E marte, 30.04.2024, 01:50 AM (GMT+1)

Speciale

Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XIV)

E merkure, 06.01.2010, 10:55 PM


SYLEJMAN ALIU

FILOZOFIA E KRROKAMËS

(Rexhep Qosja në pasqyrë)

Letërnjoftimi i Rexhep Qosjes sipas akademik Fehmi Aganit

- Do të më lejohet që të paraqes tërësisht shkrimin e akademik Fehmi Aganit, pasi është vërtetë një analizë tejet zbuluese për karakterin e Qosjes

Testimonium papurtatis R. Qosjes

Në njërin nga sesionet që organizonte Instituti Albanologjik para pak vitesh, fjalën e vet të hyrjes R. Qosja e përfundonte duke cituar një autor, me një frazë që atij i dukej se do të bënte efekt dhe do të tingëllonte si jokonvencionale (jodogmatike, mendon ai): "Po historia? Historia, zotërinj, do të gënjejë si gjithmonë"! Me konsiderata të këtilla ndaj historisë, u ngut t'i dorëzojë asaj (këtë radhë shkencës historike të letërsisë") edhe një dokument, Morfologjinë, e cila, si thotë vetë, është "patologji e një mentaliteti", pasojat e të cilit është duke i vuajtur akoma.

Pamfleti u botua dhe u shit shpejt dhe u lexua "me ëndje", si e parashihte autori. As që mund të ishte ndryshe veçanërisht kur dihet se që në parathënie paralajmërohej përshkrimi i një meçi a ndeshjeje shumëvjeçare, madje të një proporcioni të paparë: një me pesë! Paralajmërimi tjetër, që në parathënie, se autori e kishte shkruar librin zgërdhishëm, do të thotë "me buzë në gaz", shtonte doemos kurreshtjen dhe interesimin.

Proporcionet në arenë ndryshonin. Kundërshtarët herë ishin pesë, herë bëheshin pesë a gjashtë, herë dilnin shumë më tepër. Por, kjo s'mund të ndryshonte gjë në thelb. Ata do të humbnin. Populli e thotë dhe R. Q. e di dhe e citon: "siç do të thoshte populli, disa ulokë e të sëmurë, një të shëndoshë e bëjnë urë"! Por populli e thotë dhe e thotë kot! Sepse këtu nuk ngjet ashtu. Ose nuk ishte i shëndoshë i shëndoshi ynë, ose për ndonjë arsye tjetër, por nuk ngjau si thotë populli. Përkundrazi kundërshtarët ishin të dështuar që më parë, kurse numri i tyre, sa më i madh të ishte, vetëm do ta shtonte famën e Të Vetmit! Ky, madje, ka aq fuqi sa as nuk shikon vetëm t'i godasë kundërshtarët, por duke qitur shqelma në të katër anët, dëshmon se mund të terrorizojë këdo dhe të gjithë menjëherë.

Kundrështarët vërtet janë të vegjël, të dobët, "pa kulturë letrare, artistike, teorike, metodologjike, e të mos flasim për kulturën e tyre estetike dhe filozofike"! (Ndokush mund të mendojë se është më mirë "të mos flasim" se sa në këtë mënyrë kontradiktore e të pa kuptim!). Kundërshtarët janë diletantë, antitalentë ose të shumtën, gjysmëtalentë. Ata "përziejnë ide, kritere, koncepte shije" në veprat e tyre "të paqena", "duke mos e njohur kurrë dhe kurrkund idenë e totalitetit"! (f. 316). Edhe kur shkruajnë kritika, kritika e tyre është "ekzemplar tipik i kritikës dogmatike analfabetike". Kritikës së tyre "i mungon dinjiteti elementar i kritikës letrare: ajo është kritikë e paetikë, sepse është kritikë e paestetikë"! Kjo kritikë "në të vërtetë" nuk është kritikë. Ajo është "ose hermeneutikë diskreditimi, ose hermeutikë reklame"! (f. 316). Të gjorët, dmth. kundërshtarët e imagjinuar, të kredhur në provincializëm nuk do t'i njohin kurrë "idetë universale, jetike dhe vizionet e gjera, planetare"! (f.317)

Vogëlsia e kundërshtarëve të supozuar e komprometon nevojën e një lufte të madhe kundër tyre, e bën të pakuptimtë të shkruhet për ta një libër i tërë, madje nga R. Q. Por, jo, imagjinatës së sëmurë i nevojiten pikërisht kundërshtarë të këtillë, objekte të manipulimit, për të krijuar dhe për të forcuar kontrastin me madhështinë e Të Vetmit. Vogëlsia si kontrast i madhështisë, "varfëria provinciale" si kontrast i "ideve universale", i "vizioneve të gjera, planetare" të R. Qosjes.

Vërtet mund të thuhet, madje me të drejtë, se madhështia që e ndien kaq shumë nevojën për kontrastin, që e mbështet thuaja ekzistencën e vet në këtë kontrast të projektuar, duket si të mos kishte bazë në veten e saj. Por, pamfleti as nuk është shkruar për ata që duan
fort mendojnë. Ndryshe, si mund të ishte aq konfuz e kontradiktor, sa një faqe nuk e di ç'thotë faqja që i paraprin!

Qëllimi i autorit të pamfletit është kompleks. Në qofë se iluzionet, që do të priten si "bombë intelektuale"(!), nuk arritën të mbërthejnë për një kohë të gjatë vëmendjen e opinionit për R.Q., në qoftë se Anatomia me pretendimin absurd që të jetë shprehje e vetëdijes së kulturës sonë për "domosdonë e vetëdijes së vet, të kritikës dhe të teorisë", kaloi pa zgjuar fort interesim dhe pa lënë fare gjurmë; në qoftë, më në fund, në këto kohë orientimesh dhe interesimesh të diversifikuara dhe të afrimeve të vlerave dhe të krijuesve të ndryshëm ekziston droja të bjerë në harresë fare R.Q., atëherë pamfleti i titulluar Morfologji, qoftë edhe në mënyrë skandaloze, duke të tërheqë vëmendjen kah R.Q., dhe të konfirmojnë prezencën qendrore të tij në jetën tonë kulturale!

Qëllimi i autorit është që, njëkohësisht, të zhdukë (pikërisht: të zhdukë!) kundërshtarët e supozuar, ata që nuk pajtohen, mendojnë ndryshe ose kanë qëndrim negativ ndaj vlerës së aspekteve të ndryshme të veprimeve, të sjelljeve ose të krijimtarisë së tij. Për këtë qëllim, kritika që, për nga vokacioni do të duhej të ishte para së gjithash humaniste, me pasion psikopatik bën "obduksione", përpiqet të masakrojë, nuk heziton as nga trillimi dhe shpifja. Dhe, ndërsa kujton se i njollosi për turp kundërshtarët e supozuar, e pikturon në të vërtetë me ngyrat më të zeza dhe në mënyrë të neveritshme qenien e vet morale dhe intelektuale.

Por, qëllim kryesor i pamfletit është të konstituojë R. Qosjen si vlerën kryesore, krijuesin e vërtetë, si "ndërgjegjen e kohës" sonë(!). Ky qëllim përshkon edhe shumë vepra të tjera të R. Qosjes, gati të gjitha veprat e tij, por është leitmotivi i Iluzioneve, i Anatomisë. Dhe definitivisht do të duhej të arrihej ky qëllim me "jehonën bombatomike" të Morfologjisë. Kujt i duket ky pohim i nxituar, i pabazë, le të lexojë f. 307: "Duke ndjekur krijuesin, klani objektivisht bëhet dënimi... që një shtresë, një mentalitet, një mjedis apo, më në fund një kohë i shqiptojnë përmes klanit ndërgjegjës së asaj kohe"(!). Ç'barbare kjo koha jonë, që përmes klanit i bën dënimin, linçimin, thotë më parë, "ndërgjegjës së kohës", "krijuesit të vërtetë", si do të thotë pak rreshta më poshtë R.Q.!).

Sado të jenë skandaloze këto pretendime dhe vetëlavdërime, prapë, mund të thuhet se nuk janë të paktë ata që pak a shumë mund të kenë iluzione për veten e tyre, për mundësitë, rezultatet, misionin dhe funksionin e vet. Bile, këto iluzione herë-herë mund të jenë edhe inspirim dhe nxitje për punë krijuese. Më në fund, askujt s'mund t'i ndalohet të ketë iluzione për veten e vet. Por, s'mund të tolerohet, për shkak të pasojave të rënda kulturore dhe shoqërore, brutaliteti me të cilin R. Qosja përpiqet t'ia imponojë opinionit, të përligjë e të zyrtarizojë këto iluzione të madhështisë së tij, s'mund të lejohen skandalizimet kur këto iluzione dhe pretendime të tij nuk pranohen, s'mund të mos shihet dëmi kultural i pseudoproblemeve që po i imponon për këtë shkak R. Qosja, qe sa vite. Pikërisht këtu qëndron arsyeja kryesore pse shkruaj këtë vështrim për Morfologjinë, përkundër sugjerimeve dhe këshillave të shumë shokëve dhe miqve se Morfologjia s'është e denjë për përgjigje.

Projeksioni paranoik i fushatës, i linçit, i klanit, trillimi, insinuata, sofizmi, gjysmë të vërtetat e gënjeshtrat si dhe A. Vinca e S. Fetiu - këto janë mjetet e përdorura. Argumentimi është ekskluzivisht argumentum ad hominem, madje i një trajte të vrazhdë, abuzive, sulm kundër individëve, njollosje e tyre. Botimi i pamfletit është një akt i rëndë shpërdorimi të emrit të Institutit Albanologjik dhe të pozitës së drejtorit në Institut.

Përsëritjet dhe tërë pamfleti prej 342 faqesh duket si një përsëritje - janë stoli e veçantë e Morfologjisë. Në shenjë kujdesi ndaj memories së lexuesve apo për të identifikuar përkatësinë e vet në kategoritë e mbërtypësve e të rimbërtypësve, sepse edhe me këtë çështje merret universalisti ynë, R. Qosja mbërtyp dhe mbërtyp sistematikisht e pandërprerë. Dhe, në këtë punë është metodik. Edhe nga tri-katër herë përsërit të njëjtën sharje në një faqe, nuk mungon të kërkojë mbi 27 herë të ndërrohen redaktorët dhe redaksitë e gazetave dhe të botimeve, që nuk i ka për huj, kërkesë kjo e dënjë për demokratin e deklaruar.

Një "kontribut" i veçantë i R. Qosjes dhe pamfletit të tij duhet të theksohet veçmas: është përpjekja për të sjellë dhe legalizuar në kulturën tonë skandalizmin, brutalitetin, degjenerimin dhe perversitetin - segmente të "begatisë shpirtërore" të akademikut tonë të mendërmenthshëm, që ka "pasur kohë të mendojë" dhe që ka shkruar "as i befasuar, as i provokuar", madje "mbas gjashtë vitesh të mendimeve a të shkruaj apo jo". (f. 14).

S'dua të them se Morfologjia s'ka fare fragmente të "suksesshme", madje të "lezeçme". Cilit lexues mund t'i ketë shpëtuar vargu i denjë për pjekurinë e një akademiku, për shijen e një estetiku dhe moralisti, për veshin e një R. Qosje: "Hokuspokus, rragadungus, fukarrallukus, moralopusus"! Njeriut i vjen keq vetëm që këtë perlë e gjen dikund thellë, në gjysmën e dytë të librit, kurse, po të ishte në fillim, do të mund ta përsëriste dhe ta shënonte në margjinat e çdo faqeje.

Morfologjia e nxorri në dritë të plotë një iluzion të kahershëm të R. Qosjes, iluzionin se kritiku, dmth. R. Q., vlerëson, kualifikon dhe diskualifikon, portreton apo karrikon të tjerët dhe kjo është privilegj dhe monopol i profesionit të tij. Është e çuditshme, se çdo akt njohjeje shpreh natyrën e objektit që njihet, por edhe të subjektit njohës, se kritika, vlerësimi, kualifikimi ose diskualifikimi i një vepre ose autori, në masë të njëjtë vlerëson, kualifikon ose diskualifikon edhe kritikun dhe vlerësuesin dhe se subjektivizmi, arbitrariteti, kaprici në të gjykuar dhe vlerësuar vetëm e diskualifikon kritikun vetë.

Pamfleti ndriçoi fuqishëm dobësitë karakteristike të shkrimeve të R. Q., projektimin e dobësive të veta te të tjerët, (aq sa në Morfologji, në çdo dobësi, që u atribuohet të tjerëve, shihet dobësia e R. Qosjes vetë insekuencën dhe palogjikësinë në të konkluduar, konfuzionin dhe mbizotërimin e epsheve, të subjektivizmit, të kapricit dhe të tekeve në të gjykuar për të tjerët, diskrepancën në mes të pretendimeve e të fjalës dhe pozës, nga një anë, dhe të mundësive e të qëndrimit dhe sjelljes faktike, në anën tjetër, mosnjohjen e shpeshtë të domethënies dhe të peshës së fjalëve dhe të pohimeve.

Se në ç'botë halucinante jeton R.Q. shihet më së miri në kaptinën e fundit të Morfologjisë, ku me një opsesion psikopat parashihet me "probalitet të qindpërqindët" (!) "jehona bombatomike" e pamfletit dhe përshkruhet gjendja katastrofale që do t'u shkaktojë ai personave që sulmohen. Po ta dinin ata, vazhdon halucionanti ynë, se një vepër e këtillë është shkruar dhe do të botohet "pavarësisht prej jehonës bombatomike që do të ketë"(?) do të ndërmerrnin "ç'mos që ta nxjerrnin prej shtypit" (326-327). Ç'kotësi? Shumë vetë kanë ditur për këtë pamflet, e edhe ata kundër të cilëve u drejtua, madje me muaj para se të dorëzohej në shtyp. Sepse, s'mund të mbetet sekret teksti që shetit dorë me dorë, në Prishtinë e jashtë saj, për të gjetur recensentë e botues. Dhe, Morfologjisë iu desh të kërkojë bukur gjatë recensentët trimosha. Çka ndërmorrën ndërkohë kundërshtarët e supozuar? Asgjë! Sepse, ajo që do të dëshironin, ajo që do të ndërmerrnin, së paku disa prej tyre, t'i thoshin R. Qosjes: Pse do të turpërosh veten në këtë mënyrë? - nuk mund të dëgjohet nga veshët ku kishte filluar të ushtrojë "jehona bombatomike" e pamfletit.
Po ç'mbetet nga "probaliteti i qindëpërqindtë". Ai mbetet budallallëk, si ishte.

Përkundër vëllimit prej 342 faqeve të Morfologjisë, nuk mund të thuhet se iu lehtësua
fort puna "historiantit të ardhshëm të letërsisë". Atij, si dhe bashkëkohasit tonë të painformuar i mbeten vërtetë shumë enigma ose pohime që duan sqarim. Para së gjithash lidhur me kohën tonë. Çfarë kohe dhe çfarë marrëdhënie klanesh, fushatash, linçesh, qenkan këto, kur i ndjekuri, i persekutuari, i linçuari zgjedhet, rizgjedhet dhe përsëri rizgjedhet drejtor i një institucioni shumë të rëndësishëm shkencor e kultural, madje edhe përkundër qëndrimeve shoqërore, të formuluara qartë, mbi udhëheqjen kolektive, mbi ndërrimin e personave në funksione udhëheqëse si komponentë esencialë e kësaj udhëheqjeje kolektive, mbi nevojën që askush të mos zër krimba në poste udhëheqëse e funksione drejtorësh. Çfarë monopoli paskan kundërshtarët e tij të supozuar qofshin pesë apo pesa-gjatë, kur I Vetmi ka më shumë funksione udhëheqëse e punkte të pushtetit se sa ata të gjithë së bashku, madje edhe si sasi e edhe si cilësi? Dhe, në të njëjtën kohë, përkundër "monopolizimeve", për të cilat ai e alarmon opininin, boton dhe riboton, çdo vit nga një libër, madje boton edhe rivialitete si Morfologjia? Mbeten edhe shumë enigma edhe shumë pohime që kërkojnë sqarime plotësuese. E lexuesi i sotëm i pamfletit të quajtur Morfologji s'mund të mos ndalet e të mos mendojë për shkakun, motivacionin, qëllimin e vërtetë si dhe për çështjen se kujt i drejtohet, cili është adresimi i lamentacionit të R. Qosjes mbi gjoja ndjekjet politike dhe nacionale që po iu bëkan ankesë kjo që nga karakeri dhe natyra e vet, për nga implikacionet e saj, për nga theksimi që i bëhet në tërë librin, është në shpërpjestim flagrant me argumentimin e mjerë që i bëhet. Dhe s'mund të mos mendoj për hipokrizinë e një metode të konstruksionit dhe trillimit të grupeve e të klaneve që do t'i mundësonte R. Qosjes që, dobësitë eventuale që i duket të ketë gjetur në nga ndonjëri nga kundërshtarët e supozuar, t'i shumëfishojë, t'i multiplikojë dhe në një mënyrë amorale e të papërgjegjësi t'i shtrijë te të gjithë.

Edhe një pyetje duhet të shtrohet që në fillim: R. Qosja, që me aq pedantizëm e paska përcjellë "fushatën dhe çdo gjë që shkruhet për të, që madje e periodizon, e ndan në faza, ia përcakton baticat e zbaticat "fushatës", dhe natyrisht, si çdo egoentrist i kompleksuar, i lidh këto "me ngjarje të caktuara në punën time krijuese dhe, sidomos, organizative në jetën shkencore dhe letrare" (f.22). R. Qosja që i paraqet të tjerët sikur jetojnë me ritmet e avansimeve dhe të zgjedhjeve të tij jo drejtor i Institutit Albanologjik, jo kryeredaktor i "Jetës së Re", në Akademi etj., a di të mendojë fare dhe me kategori të tjera, përveç kategorive të suksesit dhe famës personale, të avansimit dhe zgjedhjes e rizgjedhjes, të lirisë që të shkruajë "ashtu siç dëshirojë" dhe të kërcënimit se në të kundërtën do të mendojë "se shpresa, gëzimi, lumturia ime e qershorit të vitit 1966 kishin qenë të kota"(!) (f.296)? A di të mendojë edhe për pasojat shoqërore dhe kulturale të grindjeve, konfrontimeve dhe përçarjeve që i rifillon "ai as i befasuar, as i provokuar", për kohën kur i nxit dhe për çështjet se cila do të ishte dobia dhe kush do të mund të përfitonte objektivisht nga këto?

Autori, R. Qosja mund të kujtojë të ketë shkruar me jehonë bombatomike, por në të vërtetë na dha një pamflet që është testimonium paupertatis, një dëshmi e varfërisë, madje e mjerimit intelektual dhe njerëzor.

Konsiderimet absurde dhe katarza e mjerë

Për një vështrim të plotë për Morfologjinë do të nevojitej një libër i tërë. Jo për problemet që shtron ajo. Sepse, vërtet, po të përjashtohen ekzagjerimet, komplekset e R. Q., trillimet dhe sharjet e bollshme, s'mbetet thuaja gjë tjetër prej saj. Por, mbetet të kontestohet gati çdo pohim, të ndriçohen premisat false dhe konkluzionet e gabueshme, të përcaktohen gjysmë të vërtetat dhe të pavërtetat, insinuatat dhe paraqitjet e vlerësimet e rreme, me të cilat u mbush një libër.

Në tërë Morfologjinë R. Qosja portreton veten, madje në dy trajta: ashtu si do të donte të shihej dhe si do të donte të shihen kundërshtarët e supozuar. Pretendimet e tij janë të mëdha e komplekse, para së gjithash, intelektuale dhe morale. Të analizojmë cilat janë dhe si duken, sa janë me bazë e të qëndrueshme këto pretedime, të shprehura në vështrimet hyrëse të Morfologjisë, pra në faqet ku R. Q. merr pozë e kapardiset me tërë madhështinë. Madje, pikërisht ashtu si do të donte të dukej e të shihej prej të tjerëve. Të analizojmë, po themi, e jo të obduksionojmë, si do të thoshte R. Qosja. Sepse obduksioni, me rrënjë të thella në id-in e psikikës së R Q. dhe, në pastë gjë të vërtetë në mendimet e Frojdit, si shprehje e instinktit të destruksionit, dëshmon një mendje të errësuar dhe të pushtuar prej pasionesh të errëta dhe, prandaj, sado të kënaqë komplekse e dëshira të marra, nuk arrin të kuptojë mendimin gjithmonë të gjallë e subtilitetin mendor.

Morfologjia fillon me dy prologë e një hyrje. Prologu i parë fton në ndihmë Apologjinë e Sokratit, për t'i dhënë peshë çështjes dhe protagonistit kryesor, në këtë rast autorit të pamfletit, dhe shfrytëzon një letër të Pietro Aretinos për t'i karakterizuar kundërshtarët e supozuar si të gjorë, për t'iu atribuar zilinë dhe për të paralajmëruar, që në faqen e parë, famën e autorit: "Unë bëhem i famshëm kur të gjithë ata më smirojnë"!

Prologu i dytë është një - "A e dini kush jam?“. Në dy faqe shënon R. Q. të dhënat biografiko-bibliografike dhe besimin e tij intelektual e moral, që, ndonëse do të duhej të supozohej se do të dihen nga të interesuarit, i përsëriten edhe një herë lexuesit. Përmenden datëlindja e prindërit, shënohet shkollimi i autorit deri në diplomim në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, dhe shtohet: "Ka vijuar (dmth. ai, R.Q.) studimet pasuniversitare në
Beograd"! Që në faqet e para fillojnë gjysmë të vërtetat. Sepse, këtu, me të njëjtën të drejtë do të mund të thuhej: "Nuk i ka vijuar studimet pasuniversitare në Beograd"! Si dihet, pas 2-3 provimeve të vitit të parë të studimeve të shkallës së tretë, i pakënaqur fortë me rezultatin që kishte arritur, kur erdhi te provimi nga gjuha e huaj, vendosi t'i ndërprejë studimet e të kërkojë rrugë tjetër për të paraqitur tezën e doktoratës. A nuk e dinte atëherë këtë porca miseria, që me kaq sharm akademik e përdor tani, apo nuk mjaftonte një sharje, qoftë edhe e përsëritur disa herë apo, më në fund, në provim nuk kërkoheshin fare sharjet, por kërkohej njohuri gjuhësore - këtë nuk e di. E di vetëm që R.Q. pat thënë në Institut, se dëshiron të ndërprejë studimet, sepse një bashkëpunëtor i Institutit (gjoja) po intrigon, po flet me arsimtarët në Beograd që ta rrëzojnë në provime R.Q.! (U ndala te ky moment trivial për të përmendur vetëm se edhe insinuatat edhe frika se dikush punon vazhdimisht kundër tij, nuk janë të reja për R. Qosjen).

Numërohen, në vazhdim, veprat dhe funksionet e R.Q., shënohet se jeton në Prishtinë dhe shtohet plot mburrje: "Kurrë s'ka qenë i gjykuar, kurrë s'ka qenë dëshmitar në gjyq"(!). Ky pohim, sipas autorit, do të duhej të dëshmonte pastërtinë absolute. Por, ç'kotësi! Gjithkush e di se burgosja, që mund të jetë ndëshkim fizik e fatkeqësi personale, nuk e cenon fare integritetin moral të individit. Diskualifikues mund të jetë shkaku i burgosjes, qëndrimi në burg, por jo vetë burgosja. Të mos përmendim revolucionarët, që e kaluan jetën në burg, se R.Q. mund të na akuzojë se po e sulmojmë politikisht, por si do të ndihej Sartri i ndjerë, që aq shpesh merrej në polici, pranë këtij puritanizmi qos, të shpërlarë!

Vijojnë edhe shtatë besimet, konsideratat e autorit, që do të duhej të shprehnin, në mënyrë të kondensuar, bindjet intelektuale e morale të tij. Por ç'fatkeqësi. Këto qëndrime, përkundër shpresës së autorit, dëshmojnë një nivel përgatitjeje teorike dhe aftësi intelektuale që nuk ofron bazë për pretendime të mëdha. T'i analizojmë. Së pari, përcaktimi i artit si "komunikim estetik i individit me njerëzit e tjerë përmes formave të krijuara që flasin për jetën me gjuhën e tyre specifike dhe që jetën në vete e kanë" (f. , s'përmban asgjë të re, specifike, në mos qoftë e këtillë gjymtia, paprecizues si dhe fakti që si definicion, nëse ka pretendime të këtilla, është shembull shkollor i një definimi të dobët, i një definicioni që s'thotë gjë. Përafërsisht, po kjo mund të thuhet edhe për përcaktimin që i bëhet kritikës, si "aktivitet intelektual, që ka për detyrë të tregojë se si, në ç'mënyrë, ekziston estetikisht vepra dhe çka ekziston në atë vepër".

Duke folur për veten e vet në vete të tretë, R. Q. vazhdon me një pohim paradoksal, që dëshmon vënien në nivel të ulët të rezonimit logjik. Ai, pra R.Q., konsideron se "pluralizmi i stileve artistike dhe i metodave kritike, është kusht(!) i lirisë së krijimtarisë" (f. . Pa pasur nevojë fare të ekzagjerojmë, në stilin e R.Q. "shihni, ju lutem, lexojeni edhe njëherë", është e qartë se ky pohim dhe kjo bindje është e pakuptim, sepse kushti i lirisë së krijimtarisë nuk mund të jetë pluralizmi i stileve aristike dhe metodave kritike, liria e krijimtarisë kushtëzohet nga faktorë të tjerë shoqëror, kurse pluralizmi i përmendur i stileve dhe metodave kritike më së shumti mund të jetë rezultat ose shprehje e lirisë së krijimtarisë. Bindja vijuese e R.Q. është ilustrim i mirë i fjalamanisë boshe dhe i zbrazëtisë mendore: "Reduktimi i krijimtarisë artistike në një stil dhe i kritikës së saj në një aspekt vrojtimi sjell reduksionizmin(!) që varfëron(!) domethënë dëmton (!), krijimtarinë artistike dhe kritikën e saj" (f. . Si shihet, kjo tezë apo bindje, ky konsiderim, përsërit të përparmin mbi pluralizmin dhe lirinë e krijimtarisë. Por, ç'kuptim ka përsëritja kur në shtatë pasuse, në një gjysmë faqe do t'i paraqesësh bindjet tua intelektuale e morale? Mandej, shihe se sa trivial është vetë mendimi: reduktimi sjell reduksionizmin, ky varfëron e varfërimi dëmton krijimtarinë! Dhe, me pohime të këtilla boshe të ngrihet pretendimi mbi "krijuesin e vërtetë" dhe "ndërgjegjen e kohës!?!

Pohimi vijues është edhe më katastrofal. "Vlera e stileve artistike apo e metodave kritike varet jo prej cilësisë së tyre, por prej prirjes së krijuesit" (!).
Po, pikërisht kështu thuhet. Pohohet shprehimisht se stilet dhe metodat s'kanë cilësi apo cilësitë e tyre s'kanë vlerë, që do të thotë se stilet artistike dhe metodat kritike të pacilësi apo me cilësi të pavlerë s'janë gjë fare, sepse vlera e stileve artistike apo e metodave kritike nuk varet prej cilësisë së tyre! Çfarë serioziteti dhe rigoroziteti shkencor mund të pritet nga kritika dhe shkencëtari me konsiderime kaq absurde?

Dy pohimet e fundit janë margaritarë të vërtetë të këtij konfuzioni. Ai, d.m.th, R.Q., tani jo më që konsideron, sepse konsiderimet i shterri, por: "është i bindur se: me veprën dhe me jetën mohon çdo formë të dogmatizmit; rrjedhimisht për lirinë, të drejtën dhe të vërtetën lë kokën" (!).

Ai që do të priste një përcaktim të dogmatizmit dhe të formave të tij, që i mohuaka R.Q. me veprën dhe jetën e vet - sepse antidogmatiku sigurisht edhe dogmatizmin e përcakton në mënyrë origjinale (!) - që ne mund t'i krahasojë me veprën dhe jetën e autorit, prer kot. Këtu antidogmatizmi postulohet ose është çështje e bindjes së R. Q. për veten, dhe prandaj s'është për diskutim. Pranë kësaj bindjeje të R. Q. zbehet, natyrisht mendimi i Marksit se "nuk mund të gjykohet për një njeri nga ajo që mendon ai vetë për veten e vet". Edhe pohimi tjetër, për gatishmërinë e R.Q. që të lërë kokën për lirinë, të drejtën dhe të vërtetën, është pohim që duhet ta besojmë dhe s'është çështje e argumentimit. S'ka si të argumentohet, sepse, me sa dihet, deri më tash protagonisti ynë s'e ka lënë ndonjëherë kokën, që do të thotë se ose nuk ka pasur rast ose nuk e ka konsideruar rastin të denjë për kokën e tij. Ndërkohë, si do të shohim, kjo gatishmëri e flijimit të kokës, e lënies së kokës, si do të thoshte ai vetë, për të vërtetën, nuk e pengon të manipulojë më gjysmë të vërteta ose të gënjejë troç. Objekt diskutimi për ne është mënyra jonormale e lidhjes së këtyre pohimeve, është fjala rrjedhimisht, që do të duhej të shprehte një raport në mes të shkakut dhe efektit, ose në mes të kushteve e të pasojave, në mes të antaedens dhe onsequens. Si mund të ketë këtu raport të tillë?! R.Q. pohon se është antidogmat, dhe rrjedhimisht është gati të lërë kokën. Por, jo, jo, non sequitur, çfarë rrjedhimisht?! Dogmatizmi dhe antidogmatizmi dhe gatishmëria apo jo për të lënë kokë janë kategori të ndryshme, s'mund të jenë në lidhje shkakore, ka pasur dogmatë të gatshëm të flijohen si antidogmatë që e kanë ruajtur kokën, ose kanë qenë gati vetëm për flijime deklarative. Në fund, - dhe, fundi stolis veprën - konkluza më absurde:

"Mjafton që ta bëjnë objekt fushate"! (E shkruar me germa të mëdha). Çka menduaka ai se mjafton që të bëjnë objekt fushate? Të kesh një mendim për artin e kritikën, për pluralizmin e stileve dhe reduksionizmin, për vlerën e stileve dhe dogmatizmin dhe të jesh gati të lësh kokën? Madje edhe kur konsiderohet për artin e kritikën të jenë të çala, kur raporti i pluralizmit të stileve e metodave të krijimtarisë të jetë i pakuptim, kur pohimi për reduktimin e reduksionizmin të jetë një circulus, kur përcaktimi i vlerës së stileve dhe metodave të jetë absurd e kur antidogmatizmi e gatishmëria për t'u flijuar të jenë deklarative! Tepër bile edhe për R. Qosjen!

Parafjala - një lamentacion, një vajtim dhe një arsyetim i mjerë i botimit të pamfletit.
Nis me ankesën se është bërë objekt i një fushate që nga viti 1974 e edhe më parë (1972), thotë se në fillim s'ia ka vënë veshin, ndonëse me pedantizëm ka mbledhur çdo dromcë që ka të bëjë me të, dhe vazhdon me konstatimin e raportit 5:1, që "është një përpjestim që vetvetiu është në kundërshtim me normat e kulturës" (!). Akademiku, me këtë rast nuk arrin të na thotë cilat përpjestime janë sipas normave të kulturës (!) apo cilat përpjestime nuk janë vetvetiu në kundërshtim me normat e kulturës, sepse nxiton të akuzojë gazetat dhe revistat se janë bërë "poligone të këtij aktiviteti" d.m.th. të fushatës. Pasi jep "shikimin sinoptik" të pjesëmarrësve të fushatës dhe konstaton heterogjenitetin e tyre si dhe faktin që ata kanë të përbashkët vetëm vendosmërinë që ta ndjekin atë, numëron arsyet pse po iu përgjigjet. Thotë R.Q. se ka vendosur të shkruajë sepse fushata "kohët e fundit sikur është bërë institucion legal në jetën tonë kulturore"(!) dhe përpjekjet për ta diskredituar atë "kanë ardhur duke u intensifikuar dhe duke u zgjeruar" (!) (f.11).

Çdo të thotë "kohët e fundit" për R. Q. mbetet e paqartë për lexuesit, sepse autori nuk e përcakton këtë, kurse artikulli i fundit, që "obduksionohet" është i para dy vitesh! Mandej, vijnë arsyet më vendimtare. Thotë se ka vendosur të shkruajë për të treguar se lirinë e krijimtarisë nuk e cënojnë vetëm pushtetet, sistemet politike e organet e tyre, por edhe grupet e interesit, klanet e klikat. Me këtë rast, integralisti ynë, që u thotë kundërshtarë të supozuar se s'do të njohin kurrë idenë e totalizmit(!) dhe antidogmati i deklaruar, grupet e interesit, klanet dhe klikat dhe mundësinë e veprimit të tyre, aq sa të cënojnë në mënyrë alarmante lirinë e krijimtarisë i sheh të ndara, të palidhura me shoqërinë e marrëdhëniet shoqërore. Ku është këtu konsekuenca shkencore? Për atë që ka njohuri, qoftë edhe modeste, nga teoria shoqërore e marksizmit është e ditur se s'mund të ketë grupe të interesave, klane e klika (të mos flasim për linçe!) që të monopolizojnë shtypin e veprimtarinë botuese, që me veprimin e vet të cenojnë në mënyrë alarmante lirinë e krijimtarisë e të mos jetë kjo shprehje e marrëdhënieve të caktuara shoqërore ose të paktën deformim i tyre. Por. R.Q. nuk do të nxjerrë konkluza të tilla. Ai thotë se janë të dhëna pasojat, por jo edhe shkaqet ose kushtet, faktorët që i shkaktojnë. Pse, po a nuk deklaroi se është gati për të vërtetën të lërë kokën?
Po deklaroi, por edhe të deklarojë, edhe t'i përmbahet deklaratës, i duket shumë. Madje, jo vetëm për të ruajtur kokën, që në shoqërinë tonë nuk ia cenon kush, por R.Q. i ruan me shumë kujdes dhe s'do t'i rrezikojë privilegjet e shumta që i ka, as mundësinë që të zgjidhet për të tretën herë drejtor i Institutit Albanologjik.

Arsyeve "më vendimtare" u shtohet nevoja që t'i lehtësohet puna "historianit të letërsisë", të cilin e mendon si person që do të merret kryesisht me të. Dhe, arsyeja kryesore "më vendimtare": katarza nacionale (!) (f.16). Kështu rrumbullaksohet argumenti për R.Q. si "ndërgjegjen e kohës" sonë! Kultura jonë u vetëdijësua në Anatominë, kurse kombi ynë do të përjetojë katarzën, spastrimin, këtu moral, kombëtar, në Morfologjinë! Kurse lexuesit të Anatomisë së kulturës dhe të pamfletit të quajtur Morfologji s'i mbetet veçse të mjerojë nivelin intelektual e moral të këtij vetëdijësimi të kulturës e të kësaj katarze morale kombëtare.

Pasi shton se "beson në mënyrën elekuente" (!) se do të arrihet qëllimi R.Q.
nis të arsyetojë titullin e pamfletit. Mund të quhej kështu apo ashtu, shkruan ai, thuaja se titulli s'ka të bëjë me përmbajtjen. "mund ta quajë "Morfologjia e jetës letrare, e një fushate respektivisht Patologjia e një fushate" (f.15). E quajta Morfologji sepse është patologji(!) etj. Ç'është ky konfuzion, ç'është kjo renditje si tituj të mundshëm, të shprehjeve që dallojnë në thelb, madje edhe si denotacione edhe si konotacione? Por, jo nuk është këtu vetëm konfuzioni seriozitet? Por, jo nuk është këtu vetëm konfuzioni karakteristik i R.Q., as kombinim i shakasë dhe i seriozitetit si dëshiron ta paraqesë punën ai. Përkundrazi, është këtu edhe ndërgjegja e papastër, që shkakton këtë konfuzion. Sepse, në mbledhjen e Këshillit Shkencor të Institutit Albanologjik, në kuadër të planit botues për vitin 1980 ai e ka paraqitur për botim pamfletin si Morfologji e jetës letrare (titull pune). S'ka dyshim se në këtë mënyrë është gënjyer dhe mashtruar një organ profesionalo-vetëqeverisës, që është delikt i rëndë moral, politik e penal, shkelje e rëndë e normave vetëqeverisëse. R. Qosja e di se këtë shkelje e ka bërë me qëllim, prandaj përpiqet t'i gjejë një arsyetim gënjeshtrës dhe thotë se titulli mund të ishte Morfologji e jetës letrare, por ai e quajti Morfologjia e një fushate, edhe pse secili lexues mund të shohë se këta dy tituj vërtetë s'kanë asgjë të përbashkët.

Edhe dy momente do të përmendja nga parafjala. Së pari, mohimin kategorik të autorit se Morfologjia s'ka të bëjë me individët. Paradoksale duket, por R. Q., përkundër faktit se tërë pamfleti është një sulm kundër individëve, në parafjalë shkruan se teksti "nuk mund të konsiderohet polemikë me individët: jo, jo, jo"! Dhe, fill pas pikës harrohet mohimi i trefishtë. Së dyti, çështja e korrektësisë, e fer-plejit. "Parimi moral, i quajtur fair play, është produkt i kulturës dhe respektin e tij ia kam borxh opinionit aq sa edhe vetëvetes"(!) (f.19). Natyrisht, edhe këtë e thotë për ata që duan të besojnë fjalët, me naivitet, por as kjo deklaratë dhe ky borxh ndaj opinionit dhe vetes së tij nuk i pengon fare të veprojë ndryshe e të japë shembuj drastikë të pakorrektësisë dhe të mungesës së plotë të fair play-it, të këtij "parimi moral" dhe "produktit të kulturës", si na mëson.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Keçmezi- Basha: Diferencimet ideopolitike ndaj intelektualëve shqiptarë në Kosovë 1945-1990 Arben Llalla: Aleksandri i Madh i Greqisë apo i shqiptarëve Vendimet historike të Bukureshtit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XIII) Brahim Avdyli: Çështja shqiptare dhe territori historik shqiptar Milazim Kadriu: Beteja e Tabeve bëri bashkë dijen ushtarake, sakrificën dhe heroizmin... Urim Gjata: Në emër të jetës Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XII) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VII) Ksenofon M. Dilo: Fati tragjik i karakterit fisnik, i atyre që u tretën për Shqipërinë Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VI) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XI) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (X) Behxhet Dibrani: Rrethanat shoqërore- politike nderkombëtare dhe shqipetarët nga lufta e krimes deri në krizën lindore Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (V) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (IX) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (IV) Hilmi Saraçi: Masakra serbe në Qyqavicë, në vendin e quajtur “Llaza” dhe në Beqiq (Besnik) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (VIII) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (III)

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora