MBRESAT PËR PIKTURËN «ZANAFILLA» TË JETULAH HALITIT-ETIT
PËRSIATJE PËRTEJ “ZANAFILLËS” SË ETIT
Zanafilla te Eti na del si ndërtim, si strukturë, si ndërlikim dhe ndërliqje, pra s’ka asgjë me vizionet thjeshtëzuese të gjithsecilit. Metafizikë e vërtetë apo lehtësi të menduari? Vepra e tij në tërësinë e vet të shtyn të mendosh se është fjala për metafizikë të mirëfilltë, të shprehur me ligjërim artistik të pikturimit.
Nga Dr. Remzi Përnaska – profesor i rregullt në Universitetin e Sorbonës - Paris
Para tryezës sime të punës, varur në mur, është një riprodhim me përmasa të mëdha i “Zanafillës” së piktorit të pjekur dhe aspak spekulator, Jetullah Haliti –Eti. Zanafilla! Sa mendje të ndritura janë marrë me të?! Dhe jo vetëm filozofët, njerëzit e metafizikës. Poetë, shkrmtarë, piktorë etj. vazhdojnë dhe do të vazhdojnë të kërkojnë të depërtojnë misterin. Një vështrim i shpejtë madje edhe i përshpejtuar i veprës pikturale të Etit të çon detyrueshëm në mendimin se piktura e tij ka shkuar drejt thelbësores, duke u shkarkuar prej zbukurimeve. Piktura e tij është e bukur, ndaj as që ka nevojë për zbukurime, efekte të jashtme, fishekzjarre që ndrisin e mahnisin vetëm për pak çaste. Edhe Eti ynë ia ka hyrë kësaj pune që ka vetëm fillim dhe kurrë fund, veç vdekjes që ndërpret gjithçka.
Por brezat e vazhdojnë kërkimin e misterit aty ku e kanë lënë pararendësit. Puna kërkuese shumëvjetore e ka çuar artistin tonë të kërkoj zanafillën me metodë të përcaktuar që ai dhe esetët e quajnë Profundizëm.
Zanafilla te Eti na del ndërtim, si strukturë, si ndërlikim dhe ndërliqje, pra s’ka asgjë me vizionet thjeshtëzuese të gjithsecilit. Metafizikë e vërtetë apo lehtësi të menduari? Vepra e tij në tërësinë e vet të shtyen të mendosh se është fjala për metafizikë të mirëfilltë, të shprehur me ligjërimin artistik të pikturimit. Për Etin pikturimi është mjet ku a i shpreh më së miri mendimet, ndjenjat, botën e vet, por sidomos vështrimin e vet për botën. E kjo është arsyeja që piktura e Etit të vë në mendime, të ndez e të shtyen të përsiatësh botën me një shikim tjetër, më të kthjellët,më depërtues. Sa herë ngre kokën nga kompjuteri ku punoj më del “Zanafilla”. Ç’realizim i fuqishëm artistik. Midis figuratives dhe jofiguratives, midis abstraktes dhe joabstraktes: vështirë të klasifikohet prerazi. Lojë ngjyrash dhe jongjyrash – mister i artit. Lojë midis ngjyrosjes dhe jongjyrosjes – mister i artit. Ecejake midis universales dhe kombëtares (zanafila si kokë shqiptari me plis). Eti nuk e robëron shikuesin, ai kërkon vështresin. Ç’butësi e vijës, ç’pastërti ekzekutimi, por ç’tendosje e saj . Tendosje, jo agresivitt. Butësi linje që pasqyronë qetësinë e të mençurit, e të vuajturit. Mjafton të shihen tushat e tij kineze për t’u bindur. Ligjërim artistik ky që i jep liri gjithseclit të shohë atë që mund të shohë,të kuptojë ato mesazhe që mund të kuptojë, të filloj të zhbirojë misterin e prodhimit konkret artistik, pikturës së Etit, për të vazhduar të zhbirojë, nëse ngulmon, misterin e vet krijimtarisë artistike. Gjithsecili sa mund. Ngjyra e tij e parapëlqyer: e bardha. Por e bardha në krijimet e veta nuk del kurë e vetme: ajo tokrend me jo të bardhë, madje edhe me mungesën e së bardhës..
E bardha, amëshimi, misteri (ndryshe prej të tjerve që e shohin të zi), jeta, shpresa. E bardha shoqërizohet me të kuqën, që është çmimi për të bardhen vetë. A nuk janë të bardha pjesët figurative të krijimtarisë së Etit? A nuk është i kuq sfondi i pikturave të tij?
Ah kjo e bardha e Etit!
Asnjëherë krejt e pastër(ç’dialektikë!). Tek mjeshtri ynë e bardha është bartëse e resë, është pjesa rematike e pikturës së tij. Kur është fjala për të kaluar në të zi, nuk kalohet kurr nëpër gri të pastër. Grija nuk është pjesë rematizuese e krijimtarisë së Etit, është kalim, shumë-shumë pjesë përbërëse ose e temës, ose e remës, por anjëherë njëra ndër to. E bardha dhe e kuqja janë gjaku, jeta e kësaj bote. Terri nuk i intereson atij. Kjo është arsyeja që në veprat e tij ka shumë dritë, shumë shpresë, shumë ardhmëri , madje edhe në momokromet e veta me tush kinez.
Piktura e Etit, e parë me ndjenjë, të bën për vete. Piktura e tij, e parë me sytë e mendjes, të pasuron, të fisnikëron, të bën të mendohesh pak më shumë, të filozofosh. Ja ç’do të thotë të jesh artist i lindur , artist në shpirt.