Mendime
Lirim Dullovi: 100 vjet larg BE-së
E enjte, 14.01.2010, 10:17 PM
Opinione
100 vjet larg BE-së
Nga Lirim Dullovi
lirim@koha.com.mk
Po radhiten deklaratat e krerëve të Maqedonisë kundër BE-së dhe vendimit të Këshillit të ministrave që Maqedonia të mos fitojë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Presidenti, kryeministri, ministrat e kabinetit të tij, protestuesit që spontanisht u dërguan para zyrave të BE-së në Shkup, të gjithë me kritika joracionale po i hedhin fajin Brukselit zyrtar, duke krijuar një atmosferë anti-NATO dhe anti-BE, të ngjashme me ato të protestave në Shkup, kur para dhjetë viteve e pësoi Ambasada e SHBA-ve. Dhe, në vend se kjo tendencë e partisë më të madhe në këtë shtet të shqetësojë partitë shqiptare, sidomos BDI-në qeveritare, ato justifikojnë dështimin e misionit të tyre më përralla të palezetshme që s'vlejnë as për më të vegjlit. Sipas anëtarit të kësaj partie, Xhevat Ademi, Brukseli i paska dhënë shans Maqedonisë edhe gjashtë muaj. Po të ishte porosia negative, atëherë duke përcjellë gjithnjë këtë logjikë, do të duhej pritur që Brukseli t'i thoshte Maqedonisë se sot e 100 vjet nuk ka për të qenë pjesë e BE-së, nëse nuk e zgjidh kontestin e emrit me Greqinë.
Natyrisht se diçka e tillë nuk mund të pritet nga një institucion serioz siç është BE. Këto deklarime janë veti e individëve dhe subjekteve joserioze që në rrethana të caktuara dalin me qëndrime ekstreme të llojit "me ose pa maqedonasit, shqiptarët do të hyjnë në BE dhe në NATO" ose "ky dhjetor do të jetë shumë i nxehtë".
Shqiptarët me politikanë të këtillë, ngadalë por sigurt, po shkojnë në kraharorin e Beogradit, e jo të Sofjes, siç pretendon kryetari i një partie tjetër, i cili kështu dëshiron ta kursejë kryeministrin Gruevski para shqiptarëve. Sipas kësaj logjike, do të duhej të besojmë se edhe Llatasi, Mirka, Tomiqi, Milenko, Bumbari, Bllazhja e të tjerët si këta, po luftuakan për kauzën bullgare. Konstatim joserioz, për një politikan serioz.
Por, t'i kthehemi partisë shqiptare në pushtet, që në këtë rast ka edhe përgjegjësinë më të madhe. Kjo parti e konsideron veten si përkrahëse e frymës së perspektivës euroatlantike të Maqedonisë dhe për këtë qëllim thotë se do ta vë në funksion tërë kapacitetin e saj intelektual dhe politik që gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, të arrihet ky qëllim.
Të mësuar nga e kaluara, këto deklarata nuk është çudi t'i dëgjojmë edhe pas gjashtë muajve kur me këtë politikë anti-NATO dhe anti-BE që po koordinohet nga qarqet qeveritare në vend, Maqedonia mund të bëhet vetëm pjesë e Rusisë, Bjellorusisë, Serbisë, Venezuelës, Kubës, por assesi kjo politikë dhe këto qëndrime nuk mund ta çojnë këtë vend në familjen e madhe evropiane. Në vend të këtyre deklaratave bajate për angazhim properëndimor, partia shqiptare në pushtet do të duhej të ndërmarrë veprime konkrete politike për të detyruar kryeministrin të zmbrapset nga qëllimi për ta bërë këtë shtet pjesë të një aleance me Serbinë, vend ky i cili i vetmi në rajon ka hedhur poshtë mundësinë e anëtarësimit në NATO. Argumentet janë të qarta. Jorastësisht ambasadori i BE-së, Ervan Fuere tha se Maqedonia me Greqinë po negocion vetëm çështjen e emrit, e jo edhe të identitetit, i cili përdoret nga kryeministri vetëm si alibi për të hedhur poshtë çdo mundësi për tejkalimin e këtij kontesti që po pengon hyrjen e shtetit në NATO dhe BE.
Pra, gjërat nuk janë edhe aq të komplikuara sa pretendon kryeministri Gruevski, i cili me provokimet e shumta në të kaluarën për antikvizimin e vendit, edhe përshkallëzoi qëllimisht kontestin me Greqinë. Ajo që po kërkon Brukseli, është që kjo politikë e përvetësimit të kulturave, historive dhe vlerave të popujve tjerë të marrë fund, dhe natyrisht, të gjendet një zgjidhje për kontestin rreth emrit.
Për këtë arsye, duhet të merr fund edhe solidarizimi i verbër i politikanëve shqiptarë me ndjenjat e maqedonasve rreth identitetit të tyre, sepse i njëjti është një problem i fabrikuar që duhet ta mbajë këtë shtet larg vlerave euro-perëndimore. Është koha që partitë shqiptare, më në fund t'i kthehen nevojave, kërkesave dhe aspiratave të elektoratit shqiptar. Në të kundërtën, çdo de-legjitimim i politikës së tyre, mospërputhje e vendimeve politike me vullnetin e shqiptarëve, ngjallë rrezikun e krijimit të situatave kaotike në vend, që natyrisht, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, mund të kapitalizohen nga armiqtë e interesave shqiptare në Ballkan.
Komente
_______________
Gruevski dëshiron ndarje
Nga Lirim DULLOVI
Duhet të jesh i marrë për të mos kuptuar prapavijën e politikës që udhëhiqet nga kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Pikërisht të tillë janë shumica e politikanëve shqiptarë në Maqedoni. Jorastësisht u hartua edhe enciklopedia e famshme maqedonase, prej të cilës politikanët tanë kërkojnë të distancohet kryeministri, njeriu i cili financoi këtë projekt dhe i cili bëri promovimin e tij. Ai më 16 shtator mes tjerash kishte thënë se "ky projekt ndoshta nuk është tregues i plotë për jetën dhe zhvillimin e Maqedonisë, mirëpo kjo vepër, në mënyrë autentike skenon pikëpamjet maqedonase për të kaluarën dhe të tashmen kulturore dhe politike kombëtare dhe pretendon të jetë informatë objektive dhe integrale për ne dhe vendin tonë". Pavarësisht kësaj deklarate, ku ai në mënyrë të hapur pozicionohet në mbrojtje të kësaj vepre, që sipas tij paraqet "pikëpamjen maqedonase", drejtuesit e politikës shqiptare në Maqedoni, koncentrohen me përgjegjësinë e vetëm akademikëve shqiptarë, të Bllazhe Ristevskit, të ASHAM dhe paralajmërojnë padi ndaj autorëve si dhe kërkojnë korrigjime të "gabimeve" dhe distancim nga njeriu i cili në çdo aspekt ishte munduar që kjo vepër të dalë si e tillë dhe të nxisë pikërisht këtë reaksion të shqiptarëve në rajon.
Qeveri e Beogradit
Po të analizojmë politikën trevjeçare të Qeverisë Gruevski, do të konstatojmë se për dallim nga Ljubço Georgievski, i cili frymëzohej nga Sofja, kryeministri aktual Nikolla Gruevski është përcaktuar që Maqedoninë ta çojë në Serbi. Pas patriotit të madh maqedonas, në realitet fshihet një figurë e Beogradit, i cili ka për detyrë që të nxisë një konflikt të ri në Ballkan, ku do të përfshihej jo vetëm Maqedonia, por edhe Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Bosnja. Qëllimi final i këtij operacioni do të duhej të ishte ridefinimi i kufijve të këtyre shteteve të Ballkanit, ku nuk do të kishte vend për Maqedoninë si shtet, por ajo do të mund të përfshihej në Serbi, si një pjesë autonome e saj.
Provokimet
Në këtë analizë do të mundohem që këtë konstatim ta argumentoj me disa fakte. Pavarësisht problemeve që ka me tre fqinjët: Serbinë, Bullgarinë dhe Greqinë, kryeministri Gruevski është koncentruar që me çdo kush të shkaktojë konflikt me shqiptarët, si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë dhe Shqipëri, pavarësisht qëndrimit të tyre tolerant për shtetin e përbashkët, identitetin e maqedonasve, gjuhën e tyre si dhe kulturën dhe ndjenjat e bashkëkombasve të vet, me të cilët po tentojnë ta shpijnë këtë shtet në NATO dhe BE. Që të ndodhë kjo, nevojitet politikë që do të nxisë një rebelim të shqiptarëve ndaj shtetit. Deri tani ky rebelim ka qenë i pamundur, për shkak se si askush më parë, Gruevski kishte vënë nën kontroll të plotë partitë e shqiptarëve në Maqedoni dhe duke shfrytëzuar paaftësinë për të vërejtur qëllimet e politikës së tij, ata kanë bashkëpunuar me te deri sot, duke i krijuar kryeministrit pozicione superiore para rivalëve tjerë politik maqedonas, por edhe duke i dobësuar pozicione shqiptare në këtë shtet, që disa herë iu afruan edhe luftës vëllavrasëse.
Disa nga 100 hapat e Gruevskit
Opinionit të gjerë shqiptarë i duhej shumë kohë të kuptojë jorastësinë e shumë vendimeve antishqiptare të kryeministrit që u kurorëzuan tani me enciklopedinë maqedonase. Duke filluar me ndalimin e përdorimit të flamurit shqiptar, Ligjin për stimulimin e natalitetit vetëm të maqedonasit, Ligjin për "ndalimin" e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, vendimi i për ndërtimin e një kishe në shesh të qytetit si dhe mohimi i të drejtës për ndërtimin e xhamisë në kryeqytet, mohimi i të drejtës kushtetuese për mësim në gjuhën shqipe në Idrizovë të Shkupit, detyrimi i fëmijëve shqiptarë të mësojnë në tre ndërrime dhe në klasa me mbi 40 nxënës, detyrimi i nxënësve shqiptarë të mësojnë në gjuhën maqedonase, si pasojë e mungesës së paraleleve të mjaftueshme në gjuhën shqipe (tani për herë të parë edhe në Tetovë), diskriminimi i shqiptarëve në sferën e kulturës nëpërmjet ndarjes simbolike të mjeteve buxhetore, diskriminimi që u bëhet mediave shqiptare në ndarjen e mjeteve buxhetore për reklamimin e shpalljeve qeveritare në raport 98 për qind me 2 për qind në favor të mediave maqedonase, vendimi me të cilin fëmijët shqiptarë do të mësojnë në gjuhën maqedonase që nga klasa e parë, përdhosja e shqipes në librat shkollorë të përgatitur nga autorë maqedonas ku shprehjet, toponimet dhe ilustrimet e teksteve janë bërë në gjuhën maqedonase, shkatërrimi i arsimit shqip që nga Struga e deri në Kumanovë, lejimi dhe stimulimi i shkatërrimit të UT-së nga vetë shqiptarët, racizmi ndaj shqiptarëve në pishinën e Shkupit, objekt ky që në pronë të Qeverisë, rrahja në Nerez e grave dhe fëmijëve shqiptarë dhe "dënimi" me liri i aktorëve të këtij akti qyqar që zhvillohej para syve të policisë…
Dobësimi i votës shqiptare
Meqenëse këto akte politikanëve tanë ju dukeshin se janë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, Gruevski shkoi edhe më tutje dhe mori miratimin e partive shqiptare edhe për shumë vendime tjera që dobësonin pozitën e shqiptarëve në këtë shtet. Ata e përkrahën kryeministrin kur këtij i duhej të dobësonte rolin e votës shqiptare dhe në vend të censusit prej 50, i dhanë atij të drejtë ta reduktojë atë në 40 për qind. Nëse më parë numri i votuesve në një zonë elektorale mund të dallohej nga zona tjetër me + - 3 për qind, që dmth 6 për qind, liderët tanë i thanë OK kërkesës së Gruevskit që dallimi mund të shkojë deri në +-5 për qind, që dmth në 10 për qind. Me këtë automatikisht ata pranuan që shqiptarët në Parlament të kenë prej 2 - 4 deputetë më pak se numri real që do të duhej të kishin nga numri i votave. Ata i dhanë Gruevskit edhe tre mandate deputetësh që të mund t'i zgjedhë me votat e diasporës së shpërndarë maqedonase.
Për të gjitha këto vendime politike të theksuara më lartë, gazetarët tanë me kohë kishin informuar opinionin, por ka munguar reagimi i shoqërisë shqiptare. Në vend të tyre, me shkrimet e gazetës KOHA janë marrë më shumë diplomatët dhe misionet e tjera ndërkombëtare në vend. Shembull për këtë është numri prej 200 mijë votave fiktive, me të cilat zakonisht manipulojnë partitë maqedonase, për të cilën heshtin partitë shqiptare. Pas argumentimit të pohimeve tona, kjo u mor në konsideratë nga Misioni vëzhgues i OSBE-së, i cili i dha për obligim kësaj qeverie që ta pastrojë listën e votuesve deri në zgjedhjet e ardhshme.
Armatosja për paqe
Paralelisht me këtë shkatërrim të shqiptarëve në Maqedoni, Gruevski bleu tre helikopterë për nevojat e forcave policore, duke i pajisur ato me armatim super modern. Përveç shqetësimit të gazetës KOHA dhe diplomatëve të huaj në vend, për këtë dukuri nuk u mërzitën aspak politikanët tanë shqiptarë, të cilët heshtën edhe blerjen e 200 transportuesve luftarak po nga kjo qeveri. Askush prej tyre një herë nuk e shtroi pyetjen, për çka do t'i përdorë kryeministri Gruevski këto armë.
Enciklopedia 3 vjeçare
Kjo është vetëm një pjesë e enciklopedisë 3 vjeçare e politikës antishqiptare të kryeministrit Gruevski, i cili çuditërisht vazhdon të ketë përkrahje, herë nga njëra, e herë nga partia tjetër shqiptare. Më pastaj liderët shqiptarë të Maqedonisë, si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë priten njëri pas tjetrit me nderimet më të larta nga politikanët dhe autoritetet shtetërore të këtyre dy vendeve, duke legjitimuar kështu në mënyrë indirekte edhe politikën antishqiptare që udhëhiqet nga Shkupi dhe që kamuflohet nga pushtetarët tanë. Jorastësisht mungon edhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, ndaj për këtë shkak Maqedonia përbuzë presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe në fund e gjithë kjo kurorëzohet me një enciklopedi maqedonase, ku sipas Gruevskit, shprehen pikëpamjet e maqedonasve ndaj gjithë të tjerëve, në këtë rast ndaj shqiptarëve në Ballkan, si dhe amerikanëve dhe britanikëve, gjegjësisht NATO-s.
Lidhjet serbe
Prej ardhjes së Gruevskit në krye të Qeverisë, afër tij është instaluar krejt rryma proserbe që ekziston në këtë shtet. Afër tij është Llatasi, i cili dikur përkrahte djegien e Ambasadës amerikane në Shkup, pranë tij janë profesorët Shkariq, Bllazhe Ristovski dhe bija e tij, deputetja Liljana Popovska, afër tij janë antishqiptarët Vanço Shehtanski, Todor Petrov, Partia Radikale Serbe, këtu janë lidhjet e ripërtërira me Shërbimet Sekrete Serbe, këtu janë takimet e shumta të fshehta të qeveritarëve në Beograd. Me një fjalë, afër tij janë gjithë armiqtë e shqiptarëve, NATO-s dhe BE-së. Por, aty është edhe vetë Gruevski, i cili dikur ishte këshilltar në Qeverinë e Beogradit.
Për këtë shkak, nëse duan të mbijetojnë, shqiptarët në Maqedoni duhet të ndihmohen nga Prishtina dhe Tirana. Gruevski ka forcuar policinë, ka forcuar armatën, por edhe ka dobësuar si asnjëherë më parë shqiptarët në këtë shtet. Të shpresojmë se lufta të cilën po kërkon ta fillojë, do të fitojë përgjigjen e duhur si nga shqiptarët në rajon, ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare, ku disa prej ambasadorëve, me inferioritetin e treguar ndaj këtyre problemeve, bashkë me partitë shqiptare, ndihmuan në krijimin e një "monstrumi" i cili do t'i vejë zjarrin Ballkanit.
______________
Cubat e Nerezit, vazhdimësi e politikës qeveritare
Nga Lirim Dullovi
Sulmi i ekstremistëve maqedonas ndaj shqiptarëve të lagjes Nerez të Shkupit dhe rrahja brutale e grave dhe fëmijëve shqiptarë, edhe atë në shtëpitë e tyre, është shembulli më tipik për demokracinë në këtë shtet. Të trimëruar dhe të mbrojtur nga shteti, komitat-kopila të veshur me fanellat e rrugaçëve të komitëve, erdhën në numër prej 200 personave dhe ia mësynë shqiptarëve të Nerezit, duke ushtruar terror të paparë. Gjithë ky vandalizëm ndodhi në mesditë në qendër të Shkupit, edhe atë në praninë e forcave të policisë, të cilët në atë momente po bënin spektatorin. Nga 200 cuba që sulmuan shqiptarët e pambrojtur, ministresha Jankullovska pohoi se policia e saj me mision vëzhgues në këtë rast, ka dyshuar vetëm 8 prej tyre, të cilët do të fitojnë nga një padi xigluese, shkaktim të dhunës. Dhe natyrisht, këtë sulm qyqar të qyqeve që votojnë VMRO-në të veshur me petkun sportive, nuk e dënuan asnjë nga partnerët e Ahmetit në koalicion qeveritar. Kryeministri Gruevski, i cili në vend të viktimave të Nerezit, nga frika për rejtingun e tij në bastionin e VMRO-së në Lisiçe, nga edhe erdhën në Nerez 200 cubat e komitëve, zgjodhi të vizitojë Strugën. Ai ende ka dilema se kush i pari ia nisi kësaj pune të pistë.
Ai si duket i ka besuar ekspoziturës së tij në krye të KF.Vardar, Vçno Shehtanski, i cili u tha mediave se komitët paskan qenë të provokuar, dhe sipas kësaj logjike, ata nga lagjja Lisiçe, (çerdhe kjo e VMRO-së) që gjendet në anën tjetër të Shkupit, paskan parakaluar në Nerez dhe qenkan ngacmuar nga nënat shqiptare dhe fëmijët e tyre, të cilët nuk i paskan pritur me lule në rrugë. Për këtë shkak, sipas tij, edhe dajaku paska qenë i merituar. Do të pajtoheshim me këtë konstatim, sikur i njëjti të ndodhte në civilizmet barbare, të cilat Evropa e bashkuar i ka braktisur me shekuj. Dhe pikërisht këtu qëndron edhe absurdi. Ky mentalitet i Shehtanskit të cilin e ndanë edhe kryeministri Gruevski që drejton këtë shtet, në formën më të egër ka institucionalizuar intolerancën ndëretnike dhe ndërfetare në këtë shtet multietnik. Nëse për Marrëveshjen e Ohrit thoshim se i dha fund konfliktit të vitit 2001, sot lirisht mund të themi se ajo po shndërrohet në Marrëveshje për armëpushim. Kjo politikë e cila mbijeton falë flijimit të idesë së shqiptarëve për shtetin e tyre etnik, tani për kurban po kërkon edhe flijimin e Marrëveshjes së Ohrit. Dhe gjithë kjo ndodhë para syve të përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri dhe diplomatëve ndërkombëtarë, që edhe pas 8 viteve kanë mirëkuptim për politikat që nga buxheti i përbashkët mjetet u takojnë vetëm maqedonasve. Qoftë në arsim, në kulturë, në ekonomi, në infrastrukturë, në informim, në sport, diskriminimi ndaj shqiptarëve vazhdon me të njëjtin intensitet. Nuk kanë të ndalur edhe të burgosurit politik shqiptarë. Edhe në këtë mandat, si dhe në mandatet tjera qeveritare, burgjet po mbushen me shqiptarë terroristë, që siç thoshte një kolegë- gazetar, ky mentalitet i institucionalizuar maqedonas i konsideron gjithë shqiptarët si diell-zaptues, lumenj-shterrës, si shkëmbinj-shkulës e çka jo tjetër. Dhe populli hyjnor maqedonas, i prirë nga i dërguari i Krishtit, Nikolla Gruevski, për këtë politikë që po afron Maqedoninë drejt trazirave dhe zhbërjen përfundimtare të Marrëveshjes së Ohrit, me këtë edhe të Maqedonisë, po shpërblehet me liberalizim të vizave, me mundësi për hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në si dhe me mundësinë e anëtarësimit në NATO. Çmimin për këto aspirata të Maqedonisë së Gruevskit po e paguajnë shqiptarët, të cilët duhet të heshtin edhe kur u ndalohet të freskohen në pishinat e ndërtuara nga mjetet e buxhetit. Ata s'duhet të bëjnë zë edhe kur fëmijëve të tyre u mohohet e drejta për shkollim të garantuar ligjor në gjuhën amtare (Idrizova dhe Mjekësia në Shkup). Ata duhet të durojnë që nga 92 shkolla, vetëm dy të mbajnë emrat e figurave shqiptare. Sipas këtij mentaliteti, një vit është pak për fillimin e zbatimit të atij far ligji të kontrabanduar për gjuhën shqipe. Edhe në njësitë speciale policore e ushtarake, shqiptarët edhe më tej duhet të jenë të kënaqur që po marrin pjesë, së paku si klientë.
Për Gruevskin dhe të tjerët si ai, vlen parimi "Ne shtet tjetër nuk kemi, Maqedonia është shteti i vetëm i yni". Me këtë formulim ata ua bëjnë me dije shqiptarëve që të ndihen si mysafir, që shtëpinë e kanë diku tjetër- se kanë edhe ndonjë shtet tjetër, si Shqipëria, Kosova etj. Dhe, këtë shqiptarët, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre që dinë ta mbajnë fjalën si burrat ndaj cubave të VMRO-së, por jo edhe ndaj atyre që i sollën në ato pozita, po durojnë për qëllime të ulëta dhe personale shkeljen e të drejtave elmentare të popullit të tyre. E dëshmuan edhe dje me qëndrimin rreth ligjit për parlamentin, ku në vend që ta avancojnë gjuhën shqipe, ata zgjodhën të jenë shërbëtorë të Gruevskit, të cilin po e përjetojnë si Firreri i tyre. Frikacakë dhe injorantë që kanë harruar kush janë, çka janë dhe pse frymojnë. Megjithatë të mençur për vetveten dhe karrierat e tyre afatshkurte politike. Tajmingun i zgjedhur për t'ia bërë hyzmetin e radhës Gruevskit ishte më se i qëlluar. Në vend të shqipes, qytetarët shqiptarët po shërojnë plagët e terrorit në Nerez dhe po mundohen ta mbajnë nën kontroll revoltën e shkaktuar nga kjo politikë e cila po shpërblehet në vazhdimësi me aleatë shqiptarë në Qeveri dhe me karrota të njëpasnjëshme nga bashkësia ndërkombëtare.
Komentoni
Artikuj te tjere
Fran Buzhala: Konflikti që bëra me teknologjinë elektronike
Faik Krasniqi: Intoleranca dhe urrejtja mes shqiptarëve
Selim Hasanaj: Vrasje pa motiv, motivi tradita banale
Abas Fejzullahi: Ylematë dhe sadriazemët e Kosovës
Krist Gjinaj: Shqiptarët janë Europjanë!
Krist Gjinaj: A të futet feja si land msimore neper shkolla ??!!
Vasil Tabaku: Dhimbja jone me emrin Vlore
“Kadare i pafajshëm,Feraj e quajti Skënderbeun vrasës”
Fritz Radovani: 3 Nandor 1923 (plot 23 vjet para 11 Janar 1946)
Jeton Ameti: Shqipëria përballë Evropës
Ilir Dardani: Turq, serbe e uje
Të ndihmojmë Atdheun, popullin Shqiptarë, në këtë rast katastrofe, shkaktuar nga përmbytjet ujore!
Kadri Veseli: Historia ime (III)
Mirela Bogdani: Në lidhje me kandidimin tim në UK
Bajrush Morina: Tri pyetje për shefin e SHIK-ut, Kadri Veselin
Aktuale sot e kësaj dite lidhur me vrasjet e atdhetarëve tanë nga kriminelët e stalinizmit shqiptar
Enver Bytyçi: Morali dhe antimorali në ditë fatkeqësie!
Isa Mulaj: Humaniteti i Sali Berishës dhe pasojat nga natyra?
Fran Buzhala: Sa jane shqiptaret te rrebelueshem, te vedijeshem per kerkesat e tyre sociale
Xhevat Rexhaj: Komunisti spanjoll H. Solana na e la ''sherraxhiun'' te dera