Mendime
Kadri Veseli: Historia ime (II)
E marte, 05.01.2010, 08:23 PM
Rrëfimi për SHIK’un
Nga Express më 04.01.2010
SHIK’u u themelua në kohën e Qeverisë së Përkohshme. Vazhduam veprimtarinë në dijeni të plotë të institucioneve ndërkombëtare. Kemi bashkëpunuar me një numër të madh shërbimesh inteligjente të vendeve perëndimore. Në punën tonë na kanë ndihmuar edhe ish-agjentët e UDB’së. Nga Kabineti i Tadicit dhe Koshtunicës, kemi marrë dokumente me thasë.
Kjo është pjesa e dytë e intervistës së Ish Shefit të SHIK’ut, Kadri Veseli, dhënë për emisionin Zona e Debatit, në Klan Kosova.
Klan Kosova: Na thoni historikun e SHIK’ut. A
Kadri Veseli: Themelimin zyrtar SHIK’u e ka në kohën e Qeverisë së Përkohshme. Duhet pasur parasysh se në të gjitha rrethanat që kemi vepruar, ne kemi pasur nevojë për informacione, për arsye se përmes informacioneve, ne kemi bërë veprimet tona dhe njëkohësisht edhe mbrojtjen tonë.
Klan Kosova: Por është dashur të keni njerëz të shkolluar, z. Veseli...
Kadri Veseli: Besoj se kanë qenë njerëz, së pari të përkushtuar për vendin e vet, por edhe të shkolluar. Ata janë shkolluar në shkollat të cilat i kanë shërbyer interesit të atdheut, nga të gjithë ata që kanë qenë në përkrahje të kauzës sonë kombëtare.
Klan Kosova: Kur fillon historiku i SHIK’ut?
Kadri Veseli: Ju thashë, qysh nga themelimi i UÇK’së ne kemi pasur nevojë për informacione. Pastaj me kalimin e kohës...
Klan Kosova: Kur Kadri Veseli është bërë Shef i SHIK’ut?
Kadri Veseli: Përgjegjësitë ne në fakt i kemi pasur gjatë kohës së luftës, në periudhën 92-98. Ne kemi pasur Shtabin e Përgjithshëm dhe Shtabin Operativ të UÇK’së. Specifikisht me informacione nuk e kemi pasur atë ndarjen, por jemi marrë të gjithë me gjithçka. Jemi marrë me lidership, me logjistikë dhe me informacione, për arsye se rrethanat kanë qenë të atilla. Pastaj me kalimin e kohës, pas masivizimit të UÇK’së - po flas për periudhën pas rënies së Komandantin Legjendar. Në atë kohë pjesa më e madhe e kombit ishte e gatshme për luftë. Kurse ne kemi pasur kapacitete shumë të kufizuara për ta armatosur popullin. Unë e di, kanë ardhur studentë nga UP’ja, kanë qëndruar me ne për javë të tëra dhe ne nuk kemi mundur t’i armatosim dhe ata janë kthyer në shtëpitë e tyre duke qarë. Në këtë kontekst, pra masivizimi i luftës, shtroi nevojën e specifikimit të detyrave, pra po flas për periudhën 98, mos gabofsha diku në muajin maj të atij viti, pas bisedave që kishim pasur edhe më herët me Agim Çekun, filluam ta bëjmë më profesionale strukturën e UÇK’së. Atëherë Agim Çeku - për të mos e harruar as rolin e jashtëzakonshëm të Bislim Zyrapit, i cili si Shef i Shtabit të Përgjithshëm ka arritur ta strukturojë ushtrinë - kanë filluar të ndërtohen strukturat specifike të UÇK’së, në bazë edhe të strukturës së NATO’s, siç ka qenë G1 dhe G2.
Klan Kosova: Çka është G1 dhe G2?
Kadri Veseli: G2 ka qenë Drejtoria e Shërbimit Informativ të Kosovës. Ky vendim është marrë në qershor të vitit ‘98...
Klan Kosova: Kur ju kam takuar unë, në maj të vitit ‘98, a keni qenë ju në atë kohë Shef i SHIK’ut?
Kadri Veseli: Jo, zyrtarisht, atëherë kam qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Por pastaj ne kemi marrë detyra specifike në kuadër të organizimit të ri që kemi bërë.
Klan Kosova: Cilat kanë qenë përgjegjësitë e SHIK’ut dhe qëllimet e SHIK’ut në atë kohë?
Kadri Veseli: Qëllimi i G2’së ka qenë marrja e informacioneve nga lëvizjet e armikut. Njëkohësisht G2’ja ka pasur strukturën e vet të ndarë në njësi, brigada, batalione, kompani e deri te njësitë zbuluese, të cilat kanë pasur për detyrë që të marrin informacione për lëvizjet e armikut, kanë pasur për detyrë që të bëjnë veprime konkrete në shërbim të luftës çlirimtare, siç është mbrojtja, por edhe atakimi.
Klan Kosova: Ju thatë që në një kohë keni punuar të gjithë gjithçka. Por a ka pasur trajnime dhe kurse për detyra specifike. P.sh. ju a keni bërë kurs për inteligjencë?
Kadri Veseli: Të gjithë ne jemi shkolluar, të gjithë jemi përgatitur me kalimin e kohës.
Klan Kosova: Kur e keni bërë trajnimin e parë?
Kadri Veseli: Trajnimet kanë qenë permanente, por në mënyrë më zyrtare e kemi bërë në gusht apo shtator të vitit 98 - nuk po specifikoj në cilin vend, kur kemi filluar trajnimin e rreth 20 djemve të rinj...
Klan Kosova: Vend europian, besoj...
Kadri Veseli: Shumica e atyre të rinjve kanë qenë studentë ose intelektualë të rinj, pjesa dërrmuese e tyre kanë qenë udhëheqës të lëvizjes studentore.
Klan Kosova: A e keni ruajtur këtë bërthamë më vonë?
Kadri Veseli: Kjo në fakt ka qenë bërthama e Shërbimit Informativ të Kosovës.
Klan Kosova: A e keni vazhduar më vonë shkollimin e oficerëve të SHIK’ut?
Kadri Veseli: Shkollimi ka vazhduar në mënyrë permanente me specifika të caktuara. Për të mos e ngarkuar opinionin publik, ato janë trajnime të veçanta për specifika të caktuara.
Klan Kosova: E di se ndoshta është e vështirë të merren shumë informata nga ju, duke pasur parasysh detyrën që keni ushtruar...
Kadri Veseli: Unë do të jem aq transparent sa më lejon puna që kam bërë.
Klan Kosova: Atëherë, a ka pasur grupe të tjera dhe ku janë trajnuar ato?
Kadri Veseli: Trajnime dhe edukime ka pasur në mënyrë permanente. Nuk d të ishte fer sikurse tash të përmend vendet ku janë bërë trajnimet.
Klan Kosova: Në vitin ‘99, a keni kontaktuar ju me shërbimet inteligjente të vendeve të NATO’s?
Kadri Veseli: Ne kemi kontaktuar me një pjesë të madhe të shërbimeve inteligjente të vendeve të ndryshme. Pastaj, me kalimin e kohës, edhe me vetë NATO’n.
Klan Kosova: Gjatë kohës së luftës, a keni pasur kontakte me shefa të shërbimeve inteligjente nëpër male apo në vendet e tjera?
Kadri Veseli: Duhet pasur parasysh se ne kemi kaluar - siç thotë populli – nëpër birë të gjilpërës. Legjitimimi i luftës sonë nuk ka qenë aq i lehtë. Ne kemi kontaktuar me të gjithë ata që kemi mundur të kontaktojmë. Fatmirësisht ka pasur interesim shumë të madh edhe nga partnerët, të cilët na kanë ndihmuar, na kanë këshilluar dhe na janë gjendur afër në momentet më të veçanta.
Klan Kosova: Nëse më kujtohet mua, diçka pak para përfundimit të luftës, ju keni qenë në Francë?
Kadri Veseli: Specifikisht unë kam lëvizur anekënd vendeve europiane. Unë kam qenë njeri i hapur dhe kam dëshiruar partneritet me shumicën e shërbimeve.
Klan Kosova: Sa ka zgjatur trajnimi i oficerëve të SHIK’ut?
Kadri Veseli: Trajnimet bazike zakonisht janë gjashtëmujore. Pastaj janë specifikat për secilin aspekt të punës për të qenë profesional.
Klan Kosova: Dëshiroj të di për veprimtarinë e SHIK’ut në rajon? Pra në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Shqipëri...
Kadri Veseli: Interesi ynë ka qenë për të pasur raporte të mira. Propaganda më e madhe, posaçërisht në periudhën 1999-2003, ka qenë se ne pretendojmë ta bëjmë Shqipërinë e Madhe. Dhe luftërat që janë zhvilluar për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës, kanë tentuar të interpretohen si pretendime tona nga Kosova, por edhe nga Shqipëria, si përpjekje për destabilizimin e rajonit dhe krijimin e Shqipërisë së Madhe. Besoj se këto do të na dëmtonin shumë. Ne gjithherë e kemi potencuar të kundërtën, ne gjithmonë kemi thënë se Kosova e ka të ardhmen e vet dhe drejtimin e vet, por shqiptarët në ato vise ku jetojnë, e kanë përcaktimin e vet përmes përfaqësuesve legjitimë të tyre. Beogradi është munduar, përmes këtij aduti, që ta bindë bashkësinë ndërkombëtare se po i hapet rrugë shkatërrimit të disa shteteve, siç ka qenë
Klan Kosova: Të kthehemi te viti ‘99. Kur ju, jozyrtarisht, keni deklaruar se askush nuk mban më përgjegjësi për veprimet individuale të njerëzve...
Kadri Veseli: Ne kemi pasur ndër luftërat më të pastra në kuptimin e pastërtisë çlirimtare. Individët duhet të jenë të përgjegjshëm çdoherë për veprimet që i bëjnë. Përgjegjësinë e mban secili çka vepron, nëse vepron krye më vete. Ndërkaq, aspektin e përgjegjësisë komanduese, e mban përgjegjësia komanduese.
Klan Kosova: Të shkojmë në vitin ‘99. Ju në Lansdowne dhe Erly House, ku kemi qenë bashkë në një konferencë goxha të rëndë, keni qenë si përfaqësues i SHIK’ut apo i cilës strukturë?
Kadri Veseli: Më vjen keq, nuk mund të flasim më shumë për këtë pyetje. Ju thashë edhe më herët, për vizitat e mia jashtë vendit ose bashkëpunimin që e kam ndërtuar, nuk mund të flas specifikisht, por vetëm në mënyrë të përgjithshme. Ajo është pjesë e një historie që i takon Shërbimit Informativ të Kosovës dhe njerëzit përgjegjës që duhet t’i dinë, i dinë. Thjesht e kemi një obligim edhe të korrektësisë profesionale në raport me partnerët.
Klan Kosova: Nëse mund ta dimë, ku i ka pasur zyrat SHIK’u?
Kadri Veseli: Është pyetje interesante edhe e nevojshme për mua që të përgjigjem si Shef i atij institucioni. Përgjegjësinë për t’i marrë ato zyra, mu në qendër të Prishtinës, ka qenë përgjegjësi normalisht e imja. Shumë me vetëdije e kemi ndërmarrë atë hap.
Klan Kosova: Pse e zgjodhët pikërisht qendrën e Prishtinës, përballë Grandit?
Kadri Veseli: Ndoshta edhe e ardhmja e ka treguar se ka qenë vendimi më i mençur që e kemi ndërmarrë. Unë kam mundur të kem zyrë jashtë Prishtinës, në paralagje... Nuk ka qenë ajo problem. Ne kemi vepruar për interes të vendit tonë dhe nuk kemi pasur nevojë të fshehim prej njerëzve të vendit tonë. Për korrektësi, zyrat kryesore kanë qenë te Fakulteti i Arteve, kanë qenë zyra të cilat më herët i kanë takuar Kombinatit Trepça dhe të cilat i kemi shfrytëzuar që nga paslufta e deri në përfundim të misionit.
Klan Kosova: Një zyrë e keni pasur edhe në një kat të ndërtesës ku gjendet sot Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës?
Kadri Veseli: Rajoni i Prishtinës në fakt ka qenë i vendosur aty, të cilin, me ristrukturimet dhe riorganizimet që i kam zhvilluar si shërbim, kemi vendosur që të tërhiqemi nga aty. Do të thotë nuk ka asgjë spekulative në këtë çështje.
Klan Kosova: Desha t’ju pyes rreth vizitave. A ka pasur zyrtarë të shërbimeve të tjera që ju kanë vizituar në zyrat tuaja?
Kadri Veseli: Ne kemi pasur bashkëpunim, partneritet institucional, me shumicën e faktorëve, të cilët kanë qenë prezentë në Kosovë. Kemi pasur partneritet në baza të reciprocitetit dhe respektit të ndërsjellë me shumicën e shërbimeve inteligjente. Kur e kam përfunduar misionin, kemi pasur bashkëpunim me afërsisht 25 shërbime inteligjente të vendeve të ndryshme. Kontaktet kanë qenë të drejtpërdrejta në baza të shpeshta dhe kontakte në baza periodike që mund të jenë tremujore, gjashtëmujore... varësisht nga prezenca e tyre. Unë e ndaj kohën më të mirë nga ajo periudhë, nga ai bashkëpunim dhe jam shumë falënderues për të gjithë ato të mira që i kanë bërë ata vendit tonë.
Klan Kosova: T’jua bëj një pyetje hipotetike. Sikur të donin KFOR’i dhe bashkësia ndërkombëtare, nuk do të lejonin të funksionojë SHIK’u...
Kadri Veseli: Më vjen keq se janë zhvilluar shumë spekulime rreth kësaj teme. Unë do t’ju pyesja juve - A mendoni ju se ne do të sfidonim bashkësinë ndërkombëtare, KFOR’in me 48 mijë veta? Ose UNMIK’un? E them edhe një herë, ne në asnjë rrethanë nuk kemi vepruar pa një bashkëkoordinim. Gjatë gjithë kohës, SHIK’u ka vepruar me emrin dhe siglën e vet zyrtare, në zyrat e veta dhe me lejen e faktorëve vendimmarrës. Asnjëherë, as edhe një ditë, nuk do të lejoja të vazhdoj veprimtarinë time në kundërshtim me faktorët vendimmarrës të bashkësisë ndërkombëtare apo ata vendorë. Është shumë me rëndësi aspekti i veprimtarisë sonë - në çdo kohë kemi vepruar legalisht dhe zyrtarisht.
Klan Kosovë: Na thoni pra se cili është legaliteti dhe legjitimiteti i SHIK’ut?
Kadri Veseli: Legjitimiteti në fakt rrjedh nga misioni që ke. Duhet bërë një dallim mes legalitetit dhe legjitimitetit. Dua ta marr një shembull ndoshta të keq. Legalitet ka pasur Millosheviqi gjatë viteve ’90 këtu. Por ne në bazën e legjitimitetit kemi vepruar dhe e kemi mundur atë. Rrethana të tjera kanë qenë pas vitit 99. Ne e kemi pasur misionin tonë, që ka qenë po ai i UÇK’së - krijimi i Shtetit të Kosovës. Unë, në Kosovën për të cilën kam luftuar, nuk do të lejoja që të isha ilegal.
Klan Kosova: A mund të flisni për financimin e SHIK’ut. Edhe për këtë çështje është bërë debat...
Kadri Veseli: Kjo është pjesa me e ndjeshme, pasi që janë munduar të ndërtohen spekulime rreth kësaj. Ne kemi pasur financim më të rregullt - më vjen keq që duhet ta them - sesa që ndoshta kanë sot disa institucione. Më vjen keq se nuk mund të flas më shumë rreth kësaj çështjeje tash, por kemi pasur financim të rregullt. Ne nuk jemi varur fare nga donacionet si mendon dikush.
Klan Kosova: Nëse guxoj të spekuloj, a kanë mundur t’ju financojnë shërbimet simotra, për shkak se kanë pasur interes të bashkëpunojnë me juve?
Kadri Veseli: Ne kemi vepruar për interesin e vendit tonë. Ky ka qenë qëllimi primar. Ne nuk do të lejonim të shndërroheshim në servis të ndonjë shërbimi tjetër. Por ne kemi pasur partneritet me shërbimet e tjera.
Klan Kosova: A keni vepruar vetëm në Kosovë apo edhe jashtë Kosovës?
Kadri Veseli: Në Kosovë kemi vepruar, por edhe atje ku janë dëmtuar interesat e Kosovës.
Klan Kosova: Cilat kanë qenë departamentet e juaja?
Kadri Veseli: Ne kemi pasur kapacitete të kufizuara, për hir të korrektësisë. Ne kemi pasur numër të kufizuar të njerëzve. Edhe në shërbimet inteligjente të cilat krijohen tash, nuk është përcaktuese për suksesin e tyre numri i oficerëve. Nuk është i rëndësishëm kuantiteti, por kualiteti. Një shërbim inteligjent duhet të ofrojë kapacitete morale dhe intelektuale për të thithur informacione për të cilat ka interes vendi. Në këtë mënyrë, ne kemi pasur numër të kufizuar njerëzish. Kemi pasur katër drejtori - ka qenë Drejtoria e Informacionit dhe Analizës, Drejtoria e Antiterrorit, Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar dhe Drejtoria e Counterintelligences, e cila ka pasur më tepër karakter mbrojtës. Kemi punuar në mënyrë permanente, sistematike, me njerëz të cilët kanë qenë shumë transparentë, emrat e të cilëve mund t’i përmend edhe këtu, nuk është fare problem.
Klan Kosova: Përmendët Drejtorinë e Counterintelligences. Ka të bëjë kjo me njerëzit që kanë punuar në shërbime...
Kadri Veseli: Kjo ka të bëjë me mbrojtjen që i bën vendit tënd, mbrojtjen rreth depërtimeve apo influencimeve negative të veprimtarisë. Por në të njëjtën kohë, duke pasur parasysh edhe përvojën që e kemi pasur, në kuadër të këtij departamenti janë trajtuar edhe njerëzit që kanë punuar në ish-strukturat inteligjente.
Klan Kosova: A i keni trajtuar njerëzit e ish-UDB’së dhe sa prej tyre janë thirrur në informim? Gjithnjë nëse janë trajtuar...
Kadri Veseli:
Klan Kosova: Pra, këtë po e pranoni, mund të flisni për këtë temë?
Kadri Veseli: Unë do të pranoj gjithë atë që nuk e dëmton interesin qytetar. Unë mund të flas se janë trajtuar, mund të flas se kemi pasur një punë jashtëzakonisht të leverdishme me ta dhe se këta njerëz - të cilët në një kohë i kanë shërbyer një regjimi të caktuar për shkak të momentit kohor - askush nuk mund t’i fajësojë. Koha ka kaluar. Ata janë një thesar, një thesar nacional, i cili duhet trajtohet dhe i cili është trajtuar besoj shumë mirë nga ne.
Klan Kosova: Personalisht, ju e keni marrë dikë në pyetje?
Kadri Veseli: Jo. Por diku 200 veta që kanë punuar në Shërbimin Inteligjent Jugosllav, pjesa dërrmuese e tyre shqiptarë, por edhe turq, boshnjakë e serbë, i kemi trajtuar. Ata njerëz kanë dhënë informacione shumë interesante, informacione që i kanë shërbyer këtij vendi. Askush nuk ka të drejtë - bëj thirrje edhe publike - që t’i trajtojë ata në mënyrë jodinjitoze. Nuk po them për t’i bërë heronj, nuk po them t’iu jepet medalje, por po them të trajtohen në mënyrë njerëzore, e jo të fajësohen për diçka që ka kaluar.
Klan Kosova: A ju kanë ndihmuar këta njerëz që të keni informacione të duhura për shërbimin inteligjent serb dhe për veprimet e tyre?
Kadri Veseli: Mund të them se kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Duhet thënë se shumica e problemeve në Kosovë vijnë nga shërbimet sekrete serbe.
Klan Kosova: A iu keni besuar informatave që keni marrë? Dhe, a kanë pasur mundësi ata që ta dëmtojnë dikë?
Kadri Veseli: E thashë edhe një herë - varet shumë nga njerëzit të cilët kanë informacione, ata të parët duhet që mos t’i përdorin ato informacione për ta dëmtuar dikë. Aspekti i dytë është se nuk paravlen çfarë informacionesh ju jepni, pasi që në shërbimet inteligjente profesionale ato informata i nënshtrohen procedurës së verifikimit. Ne kemi bashkëpunuar me ata në baza vullnetare. Ata janë lajmëruar te ne ose iu jemi afruar përmes miqve të tyre. Ka pasur raste kur nuk kanë pranuar dhe ne kemi thënë OK. Ka raste kur fillimisht nuk kanë pranuar, por më vonë kanë ardhur vetë. Por duhet thënë se ata na kanë ndihmuar shumë, posaçërisht për t’i neutralizuar veprimet e shërbimeve inteligjente serbe.
Klan Kosova:
Kadri Veseli: Ndoshta bëre shaka për Beogradin. Shyqyr, se nuk kemi marrë bomba nga ata.
Klan Kosova:
Kadri Veseli: Unë do ta them fare qartë - ne kemi arritur, si Shërbim Informativ i Kosovës, me sukses të plotë që të depërtojmë në kabinetet më të larta të lidershipit serb, po flas për Kabinetin e Presidentit dhe Kryeministrit.
Klan Kosova: Të cilëve?
Kadri Veseli: Kemi depërtuar në Kabinetin e Koshtunicës, në kohën kur ka qenë në atë post, dhe në Kabinetin e Tadicit.
Klan Kosova: Kjo intervistë do të përkthehet, z. Veseli...
Kadri Veseli: Jam shumë i sigurt se burimet e informacionit janë shumë të sigurta.
Klan Kosova: Ju po thoni se keni marrë materiale nga
Kadri Veseli: Ne kemi marrë materiale edhe nga
Klan Kosova: A do të skuqet dikush për të bërat e tij në Kosovë? Pasi që ju po thoni se janë marrë informacione me thasë...
Kadri Veseli: Për të skuqjen ose përgjegjësinë, mund të them se është në të mirën e atyre njerëzve që kanë gabuar në jetë që t’iu afrohen institucioneve kosovare për t’i ndihmuar ato dhe për mos ta mbajtur barrë të kaluarën.
Klan Kosova: Çfarë ka në ato dokumente? Nuk po kërkoj specifika...
Kadri Veseli: Çdoherë për çdo vend e rëndësishme është që të ndalet veprimtaria e dëmshme e njerëzve. Kjo është kryesore. Nuk merren informacione që dikush ka bërë një të keqe, e hajde tash të shkojmë ta shantazhojmë. Kjo është e turpshme dhe e dënueshme. Unë po i inkurajoj të gjithë ata njerëz që ta vazhdojnë bashkëpunimin me institucionet e reja, sepse kanë edhe kushte më të mira, kanë mbrojtje edhe më të mirë institucionale. Ata duhet të skuqen vetëm nëse nuk e tregojnë atë realitet që ka ndodhur.
Shënim:
Në numrin e ardhshëm, ish-Shefi i SHIK’ut flet për vrasjet politike të pasluftës, bashkëpunimin e kësaj organizate me institucionet ndërkombëtare dhe vendore, rastin Bllaca dhe të armën e tij politike.