E marte, 08.10.2024, 06:56 AM (GMT+1)

Përjetësi » Mani

Kadri Mani: Ju paraqesim poetët tanë të mirënjohur - Mikel Gojani

E diele, 04.10.2009, 01:57 PM


Ju paraqesim poetët tanë të mirënjohur - Mikel Gojani
 
Mikel Gojani: NË KËTË RRUGËTIM SHUMËÇKA KAM HUMBUR  - POR SHPRESOJ...
 
Përgatiti Kadri Mani
 
SHËNIME MBI AUTORIN
mikelgojani@hotmail.com

Mikel Gojani u lind më 1956 në fshatin Dugajevë të Klinës. Shkollën fillore e kreu në Drenoc ( fshat afër vendlidnjes), Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, ndërkaq Fakultetin Filologjik - Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës.
Një kohë të gjatë ka punuar mësimdhënës, poashtu edhe bibliotekar, në shkollën fillore “Atë Shtjefën Gjeçovi” në Zllakuqan të Klinës. Ka punuar edhe  udhëheqës  në bibliotekën e qytetit “Kongresi i  Manastirit” në Klinën. Një kohë ka kryer detyrën e zyrtarit për informim publik  pranë Kuvendit komunal, ndërkaq tash kryen punën e lektorit në Kuvendin e Komunës  në Klinë. Ka punuar edhe gazetar në të përditshmen kombëtare “Bota sot”.
Me krijimtari letrare merret qysh herët. Poezinë e parë e ka botuar më 1968 në revistën për fëmijë “Pionieri” dhe  “Jehona e Dukagjinit”.
Ka bashkëpunuar me shumë revista në gjuhën shqipe në Kosovë, Shqipëri, Amerikë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Lubjanë, si: “Zëri i rinisë”, “Bota e re”, Jeta e re”, “Fjala”, Nëntori”, “Drita”, “Koha”, Altrnativa”, “Republika”, “Illyria”,  “Flaka e vëllazërimit” etj.
Me kumtesa ka marrë pjesë në shumë sesione e simpoziume në Kosovë dhe jashtë. Paraqitjet e tij janë pritur mirë nga publiku.
 
Deri me tash ka botuar këto libra:

Zëri i largët (poezi) - "Rilindja" - Prishtinë 1990;
Udhëtimi pas kaluarit të vdekjes (poezi),"Fjala" - Prishtinë 1994;
Ndrecë Ndue Gjoka (monografi në vazhdime) "Rilindja" 1995;
Shëti nëpër atdhe (poezi për fëmijë),"Pena" - Prishtinë 1995;
Llesh Gjon Lleshaj (monografi-bashkautor me Pal Canajn), "Forumi i Krijuesve të Artit" - Prishtinë;
Kroi që rrjedh rrëzë bjeshkës (poezi për fëmijë), Prishtinë 1996;
Në profil kah Jugu (poezi) - Prishtinë 1996;
Ai vjen me shirat e pranverës (roman), "Forumi i Krijuesve të Artit" - Prishtinë;
Mësonjëtorja e Zllakuqanit (monografi-bashkautor me Pal Canajn) - Klinë 1997;
Udha e shkronjave (poemë) - Zllakuqan 1997;
Kolë Ndrecë Mirdita (monografi) SHB "Anton Pashku"- Prishtinë 2003;
Diell dhe reshje mbi Morenë (poezi) - Prishtinë 2005;
Tradita dhe bashkëkohësia, (studime, vështrime letrare, intervista), botoi “ARSest” - Prishtinë 2007;
Mendësi krijuese (vështrime letrare dhe intervista), Prishtinë 2008,
Mësuesi në kujtesë (monografi), “Drita”, Prizren 2009;
Dedë Daka – në kujtesën historike
Ka në dorëshkrim edhe disa libra të tjerë.
 
Mikel GOJANI
 
NË KËTË RRUGËTIM SHUMËÇKA KAM HUMBUR  -
POR SHPRESOJ
 
Në Trastën e shkabave
Varur rri një Emër
 
Dimrat e egër
E thyen guallin e gurtë
Mitin e ruajti të mos ia vrasin
 
Harta e jetës
Gjithherë e vizatuar
I rri mbi vetulla
 
Nuk është një ëndërr e re
Pikë gjaku me plagë të vjetër
 
Motet e Thata
Nuk mposhten jetën
Në kërkim të Dheut
Në kërkim të ujit të ajrit të gjakut e jetës
 
E di -
Shumëçka kam humbur në botë
Po, shpresoj…
 
PEIZAZH ME MUGË
 
Unë i strukur në urnë
Gjenden në fatin e kësaj kohe
Gjymtyrët nga çdo anë
Kanë dhembje që s’durojnë
 
Ende pa u shëruar
Nga varret e hershme
Shpirtin tim të brishtë
Më pushtojnë shumë plagë tjera
As lot të bardhë nuk kam  për t’i pastruar
Burimi është ndaluar nga ama e tyre
 
Me shekuj në pritje kërkoj një diell
Atë diellin tim përcëllues
E di shumëçka në këtë botë
Kam humbur
Nëpër rrugët plot labirinthe
 
Në dhomën e errët skëterrë
 
Bashkë me urnën time po digjem.
 
NË FOLLORINË
 
Në kërkim të Emrit
Ngarend qe ca shekuj
 
Aty gjeta
Epitafet e Kohës
Dhe, dialogoj me gjithçka
Të asaj bote të brishtë
 
Pyes qiellin e përhitur:
Të kujt janë gurët?
Përgjigjet me pantomimë
 
Edhe Gurët
Flasin për Historinë e Qiellit,
Vranësirat e zeza skëterrë
Ua kanë zënë kaltërsinë
 
Bjeshka flet për Diellin
Ua ka njohur biografinë-
E ka më afër Jetës
 
Dheu i pandarë
Flet për të gjitha
Dëshmi kohë ndër kohë
 
Nën të janë Varret
Varret që kurrën e kurrës
Nuk humbën ndër vorbulla
 
Zbres rrëzë  Kroit
Që asnjëherë në jetë
Damarët nuk ia kisha parë;
Nga aty prapë pyes
Kundruall për ca frëngji
Portat e Ylberit përgjigjen:
Janë të Mëmës Shqipëri!
 
MOREA
 
Mbi shtatin Tënd
Flë ai zjarr i lashtë
Është shndërruar në rrashtë
 
Shpirti i Njeriut
Dëshiron të shndërrohet
Në një trajtë tjetër.

DUMVENICO*
 
Kur bie mespërmes shtatit Tënd
Kthehem në Antikë
 
Shpirti përjeton një sembim të mprehtë
 
Shpeshherë kam menduar
T’i shoh damarët e trupit
Ata damarë
Që sfidojnë kohën
Ato kohë të mungëta
 
Një klithmë të thellë
Në një kohë lëshove
 
Nga paranoja
Mesjetarët të ngulfatën frymën
Duke u frikuar
Mos je varr i gjallë
 
Jeta e nëndheshme
I ngjan një feniksi diellor
Do rë shoh pakëz dritë
Kur trupoj mespërmes trupit Tënd
Ndjej ca dhimbje të serta
 
*Qytet i lashtë ilir në afërsi të Pejës
                                                                        
PEIZAZH ME MUGË
 
Mbi horizontin tim
Janë shërndarë
Peizazhe me mugë
 
Sa shekuj
Në pritje
Harta e Horizontit tim
Të marr formën
E Portretit Diellor
 
Portat e qiellit
Nuk mund të hapën
Ndërsa u zihen rrugët
 
Kur do të rihapen
Portat e Qiellit tim
 
APOTEOZË ANTIKE
 
Vështir është t’i shikosh
Dorën e zgjatur në horizont
Këmbët të shtrira në asfaltin e zi
 
Fytyra e tij e jeshiltë
Të përkujton
Motivet migjeniane
 
Është shekulli i mijëvjeçarit të tretë
Europa e qytetëruar
Ka mbërritur fjalën e fundit të teknikës
Tek ne mbizotëron
Apoteoza antike


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora