E marte, 23.04.2024, 07:22 PM (GMT+1)

Mendime

Naim Kelmendi: Me njerëz të korruptuar kemi vetëm shtet të korruptuar

E marte, 19.01.2010, 10:09 PM


Naim Kelmendi, reporter i UÇK-së
Naim Kelmendi, reporter i UÇK-së
Intervistë ekskluzive për Kosova e re me poetin, publicistin, gazetarin e mirënjohur, Naim Kelmendi, i cili raportoi edhe nga lufta e Kosovës
 
Me njerëz të korruptuar kemi vetëm shtet të korruptuar

Naim Kelmendi: Me njerëz të korruptuar kemi vetëm shtet të korruptuar. "Shkuarja ime për të raportuar nga lufta, atje në Koshare, ka ndodhur dikund kah fundi i saj, edhe pse atëbotë askush nuk e kemi ditur se do të ishte fundi i saj. Unë kam shkuar nga Zvicra, meqë atëherë jetoja në Zvicër, edhe përkundër rrethanave të mia shëndetësore të atëbotshme aspak të përshtatshme. Mirëpo ishte thirrja e lirisë në ndërgjegjen tonë, ajo që na ka mobilizuar si shqiptarë kudo që ishim. Ajo, koha e raportimit nga lufta e lavdishme e Koshares, nga atje ku u çrrënjos me luftë përgjithmonë kufiri shqiptaro-shqiptar, nga luftëtarët e lirisë, në krye me arkitektët e asaj lufte, heronjtë Sali Çeku dhe Agim Ramadani, do të mbetet përgjithmonë në jetën time si diçka e shënuar"-tha ndër të tjera z. Kelmendi.

Z.Kelmendi, jeni një gazetar, poet, publicist i njohur, kudo që ka shqiptarë dhe e dimë, se krijuesi nuk rrin rehat, por si duket kohëve të fundit, Naim Kelmendi, ose është duke punuar diçka në qetësi, ose nuk po mundet ta gjejë frymëzimin. Si qëndron puna?

Naim Kelmendi: Kjo që po thoni në pyetjen tuaj, mbase në një farë mënyre edhe është e vërtetë. Unë disi kam bërë një tërheqje (pauzim) nga paraqitja ime publike, vetëm të përkohëshme, e që për vite me radhë ka qenë tejet dinamike, do të thosha. Nuk është se nuk e kam thënë fjalën time publike në raste të caktuara. Kam pasur paraqitjet e mia herë pas here, korrespondencën me lexuesin, në forma të ndryshme, shumë herë përmes shkrimeve publicistike, apo ndonjëherë me shkrimet letrare të botuara nëpër gazetat tona këtu në Kosovë, Shqipëri etj. Përkundër kësaj që thashë, unë edhe kam krijuar. Kam përfunduar një vepër të re poezish, e që mund të them se pos krijimeve të tjera, poezia zë vendin kryesor në krijimtarinë time, është vokacioni im krijues. Poezinë e kam pasur dhe e kam bashkudhëtare të jetës. Gjithashtu kam punuar në romanin e ri (një ndër të tjerët) në krijim, në një libër me tregime, të shkruara nëpër vite, e kështu me radhë, mbase duke menduar se mund të botohen në një kohë të afërt.

E thashë për të gjetur frymëzimin, meqë në këtë kohë, që gjithçka është politizuar, poeti e ka të vështirë që të mos i japë sëmundje politike vargut. Si e komentoni Ju?

Naim Kelmendi: Thënë të drejtën, politizimi e ka vërshuar jetën tonë, ngase këtë e kanë krijuar rrethanat në të cilat jemi gjendur ne si popull, dhe kështu edhe vetë krijuesi, në vorbullën e ngjarjeve dhe rrethanave. Mbase edhe është thënë, se muzën poetike mund edhe ta mbysë politika, por këtu kam qenë i kujdesshëm. Poezinë dhe politikën i kam parë dhe përceptuar si të ndara, dhe mbase kam luftuar vazhdimisht në botën e krijimit, që ajo, pra, politika, të mos e vrasi poetikën. Duhet thënë se poetika e politizuar është poetikë e ditës, e kohës dhe e rrethanës, por jo edhe e një jete më të gjatë. Këtu është ai kufiri që i vë politizimi artit dhe fjalës së shkruar, dhe pikërisht këtu duhet ai kujdesi i krijuesit të vlerave, që t’i ruhet ndikimit politik.
?
Keni punuar gazetar me vite të tëra, si në Kosovë dhe Zvicër, por keni raportuar edhe nga lufta e Kosovës. Na thoni dy fjalë, se si është të raportosh nga lufta edhe pse e kuptojmë se nuk është edhe e lehtë të përgjigjesh?

Naim Kelmendi: Shkuarja ime për të raportuar nga lufta, atje në Koshare, ka ndodhur dikund kah fundi i saj, edhe pse atëbotë askush nuk e kemi ditur se do të ishte fundi i saj. Unë kam shkuar nga Zvicra, meqë atëherë jetoja në Zvicër, edhe përkundër rrethanave të mia shëndetësore të atëbotshme aspak të përshtatshme. Mirëpo ishte thirrja e lirisë në ndërgjegjen tonë, ajo që na ka mobilizuar si shqiptarë kudo që ishim. Ajo, koha e raportimit nga lufta e lavdishme e Koshares, nga atje ku u çrrënjos me luftë përgjithmonë kufiri shqiptaro-shqiptar, nga luftëtarët e lirisë, në krye me arkitektët e asaj lufte, heronjtë Sali Çeku dhe Agim Ramadani, do të mbetet përgjithmonë në jetën time si diçka e shënuar. Ndoshta më e rëndësishmja në karrierën e profesionit, por edhe më e ndritshmja në jetën prej njeriu.?

Si është gazetaria shqiptare, e sidomos ajo e Kosovës?

Naim Kelmendi: Që nga përfundimi i luftës, pra nga çlirimi i Kosovës, edhe gazetaria në Kosovë i ka pasur peripecitë e veta. Gazetarët dhe gazetaria ka qenë, do ta quaja, në një luftë dhe në një përballje përmanente me fenomenet e së keqes që ndodhin në një shoqëri në tranzicion, si ka qenë kjo e jona. Në Kosovën e pasluftës ka ndodhur krimi i organizuar. Kanë lulëzuar shumë forma të kriminalitetit, vrasjet politike, krimi ekonomik, etj.
Dikush e ka luajtur rolin e strucit, por ka pasur mjaft të tjerë që janë shquar në përballje të hapura me krimin, dhe ndokujt edhe i ka sjellur pasoja, por kjo është edhe pjesa e hidhur që të ofron misioni i këtij profesioni.
Të gjitha këto kanë stagnuar zhvillimin e shoqërisë dhe mbase edhe konsolidimin e demokracisë, sot ende po e ha si gangrenë edhe forcimin e shtetit dhe sundimin e ligjit. Mjerisht mund të konstatohet se ende sot gazetaria në Kosovë vuan nga këto pasoja. Sot kemi, në shumë raste gazetari të kontrolluar, gazetari grupesh dhe partishë, gazetari bosësh politikë etj., që përfaqësojnë interesa të caktuara, të ngushta fare, dhe mbase rrënojnë interesa të caktuara. Kjo nuk i shkon për të mbarë vetë demokracisë, ngase vet gazetaria është një shtyllë e fortë e saj. Sa më shumë gazetari të lirë aq më shumë demokraci të fortë, kuptohet edhe me shtyllat tjera, si drejtësia, ekonomia etj.

Keni punuar disa vite edhe në Zvicër, gazetar, lektor, por edhe mësues i shkollës plotësuese shqipe. Sipas mendimit tënd, meqë tani jeni duke jetuar në Kosovë, në çka duhet të përqendrohet më shumë qeveria e Kosovës tek diaspora?

Naim Kelmendi: Në këtë qeveri ka mjaft njerëz që dje, krejt para lufte kanë qenë vetë pjesëtar të diasporës, akëcili ka jetuar me vite në Evropë e gjetiu. Me një fjalë kanë qenë vetë mërgimtarë.Unë, nuk e kuptoj se si, së paku tek këta, nuk ka prekur aspak në ndërgjegjën e tyre çështja e diasporës shqiptare. Kosova sot është shtet.
Shteti duhet të ketë lidhje me diasporën e vet të kudondodhur, jo vetëm përmes ambasadash, por edhe përmes formash tjera përfaqësimi lidhjeje e komunikimi.
Është dashur patjetër një ministri e diasporës në qeverinë e Kosovës. Diaspora shqiptare në Evropë dhe përtej saj në SHBA e nëpër botë, ka dhënë paranë, mundin dhe djersën, mbase edhe jetën për çlirimin e Kosovës, ndërsa sot askush nuk merret me të. Kjo nuk do të duhej të ishte kështu. Kjo duhet të trokas në ndërgjegjën e atyre, që deri dje e kanë rrjepur atë diasporë e sot ia kanë kthyer shpinën. Mendoj se me diasporën duhet krijuar lidhjet e përhershme kulturore dhe arsimore, për ta zhvilluar arsimimin në gjuhën dhe kulturën amtare, për ta ruajtur këtë diasporë nga asimilimi. Ne kemi një diasporë të re dhe duhet të kihet kujdes ndaj asimilimit të saj, kjo është ajo qenësorja…
Mendoni se diaspora vetëm se po përmendet dhe asgjë nuk po bëhet në këtë drejtim, duke e ditur, se bashkatdhetarët ballafaqohen me probleme të ndryshme?
Naim Kelmendi: Keni të drejtë. Ju, mbase edhe vetë jetoni në diasporë, i njihni dhe frymoni më afër këtyre problemeve, por unë mendoj se vetë shteti ynë duhet të krijojë mekanizmat që merren me diasporën, me çështjet dhe problemet e tyre, me zhvillimet dhe ruajtjen e tyre. Kjo tash i takon shtetit, dhe kjo ende nuk po ndodhë. Nuk e di përse. Nuk mund ta kuptoj…

Cili është raporti juaj me poetët e Kosovës dhe të diasporës?

Naim Kelmendi: Raport fare korrekt dhe fare ndërnjerëzor. Në Kosovë kam mjaft miq të fjalës e të profesionit. Nuk është se edhe nuk bashkëpunojmë, nuk bashkëveprojmë e nuk bashkëmendojmë. Edhe me poetët shqiptarë në diasporë, meqë vet kam jetuar për trembëdhjetë vite rrjesht në Zvicër, mbaj raporte të mira. Disa edhe më janë larg për t’u takuar, me disa ende mbaj kontakte apo lidhje në forma të ndryshme. Me një fjalë raporte të mira njerëzore dhe miqësore.

A është komercializuar edhe poezia në këtë kohë tranzicioni?

Naim Kelmendi: Duket se çdo gjë është komercializuar. Çdo gjë është bërë bisnes, por ja që, mendoj se vlerat e njëmendëta nuk komercializohen. Tranzicioni, sikur po zgjatë më shumë tek ne, apo po më duket kështu. Kuptohet, edhe poezia po e vuan këtë fenomen të tranzicionit e të komercializimit, por gjithësesi vlera e vertetë letrare jeton dhe mbijeton. Ajo e ka jetën e vet dhe emrin e vet të përbotshëm.

Ku do ta kishe parë veten më mirë, në shkollë, në TV, radio apo gazetë?

Naim Kelmendi: Sinqerisht, ta them të drejtën se më mirë e shoh veten në gazetë. Këtu jam më afër lexuesit, apo disi, kështu e ndjej këtë. I shpreh më mirë pikëpamjet intelektuale dhe reagimin tim në gazetë. Është një medium që e vlerësoj shumë dhe e respketoj, mbase dhe e dua. Paraqitjet e fjalës publike në gazetë, disi më duken më me peshën e vet për t’i thënë dhe për t’i shkruar gjërat hapur.

Na thoni një koment, për këtë vit, meqë Shqipëria hyri në NATO dhe u bënë shumë lëvizje të mira mbarëkombëtare?

Naim Kelmendi: Janë dy arritje, pa lënë anash dhe të tjera, në këtë nënqiellin tonë kombëtar. E para ishte hyrja e Shqipërisë në NATO dhe e dyta kurorëzimi i ndërtimit të rrugës kombëtare Durrës-Prizren, që tashmë lidhë dy shtetet shqiptare: Shqipërinë me Kosovën. Ky është shekulli i kombit shqiptar. Ka filluar me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, tashmë me Shqipërinë zonjë në Evropë dhe do vazhdojë më tutje. Në një të ardhme me bashkimin e shqiptarëve. Evropa e ka për borxh, që qytetarëve të vet, shqiptarëve, t’ua ndreq padrejtësitë historike të kohës. Ne jemi evropianë. I kemi dhënë mjaft si komb qytetërimit dhe civilizimit evropian, që para dymijë vjetëve e këndej. Kosovës, i duhet jetësisht zhvillimi ekonomik. Ky, zatën edhe është çelësi i forcimit të shtetit.
Kosovës i duhet çrrënjosja e korrupsionit, që ka prekur edhe segmentet e majave të shtetit, çrrënjosja e krimit të organizuar. Kosovës i duhet sundimi i ligjit dhe funksionimi i shtetit të së drejtës. Kosovës i duhet siguria, stabiliteti dhe etika njerëzore në drejtësi dhe në sundimin e ligjit. Me njerëz të korruptuar kemi vetëm shtet të korruptuar. Nuk janë të shëndosha ndarjet që i kanë bërë partitë, si, p.sh kjo partia e filanit, kjo e fistekut etj, apo partia e këtyre të Podujevës, e atyre të Drenicës, e këtyre të Dugagjinit, atyre të rrethit të Ferizajit etj. Kështu do të na kushtojnë ndarjet. Kosova është e të gjithëve.

Z.Kelmendi, t’i kthehemi botës krijuese. Jeni duke krijuar ndonjë vepër?

Naim Kelmendi: Është në natyrën e krijuesit dhe në domenin e tij, që kurrë të mos pushojë së krijuari. Edhe unë kështu bëj. Edhe kur nuk duket se krijoj mbase krijoj. Kam nëpër duar disa dorëshkrime, që pas procesit të punës do ta shohin dritën e botimit, por kohë më shumë i dhuroj punës me Shtëpinë Botuese "Rugova Art", me krijimet dhe botimet e saj. Ajo vazhdon botimin e veprave letrare të zhanreve të ndryshme. Këtu kam më shumë angazhime.

Çka më me dëshirë shkruani, poezi, prozë, roman, apo ndonjë shkrim për gazetë?

Naim Kelmendi: Unë përpos poezisë, që nëpër vite kam botuar më se 12 vepra poetike, dhe ato në publicistikë, lëroj edhe prozën. E shkruaj edhe romanin, ende nuk kam të botuar. Por, përpos të gjitha gjinive më me dëshirë e shkruaj poezinë. Ndërsa, shkrimin për gazetë, e bëj si reagim intelektual ndaj çështjeve shoqërore që na preokupojnë dhe janë pjesë e jetës dhe veprimit tonë…

E di, se na mbeten shumë gjëra pa përmendur, por shpresojmë, se herave tjera prapë do të jemi në kontakt dhe do mësojmë edhe shumë gjëra tjera nga Ju i nderuar, edhe pse të gjithë Ju njohin. Ju flm dhe ju urojmë suksese.

Naim Kelmendi: Ju faleminderit edhe juve, suksese dhe jetë të gjatë në misionin tuaj të shenjtë që je duke e bërë në punën e profesionit të gazetarisë, juve që e drejtoni dhe të gjithë lexuesve të saj.

Intervistoi: Dashnim HEBIBI



(Vota: 3 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora