E hene, 20.05.2024, 10:21 PM (GMT+1)

Mendime

Fehmi Ramadani: Kur do të fillonte lustrimi në Kosovë?

E hene, 25.01.2010, 10:56 PM


Kur do të fillonte lustrimi në Kosovë?

Fillimi i zbatimit të ligjit të lustrimit në Kosovë si një akt demokratik dhe human do të zbardhte pastërtinë e figurave të ndryshme publike, do të ndihmonte që kjo shoqëri të lirohet nga mëkatet e së kaluarës, do të arrihej pajtimi ndëretnik, zhvillimi i gjithëmbarshëm shoqëror, stabiliteti rajonal, por edhe ecje drejt kursit të proceseve integruese euroatlantike
 
Shkruan: Fehmi Ramadani

***
Çka është lustrimi? A janë pjekur kushtet që në Kosovë të fillojë procesi i lustrimit pa e dëmtuar demokracinë fillestare të saj dhe raportet ndëretnike? Kur duhet filluar zbatimi i tij? Nga kush duhet të miratohet ky ligj? Cilat janë “kushtet specifike” të lustrimit në Kosovë? Cilat shtete deri më tani kanë aprovuar ligjin e lustrimit? Pse Kosova po ngec në nxjerrjen e një ligji të tillë, kur dihet kursi i saj drejt integrimit në strukturat euroatlantike?  Në këto dhe disa pyetje tjera do të bëhet përpjekje të jepen përgjigje për këtë temë, e cila shumë radhë trajtohet nëpër mediumet kosovare.
Në Kosovë lustrimi është një term jo shumë i njohur politik. Ky nocion rrjedh nga fjala latine, lustrato, lustrare, që do të thotë pastrim, ndërsa grekët e vjetër e përdornin fjalën katharsis, pastrim i shpirtit. Në literaturë, lustrimi ka dy kuptime; historik dhe modern. Si term historik lidhet me ritet e romakëve dhe grekëve të lashtë nga pastrimi i mëkateve. Ndërsa, versioni modern, lidhet me kufizimin e përkohshëm të spiunëve dhe informatorëve të policisë sekrete në detyrat e shërbimit civil, në procesin e dekomunizimit të një vendi.  
Pas periudhës së luftës së ftohët, analistët lustrimin filluan ta trajtojnë si zgjidhje e mesme në mes të ndjekjes penale dhe të ekzekutimit ndaj atyre që kishin shkelur të drejtat themelore të njeriut gjatë së periudhës komuniste. Në vitin 1991, pas shkatërrimit të komunizmit në Evropën Qendrore e Lindore, të parët që kishin filluan të zbatojnë ligjin e lustrimit ishin Çekët, me ç’rast ua kishin ndaluar të merren me veprimtari civile dhe politike të gjithë atyre që kishin shërbyer në periudhën komuniste prej vitit 1948 deri në vitin 1989. Ky proces kishte vazhduar të zbatohet edhe në Shqipëri nga viti 1991, Kroaci, Hungari, Bullgari, Serbi, etj, për të vazhduar nëpër shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Vitin e kaluar edhe Maqedonia kishte filluar të hartonte një ligj të tillë. Ndërsa, Kosova pas pavarësimit të saj, më 17 shkurt 2008 nuk ka bërë aspak përpjekje për të filluar të merret me një çështje të tillë kaq të rëndësishme për vendin, përkundër rekomandimeve të Këshillit të Evropës, i cili i obligon të gjitha vendet që dalin nga komunizmi të nxjerrin një ligj të tillë. 
***
Duhet theksuar se, Këshilli i Evropës për këtë qëllim kishte aprovuar dy rezoluta: Rezolutën nr.1481 e miratuar në vitin 2006 dhe  Rezolutën nr. 1096 e vitit 1996. KE-ja përmes këtyre rezolutave kërkon që gjatë hartimit të ligjit të lustrimit të respektohen parimet e një shteti ligjor, zbatimit të ligjeve të lustrimit, apo të masave administrative përkatëse. Sipas, këtyre rezolutave, disa nga orientimet themelore duet të jenë: a) Lustrimi duhet të drejtohet kundër rreziqeve, që kanosin respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe proceset demokratike, b) Hakmarrja nuk duhet të jetë objektiv i këtyre ligjeve dhe duhet të evitohet përdorimi i tyre për qëllime politike e sociale, c) Lustrimi nuk duhet të ketë për qëllim të sanksionojë prezumimin e fajtorëve, por të mbrojë demokracinë e re që lind, ç) Lustrimi nuk duhet të aplikohet për funksionet me zgjedhje, përveç rastit kur kandidati e kërkon këtë gjë vetë, d)Lustrimi nuk duhet të aplikohet në institucionet private apo gjysmë private, dh) Afati i aplikimit të lustrimit nuk duhet të jetë më shumë se 5 vjet dhe konsiderohet e preferueshme në atë kohë, që masat për lustrimin duhet të përfundonin deri më 31 dhjetor të vitit 1999, si një datë që konsiderohej e mjaftueshme për konsolidimin e të gjithë regjimeve të reja demokratike, e) Lustrimi i “bashkëpunëtorëve koshientë” lejohet vetëm në rast se aktiviteti i tyre në bashkëpunim me Shërbimin Sekret të regjimit komunist ka çuar në dhunimin e drejtave të njeriut, ka shkaktuar dëmtimin e një personi tjetër (burgim, persekutim), apo ka pasur pasoja shkatërrimtare, f) Lustrimi nuk duhet të aplikohet mbi personat që kanë pasur moshë më të vogël se 18 vjeç në momentin kur analizohet implikimi i tij, g) Në asnjë rast, nuk mund të aplikohet lustrimi mbi një person pa ju garantuar të gjithë procedurat e rregullta të një gjykimi të rregullt, përfshi edhe vënien në dispozicion të avokatit mbrojtës.
***
Duke parë këto kondita mund të shtrohet pyetje, a është vërtet shoqëria kosovare e pjekur dhe e përgatitur për një proces të tillë të nxjerrjes së ligjit të lustrimit, kur dihet se ky vend njëherë për rreth 100 vjet ishte nën okupimin sllav, rreth 45 vjet e nënshtruar nga komunizmi jugosllav dhe një dekadë ishte nën protektorat ndërkombëtar? Po ashtu, për dallim nga vendet tjera të Evropës Qendrore e Lindore dhe ish-republikave jugosllave (të cilat më vonë u bënë shtete të pavarura), Kosova ishte një rast specifik, ishte një krahinë nën Serbi e Jugosllavi, ndaj saj zbatohej një politikë aparthejdi dhe në të zbatoheshin ligjet më diskriminuese në Evropë. Kosova ishte vendi i vetëm në Evropë që zbatoheshin ligjet ç’njerëzore dhe kishte një trajtim të egër nga aparati sllavo-komunist. Shteti komunist jugosllav kishte mekanizma të fortë represiv si: OZNA, KOS, UDB, BIA, etj, të cilat ishin shërbime tepër jo humane, sidomos ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Për këtë më së miri tregon fakti i trajtimit ç’njerëzor të rreth 800 mijë shqiptarëve të Kosovës, të cilët kishin kaluar nëpër duart e regjimit shtypës jugosllav. Ndërsa, gjatë periudhës së luftës së vitit 1997-1999, pothuajse e tërë popullata 2 milionëshe shqiptare e Kosovës ishte në shënjestër të dëbimit kolektiv, rreth 1 milionë ishin dëbuar nga Kosova, rreth 15 mijë ishin vrarë, rreth 120 mijë shtëpi ishin djegur, pra kishte një gjenocid të hapur dhe të paparë në historinë e Evropës moderne. Këto fakte nuk ishin karakteristikë e popujve tjerë, të cilët dolën nga komunizmi. Prandaj, edhe fillimi i procesit të lustrimit në Kosovë duhet të trajtohet si specifik për shkak të konditave të rënda.
Kushti tjetër mjaft specifik është se, edhe pse kanë kaluar dhjetë vjet nga “çlirimi” i këtij vend dhe dy vjet nga shpallja e pavarësisë  saj, në Kosovë ende operojnë shërbimet sekrete serbe, bile kjo haptas është bërë e ditur në prononcimet e zyrtarëve të Beogradit, se pas largimit të forcave të tyre ushtarako-policore e paramilitare serbe, në këtë vend kishin lënë të veprojnë edhe 50 mijë spiunë dhe bashkëpunëtorë të tyre.  Atëherë, vërtet shtrohet një dilemë e madhe; si do të funksionojë ky vend me kaq shumë spiunë, a do të ketë demokraci të shëndoshë dhe kohezion të brendshëm ky shtet në të ardhmen? Pastaj, si mund të shpjegohet fakti që një pjesë e këtyre struktura kriminale serbe ishin inkorporuar në administratën e UNMIK-ut, agjencive të ndryshme private, OJQ-të, por ishin infiltruar edhe nëpër disa organizma të ndryshëm politik? Sot e kësaj dite, një numër i tyre, ende gjendet nëpër detyra dhe funksione të larta publike e politike të Kosovës.
Specifikë e radhës që duhet të merret në konsideratë gjatë hartimit të këtij ligji duhet të jetë edhe verifikimi i figurave të një numri të pakicës serbe në Kosovë, e cila edhe pas gjithë kësaj tragjedie ende nuk ka përjetuar një pastrim të vetin(katharsis).  Një pjesë e pjesëtarëve të kësaj pakice për një periudhë të gjatë kishte qenë pjesë e aparatit të dhunës ndaj shqiptarëve, disa prej tyre kishin marrë pjesë direkte në krime të rënda ndaj tyre. Në luftën e fundit 1997-1999 aparati serb i dhunës  kishte vrarë me mijëra civilë shqiptar, ndërsa serbët lokal ishin bashkë zbatuesit e kësaj politike. Sot e kësaj dite, në emër të tyre nuk ka kërkuar falje askush për krimet e shkaktuara, ndërsa nuk ka ndonjë rast që ka filluar të gjygjësia kosovare për krimet e bëra. Bile, me një pjesë të tyre ende është duke manipuluar Beogradi për qëllime të tyre hegjemoniste. Beogradi është shkaktari kryesor i gjendjes së tyre, por padyshim se një pjesë të fajit e kanë edhe liderët e tyre, të cilët deri më tani nuk kanë marrë guxim qytetar dhe moral t’i kërkojnë falje shqiptarë për krimet e bëra dhe kështu të ndihmojnë procesin e pajtimit ndëretnik. Sot e kësaj dite të gjitha dosjet sekrete janë në Beograd. Pushteti i Kosovës së bashku me faktorin ndërkombëtar duhet të kërkojnë pa asnjë kusht që Beogradi t’i kthejë dosjet sekrete shtetërore. 

***
Zbatimit i ligjit të lustrimit në Kosovë do të ndihmonte demokracinë e vendit dhe do të forconte kohezionin e brendshëm të shtetit. Verifikimi i pastërtisë së figurave të ndryshme politike dhe civile në Kosovë është një akt demokratik, human dhe mjaft domethënës për zhvillimin e gjithëmbarshme të këtij shteti. Kosova ka nevojë për një demokraci të shëndosh, e këtë demokraci e bëjnë vetëm kur nga detyrat publike dhe politike do të largohen njerëzit me një të kaluar të dëmshme. Kjo do të ishte sikur në trupin e njeriut të infektuar të jepet terapia shëruese në mënyrë që ky organizëm të mbrohet nga shkatërrimi i tij i plotë. Kjo duhet të ndodhë në Kosovë dhe kjo shoqëri duhet të lirohet nga njerëzit e inflamatuar, në mënyrë që të mos inflamatohet e tërë shoqëria. Ose, si është e mundur që sot, njerëzit me rroga të zakonshme në Kosovë të kenë disa shtëpi, makina luksoze, vila dhe beneficet tjera, kur dihet se spiunët nuk kanë punuar kurrë? Pastaj, ky ligj duhet përfshijë paragrafin ku t’i kërkohet falje të gjithë personave që kanë qenë akuzuar, proceduar, dënuar, burgosur, internuar dhe persekutuar gjatë periudhës komuniste 45 vjeçare, për dhunimin e të drejtave politike, civile, sociale, morale dhe ekonomike. Ligji për lustrim në Kosovë duhet t’i shpallte të gjithë ata persona, të pafajshëm, po ashtu si dhe të gjithë ata që ishin arratisur,  kanë vdekur, apo janë ende gjallë. 
Po ashtu, ligji duhet t’ia mundësonte krahas kompensimit moral që shkonte deri në dekorimin e tyre edhe të drejtën për kompensim financiar për vitet e burgut, të internimeve dhe të dhënies së privilegjeve shoqërore. Për të jetësuar një ligj të tillë duhet të formohet një Komision i veçantë me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtar, të cilët do të hartonin dhe do të procedonin në Parlamentin e Kosovës, i cili do të miratojë. Hapja e dosjeve ndaj njerëzve që ishin të përlyer në spiunim, tortura, burgosje dhe vrasje të ndryshme, padyshim se duhet të ndodhë, sepse kjo do t’i ndihmonte kësaj shoqërie që të përjetojnë një pastrim shpirtëror. Ky ligj duhet të miratohet sa më parë në Kosovë, sepse është kërkesë e kohës, është në të mirë të pajtimit ndëretnik, të stabilitetit të rajonit, por edhe të proceseve të reja integruese euroatlantike. Prandaj, sa do të jenë vullnetshëm që përgjegjësit e pushtetit në Kosovë të miratojnë një ligj të tillë do të shihet në të ardhmen!  


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora