Kulturë
Marius Chelaru: Atdheu dhe jeta e një frymëzimi poetik
E shtune, 05.12.2009, 08:07 PM

ATDHEU DHE JETA E NJË FRYMËZIMI POETIK
Nga Marius Chelaru (Moldovë)
Vilhelme Vranarit i është dashur të përjetojë vuajtje të panumërta në të shkuarën komuniste të atdheut të saj. Ajo ka pasur pengesa të shumta në Shqipëri, por ka ditur ta shndërrojë dhembjen në art, si gëzimin, edhe lumturinë. Të gjitha këto vërehen në librin e saj bilingv (shqip/rumanisht), Rrënjët, botim i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë. Vepra e saj, e parë në disa këndvështrime, mund të kundrohet si një diskurs poetik i gjendjeve shpirtërore, i kujtimeve dhe përjetimeve të një kombi të martirizuar për liri dhe demokraci. Fjala është për një krijimtari psiko/analitike të jetës, të individit dhe sistemit që përjetuan shqiptarët në kohën e krisur të diktaturës së egër komuniste. Diskriminimi dhe vuajtja ndikojnë që arti të burojë prej dhembjes, dhe këtë e dëshmojnë poezitë kundër diktaturës: Rrënjët, Lëngojnë kujtimet, Mos harro, Edhe 100 vjet do të pres, e tjera, ku vlera ngrihet kundër antivlerës. Ato kosniderohen si vlera shqiptare që u kundërvihen mohimit të vlerave humane.
Fjalët e Vilhelmes janë frymëzime shpirti që dalin nga zemra. Lirikës së saj nuk i mungojnë në asnjë çast figurat e stilit, tropet, metafora, krahasimi dhe forca e fjalës. Duke deshifruar lëngun e saj lirik, mund të themi se në to vërehet një mesazh i fuqishëm patriotik. Atdheu i saj kundrohet si vendi më i bukur në botë, „mahnitës/ dhe tërheqës në të njëjtën kohë”, një vend ku gjenden „kontraste përrallore”, „si një vashë e pjekur” ku janë edhe njerëzit më të mirë dhe mikpritës në botë, atje ku është dhe „besa”, dhe poetët, dhe miqët e armiqët, si dhe përgjegjësia mbi të cilën është mbështetur përkthyesi gjatë seleksionimit të lëndës së këtij vëllimi bilingv.

Në këtë vëllim të frymëzuar, autorja ka vënë edhe shumë dhembje (“dhembja e kohës/ që hap plagë”, apo dhembja e shpirtit, që “djeg si flakë”, e “syrit/ që derdh lotë”). Një jetë në pritje që shëmbëllen si një ankth: (“njerëzit presin,/ vasha vajton pas të dashurit”, “dheu i lodhur/ nga pesha e mëkateve/...gjithmonë pret”). Janë kujtime, që “dergjen” në çdo hap, të lidhura si mishi me thojin për historinë e kombit, edhe “kujtimet nën gërmadha”, ndjenjë kombëtare, por edhe personale. Nga fëmijëria vijnë mesazhe të freskëta, duke kundruar dy “pole” të pamjes ndaj botës, të jetës së autores dhe vendlindjes, madje, në poezitë Rrugica e vjetër dhe Aromat e qytetit tim. Vizioni i parë duket si një tabllo në sepia, për vendet, shëmbëlltyra e të cilave është e ngjashme me atë të fëmijërisë: “rrugica e vjetër/ me kalldrëm muret me dëborë, nga të cilët thith “erëtimë borziloku dhe trëndafili”.
Vizoni i dytë që ndërlidhet me përfytyrimet ndërmjet të zezës së madhe dhe këndshmërisë së vogël, është larg fëmijërisë. Përfytyrimet e qytetit shqiptar, “në piskun e zi të natës/ së skëtershme”, është një vizion në të cilin autorja vizaton një peisazh të terratisur, “në agoni/ mbi digun e peshës së vdekjes” një pamje që ndërlidhet me dashurinë ndaj qytetit të saj. Duke ndjerë aromat (“e limonit dhe portokallit/ të ullinjve, akacies dhe blirit”) qytetit i bukur bregdetar mbi të cilin edhe “shpirti kërkon të ndjejë”, zgjohet në jetë. Zgjimi në jetë ndërlidhet, kështusoj, me dashurinë ndaj qytetit dhe “aromës dehëse” të tij.
Siç thamë në fillim, lexuesit rumun i jepet rasti ta ketë në disponim një dimension të vjershëruar të gjendjeve shpirtërore, të kujtimeve dhe përjetimeve, një mesazh për kombin dhe atdheun që shkrimtarja e përfshin në plan të parë, në një krijimtari e cila, shkurtimisht, mund të karakterizohet si një dhunti e pasofistikuar, një ekspresion lirik i një përshkrimi të drejtëpërdrejtë, me trope dhe metafora të denja për t’u admiruar. Duke përfunduar mund të themi se fjala është për një përmbledhje të këndshme poetike, e shkruar nga një krijuese që ka vuajtur shumë, dhe që i ka mbështjellë në tesha vjershërimi, mendimet që kanë nxitur interesimin e lexuesve, brenda dhe tejmatanë kufijëve të atdheut të saj. P. S. Marius Chelaru (shq. Qelaru), është poet, eseist dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë.
VLERËSIME KRITIKE
“Vilhelmja ka ardhur në sofrën e shkrimtarëve, si një kirurg me përvojë, që me bisturi operon plagët e vjetra dhe të reja të shoqërisë. Petro Marko s’është më, por ja, sot e kemi mes nesh.” (Odhise Grillo). “Zonja shkrimtare me krijimet e saj ka vendosur një gurë të rëndë në themelet e letërsisë shqipe. Vilhelmja ka lindur shkrimtare, nuk u bë sot.” (Dhionis Bubani) “Me veprat e saj autorja nëpërmjet mesazheve që jep, i bën një nder kombit. Përmes veprave psiko/sociale, Vilhelmja i bën autopsinë shoqërisë sonë dje dhe sot.” (Uran Butka) “Vilhelmja është shkrimtare unikale. Pasuria jetësore që sjellë në mijëra faqe është mbresëlënëse, autentike, dhe në shumë aspekte e papërfshirë në vepra autorësh të tjerë. Më e rëndësishmja, më e veçanta është interpretimi thellësisht demokratik që ajo iu bën ngjarjeve, personazheve, realiteteteve shqiptare.” (Adriatik Kallulli) “Vilhelmja nuk doli e kushtëzuar për të plotësuar mangësitë që la realizmi socialist, jo! Ajo doli natyrshëm dhe tregon atë çka i flet shpirti për realitetin real, të cilin e përjeton me dhembje, por përballë fatit të hidhur, dhuron shumë dashuri. Një antitezë e çuditshme, por tejet reale.” (Nestor Jonuzi) “Një grua, një nënë, një zonjë e fisme po troket fortë, tingëllueshëm në portat e letërsisë shqipe. Porta është e rëndë, trokitja është e vonuar për shkak të prejardhjes së saj prej një dere fisnike, që në një sistem tjetër shoqëror do të shërbente si pasaportë identiteti për të ngjitur shkallët e jetës, megjithatë ajo është këmbëngulëse, ngase pasioni i rinisë ka ngelur i pashuar.” (Teodor Laço). ”Si mbiemri i saj Vrana, qielli ishte i vrenjtur për të. Duheshin vite që që qielli të hapej dhe Vilhelmja ta thoshte fjalën e saj. Ajo ka ardhur në letërsi si Antigona për të shëruar shpirtrat e lënduar tè shqiptarëve, sepse lëndën e ka marrè nga jeta njerëzore, nga realiteti, të cilën e ngre në art.” (Xhevahir Spahiu). “Asnjëherë nuk shtihet në atë që ngrihet në mbrojtje të dinjitit njerëzor, në atë që, autorja Haxhiraj, gjatë tërë jetës qëndroi përballë së keqes. Urime për guximin që ke për të thënë të vërtetën, që shpesh herë burrat nuk guxojnë ta thonë.” (Ali Podrimja) “Nëse Gjirokastra ka Musine Kokalarin, Vlora ka Musinenë e vetè, Vilhelme Vranari (Haxhiraj). Me trilogjinë “Vështroni Meduzën”, na ka dhuruar veprën më të arrirë në letërsinë e këtyre 15 viteve të demokracisë, që e quaj “Saga e Vranajve”. Me të drejtë e quaj “Shkrimtarja e hekurt” që me kurajo përballet me të vërtetën e hidhur.” (Bujar Leskaj) “Fisnikërinë e Vilhelmes e ndesh në fisnikërinë e personazheve të saj. Nëpërmjet veprave të saj, të drejtën e sheh në sy në mënyrë realiste, jo vetëm autorja por çdo nënë, çdo motër dhe çdo bijë” (Margarita Xhepa). “Është kënaqësi për lexuesin dhe për kritikën profesionale, kur komunikon me një letërsi që e sheh realitetin ndryshe, sipas realizmit real dhe të vërtetës së jetës. Një letërsi me kahje të re historike, ndesh gjatë leximit të librave të shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj).” (Mexhid Prençi). “Romanet e Vilhelmes janë një dëshmi e gjallë dhe një thirrje për antikomunizëm dhe denoncim për çdo lloj diktature të vjetër dhe të re.” (Redin Hafizi). “Vilhelmja ka sjellë në letërsi tema dhe personazhe të rinj. Autorja punon me fuqinë dhe penën e Balzakut, e cila për moshën, prurjen e bollshme dhe larminë e krijimtarisë, duhet admiruar dhe vlerësuar. Sidomos pushteti nuk duhet të heshtë” (Abdurraman Meçe). Nëse vepra e Vilhelme Haxhirajt do të ishte përkthyer në gjuhët kryesore ndërkombëtare, atëherë bota do të njihte letërsinë dhe artin e saj tronditës. Veç pa frikë mund të them se proza e saj është e një niveli evropian dhe botëror. Unë mund ta vlerësoj shkrimtaren shqiptare V. Vranari si Herta Mulerin e cila fitoi çmimin Nobël për letërsi (2009). Të dyja këto shkrimtare që kaluan shumicën e jetës në “Perandorinë e së Keqes” (siç pati deklaruar Presidenti Regan), kanë të përbashkët jo vetëm përsekutimin e gjatë komunist, përndjekjet, burgosjet dhe internimet, por edhe artin e të shkruarit, tematikat dhe personazhet. Dallimi ekziston vetëm në faktin se Herta shkruan në një gjuhë të madhe si gjermanishtja dhe ka pas vetes një shtet si Gjermania, ndërsa Vranari dallon se vuajtjet e saj janë të tmerrshme, të vazhdueshme dhe rrënuese. Vranarit nuk iu lejua nga regjimi komunist të ushtronte profesionin dhe as të botonte asgjë deri në rënien e tij, në dhjetor 1990 (Mujë Buçpapa). Pena e saj duket sikur ndez yjet nga Katakombet e errëta të kujtesës. Fantazisë së shkrimtares i faniten muzat, duke zgjuar Perënditë paksa të zemëruara, por për një gjë jam e sigurtë, se me shkrimtaren Vranari ato nuk janë të zemëruara kurrë! Autores iu mohua e drejta për çdo gjë në regjimin komunist, por brenda shpirtit të saj ka frymuar Shqipëria. Ndjesitë e saj për çdo gjë të bukur, të fshehura në një ëndërr të gjatë dimërore, përqafuan së fundi ditën e bardhë dhe u zgjuan në një kompleks të magjishëm engjëllor. Shpirti dhe sytë e saj xixëllojnë duke shkrepur diellin e zemrës së gruas shqiptare. Vilhelme Vranari largon gjithë dhembjet dhe cicëron si zogu këngëtar ëmbëlsisht mbi degë ullinjsh që varen si kurorë mbi Vlorën blu, dhe ndoshta/ndoshta Perënditë ju kanë dhëne leje dhe mërgimtarëve të mbajnë ison e bukur labe, brenda këngës së magjishme që përhapet valë/valë deri në Amerikë. Paç suksese të reja, të priftë e mbara dhe qofsh e bekuar! (Kozeta Zylo).
BIOBIBLIOGRAFI
Vilhelme Vranari (Haxhiraj) u lind më 8 dhjetor 1944 në Kaninë të Vlorës, pinjolle e familjes së princit Gjergj Arianiti. Qysh 6 vjeçe ka njohur luftën e egër të klasave, me burgosjen e babait dhe internimet e gjata të familjes. Arsimin fillestar e ka kryer në internim, nga një vend në tjetrin. Tetëvjeçaren e përfundoi në Vlorë, ndërsa pas kryerjes së liceut pedagogjik, iu rrek punës dhe vazhdoi studimet me korrespondencë në Universitetin Shtetëror të Tiranës (dega Gjuhësi/Histori). Në vitin 1966 i ndalohet diplomimi, internohet përsëri me familjen Vranari dhe i mohojnë ushtrimin e profesionit. Me këmbëngulje rifitoi të drejtën e studimeve, në degën Hisori/Gjeografi. U diplomua me rezultate maksimale më 1975, por pa të drejtën e ushtrimit të mësuesisë. Punoi 25 vjet punëtore dhe vetëm më 1990 rifilloi punën në arsim dhe u muarr me publicistikë. Më 1997, e rinxjerrin nga arsimi për motive politike dhe mbetet pa punë. Është njëra nga femrat e para që u ngritën kundër diktaturës. Ka qenë themeluese dhe Kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas (dega Vlorë, 1991/98, si dhe Anëtare e Këshillit Kombëtar të L. D. G. Sh. dhe të P.D.Sh. Kjo i dha mundësinë të gjejë vetveten.
Në dhjetor 1996 u realizua ëndrra e saj përmes botimit të vëllimit të parë poetik. Më pas provoi prozën e shkurtë, fabulën dhe romanin, duke botuar Brenda 13 vitesh 22 vepra letrare dhe ka gati për botim edhe disa të tjera. Gjinia letrare ku autorja ndihet më mirë është romani. Deri tani ka botuar 10 romane. Një vepër e suksesshme e saj është: Trilogjia“ Vështroni Meduzën” (3 vëllime), ku në mbi 1.100 faqe përshkruhet realiteti shqiptar nga shek. i XV-të dhe deri në rënien e diktaturës. Në romanin “Rrëfim në të perënduar”, ngrihet me forcë kundër dhunës ndaj femrës. Në veprat e saj spikat personazhi femër dhe problemet sociale dje dhe sot, subjekte aktuale që e shqetësojnë shoqërinë shqiptare dhe autoren. Në romanin “Unaza e Prangosur e njeh lexuesin me dashurinë e dy të rinjëve që sfidojnë diktaturën e cila ngrihet mbi ndarjet e shtresave shoqërore. Aktualisht vazhdon publicistikën në disa gazeta me rëndësi në Tiranë, Kosovë, SHBA, Londër, Kanada, Itali, Rumani e gjetiu. Është kryeredaktore e gazetës “Kanina”.
Bibliografi letrare. Poezi: Loti nuk ka faj, 1996, Të pres, 2000, R?d?cinile-Rrënjët, shqip/rumanisht, 2009. Prozë e shkurtër: Mamaja, novelë 2000, Kush e vrau Kaftanazin (skica, tregime, novela, (2001), Rrugë pa kthim (skica, tregime, novela, 2009. Romane: Dhembje nëne, 1998, Retë në udhëkryq, 2001, Ringjallur si Krishti, 2002, Amanti i Arbërisë, 2003, Rrëfim në të perënduar, 2007, Unaza e Prangosur, 2008, Zonja me karafila të bardhë, 2009. Trilogji: Vështroni Meduzën, Prolog Jete, roman I, 2007, Vështroni Meduzën, roman II, 2005, Dilema e së Nesërmes, roman III, 2006. Letërsi për fëmijë: Bëmat e Dhelprës, fabula, 2002, Ne jemi lulet e jetës, fabula, 2003, Vogëlushja Bianka dhe kafshët e saj, përralla, 2008, E dini se ç’emër kam, fabula e gjëegjëza , 2008, Përrallat e vendit Blu, përralla, 2009. Vlerësime me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare : Çmimi “Petro Marko” për romanin “Dilema e së nesërmes”, nga Bashkia Vlorë dhe Lidhja e Shkrimtarëve, dega Vlorë (2006). Çmimi për “Poezinë e mirëinterpretuar”, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Biblioteka Vlorë (2007). Çmimi “Protagonist i vitit 2008” për romanin “Unaza e Prangosur”, nga Bashkia Vlorë (2008). Çmimi Nacional Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, Torino (Itali), çmim që vjen për herë të parë në Shqipëri (2009). Çmimi “Mirënjohje e Lidhjes së Prizrenit” (Kosovë, 2009).
Komentoni
Artikuj te tjere
Cikël poetik nga Dibran Demaku
Arif Molliqi: Estetikë gjaku
Përparim Hysi: Gjykatësi
Albert Zholi: Psherëtima dhe e qeshura e Fanit
Baki Ymeri: Zonja e zezë në gjuhën rumune
Poezi nga Ekrem Ajruli
Halit Bogaj: Dejvid Lin (1908-1991)
Bilall Maliqi: Vogëlushja që premton shumë...
Manuel Montobio: Kadare, magjik dhe realist
Murat Gecaj: Të lumtë mendja e dora, Isa Halilaj
Dhurata Hamzai: “Oda”, një roje nga jashtë për shtëpitë tradicionale të Tiranës
Skënder R. Hoxha: Atje dergjet dashuria jonë
Opinione rreth botimit te Gramatikes, për Prof. Ibrahim Egriun
Engjëll Koliqi: Ta dëgjojmë kohën
Cikël poetik nga Nehat Jahiu
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Udhë e gjatë e mëkëmbjes familjare
Krijime nga Burbuqe Duka
Përparim Hysi: Do të vdes nga dashuria
Halit Bogaj: ''Doktor Zhivago'' dhe ''Fluturimi mbi folenë e qyqes''
Cikël poetik nga Rexhep Bajrami