E shtune, 18.05.2024, 10:07 AM (GMT+1)

Mendime

Shaban Peraj: Për të hyrë në një organizëm të ri

E marte, 19.01.2010, 10:57 PM


Për të hyrë në një organizëm të ri

Shkruan: Shaban Peraj

Historia e shqitarëve në Mal të Zi i ka rrënjët më të thella historike, etnike e kulturore, gjë që i bënë ata të dallohen nga të tjerët edhe për nga politika. Pavarësisht si mendojnë të na trajtojnë disa politikanë  joshqiptarë, evidente dhe e pakontestueshme është se ne jemi një popull autokton në trojet tona, nuk jemi ardhacakë e qiraxhnjë për t’i dhënë të drejtën dikujt që këtë ta vënë në shërbim të politikës ditore. Të kota janë përpjekjet e tyre duke dhënë deklarata që krijojnë konflikt në mes të Podgoricës e Prishtinës rreth pëfshirjes së pakicës malazeze në Kushtetutën e Kosovës, kjo një ditë do të rregullohet, por thëniet se duhet aplikuar reciprocitetin, dhe nëse kjo nuk ndodhë atëherë shqiptarët në Mal të Zi duhet të fshihen nga Kushtetuta janë apolitike. Mjafton një deklaratë e tillë karshi shqiptarëve në Mal të Zi po të kihet parasysh kontributi i tyre për pavarësi nga një komunitet autokton në trojet e veta etnike. Deklaratat e tilla nga udhëheqës të lartë të Partisë Demokratike Socialiste, parti në pushtet, duken pakësa të nxituara pa treguar ndonjë pjekuri politike në situata të tilla. Këto deklarata të nxituara duket se në këto momente qëllimin e kanë diku tjetër tani kur duhet të bëhet aprovimi i ligjit zgjedhor, ligjit për ndarje territoriale si dhe cungimi i të drejtës së popullatës së Malësisë për komunë të plotë të Tuzit. Atëherë, opinioni i këtushëm nuk dëgjon ndonjë reagim nga udhëheqësit politik shqiptarë që si duket kanë punë më të mëdha sepse kanë filluar fushatën elektorale për zgjedhje lokale, ndaj rreth kësaj çështjeje, ose nuk duan të prononcohen ose nuk u konvenon, meqë kanë zënë fotelet atje ku i ka vendosur vota e popullit dhe kaq u duhet atyre. Ndryshe nga deklarata e përfaqësuesit të lartë të PDS-te, që kërkon t‘i shlyej shqiptarët nga Kushtetuta e Malit të Zi, do dëgjohej zëri i tyre duke mbojtur të drejtën juridike të përfaqësimit autentik të shqiptarëve. Si të tillë ne kemi pranuar të jemi element konstruktiv i shtetit të Malit të Zi, megjithatë gëzojmë disa të drejta, por ka edhe gjëra që ne ta ndjejmë veten të diskriminuar në disa fusha, siç është kultura,arsimi, ekonomia, informimi, po edhe politika sociale. Për të gjitha këto probleme jemi deklaruar se duhet zgjidhur me dialog  demokratik për çka nuk guxojmë të heqim dorë nga e drejta jonë për të jetuar të barabartë në trojet tona. 
Nisur nga kjo ne nuk guxojmë të lejojmë të jetojmë me premtime relative, gjoja se do të kemi një prosperitet ekonomik,arsimor, kulturor e politik për aq kohë sa personat tanë të politikës shqiptare japin apo jo vlerësime që nuk i bënë mirë komunitetit tonë. Pikërisht për këtë duken disi të vonuar duke mos qenë në hap me kohën e momentin për çka misioni të cilit i kanë dalur zot zbehet gjithnjë e më shumë dhe e bënë të papërfillshme punën e tyre. Për këtë, analizat tregojnë se arsyetimet e tyre për do standarde evropiane që duhet plotësuar për mometin nuk i shkojnë në dobi komunitetit të këtushëm, ndaj “varfëria politike” e udhëheqësve shqiptarë në Mal të Zi rreth të drejave dhe lirive të shqiptarëve në trojet e veta etnike duket disi e zbehtë dhe alibi e tyre duke mos e thënë të vërtetën në momentet e duhura. Më vjen keq të konstatojë kështu, këtë nuk do ta kisha dëshiruar kurrë, por në kohë të fundi ne shqiptarët në Mal të Zi i kemi hyrë vetes në hak duke marrë shumë vendime për të tjerët në emër të demokracisë e barazisë nacionale, kurse për vete akoma nuk kemi arritur të mësojmë gjë nga mësimet e demokracisë për t’i kthyer ata në traditë të mirë qytetare. 
Mjerisht në këtë drejtim ne jemi më të “varfërit politik” duke ua dhënë mundësinë politikanëve tanë të largohen prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkate në zbulimin e të metave të njëri-tjetrit. Sido që të jetë puna, ata e kanë për detyrë të sqarojnë pozitën e shqitarëve kur Mali i Zi  po përgatitet të hyjë në Bashkimin Evropian për faktin se atje ka ca propozime ku fare nuk përmenden pakicat kombëtare dhe kjo pastaj ka mundësi të na kushtojnë shtrejtë, siç ndodhë rëndom me ne. Atëherë nëse është kështu, deshëm apo jo do duhet të respektojmë disa parime tjera evropiane që quhen evropianizim prej nga do të ndalet progresi i pakicave, gjë që është detyrë e atyre që i prijnë politikës shqiptare në Mal të Zi që njëherë e përgjithmonë para se të ndodhë anëtarësimi i Malit të Zi  në Bashkimin Evropian të zgjidhin statusin e komunitetit të këtushëm dhe të shpejtojnë integimin atje ku nuk shohin kërkesa për të zgjidhur problemet tona. Në vitin që lamë pas Mali i Zi arriti të pranohet si një vend me liberalizim të vizave gjë që pak a shumë ndikon në ndryshimi e gjendjes sociale të të gjithë qytetarëve të saj, por ai edhepse proklamohet si shtet qytetar nuk duhet të harrojë se brenda vetës ka shumë kombe, shumë fe e kultura të ndryshme dhe vetëm kështu mund të jetë i pranuar nga bashkësia ndërkombëtare. Duke u mbështetur në këtë realitet, gjasat për shansa të barabarta të qytetarëve të tij janë më të pranueshme për faktorin ndërkombëtar me çka mbetet shumë punë për të bërë, duke u nisur nga përfaqësimi i barabartë i shqiptarëve në organet shtetërore, te zbatimi i të drejtës sociale, kulturore e arsimore. Kjo është ajo që udhëheqësit shqiptar në Mal të Zi duhet ta kenë si punë primare politike për të përfunduar projektet e nisura kombëtare sepse kjo ka vlerë më të madhe se sa hyrja në organizma ndërkombëtare, gjë që me gjithë dëshirën e mirë nuk mund të bëhet pa zgjidhur problemet  e veta. Pra, këtu bëhet fjalë për të ndryshuar mënyrën e sjelljes duke gjetur gjuhën e politikës së kompromiseve.     


(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora