E premte, 29.03.2024, 08:02 AM (GMT)

Kulturë

Petrit Malaj: Zgjedhja ime si rektor nuk është ndikuar nga politika

E diele, 14.02.2010, 07:22 PM


Flet ekskluzivisht për “Telegraf”, rektori i Akademisë së Arteve, aktori Petrit Malaj

Zgjedhja ime si rektor nuk është ndikuar nga politika

Nga Albert Zholi

Aktori dhe rektori i Akademisë së Arteve të Bukura në kryeqytet Petrit Malaj rrëfen për “Telegraf”, në një intervistë ekskluzive të gjithë jetën e tij artistike, që nga çasti kur ka qenë nxënës në Bajram Curri e deri tek posti që mban aktualisht. Por më të bukura për Petritin mbeten çastet e skenës, për të cilat edhe në tani ndjen nostalgji.

Z. Petrit nga aktor, pedagog tashme rektor i Akademisë së Arteve, çfarë përbën kjo detyrë e re për ju?

Ky pozicion vjen pas një përvoje jo të vogël si dekan i Artit Dramatik. Në fund të fundit  ishte dëshira e kolegëve te mi, ishte dëshira e shumë prej tyre në bisedat paraprake që unë të konkurroja në këtë pozicion. Bashkëpunimi im me të gjithë shokët që më mbështetën, por edhe me të tjerë në këto dy vjet punë që unë jam Rektor është shtuar së tepërmi dhe jemi në një bashkëpunim të frytshëm. Jam i mendimit që zgjedhja që bëhet nga brenda stafit në një pozicion të tillë, ku vetë drejtuesi që do të zgjidhet e dinë se ku pikon çatia është në dobi të komunitetit por edhe të vetë studentëve. Pra është në dobi të gjitha projekteve mbasi një i katapultuar nuk do të mund të sillte një punë të frytshme. Pra unë jam për punë në grup, dhe nuk e heq nga metoda e punës sime këtë mënyrë drejtimi. Aq më tepër që shkolla jonë është një shkollë unike dhe specifike se si funksionon. Në mënyrën metodike etj.. Ndjehem mirë se kam të bëjë me student të cilët reflektojnë dhe pasqyrojnë një energji të pashtershme dhe të punosh me ta është kënaqësi dhe një avantazh i madh. Duhet të theksoj se kolegët e mi të punës janë figurat më të shquara të artit tonë në Shqipëri. Vështirësitë janë sepse nuk mund të shmangesh nga procesi metodik, sepse unë nuk i jam shmangur mësimit, kam orët e mia të mësimit, por nga ana tjetër administrimi i një institucioni të tillë kërkon përkushtim të madh, energji fizike shumë të madhe, kërkon energji sepse si ka kënaqësi ka dhe pakënaqësi jo vetëm të tuat, por edhe të studentëve pasi jeta në një institucion të tillë është dinamike. Pra është një punë me shumë të papritura, por në fund të fundit është një Akademi ku krijohet, bëhet art, pasi krijimtaria është  e dashur për gjithkënd.

Në zgjedhjen tuaj si rektor a ka ndikuar politika siç ndodh rëndomtë në Shqipëri kur ndërrohen qeveritë ndërrohen dhe rektorët?

Në rastin tim nuk ka ndikuar politika fare, fare. Ne jemi qytetarë të lirë dhe kështu gjithkush duhet të shpreh opinionet e tij sikundër dhe unë i kam shprehur. Këtë e quaj një qytetari të gjithë secilit, ku mund të them se pati ndonjë tentativë, por nga mënyra se si u bë rregullorja, ku zgjedhja ti besohet stafit akademik, stafit të studentëve dhe një pjese të administratës mendoj që, është një zgjidhje shumë e mirë se në fund të fundit janë këta që do t’i bëjnë votën e tyre njeriut që do t’i drejtojë. Politika nuk hyri në rastin tim. Petriti nuk shihet dhe nuk duhet të shihet në bindjet që ai ka, por në tendencën që ai ka, për të punuar pa një anshmëri, pa tendenca, pa miqësia në këtë institucion. Këtë e kam bërë publike dhe e kam bërë të qartë se unë dua të bashkëpunoj me këdo që mund të bëjë sado pak për këtë institucion për të mirën e këtij institucioni. Këtu asgjë nuk bëhet në interes apo sipas dëshirës së Petritit, por bëhet në interes të Akademisë së arteve. Me lidhjet e mia me politikën, me TOB, me Ministrinë e Arsimit kam bërë që jap nga vetja ime në interes të institucionit dhe jo të përfitoj nga institucioni.

Ju keni konkurruar dhe në politikë, pra keni hedhur kandidaturën për deputet në zonën e Laprakës 5 vjet më parë. Ishte një zgjidhje e jotja, pa një kërkesë e ardhur nga ndonjë formacion politik?

Jo s’kam pasur zell të madh për tu bërë politikan. Ka qenë një ftesë që më është bërë disa herë  dhe mendova të mos jem indiferent në shoqëri. Bile unë ju them dhe të gjithë kolegëve që të marrin nisma të tilla. N.q.s mendojnë se mund të kontribuojnë në shoqëri duke qenë në politikë. Dhe unë mënova se kisha ç’të jepja ndaj dhe mora vendim që të hyja në këtë garë. E pranova për të shprehur me forcë, me kurajo, me shpirt, interesat e atyre njerëzve që do përfaqësoja dhe që do më besonin votën. Ishte përvojë e shkëlqyer në atë kandisim, nuk i heq asnjë presje asnjë gjëje, atij kandidimi, përkundrazi kam njohur shumë njerëz, shumë probleme sikundër mësova gjëra që nuk i dija që nuk ti jep as gazeta. Vetëm duke i shkelur duke biseduar shtruar me njerëzit vetëm atëherë mund të mësosh shumë gjëra. Isha në zonën 11 në zonën ku jetoj në Laprakë dhe fushata zgjedhore më dha shumë njohje të reja, eksperienca të reja.

Tashmë në këtë pozicion a ju mungojnë sheshet e xhirimit dhe skena e teatrit?

Po. Këto janë shqetësimet e mia. Por sërish kam xhiruar jo në përmasat dhe cilësitë e atyre që bënim më para. Por kjo nuk është vetëm për mua tashmë është për të gjithë aktorët shqiptarë pasi tashmë  dy filma bëhen në vit, filma artistikë dhe shumë rrallë mund të bëhen tre dhe këta bëhen me pak personazhe dhe me një përzgjedhje e cila në fund të fundit është në dorë të regjisorit. Por megjithatë dua të them atë që, kam xhiruar një film me 10 seri këto vite, “Dhimbja e dashurisë”, film televiziv, kam xhiruar, me Gjergj Xhuvanin në një film “Lindje- Perëndim-Lindje”, në rolin e një zëvendësministri dhe tani jam përsëri i zgjedhur  nga regjisori Xhuvani në rolin e një gjykatësi, me fabul të ditës, që do të fillojmë në datën 10 shkurt. Sheshi xhirimit është brenda meje dhe nuk mund të shuhet. Sepse ky është profesioni im. Është të aktroj të xhiroj. Pra më mungon shpesh sheshi xhirimit apo skena.

Cili ka qenë roli i parë dhe sa role keni lozur në filma dhe në teatër?
Mund të kem në filma 17 role ndërsa në tetarë, mund të bëhen 12 role të tjerë, këtu flas për role kryesore.
Kush ju zbuloi si talent dhe ku?

Unë jam lindur në qytetin e Bajram Currit dhe në atë qytet në vitet 1975 –‘81 kur unë kam bërë gjimnazin atje mund të them se kam bërë një jetë artistike kulturore të jashtëzakonshme. Nuk e di nëse jam i saktë se a ishte kjo gjallëri kulturore në qytet e tjera, por ishte në politikën e kohës  që të bëheshin aktivitete të tilla të detyrueshme, që na zgjonin dëshirën të ngjiteshim në skenë. Në atë kohë në qytetin e lindjes ishte një regjisor që tashmë nuk rron më Sali Toçi që kishte mbaruar Akademinë e Arteve dhe vinte në skenë 2 deri në tre shfaqje me amatorët e qytetit. Me njerëz të zakonshëm, këtu u futa dhe unë. Ishte ky regjisor që më afroi një dritë dhe ja di për nder se ishte njeri i dhënë pas artit, shumë i pasionuar dhe vuri në skenë “Baca i Gjetajve”, “Cuca e Maleve”, por edhe drama të kohës që i kujtoj me nostalgji. Pra kam qenë në shkollë te mesme që hodha hapat e parë drejt aktrimit. Por në atë kohë më shumë jam marrë me teatrin e kukullave ku padyshim ky teatër, ka qenë më i preferuari pasi më besoheshin pjesët kryesore me disa shokë shumë të mirë që sot janë shpërndarë nëpër botë. I kujtoj me nostalgji. Ishte dhe një regjisore korçare Afërdita Kolbaka në teatrin e kukullave.

Si vazhdoi pasioni yt?

Shumë thjesht. Ai ishte i ndezur. Pyeta se mos kishte shkollë të mesme për aktrim. Më thanë jo. Në këtë kohë ne shpërngulemi familjarisht në Tiranë pasi babi im ishte mjekë ushtarak. Isha në fund të gjimnazit. U vendosëm në Laprakë. Mora vendim të konkurroja për aktrim. Pjesët me të cilat do të konkurroja në 1981 i zgjodha të ndryshme. Një miku i babait na njohu me pedagogun tim të ardhshëm Ahmet Pasha, i cili më ka dëgjuar në Pallatin e Shtëpisë së Pionierëve dhe kur më dha shumë zemër për të hyrë me dinjitet. Atëherë konkurroi gjithë familja ime, pasi vija nga një zonë rurale, me pak të njohur në Tiranë, vija nga Tropoja kishte një lloj neglizhence ndaj nesh pasi mendoni se ku ka punuar me aktrim, ku ka jetë kulturore në Tropjë etj…

Kush ishte në komision kur konkurrove?

Ishte një emocion i madh. Ishte një komision me 13 veta që ishin ndër aktorët më të mirë të Shqipërisë. Esat Oktrova, kryetar, Plasari, Viktor Zhusti, Birçe Hasko, Vera Zheji, Pandi Raidhi që unë kur i shihja në filma i kisha zili, pra ishin emra shumë të dëgjuar…  Ishte një atmosferë që nga një anë ndjeheshe mirë me njerëz shumë të dëgjuar nga ana tjetër një përgjegjësi dhe një emocion i paparë. I kisha idhuj.

Kush ka qenë roli më i vështirë në kinematografi?

Veçoj dy role me situata të vështira qoftë nga pikëpamja e krijimit të figurës dhe nga ana e aspektit fizik sepse, zhvilloheshin në kushtet reale. Tek “Balada e Kurbinit” ka qenë momenti kur protagonisti vjen nga Lindja e largme pasi ka qenë nizam në ushtrinë turke, kur kthehet në shtëpi përballet me një fakt ku i kanë vrarë të gjithë njerëzit e familjes dhe shtëpia e rrafshuar dhe asnjë se mendonte se do të kthehej. Si moment ka qenë tepër i vështirë për tu organizuar që unë të shprehja atë që kërkonte ky çast. Nuk harroj një fjalë që pedagogu im i diplomës që ka qenë Sulejman Pitarka që na thoshte çdo ditë që masë dhe vetëm masë, në çdo gjë duhet masë. Sidomos në interpretimin e aktorit duhet masë. N.q.s se gjen masën nuk ke bërë asgjë sepse e ke tepruar, tejkaluar dhe nuk je i besueshëm si sheqeri që hidhet në kafe, uji në gotë. Kalon masa prishet cilësia. N.q.s nuk je i besueshëm tek spektatori tek publiku normalisht nuk ke masë. Me regjisorin Çashku kemi xhiruar gjatë atë ditë me, Reshat Rabnën, Tinka Kurtin dhe disa të tjerë. Ishin momente të vështira për mua edhe nga ana emocionale. Xhirimi u krye në kalanë e Gjirokastrës dhe duhej një përqendrim i  madh. Tek e filmi “Kur hapen dyert e jetës” ku luaja rolin e një mjeku i cili sa ka mbaruar studimet dhe shkon të ushtroj profesionin. Këtu  jam lodhur dhe jam kënaqur shumë. Ishim një grup shumë simpatik që qoftë në dimër qoftë në maj në fshat të Shkodrës kaluam shumë mirë.

Në shumë intervista që kam bërë me piktorë, skulptorë, aktorë thuhet se ka rënë kërkesa e llogarisë në Akademinë e Arteve, sa e vërtet është kjo?

Akademia  në këtë moment po kalon një reformë përsa i përket cikleve të studimit. Jo të  gjithë janë përgatitur për këtë reformë. Mungesa e përgjegjësisë apo llogarisë mund të vërehet tek ndonjë studentë  i cili ka ardhur këtu dhe  nuk shpreh asnjë interes. Dhe ai që s’ka interesa për vete nuk ka se ç’pret nga të tjerët, të tjerët qofshin këta pedagogë. Studenti ka hyrë në shkollë të përfitojë një profesion të caktuar të marrë një diplomë për këtë shkollë në një program të caktuar ku shteti investon nëpërmjet ambienteve, pedagogëve, instrumenteve, etj.. Nga ana tjetër ai duhet të jetë i përgjegjshëm të shprehi një vullnet një qartësi, ndryshe s’kishte pse vinte në auditorë. Prandaj dua t’ju them se duke e parë në këtë këndvështrim nuk qëndron ajo që flitet. Është kollaj sot të flasësh, por unë të gjithë ata i ftoj që të vijnë në auditoret tona dhe të shohin.
Realiteti është krejt ndryshe, rastet sporadike nuk mund të përgjithësohen. Sidomos i ftoj të vijnë në periudhat e provimeve, por edhe tani që po flasim bashkë dhe të shikojnë sesi Akademia e Arteve është kthyer në një qytezë artistike. Ju siguroj që bëhet një punë e madhe me studentët, por nuk e përjashtoj si më lart rastin e elementëve të veçantë që nuk shprehin dëshirën e tyre për të ecur dhe për të çarë në jetë.

Flasim për pedagogët, si i mirëpresin apo si reagojnë ata kur shohin femra me minifunde dekolte apo i shohin si provokim të tyre dhe ndjehen mirë ku mund të shfaqin dobësi?

Është një mendim që ekziston në Akademinë e Arteve dhe mendohet se ka liberalizëm në këtë drejtim. Absolutisht jo. Ne studentët i kërkojmë me rroba pune. Si ai muratori, ne sipas degëve kemi dhe veshjen për studentët. P.sh ai i baletit do vishet me rrobat e baletit. Studenti i aktrimit deri në vitin e tretë vishet me, tuta bluzë dhe me atlete, sepse ka elementë teknik fizik që duhet t’i përballojë. Për hir të së vërtetës duhet të them që nuk është kthyer në problem apo fenomen, por mund të jetë rast i veçantë. Por gjithçka është edhe tek vet studenti,

Box
Opinioni për bashkëjetesën
Koha ka ardhur që duhet ta pranojmë. Jam rritur në një kohë tjetër dhe në një ambient tjetër që nuk pranohej, por sot kam përshtypjen se nuk është gjë e pamundur. Për mendimin tim bashkëjetesa është një gjë normale, por kam një ndjesi kur ka një krisje në marrëdhënie që dëmton të dy palët. Sidomos kur janë me fëmijë.
Box
Mendimi për politikën e sotme shqiptare
Politikë që  nuk shohim fryte konkrete. Politikë, problematike aq sot që bisedojmë shohim që problemet presim të na i zgjidhin të huajt. Ca probleme që nuk mund të zgjidhen në bazë të dialogut mes forcave politike të mëdha që përbëjnë dhe shumicën e elektoratit. Si shumë të tjerë jam i pakënaqur nga politika që bëhet në vendin tim.
Box
Pengu i skenës
Patjetër. Jeta ime artistike nuk është se është mbyllur, por vetë puna që tashmë bëj. Pa pasur atë egon që patjetër të bëhem rektor, në një mënyrë të vetvetishme, ka bërë që të më lërë pengje në jetën artistike. Ëndrrat e mia të para, kanë qenë që të jem një aktor i teatrit, por tani u kanalizuan në ekran për këtë edhe jam brenda vetes sepse ishte një përzgjedhje, por padyshim si çdo aktor që aspiron edhe unë hyj në ata aktor të brezit tim që kam dashur të ec përpara në krijimtarinë time. Mendova që me përfundimin e Akademisë të kaloja në teatër, por sa mbarova më mbajtën asistent pedagog në Akademi që ishte një nder i madh për kohën. Ky vlerësim si pedagog bëri që unë të largohem paksa skenës.
Box
Roli i parë në film
Ah, po! Roli i parë në film ka qenë me regjisorin Kristaq Dhamo. Kjo ndodhi menjëherë pas konkursit. Ishte filmi “Qortimet e vjeshtës”, ku rolin kryesor e luante, Kastriot Caushi rolin e Qemal Stafës. Kur bëheshin konkurrimet për të fituar të drejtën e studimit na bënin të gjithëve nga një foto nga regjisori, edhe mua. Kur në shtator do filloja shkollën mua më afruan rolin dhe pse nuk lejohej që të isha student dhe të luaje role. Ishte moment i vështirë pasi duhej të lija mësimet qysh në fillim që s’ishte normale, pasi nuk mund ti kapje dot më vonë. Semestri i parë më iku me disa boshllëqe. As e kisha menduar kurrë dhe ishte një gjë fantastike, për mua, për moshën, për familjen. Në fillim më bënë një kinoprovë. Unë as dija se ç’ishte kinoprova në atë kohë, kamera më dukej si gogol, si grykë topi. Me atë kinioprovë fitova rolin e Nazmiut. Një konviktor që merr pjesë në lëvizjen
antifashiste. Xhirimet u bënë në Shkodër. Ishte një eksperiencë e shkëlqyer.

INFORMACION PERSONAL

Emri            : Petrit
Mbiemri        : MALAJ
Datëlindja        : 12.12.1961
Vendlindja        : Vlorë
Vendbanimi     : Tirane
Gjendja familjare    : I martuar me dy fëmijë
Nenshtetesia     : Shqiptare
Kombesia         : Shqiptare

ARSIMIMI

Në vitin 1981     Filloi studimet në Akademinë e Arteve dhe i përfundoi ato në vitin 1985 dhe diplomohet AKTOR.
1985 – 1990    Ka kryer kualifikimin pasuniversitar, ku ka dhënë të gjitha provimet pasuniversitare të formimit intelektual dhe artistik.
Në vitin 1995      Shkolla Ndërkombëtare e Teatrit  “Jacques Lecoq “ – Paris, Francë.
Në vitin 1996    Shkolla e Teatrit  Murcia – Spanjë
Në vitin 2000    Departamenti i Shtetit Amerikan – Administration, management in Theatre and Theatrical Schools, organization and functioning of theatrical Schools and companies.
Në vitin 2001    Stazh profesional për aktrimin Bari – Itali
Zotëron gjuhët  Italisht (të mbrojtur me dëshmi) si dhe komunikoj anglisht.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora