E premte, 19.04.2024, 12:28 AM (GMT+1)

Mendime

Adem Demaçi: Të metat e polikës kosovare

E marte, 26.01.2010, 06:54 PM


Të metat e polikës kosovare

Laureat i çmimit “Sakharov për Paqen” në vitin 1991, pasi kishte qëndruar rreth 30 vjet në burgjet e ish-Jugosllavisë komuniste, Adem Demaçi u pozicionua në krah të rezistencës që i bëri Serbisë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Një nga kritizerët më të fortë të Ibrahim Rugovës në Kosovë, Demaçi kaq muaj pas vdekjes së tij vazhdon ta akuzojë për bllokim të rrugëve në arritjen e pavarësisë. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “standard”, Demaçi shikon me një sy kritik klasën politike në Kosovë, duke parë një dritë shprese vetëm në ardhjen e Agim Çekut dhe Fatmir Sejdiut në krye të vendit. Demaçi paralajmëron për një Palestinë në Ballkan, nëse Kosova nuk merr pavarësinë, që sipas tij është një e drejtë e pamohueshme.

Intervistoi: Blerina Gjoka 

Zoti Demaçi, çfarë ka ndryshuar në Kosovë pas vdekjes së Rugovës?

Kanë ndryshuar shumë gjëra. Rugova ka qenë një njeri i padenjë për atë post, ku e kanë sjellë rrethanat e caktuara historike dhe ndikimet e Serbisë në radhë të parë. Sepse pas shpartallimit të Lidhjes Komuniste, atëherë serbët përmes mekanizmave të tyre që kishin në Kosovë u urdhëruan disa njerëzve që të bëjnë gati përgatitjen e një partie, e cila do të shërbejë me mjete paqësore. Kështu, u mblodhën disa ish-anëtarë të Lidhjes Komuniste dhe vendosën që ta formonin Lidhjen Demokratike të Kosovës, hoqën “K” dhe në vend të saj vendosën “D” dhe ishte lidhje, lidhje mbeti. Një herë ia ofruan udhëheqjen Rexhep Qoses, i cili duke i njohur se kush ishin dhe veprimtaritë e tyre të dikurshme, nuk pranoi, atëherë doli ky që pranoi. Kur e pa që u shndërrua në një kult, sepse komunistët nuk dinin kurrgjë tjetër vetëm të bënin kulte, që kur ishte Titoja gjallë. Kështu e bën dhe kultin e Rugovës, por sa e pa ky që u bë një kult pa të cilin nuk ban, atëherë filloi të tregojë natyrën e tij prej njeriu, i cili të gjitha i futi në duart e veta, por nuk lëvizi as hiç. Ishte një pengesë e madhe për politikën shqiptare për 16 vjet sa ishte gjallë. Asgjë nuk lëvizi, asnjë rrugë nuk e hapi. Vetëm kishte disa formula të njëjta dhe e mbajti popullatën në një iluzion, duke u thënë atyre mos provokoni, se Serbia është e fortë e do të na vrasë për 24 orë. Kjo atëherë shumicës së njerëzve normalë që duan të shohin punët e veta, i leverdiste. Ai bëri dhe gabime trashanike. Është periudha kur filluan bombardimet, kur e mori Millosheviçi në Beograd dhe e detyroi që të jepte bashkë me të një deklaratë kundër bombardimeve të NATO-s. Më vonë i kërkoi Millosheviçit avion dhe ai ia dha. La popullin nën bombardime dhe nën të gjitha të zezat që ushtronte polica dhe ushtria serbe dhe shkoi në Itali, duke pritur përfundimin e luftës.

Gjithsesi, presidentit Rugova iu bënë homazhet dhe u vlerësua maksimalisht si nga vendasit, ashtu nga ndërkombëtarët. Sa po ndiqet vija e tij politike nga Fatmir Sejdiu?

Ato homazhe janë bërë nga qarqe, të cilat kanë pasur përfitim nga politika e Rugovës. Janë bërë nga qarqe që nuk e kanë njohur politikën e Kosovës, janë bërë homazhe të një vdekjeje sepse është normale që njerëzit të sillen mirë me të vdekurin dhe të flasin mirë për të. Atij iu bënë homazhet sikur të ishte një president i vërtetë, duke sjellë delegacione nga gjithë bota me shpenzime të larta që i paguajnë punëtorët e Kosovës. Duhet të shikohet se çfarë ai bëri në të vërtetë dhe ai për Kosovën s’ka bërë asgjë. Ai ka hyrë dhe ka nënshkruar marrëveshje që e kanë dobësuar pozicionin e Kosovës. Ai është pajtuar edhe me të gjithë këto që i mbeten në barrë tash këtyre që janë pas tij. Ka përpjekje që pas tij Fatmir Sejdiu, i cili është i Lidhjes Demokratike, por është një njeri kompetent dhe është një njeri mjaft i zoti, ka filluar të bëjë disa depërtime. Depërtimi i parë dhe më i madhi është kur ka shkuar në memorialin ku janë eshtrat e familjes Jasharaj dhe ka bërë homazhe dhe ka folur fjalë të mira. Domethënë ka përmirësuar pozicionin negativ të cilin Rugova e mbajti me kokëfortësi deri në momentin e fundit. Domethënë, Sejdiu u mundua të bëjë diçka që ta bashkojë popullin pas një vlere reale, jo pas një vlere të rreme sikur ishte Rugova. 
Si e shikoni performancëm e liderëve aktuale të Kosovës dhe klasës politike në Prishtinë?
Partitë në Kosovë janë formuar duke pasur parasysh nenin, i cili kërkon që të pranohet rezoluta 1244 dhe kjo rezolutë e përshkruan Kosovën si pjesë të pandashme të ish-Jugosllavisë. Në Kosovë mbahen zgjedhjet me lista të mbyllura, që domethënë ata që udhëheqin partitë, vendosin të dashurit e tyre në listat e atyre që do të zgjedhë populli. Një seleksionim e bëjnë të huajt sepse mbajnë afër ata që kanë dhënë prova që për Kosovën nuk janë të interesuar dhe të gatshëm të sakrifikojnë sa duhet dhe si duhet për lirinë e Kosovës, domethënë e ulin pazarin. E ulin pazarin dhe këta që janë të gatshëm të shkojnë pas liderëve që në të vërtetë nuk kanë treguar ndonjë sukses, sepse disa herë kanë dështuar në zgjedhje. Por meqë nuk ka një jetë të vërtetë partiake në asnjërën nga këto partitë ekzistuese, atëherë nuk ndërrohen liderët, mbeten ata të njëjtët dhe krijohet një klikë njerëzish të bashkuar rreth liderit, të cilët fitojnë bashkë, jetojnë bashkë dhe imponohen për ata të tjerët që s’kanë ndikim në parti.

Ju nuk shihni nota demokratike në partitë Kosovare, por si e shihni ardhjen e Agim Çekut, i cili nuk doli nga partitë por u i importua në politikë? 

E shoh si hap pozitiv, e shoh si një përpjeke që bëhet nga faktori ndërkombëtar, i cili e pa që korrupsioni dhe abuzimet janë rritur aq shumë në Kosovë, saqë duhej të bëhej një ndryshim. Me vdekjen e Rugovës, në Presidencën e Kosovës u bë një ndryshim i madh. Fatmir Sejdiu doli nga pallati ku jetonte Rugova dhe shkoi në zyrat e Kuvendit të Kosovës. Hoqi këshilltarët kryesorë të Rugovës, një farë zotni Ram Maraj, i cili ishte këshilltar për sigurinë dhe kishte një farë lloj instituti për përpunimin e opinionit, kur në të vërtetë ai ishte një shtab sigurimi që në Kosovë e drejtonte. Pa lejen e tij s’bëhej asgjë në Kosovë. Hoqi dhe këshilltarët të tjerë dhe vendosi të tjerë për të vazhduar punën. Por në qeveri mbeti kabineti që u përfol për shumë abuzime dhe për shumë probleme që njohim sot në Kosovë, për të cilat UMNIK-u ka të dhëna të mjaftueshme, por të cilat nuk do t’i nxjerrë në dritë, sepse nuk do të krijojë afera për të mbetur pa njerëzit me të cilët duhet të punojë. Mirëpo kjo arriti një krizë të padurueshme, kur faktori ndërkombëtar interferoi. U dorëhoq Bajram Kosumi dhe në vend të tij erdhi gjeneral Çeku, i cili ka një përgatitje të madhe, gjeneral me shkollë dhe me merita. Në Kroaci ka marrë pjesë në luftën çlirimtare, ka pas ardhur dhe në Kosovë që të luftonte për çlirimin e Kosovës në kohën kur patën filluar bombardimet. Por ai ka dhe një kulturë politike dhe ata e kanë vlerësuar realisht dhe e kanë zgjedhur aty që më së pari të bëjë pastrimin e qeverisë dhe të rrëzojë qeverinë. Por që në fillim ai hasi në rezistencën e fuqishme të mafies brenda në partinë e LDK-së, hasi në rezistencën, nuk e di a ka pas mafia në partinë AK, por në rezistencën e atyre ministrave që mbanin postet. 

A po ecën në rrugë të mbarë Kosova pas këtyre ndryshimeve?

Është ende në fillim. Domethënë, pa arritur që Çeku ta ndërrojë ndoshta krejt, ndoshta shumicën e ministrave, duke vendosur në vend të tyre ministra kompetentë. Në qeveri ka shumë ministra që s’kanë lidhje me degën që drejtojnë sepse partia ofron ata çka ka në dispozicion dhe në vend të atij që merret me energjetikën, ofron një gjuhëtar apo historian. 

Zoti Demaçi, a po i ndiqni bisedimet e Vjenës? A po shkojnë në kahun e duhur këto bisedime sipas jush?

Këtë garniturë politike e ka zgjedhur faktori i jashtëm në bashkëpunim me këta liderët, të cilët kanë dhënë prova se bëjnë lëshime joparimore dhe bëjnë lëshime të mëdha, esenciale, në kurriz të Kosovës. Këta njerëz unë mendoj që s’duhet të jenë ata që duhet të bisedojnë me Serbinë. Por bisedimet me Serbinë Kosovës i janë imponuar se përditë vijnë letra nga Grupi i Kontaktit. Sepse duan që Serbinë ta marrin me të mirë, edhe Serbinë ta qetësojnë në një mënyrë. Kjo është punë e gabueshme sepse Serbia në vend që të dënohej, tash Serbia kërkon që të shpërblehet për krimet që ka bërë në Kosovë. Serbia kërkon që Kosova të decentralizohet sipas linjave etnike. Për këtë decentralizim Kosova s’ka nevojë sepse ajo i ka kufijtë ende të padefinuar, ende nuk është shtet dhe nuk i ka ligjet e veta. Decentralizimi që kërkojnë ata është si në këtë pallat ku jemi, të ishte vetëm një shesh dhe të zihemi që të ndajmë zyrat e të ndajmë muret, kur pallati nuk është askund. Pra, duan ta ndërkombëtarizojnë të drejtën e serbëve për të pasur enklavat e tyre të pastra serbe, ku mund të sillnin që numër të pacaktuar të serbëve, të cilët kanë ikur nga Bosnja, Kroacia, ku janë zhvilluar luftëra. Me këtë duan të thonë se: ja shqiptarët i kanë përzënë serbët që këtu, se ja sa shumë serbë ka. Një tjetër fakt i rëndësishëm në kërkesat e padurueshme dhe të pamundshme të Serbisë është se ata insistojnë që kishat dhe manastiret të kenë të drejta territoriale. P.sh për manastirin e Deçanit parashihet që të ketë 800 hektarë tokë që u merren fshatarëve të Deçanit. Në këtë tokë do të ndërtohen pallate për të grumbulluar serbët, edhe ata që kanë qenë kosovarë dhe ata që s’kanë qenë. Faktori i tretë që të tjerët e aprovojnë, edhe këta të gjorët që bashkëbisedojnë me Serbinë nga pala shqiptare, është që të kërkohet nga serbët që janë në Kosovë të mos marrin rroga nga buxheti i Kosovës, por nga buxheti i Serbisë. Ata duan ta bëjnë popullatën serbe popullatë të vetën dhe kjo është një përzierje flagrante në punët e brendshme të një shteti. T’i bëjnë ata agjentë të tyre, duke u dhënë paga të larta. Këto do bëjnë të mundur të krijohet një shtet i vogël brenda Kosovës dhe do të mbajnë krizën gjallë sepse Serbia është vend i krizave, i burimit të krizave. Ata duan ta eksportojnë krizën në Kosovë për të thënë para botës se ata s’janë të zotët të bëjnë shtet dhe të kërkojnë të ndajnë vendin duke e copëtuar. Nga njëra anë 20 për qind e Mitrovicës veriore është aneksuar dhe bëhen tendenca që të bëhen hapësira të ngushta të lidhura edhe nga ana e lindore, nga ana e Gjilanit. Gjithashtu bëhen përpjekje që të krijohen hapësira serbe dhe nga ana perëndimore, në rrafshin e Dukagjinit.

Me çfarë kushtesh duhet të shkojë Kosova në këto bisedime?

Platforma e parë është që Kosova të ketë të drejtë të vendosë për fatin e vet, të dijë se çfarë disponon, atëherë të shkojë në të gjitha bisedimet. Derisa Kosova është territor i padefinuar, ende për Kosovën nuk dihet se si do të përfundojë puna e saj, nuk është thënë askund definitivisht, të shkosh në bisedime për këto detale derisa nuk e ke këtë synim, kjo është një qyqani e madhe nga ana shqiptarëve dhe një thirrje anti-demokratike nga qarqet që i imponojnë këto punë. Kurse për Serbinë kjo është një gjë e mirë sepse ata i kanë gjetur partnerët dhe nuk çajnë kokën pse Kosova do të ngelë e obliguar ndaj Serbisë për të bërë gjëra që janë të pamundshme të bëhen. Kushti i parë është që Kosova të bëhet shtet dhe të bisedojë me Serbinë në faza të barabarta. Jo të bisedojë me Serbinë, me një vend që na vrau, na preu, pa qenë vetë askund.

Ju e shikoni të pamundur bashkëjetesën e serbëve dhe kosovarëve?

Përkundrazi. Unë jam nga ata dhe të gjithë ne që jemi që Kosova të bëhet shtet, besojmë dhe jemi të bindur se mund të bashkëpunohet me Serbinë. Ne nuk mendojmë se popullata serbe është fajtore për luftërat dhe gjakderdhjet që janë bërë në Kosovë. Ishte regjimi fajtor, kurse popullata manipulohej nga ai regjim dhe shtyhej që të luftonte kundër shqiptarëve. Këtu s’ka vend të thuhet gjë sepse ne e kemi dokumentuar me qindra vjet. Me qindra vjet ne kemi bashkëjetuar me serbët, me turqit, me ashkalinjtë dhe boshnjakët. Kjo luftë nuk ka qenë luftë ndëretnike sa i takon anës kosovare. Kjo luftën ka qenë luftë kundër robërisë serbe dhe regjimit serb. Gjatë luftës, shqiptarët nuk kanë prek, ka pas përjashtime, por politika e luftës çlirimtare të Kosovës nuk ka qenë që të luftohen serbët apo të eliminohen serbët. Bie poshtë teza se shqiptarët nuk janë të gatshëm të jetojnë me serbët. Këtë mundohet ta artikulojë serbia, e cila kërkon të krijojë hapësira të pastra serbe, ku ata s’do të mund të integrohen më pas me shqiptarët. Përkundrazi, do të krijohet një mur i pakalueshëm, duke krijuar policinë e tyre. Si do të mund të inkuadrohen me shumicën shqiptare, kjo është e pamundur. Ata duan të bëhet e pamundur dhe të thonë më pas që ja, shqiptarët nuk duan të integrojnë pakicat.

Zoti Demaçi, si e vlerësoni rolin e Shqipërisë në gjithë këtë proces, a ka diçka që mund të bënte më shumë Tirana zyrtare, mund të ishte më aktive në këtë moment? 

Ne, çfarë shohim përtej hundës, e dimë situatën e Shqipërisë, i dimë mundësitë e saj. Dashuria jonë për Shqipërinë është e pafund, e pamatë dhe e pakufijshme. Por pse e duam ne Shqipërinë, ne kemi dhe mirëkuptim për mundësitë e saj. Nuk ka mundësi Shqipëria, as ekonomike, as politike. Është ngarkuar vetë me probleme të brendshme të cilat e dobësojnë pozicionin e saj. Është Shqipëria nevojtare e madhe për ndihma, kredi dhe përkrahje nga Evropa, e cila në një farë mënyre, disa nga faktorët kryesorë të saj, mundohen ta nxjerrin Serbinë nga ajo situatë ku ka vënë vetveten. Pra ta amnistojë Serbinë dhe ta shpërblejë për krimet që ka bërë në ish-Jugosllavi. Ne mendojmë se kjo punë mund të zgjidhej nëse Evropa do ta kuptonte se duke i bërë koncensione Serbisë, vazhdon të forcojë neofashizmin dhe gjitha ato reaksione, të cilat në kundërshtim me kohën e sotshme shihen dhe ekspozohen në Serbi. Në Serbi ka parulla kundër rumunëve, kundër çifutëve. Me të gjitha këto është e ngarkuar Serbia dhe nuk ka mënyrë tjetër që ajo të shpëtojë nga mafia që ka brenda vetes dhe nga aparati policor dhe propagantistik që ka mbetur i njëjti siç ka qenë përpara, përveçse Serbia të mbetet pa Kosovën, pa Malin e Zi, pa Sanxhakun. Serbia të mbetet me vetveten. Këtë punë e kanë kuptuar të parët amerikanët, besoja se disa nga shtetet evropiane nuk e kanë kuptuar, deri në deklaratën e 31 janarit në të cilën u fut një formulim i ri që merr parasysh dëshirën e popullatës së Kosovës.

Flasim për një tezë radikale, ajo e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë që flitet më shumë në qarqe jopolitike...

Koha kur duhej të mendohej dhe të bëhej në vend të zbatohej e drejta e pamohueshme e shqiptarëve që të kenë një shtet të përbashkët, nuk u shfrytëzua. Hera e fundit ishte shpartallimi i Jugosllavisë dhe Shqipëria nuk ishte e pregatitur që të merrte masa që çdokush të kontrollonte pjesën e vet ashtu siç duhej. Jugosllavia u nda, Kroacia, Bosnja dhe Maqedonia u ndanë. Udhëheqja e Malit të Zi nuk e shfrytëzoi këtë rast që të ndahej. Në këtë kontekst, ne shqiptarët u vonuam. Shqipëria nuk qe e aftë që të zgjidhte problemet e veta dhe në këtë rajon të paktën rreth Kosovës dhe të luante një rol më të rëndësishëm sesa të deklarohej një herë në favor të deklaratave të Evropës dhe një herë në favor të deklaratave neutrale. Nuk besoj se një herë për një herë do të mundim ta realizojmë të drejtën tonë të pamohueshme sepse jemi të papërgatitur si komb në tërësi. Do ta shfrytëzojmë momentin historik, i cili na paraqitet në formën e bashkimit në Bashkim Evropian. Duke u bashkuar në Evropë do të mund të jemi të gjithë të bashkuar siç ishim nën perandorinë osmane. Do të mundim të kompensojmë deri diku atë mungesë të bashkimit që do të ishte i formalizuar dhe i kristalizuar përmes një shteti të përbashkët. Ky është një kompensim në krahasim me kohën që po jetojmë. 

Ju flisni në mënyrë të prerë për pavarësinë e Kosovës, megjithëse ajo vazhdon të mos jetë akoma një realitet. Sa janë gjasat për një rindezje të konfliktit në Ballkan nëse kjo pavarësi nuk vjen, ose nëse ngjarjet marrin një rrjedhë tjetër? 

Kjo garnituara e Kosovës që është e gatshme të flijojë pavarësinë e Kosovës për postet e veta nuk i ka pozitat e forta. Pakënaqësia është shumë e madhe dhe nuk do të ketë fuqi të kontrollonte popullin shqiptar, nëse do të bëjnë gabim t’ia mohojnë të drejtën për vetëvendosje, të drejtën për pavarësi. Kështu që pavarësia është e domosdoshme nëse nuk duan dhe unë besoj se nuk duan shtetet evropiane dhe sidomos amerikanët, të cilët janë të interesuar që këtu të krijohet një hapësirë e paqes. Kështu që Serbia do të detyrohet të pranojë të mbetet në trojet e veta, të heqë dorë nga këto kërkesa dhe këtë do ta bëjë herët a vonë. Nëse ajo se bën me dëshirë, atëherë do të detyrohet sepse edhe shqiptarët edhe malazezët, edhe Evropa është lodhur me imperializmin serb dhe me politikën e saj destruktive. S’ka rrugë tjetër, por nëse ndodh që nuk përfillen kërkesat e shqiptarëve për të cilat kemi paguar gjak, atëherë Kosova dhe rrethinat e saj rrezikojnë të shndërrohen në një Palestinë që do ta rrezikojnë paqen në këtë pjesë. Do të ngjallen rezistenca në luginën e Preshevës, edhe në pjesën shqiptare të Maqedonisë, mund të ngjallet një rezistencë dhe në pjesën shqiptare në Mal të Zi, edhe në pjesën shqiptare në Greqi. Sepse vetëdija shqiptare brenda këtyre 7 viteve, në këto rrethana të një lirie - gjysmë lirie është rritur mjaft. Por unë mendoj se puna do të përfundojë pozitivisht.




(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora