E enjte, 12.12.2024, 11:47 PM (GMT)

Mendime

Bajrush Morina: Tri pyetje për shefin e SHIK-ut, Kadri Veselin

E diele, 10.01.2010, 07:16 PM


Tri pyetje për shefin e SHIK-ut, Kadri Veselin

Nga Bajrush Morina

A janë trajnuar oficerët e parë të SHIK-ut nga ish-shefi i SHIK-it të Shqipërisë, Fatos Klosi? A janë shfrytëzuar për sigurinë në Kosovë “thasët” me dokumente të “vjedhura” nga zyrat e presidentëve serbë Koshtunica e Tadiq dhe a keni bërë hetime për vrasjet politike të pasluftës në Kosovë?
Pas një heshtjeje pothuaj dhjetëvjeçare më në fund foli njeriu i parë i Shërbimit Informativ të Kosovës- SHIK-ut, Kadri Veseli. Ky shërbim dhe ky emër deri vonë kanë qenë konspirativë, që shfaqej vetëm në opinion nëpërmjet ndonjë deklarimi a shkrimi gazetaresk, por gjithmonë “i panjohur” publikisht dhe me emër konspirativ “Luli!”. Kadri Veseli për herë të parë foli në një medium televiziv dhe u transmetua nga një gazetë ditore.
I vonuar, por më mirë vonë se kurrë!
Kadri Veseli, i njohur me pseudonimin Luli, ka dalë për herë të parë në opinion duke lexuar një letër në mbrëmjen e 15 qershorit të vitit 2008. Në fillim të lajmeve qendrore të Radio Televizionit të Kosovës, opinioni për herë të parë ka parë “fotografinë” e gjallë të Kadri Veselit dhe për herë të parë është informuar publikisht për ekzistimin deri atëherë të Shërbimit Informativ të Kosovës dhe për përfundimin e misionit të këtij shërbimi, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Por, më në fund, Kadri Veseli foli jashtë protokollit zyrtar dhe në një medium privat. Shumëkush do të thoshte se ai foli tepër vonë. Megjithatë arsyetimi i kësaj vonese ka një përgjigje: më mirë vonë se kurrë!
Takim me Kadri Veselin
Më shumë Shërbimin Informativ të Kosovës, e herë pas here edhe shefin e këtij shërbimi që deri vonë ishte “emër i panjohur” - misterioz, që nuk përmendej dhe nuk deklarohej askund, e kam lakuar shumë herë në shkrimet e mia në gazetën “Bota sot”. Kanë qenë edhe kolegë të tjerë gazetarë që kanë shkruar për SHIK-un. Ç’është e vërteta disa vjet ka qenë vetëm gazeta “Bota sot” që ka pasur guximin të shkruajë, aq sa ka dëgjuar dhe aq sa ka arritur të sigurojë burime të informatave, për SHIK-un, për veprimtarinë e SHIK-ut dhe për “kupolën” e SHIK-ut në Kosovë. Por as atëherë e as sot SHIK-u nuk ka dërguar ndonjë reagim kundër këtyre shkrimeve. Së paku jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë edhe zyrtarisht. SHIK-u ka heshtur, por “Bota sot” ka vazhduar të shkruajë.
Me Kadri Veselin jam takuar dhe përshëndetur fare rastësisht në një nga lokalet në qendër të Prishtinës, në pikë të ditës. Ai ishte në shoqëri me elitën politike të PDK-së, përkatësisht me elitën e pushtetit qeveritar në Kosovë, ndërkaq unë fikall vetëm, me duar në xhepa. Kur më ka zgjatur dorën dhe më ka përmendur emrin, për një moment nuk i kam besuar realitetit. Megjithatë ka qenë çiltëria e madje edhe buzëqeshja e tij që më kanë bindur se megjithatë ai para meje ishte shefi i SHIK-ut dhe “dora vetë” Kadri Veseli. Ndër të tjera e di se i kam thënë se në ato momente “... e ndieja veten si njeriu më i sigurt në Kosovë, meqenëse kisha pranë elitën qeveritare, e mbi të gjitha shefin e Shërbimit Informativ të Kosovës”. Një takim fare pak minutash, përveç pyetjeve të zakonshme “A jeni mirë, si jeni?....” zakonisht përfundon me “mirupafshim!’.
Më pas kam bluar në mendje këtë takim. Edhe sot e çmoj sjelljen e tij në relacion ndaj meje, në mos për asgjë për faktin se ai i ka lexuar fare mirë të gjitha shkrimet e mia për SHIK-un dhe për shefin e SHIK-ut, madje sigurisht se i ka rilexuar disa herë këto dhe shkrimet e tjera të “Botë sot”, por ai e mbajti veten, e ruajti gjakftohtësinë e madje u tregua edhe xhentëlmen dhe më zgjati dorën i pari me buzëqeshje. Në relacione të kundërta, pra sikur të kisha qenë unë në vend të tij, nga “kokëfortësia” ime dhe “inati” nuk do të mund të gjeja forcë që të përshëndetsha dhe aq më pak t’i buzëqeshja një njeriu që ma ka “lakuar” ermin në “rasa” e “forma” të ndryshme. Sidoqoftë duket se Kadri Veseli, falë një përvoje gati dhjetëvjeçare, kishte formuar karakterin e njeriut të duhur në profesionin e duhur.
A ju ka “trajnuar” Fatos Klosi?
Tashti kam tri pyetje për ju, z.Kadri Veseli!
Duke dëgjuar rrëfimin tuaj të parë publik, ju vetë, z.Veseli, thoni se pjesëtarët e parë të SHIK-ut kanë filluar të trajnohen në gusht të vitit 1998. Po në këtë muaj ka marrë detyrën edhe shefi i SHIK-ut të Shqipërisë, i famshmi Fatos Klosi. Duke e pasur parasysh, pak a shumë, shtrirjen e aktivitetit tuaj në atë kohë dhe në atë vit, a do të thotë kjo se ju, ose oficerët tuaj, mësimet e para të këtij “zanati” i keni marrë nga shefi i atëhershëm i SHIK-ut të Shqipërisë? Ç’është e vërteta nuk ka asgjë kontestuese nëse vërtet keni marrë mësimet e para nga SHIK-u i Shqipërisë, por duke e pasur parasysh ngjyrimin politik të Fatos Klosit, por edhe zhvillimet dramatike të Shqipërisë së vitit 1998 (vrasja e Azem Hajdarit, vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit) e mbi të gjitha prapavija e këtyre vrasjeve, atëherë është shumë e dyshimtë përgatitja profesionale e oficerëve tuaj nga “shkolla” profesionale e Fatos Klosit. Ju, mbase, mund ta keni mik të ngushtë Fatos Klosin, por emri i tij as në Shqipëri nuk është aq i “lëvdueshëm”! Por nëse oficerët tuaj janë trajnuar nga ndonjë shërbim jashtë shtetit shqiptar, atëherë kjo është për t’u lëvduar, por ju e latë misterioz vendin e trajnimit.
Ku janë “thasët” me dokumente që i keni marrë nga zyrat e zyrtarëve serbë?
Në shumësinë e deklarimeve tuaja për aktivitetin patriotik e kombëtar tuajin dhe të bashkëpunëtorëve tuaj, ju dhatë një deklaratë bukur serioze, e cila, po të jetë e vërtetë, do të duhej të shkaktonte një “tërmet” politik e institucional në Serbi. Ndër të tjera duke lëvduar aktivitetin e SHIK-ut ju thatë se nga zyrat e kryeministrit serb Vojislav Koshtunica e presidentit serb Borsi Tadiq keni arritur të merrni dokumente “me thasë”, ndër të tjera falë edhe ish-bashkëpunëtorëve të UDB-së serbe, të cilët më pas kanë pranuar të bashkëpunojnë me ju e të cilët ishin ish-bashkëpunëtorë të UDB-së, ju disa herë i quajtët si “thesar” i shoqërisë tonë. Duke mos u pajtuar me këtë epitet tuajin për këta ish-UDB-istë, një çështje që më intereson të di është fakti se a i keni shfrytëzuar për sigurinë e vendit këto dokumente? A keni ndërmarrë ndonjë kundërveprim ndaj regjimit paralel serb në Kosovë, falë njohurive që i keni marrë nga këta “thasë” me dokumente? A është shkruar në këto dokumente diçka për funksionimin dhe financimin e strukturave paralele serbe në Kosovë? Pse nuk keni ndërmarrë diçka për pengimin e funksionimit të këtyre strukturave paralele serbe, të cilat në veri të vendit dhe në enklava edhe më tutje funksionojnë. Mbase ju do të thoni se keni ndërmarrë veprime me interes për sigurinë e vendit, por realiteti është se këto struktura paralele serbe në Kosovë çdo vit e më shumë janë forcuar dhe kanë vepruar duke injoruar realitetin e ri në Kosovë dhe duke ndërprerë çdo bashkëpunim me institucionet shtetërore të Kosovës. Pra, çka keni bërë me këta “thasë” të dokumenteve që “keni arritur” t’i merrni nga zyrat e zyrtarëve të lartë serbë Koshtunica e Tadiq? Ku janë sot këta “thasë” me dokumente?
Kur jemi te “thasët” me dokumente, një nënpyetje z.Veseli: Sa “thasë” me dokumente janë marrë prej zyrave tuaja përballë hotelit “Grand” në Prishtinë nga njësitet speciale të policisë së UNMIK-ut e të KFOR-it kur ju bastisën në pikë të ditës? Ju vetë e dini datën e kësaj bastisjeje? Nejse!
A keni bërë hetime për vrasjet politike të pasluftës në Kosovë?
Një çështje që e hapët në debat, por për të cilën nuk dhatë ndonjë përgjigje të qartë, ishte vrasjet politike të pasluftës në Kosovë. Ju, më shumë sesa një shef i një shërbimi që merret me mbledhjen e informatave të sakta e të rëndësishme, u treguat shumë human duke u solidarizuar me dhembjen e atyre familjarëve të cilëve ua vranë më të dashurit e tyre dhe apeluat si një politikan i kohës që t’i lihet drejtësisë ta thotë fjalën e fundit për këto vrasje. Mirë, solidarizimi me familjet e të vrarëve është një gjest human juaji, gjë që është për çdo respekt, por përgjigjja juaj ngjante me një deklaratë të një politikani e jo të një shefi të një shërbimi aq të rëndësishëm siç e vlerësoni ju SHIK-un. A keni mbledhur informata ju për këto vrasje në Kosovë? Ku janë të deponuara ato informata? A i keni dhënë këto informata drejtësisë apo policisë? A janë ato informata pjesë e dosjeve, të cilat u zhdukën në dhomën e dëshmive në vendin më të sigurt, në Policinë e Kosovës? Pra, çka keni bërë ju dhe shërbimi i juaj që, e para: të largoni nga vetja “përgjegjësinë” e paragjykuar për pjesëmarrje në këto vrasje, dhe e dyta, që t’i zbuloni vrasësit dhe t’i parandaloni këto vrasje politike të disa prej figurave të njohura politike në Kosovë, shumica prej të cilave kanë qenë zyrtarë të lartë të LDK-së, deputetë, kryetarë komunash, këshilltarë të presidentit Ibrahim Rugova? Me një fjalë, në qoftë se mund të pranojmë arsyetimin tuaj se SHIK-u nuk ka gisht në këto vrasje, atëherë pse nuk i keni hetuar kriminelët e këtyre akteve kriminale dhe përse nuk i keni parandaluar këto vrasje, pasi që vetë e pranoni se SHIK-u ka pasur në radhë të parë qëllimin e sigurisë kombëtare të vendit!
Sidoqoftë, z.Kadri Veseli, unë do t’ju shtroja edhe disa pyetje të tjera, por është vendim Juaji që të zgjidhni mediat dhe bashkëbiseduesit tuaj gazetarë. Për këtë nuk kam asgjë kundër. Shpresoj se herën tjetër do të zgjidhni një medium dhe një gazetar tjetër për intervistë.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora