Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Shkallët e ferrit (VIII)
E diele, 06.06.2010, 07:51 PM
RESHAT KRIPA
SHKALLËT E FERRIT
Roman
KREU I DYTË
VIII
Isufi po rrinte te porta ku e kishte caktuar Demiri për t’i dhënë përgjigje ndonjërit që mund të pyeste për diçka. Kishte parë Ilian që hyri brenda me dy femra dhe kishte pyetur shoferin e gazit që i solli:
- O Selim, kush ishin ato dyja?
- Janë familjaret e një të burgosuri. Kanë ardhur për një ballafaqim.
Atij iu duk i çuditshëm ky ballafaqim në mesnatë, por nuk u thellua më shumë. Në fund të fundit atje ishte e zakonshme që pyetjet të bëheshin pas mesit të natës. Ajo ishte një praktikë e njohur. Kishte kaluar më shumë se një gjysmë ore nga ardhja e tyre kur në dyert e degës u çfaq një plakë. Isufi njohu atë plakën që kishte ardhur të kërkonte kryetarin një muaj më parë.
- Më fal mor bir, por dua të takoj kryetarin e degës. Thuaji se ka ardhur nënë Gjyla, gruaja e dëshmorit të Luftës Nacionalçlirimtare, Bexhet Canaj.
- Po tani është natë, moj nëne! Pastaj kryetari nuk është fare këtu.
- Si nuk është këtu? Mua më tha oficeri juaj që këtu është.
- Cili oficer ju tha?
- Ai që mori nusen dhe mbesën. Tha se me urdhër të kryetarit do bënin takim me
djalin tim që ndodhet i mbyllur këtu.
- Si quhet djali juaj?
- Agron Canaj.
Një hije dyshimi kaloi në mendjen e Isufit. Dy femrat që hynë para një gjysmë ore, tani plaka dhe fjala që i paskësh thënë operativ Ilia për kryetarin, që nuk ishte fare në qytet, e bënë të mendohej. Diçka e dyshimtë po përgatitej. Agronin e njihte. E kishte shoqëruar në qelinë numër shtatë. I kishte ardhur shumë keq për të dhe ishte munduar ta ndihmonte. Thirri një polic dhe i tha të qëndronte pak kohë në vendin e tij, se do të shkonte të kërkonte hetues Demirin.
- Nënë, do të shkoj unë ta kërkoj, - i tha plakës.
- Falemnderit, more bir! Zoti ta shpërbleftë për mirë!
- E ku ka zot? - tha polici që sapo mori shërbimin.
- Ka mor bir, ka. Ai ndodhet kudo. Edhe në ndërgjegjen tëndë që thua se nuk ka Zot, ai ekziston. Ishallah nuk e provon të keqen, por po të ndodhesh në vështirësi, do ta kuptosh se ku ndodhet Zoti.
Isufi shkoi në zyrën e Demirit. Atje pa Agronin të ulur në një karrike dhe pranë tij Myfitin.
- Ku është shoku Demir?
- Poshtë në birucat, tani vjen.
Shkoi në qelitë e të burgosurve. Përveç dyerve të mbyllura me lloz, nuk pa njeri tjetër.
- Duhet të jetë në dhomën e speciale, - mendoi.
Zbriti poshtë dhe u drejtua andej. Në dhomën speciale nuk kishte njeri. Iu duk sikur dëgjoi një rënkim dhe pas tij një zë që qante. Zëri vinte nga dhoma përbri. Nga dhoma tjetër dëgjohej një e qeshur histerike. Dera e dhomës së parë ishte pak e hapur. E shtyu dhe pa hetues Ilian të zhveshur mbi një grua. Ajo qante me ngashërim. Mbylli portën dhe u drejtua nga dhoma tjetër. Nga brenda dëgjohej një zë që qante dhe qeshte. Dëgjoi edhe zërin e një burri që thoshte:
- Ja edhe pak, kënaqu moj kumbull!
Këto fjalë shoqëroheshin me një rënkim. Njohu zërin e Demirit dhe kuptoi gjithçka. U trondit. Poshtërsia e atyre dyve e la pa mend. Ç’të bënte? Të largohej dhe të hiqej sikur nuk kishte parë gjë? Kjo ishte e pamundur. Do të qëndronte. Ta shikonin dhe ata që ai u bë dëshmitar i aktit të tyre të turpshëm. Dera e dhomës së parë u hap dhe doli Ilia me Lumturinë e përlotur. Kur pa rreshterin ai u trondit dhe i foli me një zë të rëndë.
- Po ti ç’kërkon këtu?
- Dua të takoj shokun Demir. Ka ardhur nëna e Agronit dhe kërkon nusen dhe mbesën..
Ilia ndërroi tonin. Mendoi ta bënte për vete me dredhi.
- Do ta provosh? - i tha duke i shkelur syrin. - Është shumë e mirë. Provoje! Mos humb rastin.
- Falemnderit, nuk kam nevojë, - u përgjigj prerazi Isufi.
Ndërkohë u hap dhe porta tjetër dhe doli Demiri dhe pas tij Irida. Sytë vajza i kishte të çakërdisura. Fytyra i ishte shtrembëruar. Kishte marrë pamjen e një të çmendure. Vazhdonte të qante e të qeshte njëkohësisht dhe belbëzonte:
- Babi, babi, babi…
- Çfarë i keni bërë vajzës? – klithi Lumturia dhe e futi në gjirin e saj.
- Mbylle gojën! Po fole një fjalë dije se ju të dyja dhe ai kokëmushka tuaj
do të zhdukeni brenda njëzetekatër orëve. Këtë mbaje në mendje.
Pastaj duke u drejtuar nga Isufi i tha me një ton të ashpër:
- Po ti?
- Përjashta të kërkon nëna e Agronit.
- Përse?
- Atë e dini ju.
- Mirë, mirë. Merri dhe shpjeri jashtë. Lajmëro Selimin t’i çojë në shtëpi. Të marrë edhe plakën.
Isufi i mori dhe u nis. Kur i pa në atë gjendje nënë Gjyla u trondit tepër.
- Çfarë ka ndodhur me vajzën?
- Asgjë! U trondit kur takoi të atin, - tha Lumturia duke e mbledhur veten. Nuk donte t’i jepte të kuptonte së vjehrrës.
Hipën në makinë dhe u nisën. Isufi largoi policin që e zëvendësoi dhe po rrinte te porta duke përfytyruar skenat që kishte parë.
Demiri, ndërkohë, ishte kthyer në zyrën e tij dhe kishte nxjerrë jashtë Myfitin. Hapi sirtarin e tryezës dhe nxori prej andej një shkresë të shtypur në shumë faqe dhe, duke iu drejtuar Agronit, i tha:
- Do të ta lexoj?
Agroni nuk foli. Filloi të ndiejë të ftohtë.
- Atëhere nënshkruaje! Shkruaj emrin, mbiemrin dhe vendos nënshkrimin në çdo faqe të procesverbalit.
Agroni vazhdonte të mos fliste.
- Mos harro, ato janë poshtë. Do të lirohen vetëm kur ti të nënshkruash.
Një ngashërim i thellë filloi të dalë nga zemra e tij. Lotët filluan t’i rrjedhin nëpër faqet. Filloi të qajë si një fëmijë. Demiri e la deri sa u qetësua dhe i tha:
- Nënshkruaje!
Mori penën dhe me dorën që i dridhej nënshkroi të gjitha fletët. Si mbaroi, mundi të thoshte me një ton therrës:
- Tashti çdo gjë është e kotë. Agron Canaj ka vdekur.
Demiri thirri Isufin, i cili e mori dhe e mbylli në qelinë numër shtatë. Hetuesi i ndoqi nga prapa..
- Përse erdhe poshtë qëparë? - pyeti Isufin.
- Të thashë, kishte ardhur nëna e Agronit dhe donte të bisedonte me ty.
- Ashtu? E çfarë donte?
- Donte shpjegime përse i kishit marrë nusen dhe mbesën.
- Mua mos më shit mend me të tilla filozofira. Dëgjo, po hape gojën për ato që pe, dije se të piu e zeza. Mos mendo se mund të më bësh gjë mua. I kam aq njerëz sa për të më mbrojtur në çdo rrethanë. Ti nuk ke parë asgjë. Kuptove?
Isufi heshti dhe u largua. Rrugës u shkëmbye me Ilian.
- Po këtë kush na e poftisi sonte? - tha ai. - A nuk të thashë se është një veprim i rrezikshëm?
- Mos u shqetëso, e rregulloj unë atë punë. Ai nuk do të guxojë të flasë.
- E si të mos kënaqesh me një kumbull si ajo.
Të dy u larguan duke u zgërdhirë me të madhe.
IX
- Nuse, çfarë i kanë bërë vajzës? - pyeti përsëri nënë Gjyla duke parë gjendjen e Iridës.
- Të thashë moj nënë, u trondit tepër kur pa të atin në atë gjendje.
- Pse, si ishte ai?
Nënën mezi e mbante vendi. Lumturia e kuptonte dhimbjen e saj, por tragjedia që kishte pësuar, nuk e lejonte të mendonte shumë për dhimbjet e të tjerëve. Duhej ta mbante veten. Duhej të bëhej e fortë.
- Po natyrisht moj nëne, - i tha vjehrrës duke mposhtur dhimbjen, - pas më shumë se një muaji në birucë, pa parë dritën e diellit me sy, ishte shumë i zbehtë. Për syrin e vajzës kjo ishte një goditje e rëndë. Por ti mos u mërzit, se së shpejti do t’i kalojë dhe ajo do të shërohet. Irida vazhdonte të qëndronte si e ngrirë dhe me sytë e çakërdisur. Nga buzët e saj dilnin vetëm fjalët:
- Babi, babi, babi. Ti po fluturon. Gjyshe, shiko. Mos babi, mos fluturo. A e shikon, e kanë rrëmbyer harpiet*.
- Jo bijë, babi nuk po fluturon. Ai do të
kthehet së shpejti. Mallkuar qofshin shkaktarët! - tha Lumturia duke përqafuar të bijën me lot ndër sy.
- Për hir të jetës, më thoni diçka. Çfarë më fshihni? - ndërhyri nënë Gjyla.
- Ah, sikur të mundja! - tha Lumturia me veten e saj pastaj, duke iu drejtuar së vjehrës, - E gjetëm të gozhduar në mur, o nënë. Ishte gati pa ndjenja nga torturat.
- Mallkim! - doli nga fundi i zemrës së plakës.
- Irida filloi të ulurinte nga dhimbja.
- Mallkim!
- Kërkuan prej nesh ta detyronim të pranonte ato që nuk kishte bërë.
- Mallkim!
- Ai na bëri thirrje që të mos biem në grackën e tyre.
- Mallkim!
- Pastaj ndodhi ajo.
- Çfarë ndodhi, bijë.
- Mos më pyet më, o nënë.
- Fol bijë, çfarë ndodhi?
Në këtë kohë u ndie përsëri zëri i Iridës:
- Babi, babi, babi!
- Eja bija e mamit, eja në gjirin e mamit tënd! Eja shkojmë në shtrat, - i tha e ëma.
Mori të bijën në krah dhe në mes të lotëve që irridhnin pa pushim vrapoi në dhomën e saj. E shtriu vajzën në shtrat dhe po e zhvishte. Në mbathjet e saj dalloi disa gjurma gjaku të freskët. U tërhoq mbrapsht e tmerruar, ngriti duart lart dhe thirri:
- Zot, o Zot ku je? Përse nuk më more, por më le të shohë një tmerr të tillë? Ku është ndëshkimi yt? Ku je, o Zot?!
Papritmas u shkreh në një vaj të thellë. Përqafoi të bijën që nuk kuptonte asgjë. Qante e qante me ngashërim. Qante pa zë se kishte frikë mos e dëgjonte e vjehra. I qante zemra. i qante shpirti. Ktheu sytë nga komoja mbi të cilën ishte një fotografi ku kishin
---------------------------------------------------------------
*) Sipas mitologjisë ishin përbindsha me fytyrë gruaje dhe trup shpendi.
dalë të tre para disa muajve. Gëzimi shprehej në sytë e tyre. Po tani? Ai gëzim ishte shndërruar në dhimbje të pafund.
- Goni! - iu drejtua të shoqit në fotografi. - Ta vranë vajzën, o Goni! Ta vranë kriminelët. Na iku vajza nga duart, o burrë! Na e rrëmbyen dhe na e hodhën në humnerë.
- Babi, babi, babi, - u dëgjua përsëri zëri i mbytur i Iridës.
Ky zë bëri që Lumturia të mblidhte veten. U shtri në shtrat me të bijën dhe duke e rrokur në mes të lotve që i rridhnin nëpër faqe, tha:
- Fli zemra e mamit! Ke mamin këtu. Jemi bashkë të dyja.
Papritmas nga sytë e së bijës filluan të rrjedhin lot.
- Ku është babi, moj mami? Mos e kanë rrëmbyer harpiet? Ja, shiko si
po fluturojnë së bashku me babin.
- Jo zemra ime, babi nesër do të vijë në shtëpi. Fli tani!
Pas pak vajzën e zuri gjumi. Një gjumë i trazuar plot me ëndrra të tmerrshme. Herë pas here ngrihej e trembur. Lumturia e pushtonte dhe i fliste me zë të butë:
- Fli bija e mamit, fli!
Iridën e zuri përsëri gjumi. Një gjë e tillë vazhdoi deri sa zbardhi dita. Lumturia u ngrit dhe doli përjashta. Në koridor pa nënë Gjylën. Edhe ajo nuk kishte vënë gjumë në sy. Gjithë natën kish menduar se ç’do të bënte të nesërmen.
- Si është vajza?
- Tani po fle.
- Çdo të bëjmë?
- Do të shkoj të marrë mjekun.
Lumturia u largua me nxitim. Nënë Gjyla u drejtua nga fotografia e të shoqit që ishte në mur dhe i foli:
- Përse luftove dhe re, or burrë? Mos vallë për djalin e burgosur apo për mbesën e çakërdisur? Të gjithë na kanë kthyer krahët. Edhe ata që dikur i kishe miq. Kjo është liria për të cilën re dëshmor?
Irida hyri në dhomë si një somnambul e veshur me këmishën e natës.
- U ngrite, bija e nënës? - i tha nënë Gjyla duke e përqafuar
- Ku është babi nënë? A do të kthehet?
- Po bijë, ai do të vijë së shpejti. Po ti do të ftohesh në fill të këmishës.
Iku me vrap në dhomën e gjumit dhe sa hap e mbyll sytë u kthye me fustanin e saj. Ia veshi dhe u ulën të dyja në divan.
- E pe babin bijë? - e ngacmoi nënë Gjyla.
- E pashë nënë. Ai po fluturonte. Fluturonte lart në qiell. Ngado ishte i rrethuar nga harpiet. Irida u ngrit në këmbë dhe duke hapur krahët foli:
- Babi, merrmë dhe mua me vete. Dua të fluturoj bashkë me ty.
- O zot! Pse na dënove në këtë mënyrë? - Foli nënë Gjyla me veten e saj. Pastaj duke përqafuar vajzën - Eja bijë, eja te gjyshja jote.
- E morën nënë, e morën. Nuk e shoh më. Po e shpien në botën tjetër.
- Jo bijë, ai do të vijë dhe ti do ta përqafosh në krahët e tu.
Në këtë kohë, mbrriti Lumturia me doktorin. Sotiri, mjeku psikiatër, ishte një moshatari i Agronit. Kishin mbaruar studimet të dy në të njëjtin vit në Pragë, ai për mjekësi dhe Agroni për inxhinieri. E vizitoi me kujdes të veçantë. Së fundi u kthye nga
Lumturia dhe i tha:
- Vajza ka pësuar një goditje të rëndë. Çfarë ka ndodhur?. Dua ta di, në mënyrë që të marrë masat e duhura. Mos më fshihni asgjë.
Lumturia u mendua. E çfarë mund t’i thoshte? A mund t’i tregonte të vërtetën?
- Mbrëmë ishim në takim me Gonin. Kur e pa në atë gjendje, vajza u tmerrua. Nuk mundi të duronte më.
- Si e morët në takim një fëmijë kaq të ndjeshëm si kjo?
- Nuk e morën ne. Ata e morën vetë.
- Dua të jem i sinqertë me ju. Gjendja është
serioze. Ka pësuar një tronditje të madhe. Duhet shtruar urgjent në spital. Atje do t’i bëjmë analizat e duhura dhe sipas tyre do t’i japim edhe kurën e nevojshme. Do të dërgojë ambulancën për ta marrë. Fati qoftë me juve!
Ambulanca erdhi pas një ore. Vajzën e shtruan në katin e tretë të spitalit neuro-psikiatrik, në një dhomë më vete. Me ndërhyrjen e Sotirit u organizua menjëherë një konsultë me mjekë specialistë. Në fund u arrit në përfundimin se vajza duhej të qëndronte patjetër në spital, për të bërë kurat e nevojshme. Me të qëndroi edhe Lumturia.
. X
Atë ditë të gjithë punonjësit e ndërmarrjes ishin lajmëruar për një mbledhje të rëndësishme, ku do të merrnin pjesë edhe përfaqësues të degës së punëve të brendshme. Flitej për demaskim të disa personave të padëshëruar. Mbledhja ishte lënë për në orën dhjetë, por njerëzit filluan të mblidhen më herët. Pothuajse asnjë nuk kishte filluar punë. Kureshtja i shtynte të vinin dhe të interesoheshin. Gjithkush mendonte se diçka do të ndodhte. Demaskim apo ndoshta diçka tjetër. Ata që kishin ndonjë dregëz në biografi druheshin se mos ishin viktima të radhës.
Midis tyre edhe Stefani me Gjergjin. Kishin më shumë se një muaj që nuk e ndjenin veten të qetë. Pas arrestimit të Agronit edhe ata prisnin nga çasti në çast arrestimin e tyre.
- Më duket se na erdhi fundi, - foli Gjergji i tronditur.
- Mos e lësho veten. Sido që të ndodhë mbahu si burrë. Vetëm kështu do të mund t’i bëjmë ballë.
Gjysmë ore para, salla ishte mbushur plot e përplotë. Njerëzit diskutonin me zë të
ulët. Së fundi u dëgjua një zhurmë makine dhe pas saj në sallë hynë sekretari partisë drejtori, kryetari komitetit profesional, shefat e tjerë të ndërmarrjes, Demiri me Ilian dhe Agroni i shoqëruar nga disa policë. Njerëzit filluan të pëshpërisin me njëri-tjetrin. Dikush shprehte keqardhje me shokun pranë. Inxhinieri kishte qenë një person korrekt në marëdhëniet me të tjerët. Këtë ata nuk mund ta harronin. Por kishte edhe nga ata që sjelljen e tij e kishin harruar. Ata ishin shndërruar në intrigantë dhe servile, të gatshëm të hidhnin male me baltë mbi atë fatkeq.
- Vdekjen e prisja, por që të vinte kryeinxhinier Agroni në bangën e të akuzuarve nuk ma merrte mëndja, - i tha një punëtor me zë të ulët shokut që kishte pranë.
- Eh, mor mik! Nuk e di ti se çfarë sjell minuta nuk e sjell sahati, - iu përgjigj ai po me zë të ulët.
- Ti je më i mënçur, a beson vërtet që ai të ketë tradhtuar? - vazhdoi i pari.
- Nuk e di, por më mirë mos fol. Vetëm dëgjo. A e di se dhe muret kanë veshë? -
iu përgjigj shoku i tij.
- Mirë, or mik, mirë. - e mbylli bisedën i pari.
Në këtë kohë u ngrit në këmbë sekretari partisë dhe të gjithë heshtën. Në sallë u vendos qetësi.
- Shokë dhe shoqe! - filloi sekretari. Sot jemi mbledhur për të dëgjuar raportin e përfaqësuesit të degës së punëve të brendëshme, shokut Demir Kapedani, mbi veprimtarinë armiqësore të ish-punonjësit të ndërmarrjes sonë, të pandehurit Agron Canaj, që tani ndodhet në bangën e të akuzuarve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Pas raportit, ftoj të gjithë pjesmarrësit të shprehin mendimet e tyre hapur dhe pa frikë. Tani më lejoni t’ia jap fjalën shokut Demir.
- E dëgjove? Ai tha dhe bashkëpunëtorëve të tij, - foli me zë të ulët Gjergji.
- Pusho dhe dëgjo! - u përgjigj Stefani.
Gjergji nuk foli më. Në mes të heshtjes së thellë që kishte mbuluar sallën, Demiri filloi leximin e procesverbalit që kishte nënshkruar më parë Agroni. Akuzat ishin nga më të rëndat që mund të merreshin me mend. Sipas tyre ai pranonte se kishin krijuar një grup subversiv me anën e të cilit do të tentonin të hidhnin në erë turbinën e re që do të vendosej në hidrocentral. Në planet e tyre ishte, gjithashtu, edhe zhvillimi i akteve terroriste, për të ngjallur panik në radhët e popullsisë. Të gjitha këto ishin bërë sipas udhëzimeve që kishin marrë nga KGB-ja sovjetike dhe CIA amerikane, në shërbim të të cilave ai ishte vënë që kur kishte qenë student në Pragë.
Herë pas here Demiri e kapërxente frazën. Kuptohej që në ato vende ishin emrat e denoncuara nga Agroni. Njerëzit ishin kuriozë të merrnin vesh se kush ishin ata. Agroni e dëgjonte dhe me vete mendonte se si kishte mundur të nënshkruante një deklaratë të tillë të turpshme. Para syve i doli skena me Lumturinë dhe Iridën dhe e kuptoi shkakun e gjithë asaj. Mund të ngrihej dhe të deklaronte se të gjitha ato ishin sajime të tyre, por ideja se ajo skenë mund të përsëritej në çdo çast e tmerronte. Qëndronte si ndonjë mumje e heshtur, duke dëgjuar marrëzitë që nxirrte goja e hetuesit. Nga kjo gjendje e përmendi zëri Demirit që i tha:
- A janë të vërteta këto?
Agronit i mbeti zëri në grykë. U mundua të fliste por nuk mundi. Ishte në gjendjen e fajtorit që, megjithse e kupton fajin që ka kryer, nuk është në gjendje të reagojë Demiri u kthye nga ai dhe e pyeti përsëri me një ton që vetëm ai dinte ta përdorte:
- Hë, si thua?
Agroni vështroi sallën që priste në heshtje dhe së fundi mundi të thotë me një gjysmë zëri të shuar:
- Po.
- Më fort që ta dëgjojnë të gjithë.
- Po, - përsëriti Agroni, kësaj rradhe me zë më të lartë.
Një zhurmë mbuloi sallën. Njerëzit filluan të pëshpërisin me njëri-tjetrin, disa me zë të ultë dhe disa me zë të lartë.
- More, po paska qenë gjarpër i mbuluar, - tha dikush, - dhe ne e
mbanim për burrë të ndershëm. Paskemi mbajtur gjarprin në gji.
- Kemi mbajtur një gjarpër që mund të na kafshonte nga çasti në çast, - foli një tjetër andej nga fundi.
- Shoku Demir, mjaft na lexuat. Merreni dhe dënojeni sa më shpejt qenin. – u
hodh një burrë me dy gisht mustaqe.
- Bukëshkalët që harruan bukën e partisë, tradhtarët që për interesa të ulëta u shitën te të huajt, meritojnë dënimin më të rëndë, - e ngriti zërin duke tundur gishtin me kërcënim një qose.
Vazhdoi një seri akuzash dhe sharjesh nga më të ultat. Dikush u afrua dhe i hodhi një tok me pështymë në fytyrë. Një tjetër, me një zë të fortë, lëshonte sharje nga më të rëndat:
- Shoku Demir, mjaft na lexuat se i kemi të qarta si drita e diellit. Na thoni
kush janë bashkëpunëtorët e tij?
Ndërkaq ndërhyri Demiri:
- Prisni, se kemi akoma diçka për të deklaruar. Këto veprime i pandehuri mendonte t’i bënte me dy shokët e tij të ngushtë, Stefan Gjokën dhe Gjergji Panon që, siç e dini, rrjedhin nga familje të deklasuara, duke futur në valle edhe persona të tjerë.
- Cilët janë ata?
Në këtë kohë ndërhyri operativ Ilia:
- Stefan Gjoka, Gjergji Pano, Ylli Nivica, Gëzim Shpendi dhe Përparim Seferi, në emër të popullit jeni të arrestuar!
Një grumbull policësh, që qëndronin të gatshëm prapa tyre, iu hodhën sipër dhe sa hap e mbyll sytë i prangosën. Agroni qëndronte si i ngrirë. Nuk i kishte shkuar ndër mend se puna mund të shkonte deri këtu.
- Ne jemi të pafajshëm. - u dëgjua zëri i fortë i Stefanit. - Ai gënjen!
- Kjo nuk është veçse një farsë, - përsëriti Gjergji që e kishte marë veten nga hutimi i parë.
Turma e acaruar filloi të reagojë më me egërsi.
- Poshtë tradhtarët! - Foli njëri me një zë të acaruar.
- Ne s’jemi tradhtarë. - u përgjigj Ylli.
- Spiunët në litar! - tha një i dytë.
- Ne s’jemi spiunë. - ia ktheu Gëzimi.
- Poshtë bashkëpunëtorët! - gjëmoi zëri i një të treti.
- Ne s’jemi bashkëpunëtorë. - ishte përgjigja e menjëhershme e Përparimit
- Pushoni! - u dëgjua zëri i njërit prej rojeve. - Që nga ky çast nuk keni të drejtë të flisni.
Dikush doli jashtë, mori një gur dhe deshte t’i qëllonte, por e ndaloi dora e njërit
që kishte pranë. Të tjerë vazhdonin të shanin me histerizëm. Kishte edhe nga ata që heshtnin të nemitur e të trembur. Ata nuk ndiheshin, por nuk kishin as guxim të kundërshtonin. Sekretari partisë e kuptoi se gjendja mund të dilte nga kontrolli ndaj tha:
- Takimi mori fund. Të gjithë kthehuni në punë!
Turma doli nga salla duke hunguritur:
- Dënojini pa mëshirë maskarenjtë!
Pas pak salla e mbushur me tym duhani dhe bishtra cigaresh u zbraz. Të fundit që dolën prej saj ishin të pandehurit që, të shoqëruar nga turma e policëve, i hipën në makinën e policisë.