak Duraku, Dulak Dulaku, e kështu me radhë.
Edhe pse ne nuk parapëlqyem që emrat, sidomos të rinj të gjinisë mashkullore të formohen në kët mënyrë të tipçit me –Ë fundore, megjithatë e quajmë me vend reagimin e Sh. Beranit, sepse për trevën tonë e përgjithësisht emrat me -Ë dalin më popullor e tingëllojnë më shqip se ata me -O fundore, edhe pse edhe njëri edhe tjetri tip shkojnë në njëjës sipas lakimit të emrave femërorë, por në shumës ndryshojnë. Krahaso: Risto Ristoja Risto Ristot ndaj Ristë Rista Ristë Ristët, Pra Risto ka eptimin si femërori Vito Vitoja Vito-t, ndërsa Ristë Rista ka eptimin si mashkullorët e tipit: Axhë Axha.Axhë-t që në shumës i bashkohen grupit të emrave mashkullorë me nyjë-mbaresë zero ose me -Ë/t fundore.
Kur e thamë se emrat e gjinisë mashkullore me -Ë fundore në trajtën e pashquar u mbështetëm edhe në faktin se në grupin e emrave tradicionalë malësorësh ndeshim mbi 20 shembuj të tillë, të regjistruar në burimin “Emra malësorësh” por edhe në konstatimin e prof. A. Xhuvanit, i cili pati theksuar se:
Nga këta emna (më -0-fundore) dsa janë të përveçëm si Balo, Rrapo, Pirro etj. Kjo kategori e emnave më –o, në krahasim me kategoritë e tjera asht e pakë në shqipet dhe ka shumë të ngjarë që të jetë prej një origjine të huej, të greqishtes, t’italishtes a të turqishtes. Mirë po në gjuhë të shkrimit, ma fort në atë të shtypit, janë tue u përdorë emna mashkullorë në tratën më-o. (Shih, A. Xhuvani, Për pastërtinë e gjuhës shqipe, Rilindja, Prishtinë
Pra, jo në gjuhën popullore, po në gjuhën e shtypit, siç e konstaton. A. Xhuvani, ndërkaq te ne rezistenca ishte më e madhe,sepse ndikimi i emrave të tillë vinte derejtpërdrejt prej serbishtes. Sidoqoftë, ne jo vetëm e përkrahim por edhe përshëndesim edhe sot rekomandimin e Sh. Beranit, kur krahasojmë përzgjdhjen e emrave me –O fundore ndaj atyre me –Ë ose me me konsonant fundor.
6) Rreth prirjes së femërorëzimit të emrave
mashkullorë e femërorë me E fundore
Lidhur me emrat paralelë femërorë ndaj tipit të emrave pararendës të gjinisë mashkullore Fatmir, Jetëmir, Rilind, Fatbardh, Fatlum e të ngjashëm, përforcojmë mendimin e shprehur më përpara se duhet të vlejë rregulli që trajtat e emrave femërorë paralelë duhet të dalin me femërorëzimin e emrave mashkullorë me prapashtesë-fundoren -E: Fatmire, Jetmire, Jetëgjate, Fatlume, jo Fatmira, Jetëmira, Fatluma, siç po ndeshen në ndonjë rast në jetën tonë të përditshm, madje edhe në Emërorin e Forumit shqiptar, sepse fundorja -A vetvetiu nënkupton trajtën e pashquar me -Ë fundore, Fatmirë, Fatlumë e kështu me radhë, por edhe për arsyen tjetër se në realitetin tonë gjuhësor i kemi në përdorim emrat paralele në gjininë mashkullore me konsonant fundor, siç e kemi sqaruar më përpara., por edhe më poshtë.
Pra propozimi i saposhprehur le të jetë si kriter orientues. Kemi vërejtur se edhe emrat që fillimisht dilnin si mbizotërues në gjininë femërore si Bardha Fatbardha, me fuqizimin e emrave mashkullorë paralelë Bardh-i Fatbardh-i, atëherë emrat femërorë paralelë po dalin me -E: Bardhe Fatbardhe, Borëbardhe etj. Andaj nuk është mirë që emrat paralelë femërorë të ngatërrohen me emrat e tipit Shpresa, Tokjona, Larglinda etj. kur të cilëve u mungon trajta pararendëse paralele mashkullore.
Në raste emra çiftësh mashkullorë/femërorë me sa kemi vërejtur trajta e parë e gjinisë mashkullore si te rastet e mësipërme, tipi Fatmir / Fatmire, Fatbardh / Fatabardhe konsiderohet si trajtë parësore përfaqësuese, edhe pse mbiemri i emërzuat si b.f. i mirë i miri/ e mirë e mira ose i bardhë i bardhi/ e bardhë e bardha, në trajtën e pashquar në të dyja gjinitë ka -Ë fundore.
Nga “Emra shqiptarësh” kjo prirje duket sheshitseështë bërë kapërcimi i fundores –Ë në –E, te shembujt përkatës, madje jo në numër të vogël, si p.sh,. tipi: Zanushë-a del Zanushe -ja, Gjallimë-a Gjallime–ja , Rrezeparë-a Rrezepare-ja etj.
Sidoqoftë, edhe kjo çështje që mbetet e diskutueshme ka nevojë për përkrahje nga standardologët.
7) Për mosfavorizimin e emrave femërorë
me eptim mashkullor
Në burimet tona normative jepet e drejta që disa emra të gjinisë femërore të tipit Ksenofon-i Nermin-i, të shquhen me -i, përkatësisht të eptohen si emra mashkullorë, ne pasi pamë se shembuj të tillë kishte me dhjeta e dhjeta që në realitetin tonë ligjërimor kalojnë 100-shin, madje dilnin disa tipash, megjithatë gjykojmë se një lejim i tillë gramatikisht na duket fare i panevojshëm. Disa shembuj të shfaqur sipas kësaj dukurie i sollëm, ngase edhe ashtu shfaqen jo si nevojë zyrtare, por vetëm si raste përkëdhelie a mode, qoftë ato me prejardhje orientale e disa aksidentale, qoftë edhe raste vendëse (Fikret-i, Xhinet-i, Mirush-i. në vend Fikret/e -ja, Xhinet/e -ja, Mirush/e-ja, e kështu me radhë).
Po përsërisim se në emërtimin e emrave personalë duhet pasur parasysh gjithsesi përshtatja e emrit sipas raportit gjini natyrore/gjini gramatikore, dhe kjo bëhet duke respektuar sidomos te emërtimet e reja, nyjë-mbaresat tashmë të specializuara. P.sh. Valdet Valdeti emër mashkullor e Valdete Valdetja emër femëror, andaj logjikisht e gjuhësisht nuk duhet lejuar që pa nevojë të krijohen homonimi të vrazhda që prekin për të keq sistemin dhe si pasojë sjellin ngatërresa semantike në strukturat përkatëse të sistemit ligjërimor të gjuhës sonë. Kjo rregull duhet të vlejë, pra edhe për emrat me prejardhje arabo-turko-persiane të përvetësuar në gjuhën tonë me fundoren -ET e të tjerë, por edhe ata të huazuar, qoftë nga greqishtja, italishtja ose gjuhë të tjera moderne europiane.
Pra, jo emrat e gjinisë femërore b.f. Hatman Hatmani, Mirvet Mirveti, Sadber Sadberi, Badem Bademi, Xhinet Xhineti, Suzan Suzani Margaret Margareti Elizabet Elizabeti etj, po Hatmane Hatmania, Mirvete Mrvetja, Sadbere Sadberja, Bademe Bademja ose Xhinete Xhinetja, Suzane Suzanja, Margarete Margaretja e kështu me radhë.
Kur është fjala për trajta origjinale të gjuhëve të huaja jo të përdorura ose të përvetësuara në shqipe, ato mund të shënohen sipas grafisë origjinale ose përafërsisht sipas shqiptimit përshtatur sipas alfabetit tonë, por zakonisht treguesit e shquarsisë në shqipe të shënohen pas një vizle që vihet pas shkrim-shqiptimit origjinal.
8) Rreth përgjegjësisë dhe tolerimit me rastin
e përzgjedhjes së emrit personal
Edhe pse në kohën tonë u jepet përparësi emrave të rij laikë me prejardhje vendëse dhe për këtë del si përgjëgjësi morale intelektuale, kjo nuk do të thotë se ndaj emrave të trashëguar të ketë alergji ose të bëhet luftë për eliminimin e tyre. Patjetër ndaj emrave të individëve me rëndësi kombëtare ose edhe familjare, madje edhe fetare, qofshin në formë të plotë ose në formë hipokoristike, duhet pasur respekt e mirëkuptim, prandaj përshëndesim punën e Forumit Shqiptar për këtë pikë.
Emrat e tillë të përpunuar e të përshtatur me mjetet përkatëse sipas natyrës së gjuhës shqipe assesi nuk duhet me i përçmue, përkundrazi, ata duhet me dalë më të parapëlqyer gjithsesi se disa emra të huaj pa nam e nishan të mirë, si emra gansterësh, agjentësh, madje edhe emra lojtarësh, aktorësh a aktoresh me pseudonime a emra të shpifur ose të dyshimtë etj., pa ua ditur kuptimin, të cilët po vërshojnë në gjuhën tonë, madje sipas huazimit tranfer, duke u pozicionuar në shumicën e rasteve edhe në kundërshtim me rregullat emërformuese të njohura dhe të koduara të gjuhës sonë, duke mos dalluar as gjini, as shquarsi, madje as trajtën përfaqësuese të njëjësit e të shumësit.
9) Rreth dukurisë së trashëguar për mosrespektimin e
nyjë-mbaresave të shquarsisë të përcaktuara
gramatikisht sipas gjinisë natyrore
Në fund po e cekim një dukuri të trashëguar, por edhe të rishtpërftuar që nuk mund të quhet e shpifur në gjuhën tonë, e cila ka të bëjë me emra të përgjithshëm të njeriut, të cilët edhe mund të konvertohen në emra të përveçëm të një mënyre të veçantë, pa zyrtarizim, ku nyjë-mbaresa përkatëse nuk përfaqëson gjininë natyrore të emrit përkatës, qoftë mashkullore, qoftë femërore. Po i japim më poshtë nja dy shembuj karakteristikë: bacë baca ndaj dadë dada dhe (bab!) babi ndaj (mam(ë)!) mami.
a) Gjinia femërore gramatikore:
1. nj. bacë baca sh. baca bacat (gjinia natyrore mashkullore);
2. nj. dadë dada sh. dada dadat, (gjinia natyrore femërore).
Siç dihet me shembullin nën 1. në radhë të parë kuptohet vëllai i madh, ndërsa me shembullin, nën 2, kuptohet motra e madhe, e pastaj fjalët e tilla mund të kenë edhe kuptime të tjera polisemantike. Po kështu kemi të trashëguar edhe shembuj të tjerë paralelë antonimikë; babë-a, baba-t (baballarë-t) ndaj nënë-a nëna-t (nanë nanat), pa përmendur shembuj të tjerë të trashëguar, mirëpo dallimi i gjinisë natyrore bëhet me tregues të tjerë ky bacë, ky babë ndaj kjo dadë, kjo nënë (nanë) etj.
Përveç kësaj dallimi mund të bëhej edhe sipas prirjes së sotme, d.m.th., me zëvendësimin e mbaresës së shumësit -A në gjininë mashkullore me mbaresën sot të rekomandueshme: -Ë: bacët babët (Krahaso prirjen: bac baci bacët, bab babi babët) dhe një ndërhyrje të tillë: bac baci bacët (që ka përhapje në gjuhën popullore të viseve të caktuara), ne e quajmë të rregullt dhe pa pasoja, ngase kjo shkon në dobi të respektimit të strukturës së dallimit të emrave sipas gjinisë natyrore e gramatikore në gjuhën shqipe.
Krahaso edhe një herë: m. Bac Baci Bacët, f. Dadë Dada Dadat. Gjithashtu krahaso: Ky bac / kjo dadë.
b) Gjinia mashkullore gramatikore:
1. (bab!) babi: Babi im (gjinia natyrore mashkullore);
2. (mam(ë)!) mami: Mami im (gjinia natyrore femërore) .
Pra, si shembull tipik këtë rast morëm shembullin nga gjuha e fëmijëve, në të vërtetë ajo është gjuha e prindërve, të cilët në shenjë përkëdheljeje u mësojnë fëmijëve gjuhën, po në kundërshtim me rregullat gramatikore. Pra, këtu vetë prindërit i mësojnë fëmijët që analog me babi nënën në vend mbase mamë mama ta quajnë mami.
Këto dy fjalë babi dhe mami dalin të regjistruara në fjalorët tanë përshkrues normativë si emra përkëdhelës të shtanguar në stil të veçantë, pra në gjuhën e fëmijëve, por që si të tillë i njeh standardi i sotëm.
Shembulli i parë: babi (gjinia mashkullore) ka si barasvlerës emrin baba babai baballarë-t, por që e ka edhe trajtën alternative babë-a (njëjës) babë-t (shumës). Ndërsa shembulli i dytë mami, i shënuar si emër i gjinisë mashkullore (!), edhe pse ai në të vërtetë, për nga natyra dhe forma e të shkruarit nuk është i tillë, ka si barasvlerës dy fjalët e gjinisë femërore: nënë nëna dhe mama mamaja dhe plus ilustrimin në Fjalor: mami im.
Për mendimin tonë, sipas stilit neutral shembulli i dytë nuk qëndron as gramatikisht as logjikisht, sepse emri i gjinisë natyrore femërore po përdoret si të ishte emër i gjinisë mashkullore. Shikuar sipas një ndërtimi mbase arbitrar mund të shkojë babi babiu!, por assesi mami mamiu(!!!) po mama mamaja mamatë ose mamë mama mamat, që versionin e fundit ne e quajmë jo vetëm të paqortueshëm, por edhe të rekomandueshëm. Krahaso: ky babi, kjo mamë. Trajta mami, në fund të fundit, krijon homonimi me emrin mami mamia, si emërtim profesioni
Për mendimin tonë mjaftojnë vetëm këta dy shembuj sa për të kuptuar problemet e kësaj natyre në realitetin tonë të sotëm gjuhësor të trashëguar ose të rishkrijuar (që ia kanë kurthuar e po ia kurthojnë vetvetes gjuhës e vet shqipfolësit, duke krijuar fjhalë e shprehje në kundërshtim me rregullat tashmë të afirmuara gramatikore), prandaj lidhur me këtë standardologët tanë duhet ta thonë fjalën e vet më me zë..
Ndërsa shembulli i parë baca/dada nga historia gjuhës ka pasur mbase arsyen e vet, tashti në kohën tonë rastet e shpifura me qëllim ose pa qëllim (siç është rasti mami!) ku ngatërrohet ose nuk respektohet gjinia e emrit natyror sipas rregullave të gramatikës, sigurisht nuk duhen toleruar, si nga ndërgjegja e masës e aq më tepër nga ndërgjegja e elitës së gramatikanëve që i prin dhe ka për detyrë me e mbikëqyr shqipen standarde ose tëpërkujdeset për mibarëvajtjen e saj.
Sidoqoftë, edhe pse emrat nga shembujt e mësipërm mund të përdoren edhe si emra të përveçëm, ata si emra të përveçëm nuk mund të zyrtarizohen, andaj është më lehtë mund të intervenohet për korrigjimin e tyre në stilin e përdorimit neutral, ku respektimi i normës gramatikore del i domosdoshëm.
Nuk e quajmë pa vend kërkesën që sa më pak të kemi të emra të tillë rishtformuar në kundërshtim me normën, qoftë edhe në stilin e fëmijëve, aq më mirë kishte me qenë për kristalizimin e standardit, madje edhe ata shembuj që janë nuk është mirë të përgjithësohen edhe në stile të tjera, ngase po bien ndesh me prirjet e reja dhe mësimet pozitive që jep gramatika normative e gjuhës sonë
Si përfundim del se përveç përcaktimit të trajtës përfaqësuese për çdo emër të përveçëm të njeriut sipas shquarsisë në numrin njëjës duhet me u shënue edhe trajta e mundshme.të shumësit, ngase kjo del e nevojshme jo vetëm për shkaqe antonomazie, por edhe për arsye të tjera.
Konstatime përmbyllëse të pjesës së tretë
Në pjesën e tretë, Raporti dihotimik ndërgjinisor i mbaresave dhe trajta përfaqësuese e emrit të përgjithshëm e të përveçëm në shqipen e sotme, është përfshirë lëndë që bën fjalë për të dyja gjinitë aktive, gjininë mashkullore dhe atë femërore, dhe në njëfarë mënyre krahasohet lënda e shtjelluar në dy pjesët e mëparshme, duke i trajtuar e konstatuar karakteristikat e përbashkëta, por edhe ato dalluese të formanteve të emrave të këtyre dy gjinive, por tashti me theks edhe në emrat e përveçëm të njerëzve, të cilët në këtë pjesë u trajtuan sadokudo më në hollësi dhe gjerësi se në burimet e më përparme.
Lënda u shtjellua në 7 krerë.
Në kreun I të kësaj pjese u trajtua çështja në raportin dygjinisor dhe nga krahasimi 12 skemave konkrete të hartuara sipas lëndës së trajtuar në pjesën e dytë, por në krahasim edhe nga ajo e pjesës së parë (gjinive: mashkullore/ femërore), duke nxjerrë në shesh mjaft çështje të cilat jo vetëm japin mundësi të reja njohjeje, po bëjnë të mundur që të bëhen thjeshtëzime të formanteve të caktuara sipas shembujve në raportin ndërgjinisor, me ç’rast zbardhën mjaft çështje, dhe si rrjedhojë dalin edhe mjaft rezultate e risi të pamohueshme të panjohura më parë.
Në kreun II, po në kuadër të sistemit emëror të dy gjinive u mor në shqyrtim në mënyrë të veçantë trajta përfaqësuese e emrit përkatës sipas tipave të caktuar sipas shquarsisë si te emrat e përgjithshëm ashtu edhe tek emrat e përveçëm,. Për këtë u shfrytëzua lënda e përfshirë në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe (1973).
Sipas kategorisë së shquarsisë ekzistuese shembujt u ndanë në katër grupe. Grupi 1. ku dallohen trajta e shquar nga e pashquara, grupi II, shembujt e regjistruar janë dhënë vetëm në trajtën e pa shquar, por si nën hije kuptohet trajta e shquar, grupi III, përfshin shembujt e regjistruar vetëm në trajtën e shquar, për nënkuptohet si nën hije edhe trajta e pashquar dhe grupi IV shembujt janë regjistruar vetëm në një trajtë, e cila konsiderohet si e ngurosur ose pa shquarsi formale.
Edhe nga ky trajtim dolën rezultate të konsiderueshme, të cilat, me sa dimë, nuk janë vënë në dukje në këtë mënyrë nga studiuesit e mëparshëm.
Në kreun III u trajtua në mënyrë të veçantë shquarsia e emrave të përveçëm të njerëzve në shqipen e sotme. U shfrytëzua lënda, së pari nga paragrafët e Drejtshkrimit të shqipes, pastaj edhe emrat nga regjistri i nënshkruesve të Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1973), por u konsultua edhe lënda e përfshirë në Fjalorthin e emrave të përveçëm të njerëzve në www.shqipëria.com si dhe shembuj nga Fjalori enciklopedik shqiptar (1985) dhe natyrisht gjatë analizës u sprovuan edhe trajtat e shumësit të tyre. Edhe këtu dolën mjaft të dhëna që mund të cilësohen si risime.
Kreu IV, në mënyrë veçantë iu kushtua emrave të përveçëm të njerëzve me prejardhje nga sfera orientale (arabo-turko-persiane), ku veç konstatimeve të përgjithshme nga burimet e konsultuara u trajtua paksa edhe raporti ndërndikues i shqipes, veç e veç, me gjuhët: boshnjake, persiane, turke e arabe.
Në kreun V, nga grupimi dhe analiza e 8 tipave a grupimeve të emrave të prejardhur kryesisht nga gjuhët arabe e turke, shumica e të cilëve dalin të përvetësuar sipas huazimit trasfer në gjuhën shqipe. Si asnjë herë më parë, doli në shesh ndërlidhshmëria, ndikimi i tyre apo ngjashmëria me formimet e emrave të tillë me prejardhje vendëse.
Sidoqoftë, prania dhe ndikimi ose përvetësimi i tyre në sistemin emëror të gjuhës shqipe nuk mund të mohohet, ngase ata, vërtet, janë bërë pjesë përbërëse e sistemit emëror të emrave të përveçëm të njerëzve në gjuhën tonë, numri i përgjithshëm i tyre kalon 1000-shin
.
Në kreun VI, me titull, Vlera shkencore historike e studimit të emrave të përveçëm të njerëzve dhe çështja e kodifikimit të tyre, në mënyrë të veçantë u cilësua ndihmesa konkrete e tre studiuesve të kësaj problematike e vlefshme kjo edhe për historinë e kulturën tonë kombëtare. Ndërlidhur me këtë kontekst u shtrua edhe kërkesa e kodimit të emrave të përveçëm në gjuhën tonë, qoftë me prejardhje vendëse, qoftë të huazuara, duke përfshirë edhe emrat nga sfera e fesë islame.
Në fund, në kreun VII, me titull Konstatime përmbyllëse rreth çështjeve të hapura të emrave të përveçëm të njerëzve në shqipen e sotme, në nëntë pika u përfshinë në njëfarë mënyre kriteret që duhen pasur parasysh standardologët për zgjidhjen e çështjeve të hapura, duke pasur parasysh e respektuar: traditën, gramatikën dhe anën praktike të zbatimit të emrave në shqyrtim sipas modeleve të ofruara..
Gjithsesi edhe tërë kjo pjesë përshkohet me mjaft risime.