Kulturë
Naser Aliu: Orgjitë e përgjakshme mashkullore
E diele, 18.04.2010, 06:59 PM
Naser Aliu
Esse
Orgjitë e përgjakshme mashkullore
Ja, shikojeni atë shtëpi, atje në breg! Zoti Hans Baumgarten ktheu kokën në drejtimin e një shtëpie të ulët me një pullaz të vjetër, rrethuar me një mur të shtrembër dhe të lartë.
Edhe aty?
E kërcënuesi, domethënë ekzekutori i mundshëm, ku jeton ?, pyeti ai. Shoqëruesi u përkulë mori një gur në dorë dhe hodhi drejt një qeni, që po lehte në drejtimin e tyre. Qeni ndali vrapin dhe vazhdoi lehjen duke i shikuar ata. Një grumbull i pulave u përndanë në të gjitha anët, vetëm gjeli i ngrefosur qëndroi në vend duke zgjatur qafën dhe duke shikuar për rreth me krenari. As gomari që kulloste nuk u shqetësua. Gjeli këtu nuk paska frikë, as gomari, mendoi ai zoti Baumgarten, por pulat, po.
Ku jeton ekzekutori, përsëriti ai.
Pas kësaj kodre, në fshatin tjetër, tregoi ai përsëri me gishtin tregues. Gati katër kilometra larg.
U futën në makinë dhe pas gjysmë ore shoqëruesi tregoi përsëri me gisht.
Edhe ajo shtëpi atje!
Nga ajo që
Edhe kjo shtëpi, pyeti ai?
Fëmijët! Çfarë faji kanë fëmijët dhe gratë? Deshi të thotë për këto orgji të përgjakshme mashkullore, por pati frikë se do të pezmatonte shoqëruesin. Nxori fotoaparatin dhe fokusoi shtëpinë. Pastaj portën e oborrit, ku plasat e dërrasave ishin mbyllur me najlon. Një qen përplasej në derën e madhe duke gërvishtur me shputa dhe duke lehur.
Ju pyeta për gratë dhe fëmijët, përsëriti ai.
Nuk e di, tha shoqëruesi dhe hodhi cigaren përtokë. Gjakmarrjet janë për ne si retë: të zakonshme, normale, vijnë dhe ikin, ikin e vijnë. Traditë, e drejtë zakonore. Gjakmarrja është më e fuqishme se e drejta romake. Më e fuqishme se ligjet e demokracisë...
Mirëpo jo më e fuqishme se ligjet e diktaturës, e ndërpreu ai.
Shoqëruesi buzëqeshi duke e tundur kokën në shenjë pajtimi.
Gjakmarrja mirëpo është më e shpeshtë në vendet malore, pse?
Shoqëruesi u ndalë, shikoi përtokë dhe ngriti kokën. Nuk e di, tha ai. E dini, Hëna ndikon në oqeanet, ndoshta edhe bishat e malit ndikojnë në formimin e karakterit te ndonjë malësor: në vetitë e tija. Në reaksionet e tija shpërthyes, të papërmbajtura. Në gjaknxehtësinë. Në fikjen e racionales dhe ndezjen e emocionales. Kallëzimin e dhëmbëve, shputave dhe thonjve. Kërcënimin. Në marrëdhëniet e tija me rrethin. Në tiparet morale, shtoi ai duke dyshuar edhe vet, a duhet t´i besojë këtij pohimi apo jo.
Në Gjermani kam lexuar se janë dy mijë familje të ngujuara, është ky numë i vërtetë?, pyeti zoti Hans Baumgarten, pasi shënoi mendimin e shoqëruesit.
Ai e vështroi me habi dhe ngriti supet. Zotëri, ne nuk dinim as sa për qind keqtrajtojnë gratë; e morëm vesh nga Amnesty International. Për dhunën psikologjike as të mos flasim, nuk kemi numra, ndoshta çdo e dyta... As këto nuk i dimë. Qeverisë sonë nuk i intereson kjo luftë, deshi të thotë kjo luftë qytetare me marrëveshje konceptuale, strukturore, serike, legale, por nuk e tha. Shteti jonë nuk është në shërbim të vendit, por të vetvetes, më kuptoni?
Jo shumë, ju kuptoj pak, por po përpiqem, tha ai. Pak më parë pamë stacionin e policisë, apo jo?
Po, tha ai.
Dhe policia e din se kush është ekzekutori?
Ndoshta e din, tha ai.
Policia mirëpo ka informata se kjo familje këtu, ato që pamë më parë, janë të ngujuara nga kërcënimi?
Po e din, u përgjigj ai shkurt. Në fakt e dimë të gjithë, korrigjoi ai veten.
Dhe nuk merr masa?
Jo, nuk merr masa! Policia reagon pasi ekzekutori ta vrasë dikë. Pastaj i japin besë njëri tjetrit...
Domethënë edhe shteti i lejon hapësirë veprimi, e ndërpreu ai. Mundësi ekzekutimi. Çka domethënë besa?
Besa i jepet familjes së vrasësit, një muaj dy, tre, për të dalë jashtë...
Jetë me këste?
Nëse gjykohet kështu, po!
Të themi se nuk janë dymijë, por pesëqind, vazhdoi zoti Baumgarten. Pra policia din se për pesëqind veta mund të hapen gropat, varret qysh tani. Policia e din se duhet burgosur së paku edhe pesëqind veta. Dihet kërcënuesi dhe ekzekutori, tha ai duke e parë në sy shoqëruesin.
Po, tha ia duke kruar kokën. Ashtu është!
Qeveria shqiptare mundohet të ndikojë në anulimin e vizave drejt BE-së, këtu kemi shqiptarë, që u duhet viza për të dalë nga shtëpia në treg, mungon parimësia...,tha zoti Baumgarten. Familjet e ngujuara kanë fëmijë, gra dhe pleq. A e dinë Qeveria shqiptare se ka njerëz, që jetojnë të gozhduar brenda mureve, pa pasur kontakt me botën?
Natyrisht se e din, tha ai dhe përshëndeti një plak që mezi ecte me bastun.
Dhe, nuk bën gjë kundër?
Për shembull? Çka duhet të bëjë?
Të arrestohen të gjithë ata, që nuk falin gjakun, sepse këtu konsumohet ajo që parasheh ligji për kanosjen, kërcënimin. A keni ligj që ndalon kërcënimin serioz?
Natyrisht se kemi, në kodin penal, nëse nuk gabohem është neni 83/a. Nëse nuk e ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese...Kohëve të fundit Qeveria aprovon ligje njërin pas tjetrit, Kushtetuesja i rrëzon njërin pas tjetrit, por tani Qeveria ka vendosur ta ndëshkojë Gjykatën Kushtetuese duke mos u paguar pagat! Ky është një synim për ta mbushur me mend Gjykatën...
Aha, po pse nuk zbatohet atëherë ky ligj, neni 83/a mendoj?
Nuk mund të bëhet kjo...
Pse jo?, e pyeti ai me kureshtje.
Sepse i ndërpritet hovi kanunit, pezullohet ai: rrjedha shekullore, fluiditeti, shfaqja e befasishme sporadike e dramës, e disiplinimit social, e tendosjes, e trishtimit. Do t´ i ndërpritej burimi lëndës, tragjedisë, realitetit empirik, më kuptoni?
Jo!, nuk ju kuptoj tha ai prerazi. Po ai besojnë Zotit këta njerëz?
Ndoshta i besojnë, ndoshta jo!, shtoi ai, por Lekës i besojnë më shumë. Leka qëndron më lartë se çdo profet, është profet i jonë. Leka është më shumë se Krishti, që në kalvar fali gozhduesit. Në fakt, aty Leka ka vlerë më shumë se gjithë profetët dhe kushtetutat së bashku. Zoti Baumgarten e shikoi me huti dhe shkroi përsëri në fletoren e vet.
Mirëpo Qeveria reagoi kundër gripit të derrave, e nuk reagon kundër epidemisë shekullore, e vërtetë kjo?
Po! Qeveria ka frikë nga derrat, tha ai shkurt e pa keqkuptim. Në njërën familje përgatitet vrasësi, në tjetrën përgatitet mbrojtja dhe fëmija tjetër për hakmarrje. Pra pasi të burgoset dorasi...
Domethënë vrasësi burgoset, ndërhyri ai. Kjo është mirë, domethënë shteti reagon, tregon prani ekzistenciale?
Po, shteti reagon pas vrasjes, nëse mund ta arrestojë. Nëse vrasësi njeh njerëz me pushtet, është vështirë...
Po pse gjakmarrësi nuk e vret menjëherë?
Sepse do t´i mungonte familjes kundërshtare zezona e përditshme. Procedura rrëqethëse. Aq sa më vonë, aq më shumë shkaktohet dëmi psikik te fëmijët, te gratë. Volumi i dënimit zhvillohet, rritet, trashet! Kështu fëmijët e dy familjeve përgatiten dhe kaliten për vrasje dhe vdekje, qysh nga fëmijëria. Kjo është edukata që marrin ata në disa familje. Aty humbet vlera e jetës dhe jetohet në një ambient vdekjeje dhe trishtimi. Ditët numërohen. Numërohen anëtarët e shtëpisë dhe çdo ditë është një ditë jete më shumë, deri sa t´i pllakosë krejt befasisht ngjarja e rëndë dhe tronditëse, por jo e papritur. Nëse nuk hakmerret, jeta mund të pësojë një ndryshim, gati një shndërrim algjebrik, jo vetëm në formë, por edhe në brendi, në strukturë...
Ç´ka domethënë kjo, pyeti zoti Baumgarten i mërrolur ca duke e parë në sy.
Kjo domethënë se jeta bëhet turp, vdekja e tjetrit krenari, burrëri. Zhvendosje semantike. Shkëmbim vlerash në tërësinë morale. Vdekja bëhet vlerë, jeta antivlerë! Metafikcion! Teatër epik.
Zoti Baumgarten ofshani thellë dhe bëri edhe disa fotografi, pastaj u nisën drejtë makinës.
E gratë?, tha ai duke hapur derën.
Gratë nuk i pyet askush, shtoi ai. Në familjet e tilla ato nuk janë subjekt të jetës, por objekte, gjallesa anësore, të shpërfillura. Ato nuk mund të vendosin a duhet të burgoset djali, foshnja e dikurshme apo jo! Ato kanë të drejtë të vajtojnë dhe të qajnë fatin e bijve, të burrave. Atyre u falet mjerimi, si dhuratë. Ato duhet të kujdesen në gjendje të mjerueshme t´i rrisin fëmijët, shpesh herë me skamje dhe pa rrugëdalje. Nderi përmbushet kur vritet një shqiptar tjetër dhe kur tani familja e tij mbyllet si te këto shtëpi, që pamë sot. Ndërrohen rolet. Njëra derë hapet, tjetra mbyllet, kështu deri sa të mos ketë nevojë më: as të mbyllet, as të hapet dera. Ndoshta mbetet e hapur përgjithmonë. Ndoshta mbetet e mbyllur përgjithmonë. Dukuri e kauzalitetit!
Zoti Baumgarten solli kokën i trishtuar. Pra vrasësi përveç dënimit, që i bën familjes tjetër ndëshkon edhe familjen e vet! A domethënë kjo se fatkeqësinë e madhe, mjerimin dhe varfërinë, që i shkakton gjakmarrësi familjes së vet, shpjegohet si nder dhe dashuri sublime ndaj familjes së vet?
Po! Nder dhe krenari, edhe dashuri! E thash më parë, zhvendosje kuptimore, vlerash morale...
Gjermani kafshoi buzët. Barbare, primitive deshi të thotë, por heshti. Kjo domethënë se familja e vrasësit është e armatosur?, vazhdoi ai pasi u mendua një copë herë.
Natyrisht!
Këtë e din edhe policia?
Duhet ta dijë, tha ai duke pohuar me kokë.
Nuk mbikëqyret e bastisët?
Jo! Mendoj e se jo, tha shoqëruesi duke e parë pjerrtas.
Po vrasësi a ka përkrahjen e familjes për të pushkatuar një njeri?
Po, përkrahje të plotë, cytje dhe mbështetje aktive...
Kjo domethënë se ata janë bashkëfajtorë, bashkëpunëtorë?
Nëse gjykohet kështu, po! Mund të shihet edhe ashtu, tha shoqëruesi...
A keni ligj, që sanksionon bashkëfajësinë?
Natyrisht se kemi. Nëse nuk gabohem kjo ndëshkohet me nenin 26 dhe 27 të kodit penal...
Në këtë çast u dëgjua sirena e makinës së policisë. Njëri polic u bënte shenjë me dorë të ndalen. Ata paguan gjobën për mosrespektimin e shpejtësisë dhe vazhduan duke u qeshur me të madhe. Zoti Baumgarten solli kokën dhe ofshani : " Ohh, mein Gott!" Kjo është e pamundur!
Pse, pyeti shoqëruesi.
Flasim më vonë tha ia dhe ndezi radion. Ata vazhduan rrugën drejt Tiranës. Të nesërmen nga Durrësi do të nisej me traget për Bari. Në Tiranë u ndalën në një kafene. Disa të rinj përballë tyre bisedonin me pasion për krenarinë kombëtare. Gjuhën shqipe. Moralin shqiptar. Traditën shqiptare. Familjen shqiptare. Heronjtë shqiptarë. Shkrimtarët shqiptarë. Perandorët ilirë, vezirët shqiptarë, që nuk kishin bërë gjë të mirë për vendin, e as kishin lënë dy fjalë në gjuhën e tyre. Shkencëtarë, profesorë me origjinë shqiptare në shërbim të të huajve, që nuk kishin dhënë asnjë kontribut për vendin e vet. Pastaj për pellazgët. Për ilirët! Thoti fliste shqip e krenari tjera mashkullore, vetëfryrëse: bjerraditësì, bjerrafatsì...
Zotëri Baumgarten e vështroi shoqëruesin duke ngritur ngadalë kokën, sikur dëshironte të kuptojë bisedën me aq shumë gjallëri. Shoqëruesi i përktheu.
Historia?! Ata që kanë lënë histori dhe vepra kanë bërë punën e tyre për vendin dhe imazhin e tij në kohën e duhur; kanë bërë detyrën e vet, jo më shumë. Nuk e kanë bërë për t´u bërë vetëm objekt krenarie shekuj më vonë, por kanë dhënë shembull si çmohet vendi. Jo vetëm për t´u krenuar këta sot... Çka kanë ndër mend të bëjnë këta tash, sot?, pyeti ai.
Këta, këta këtu nuk kanë ndërmend të bëjnë gjë; nuk kanë mundësi, por kanë kohë të argëtohen me të kaluarën. Këta kanë profesion krenarinë!, tha ai duke humbur durimin. Në atë tryezë nuk dëgjohej gjë për planet e tyre, për vendin sot e nesër, por vegjetojnë në të kaluarën. Për të kaluarën ishin shkruar qindra libra dhe mund të lexohet edhe për mirënjohjen. E sotmja nuk prodhon fakte për krenari, por fakte për rezignacion dhe zhgënjim irracional...
Porositën edhe nga një pije dhe z. Baumgarten shkroi gati gjysmë ore në një fletore përshtypjet dhe bisedat, që kishte frikë se do t´i harronte. E futi fletoren e vet në një çantë, rregulloi flokët dhe lëshoi fotoaparatin mbi tryezë. Atij iu duk se gjendej në një botë tjetër. Tirana një metropol e bukur, që nuk dallonte nga Europa. Në tryezën tjetër studentët vital e studente të bukura, me plot vullnet e shpresa, por pa mundësi shpalosjeje, pastaj Lekë Dukagjini duke qeverisur njerëzit me nenet e paragrafët e para disa shekujve, pa pasur askush mundësi t´ i abrogojë apo ndryshojë ato. Si librat e shenjtë. Pas vdekjes së profetit, vdes edhe lëvizja para: ndryshimi, përparimi, plotësimi dhe korrigjimi. Kështu shndërrohen në pengesë bashkëjetese dhe progresi. Në vend se t´i shërbejë njeriut, dëmton atë.
Zoti Baumgarten i bëri edhe disa fotografi në qendër të Tiranës dhe u ngrit për të shkuar në hotel i furnizuar mirë me tregime të shekullit XV, të mbledhura dhe të krijuara në shekullin XXI.
Shoqëruesi u largua duke e përshëndetur edhe një herë me dorën e ngritur në ajër. Ka njëqind vite që emancipojmë femrën shqiptare dhe ka pesëqind vite që kemi harruar mashkullin. Aty këtu ka ngelur gjeli i ngrefosur dhe i krekosur mbi pleh ashtu si ishte shekuj më parë. Edhe ndonjë gomar ka mbetur duke përtypur sanë. Nuk i pëlqen bari, që ka pranë turirit. Çfarë neglizhence tragjike! E Kanuni? Kanuni është doracak me udhëzime për vrasje, pushkatime, ekzekutime. Kjo ka mbijetuar nga ky manual mbifetar. Sy për sy, dhëmbë për dhëmbë. Sytë i verbuam njëri tjetrit, dhëmbët i kemi akoma, dhëmbët i kemi akoma, përsëriti shoqëruesi duke folur vet me vete.
Epilog: Kanuni i Lekë Dukagjinit qe zbuluar për kohën kur nuk ekzistonin gjykata. Me të lindi vet-gjyqësia. Për shekullin XV ishte normale. Në shekullin XXI është shfaqe makabre. Dëmtohen të pafajshmit: fëmijë dhe gratë!