E hene, 07.10.2024, 06:01 PM (GMT+1)

Përjetësi » Mani

Kadri Mani: Ju paraqesim poetët tanë të mirënjohur - Hysen Këqiku

E shtune, 19.09.2009, 04:54 PM


Ju paraqesim poetët tanë të mirënjohur, por ende për publikun e gjerë lexues të njohur!


Përgatiti Kadri Mani

 

Të lumtë

 

Zonja Shukrije Bunjaku- Mani, duke e lexuar tregimin tënd: “Katastrofat tona nga luftërat me fqinjët tanë pushtues”, fluturova edhe unë me kujtimet e pashlyera në mendjen time, për atë kohë. Për atë kohë kur përveç atyre të dhënave rrëqethëse që i ke paraqitur, edhe uria bënte kërdi. Nënat tona nuk mund të gjenin as hithër për të bërë një lakror me një grusht miell. E di kur fëmijët ziheshi kaps e një grua e axhës tim, Hanife Bunjaku, i shëronte. Vaji i fëmijëve nga dhembjet nga zorra e trashë dëgjoheshin larg. Mirë ke bërë që e ke marrë këtë temë. Duhet të vazhdosh e edhe mëtej. Unë të përgëzoj e të dëshiroj sukses e shëndet. (Hysen Këqiku)

Hysen KËQIKU u lind më 07. 07. 1944 në Velegllavë (Velia Glaua) të Dardanës (ish-Kamenicë). Shkollën fillore e filloi në Vendlindje dhe e vazhdoi në Vaksincë dhe Llojan të Kumanovës, nga se  më 1956, pikërisht me 28  Nëntor, familja e tij shpërngulet prej Velegllave dhe vendoset në Vaksincë, ku jetoi deri më 1973. Gjimnazin e kreu në Preshevë, kurse shkollën e Lartë Pedagogjike, grupi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Shkup. Më pastaj pa u shkëputur nga  marrëdhënia e punës, si mësimdhënës i gjuhës shqipe, i vazhdoi studimet në Universitetin e Prishtinës në degën Letërsi dhe Gjuhë Shqipe.

Me shkrime ka filluar të merret si nxënës i shkollës fillore në Velegllavë, Vaksincë dhe Llojan, kurse si gjimnazist në vitin 1965, e botoi vjershën e parë në “Zani i rinisë” me titull “Vendlindjes”.

Hysen Kqiku, poet-1944

 

Gjatë kohës sa ishte në marrëdhënie pune në Shkollën fillore “Rilindja” në Llojan, formoi grupin letrar “Migjeni” dhe bashkë me anëtarët e këtij grupi nxorri fletushkën mujore “Dielli” ë më vonë “Gëzimi”. Poashtu gjatë këtyre pesë vjetëve, sa punoi në Llojan, nëpër fshatrat e Kumanovës mblodhi doke, zakone  dhe këngë dasme  dhe me to, hartoi një libër “Doke e zakone të dasmës të përcjellura me këngë, në shtojcën e së cilës janë të botuara 250 këngë  dasme me interes folklorik.

Në vitin 1968, me aktivitetin letrar që zhvilloi me grupin letrar, pati sukses që për herë të parë në historinë e themelimit të Radio Kumanovës të emitohet një program 15 minutësh për fëmijë në gjuhën shqipe. Po ashtu edhe gazeta javore “Nash vesnik” e Kumanovës pas kërkesve të parreshtura dhe dërgimit të punimeve të grupit letrar të shkollës fillore “Rilindja” në Llojan, u arrijt i njejti qëllim që në tetor të vitit 1968, ta botojë gjysmën e faqes së fundit me vjersha të këtij grupi letrar në gjuhën shqipe.

Vjershat dhe tregimet e tij për fëmijë dhe të rritur janë botuar në revistat e kohës që dilnin në gjuhën shqipe si në “Flaka evëllazërimit”,, “Jehona”, “Gëzimi”,“Venera”,“Sogjetima”,“Shkëndija”,”Nositi”,“Fatosi”,“Pionieri”,”Gepi”,”Bashkimi”(Gjilan), “Agmia” (Gjilan”)dhe “Rilindja  për fëmiijë”, “Ylberi” etj.

Në vitin 1973, bashkë me familjen shpërngulet nga Vaksinca dhe vendoset në Gjilan, ku filloi punën, në të njëjtin profesion, mësues i gjuhës shqipe në shkollën fillore “Musa Zajmi”. Edhe këtu formoi grupin letrar “Migjeni” e më vonë “Ali Huruglica”, me të cilët vazhdoi nxjerrjen e një reviste vjetore të shkollës  me titull “Mimoza”. Prej vitit 1983 - 1987, nxorri revistën komunale për fëmijë “Venera” dhe ishte redaktor i saj.

Anëtar dhe sekretar i Klubit letrar “Dardania” ishte që nga viti  1975 - 1988, kur organet policore serbe e përjashtojnë nga Klubi si të  papërshtatshëm ideopolitikisht.

Në vitin 1990 bashkë me një grup humanaitarësh, në Gjilan themeloi SHHBK “Nëna Tereze” dhe zgjidhet kryetar i saj, të cilën e udhëhoqi deri në vitin 1997. Po ashtu, sa ishte kryetar i Shoqatës Humanitare, Bamirëse të Kosovës, në kuadër të saj, në Gjilan themeloi  degën e parapligjitëve të Kosovës.

Në kuadrin e Shoqatës, derisa ishte kryetar i saj, nxorri dy libra me shtojca letrare:”Bamirësia”dhe “Flakërima”.

Është themelues i  Sindikatës së Pavarur të shkollës fillore “Musa Zajmi” në Gjilan si dhe anëtar i grupit inicues për themelimin e Sindikatës së Pavarur për Arsim , Shkencë dhe Kulturë në Gjilan më 1990, ku pas themelimit u zgjodh kryetar i Komisionit për Informim.

Në vitin 1992, bashkë me Mehmetali Rexhepin dhe Shefik Shkodrën themeloi Klubin letrar “Rexhep Elmazi”, kurse me Nazmi Musën dhe Shaban Shabanin - Shoqatën e Pavarur Kulturore, e cila për disa vjet rresht ndikoi në kultivimin dhe ruajtjen e vlerave kulturore kombëtare në Gjilan.

Që nga viti 1968, ka qenë i ndjekur  dhe nën përcjelljen e përhershme të organeve policore serbe dhe të sherbëtorëve të tyre.

Disa herë është arrestuar nga policia, ndaj të cilit është ushtruar dhunë psikike dhe fizike.

Si krijues letrar është i prezentuar në disa pulikime të autorëve të ndryshëm: Autorë të ndryshëm:”Libri që po shkruhet”, Gjilan 1979, Autorë të ndryshëm:”Bëmirësia”, Gjilan 1991, Autorë të ndryshëm:”Flakërimë”, Gjilan 1992, Autorë të ndryshëm:”Agurrona”, Gjilan 1993, Odhise Grillo:”Leksikon, Shkrimtarët shqiptarë për fëmijë 1872-1995”, Tiranë 1997, Revista letrare për fëmijë “Pionieri”, numri jubilar i 50- vjetorit të daljes, nr.1, Prishtinë 1998, Demir Behluli:”Portrete shkrimtarësh”, Prishtinë 2002, Hasan Hasani:” Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501-2001”, Prishtinë 2003.

Nën përkujdesjen e shkrimtarit, historianit, kritikut letrar dhe veprimtrit të shquar Baki Ymeri, në revistën  “Vatra e vjetër” që del në Bukursht, në gjuhën rumune  në rubrikën “Atlas” i është botuar  poezia “Lindja e ninullave” Është  i prezantuar edhe në  antologjinë me poezi të zgjedhura “Nuset e fjalës” të Baki Ymerit, kurse vepra “Melodi e pritjes” e përkthyer në gjuhën rumune poashtu nga Baki Ymeri e cila pritet të del nga shtypi.

Hysen Këqiku është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, editor i Shtëpisë botuese”Kurora” dhe jeton në Gjilan.

 

 

Veprat:

1. “Nëpërkëmbësi”, poezi për të rritur, “Shkëndija”, Prishtinë 1994,

2. “Ti dil nga loja”, poezi për fëmijë, “Pionieri”, Prishtinë 1995,

3 . “Kufij që preken”, dramë për të rritur, “Rilindja”, Prishtinë 1997,

4. “Dritë mbi Lotinë”, poezi për të rritur, “Vatra”, Prishtinë 1999,

5.  “Ujëvarë e patharë”, poemë për fëmijë, “Rilindja”, Prishtinë 2000,

6. “Qëndresë me besa-besë”, poemë për fëmijë”, “Ura” Gjilan, 2000,

7.  “Velia Glaua, ëndërr e ripërtërirë” I”, monografi, “Ura” Gjilan 2001,

8.  “Velia Glaua ëndërr e ripërtërirë I – gjenealogji 1720-1996”, “Ura”, Gjilan 2001,

9.  “Kujtim malli për shkollën time I”, poezi të fëmijëve, “Kurora”, Gjilan 2004,

10.  ”Psherëtimë për tokën”, panoramë letrare I, “Kurora”, Gjilan 2004,

11. “Melodi e pritjes”, poezi për të rritur, “Kurora”, Gjilan 2005,

            12. “Kujtim malli për shkollën time II”, poezi të fëmijëve, “Kurora”, Gjilan 2007.

            13. Nazif Përlepnica, hero në mes të heronjëve”, “kurora” 2008, Gjilan

                14. “Një atdhe me dashuri”, “Kurora”, Gjilan 2008

            15.”Demri Behluli”- monografi, “Kurora”, Gjilan 2008

            17.”Vegim i përflakur” kurorë sonetesh, “Kurora”, Gjilan 2008

            18. “Pikëvështrime” (të tjerët për Demir Behlulin), 2009, Panormë letrare “Etje e pashuar” 2009, (me bashkëautorë),

19. “Më shtrëngo dorën” – përzgjedhje poezishë bashkëkohore shqipe, 2009

 

 

Vjersha për fëmijë

 

BËNIN NJË LOJË

 

Qershia u këndoi ninullë luleve

Ato i hapën petalet

-Lëshuan aromë

Pranë luleve u ngjallën gjethet

Bilbilat i akorduan cicërrimat

Edhe dallëndyshet përgëzuan

 

Pranë trungut të saj

Buburrecat  festonin

Një gushkuq e pyeti Puhizën:

-Pse kaq but ma përgëdhel zverkun

 Edhe valëza bën me flokët e mia

 

Puhiza pa folur bënte punën e vet

GudulisteLantin e Lonin

Fluturën dhe Fluskën

Lanti ia vuri Fluskës

Një lule në vesh

Edhe Flutura me Lonin

Bënin një  lojë...

 

 

MËSUESI

ËSHTË ABETARE

 

Mësuesi është abetare

Se bisedon me shkronja

 

Ai është edhe matematikë

Se na mëson sa bëjnë dy dhe tri

 

Vajzat janë të bukura

Se flasin me dallëndyshe

 

Djemt nuk janë lepuj

Se nuk kanë bishta

 

Mami është luledielli

Se na e ngrohë shpirtin

 

Babi nganjëherë na sjell gishtin

Kur të gjithë punojnë

Kurkush nuk ja nxjerr bishtin.

 

SOT SHUMË KAM PUNUAR

 

Një dallëndyshe

E mori çantën

Dhe u nisë për në shkollë

Edhe keci futbollist

E mori topin dhe doli

Mami gatuante gurabi

Babi grindej me lajme

E Vesa e vogël

E mori çantën  e Filizës

Mezi e ngriti nga pesha

Ende pa u nis tha:

-Po shkoj ele unë.

Doli

U takua me rrezet e diellit

Hypi mbi një flutur

Dhe bashkë me të

I puthi të gjitha lulet

Lulet i varën bukuri

Dhe shëndet në fytyrë

Sakaq u kthye

E puthi edhe mamin

-“Unë ela mami,

Sot shumë kam punual”

 

 

KUR VESA I BËNË DETYRAT

 

Kur Vesa i bënë detyrat

Peshqit e zënë shtegun,

Barbikat pushojnë në net

Tok me Bing - Bengun.

 

Kur i bënë detyrat Vesa

Numrat bëjnë gara

Në krye të vendit pesa

Kallinj gruri nëpër ara.

 

Katërshi mbushet mëri

Treshin s’e do pranë,

Ik, ik -i thotë ti.

Pesën e kam xhan.

 

Kur i bën detyrat Vesa

Fjalë më fjalë e pikë, pikë

Në çdo lëndë qesh pesa

Eja shihe vetë o mik...

 

 

DHE UNË QESHA

 

    E pashë

Një flutur

 t   

 ë

kuqe

Ra në shpinë të lopës

 L

   o

   p

 a

U kërrus nga pesha

E unë vetëmeveti 

q

   e

      sh

         a

 

 

LE TË PUSHOJË GJYSHI

 

Sot nuk do të shkojmë te gjyshi

Ai duhet të pushojë, mamit

Vesa e vari në fytyrë mrrolën

E pa veten në pasqyrë

Nuk i pëlqeu

Doli fluturimthi nga dhoma

Pranvera e përqeshi

Një dredhë pluhuri

I doli përpara

Lulet ulën kokat

Zogu nuk cicëroi

 

Edhe Vesa uli kokën

E pa tokën

Edhe hapat e inatosur

Ata ia treguan rrugën e kthimit

Në dhomë gjeti nënën

Në të gëzimin

Në zemër të saj dashurinë

 

Ajo e ftoi në përqafim

Sakaq perendoi hidhërimi

 

-Mami le të pushojë gjyshi...

 

 

E MADHE JE O NËNË

 

I.

E dashura nënë,

Jam ulur 

Mbi dheun që t’i mbulon eshnat

Po i numroj vitet

Të stolisura

Me grafite rrudhash

 

Nuk je tretur fare

Ke mbetur në psherëtimat e mia

Të përfytyroj ashtu siç ishe

Ti nuk je mplakur

 

Kam mbetur i uritur

Të ftohtit e dridhjeve

Si etja

Nuk më hiqen

 

Nuk  kisha ditur

Për të ta shijuar

Ngrohtësinë tënde përvëluese

Pak ta  kisha njohur

Dhembjen e psherëtimave

 

 

II.

 

Nuk ta dëgjova grahamën e fundit

As nuk ta dhash lamtumirën

 

Shpresoja se do të të gjeja

Te portat e oborrit

Duke më pritur

 

Çfarë meraku i pashuar

Të të shihja

Në atë çast lamtumirës

-Onënë

Isha larg shtëpisë

 

Besoja se nuk do të të mposhtte

Unë të dija për të fortë

 

III.

 

Nuk di kë mallkova

Kur mora lajmin se nuk rron më

 

Sa i dobët u bëra

Nuk besoja se mund të jetoja

Me peshën e dhembjes...

 

45 herë çeli lule molla verore

45 herë  dallëndyshja bëri qerdhen

Nën strehën e shtëpisë

 

Unë i numrova

Me shumë pika loti

O nënë...

 

Mollët më të mira i ruajta

Ua dhash fëmijëve

Merrini!

-Janë të nënës sime...

 

T’i mbaj në mend  këshillat

Ti mbaj në mend dhurimet

 

“Dallëndyshja është ndjellamirë

Cicërima e saj është recitim

Si lutje për bekim”

 

E madhja ime

Të pengonte mjegulla

Ajo mbulonte majet  e bardha

Ngrinte edhe heshtjet

 

Në shpirtin tënd o nënë

Kujtimet i mbaje të forta

 

IV.

Shpresat

Besnikërisht

I lidhje me lindjet

 

I ushqeve

me melmesën

Jetë

 

Me gjakun tënd

 Dardane

 

Me djersën tënde

Ujëvarë

 

Me frymën tënde

 Rrebesh

 

Me pastërtinë tënde

Ylber

 

Me dritën tënde

Diell

 

Me freskinë tënde

 Pranverë

 

Me etjen tënde

Ujë burimi

 

Me përgëdheljet tua

            Miklime

 

Me ofshamat tua

Psherëtima

 

V.

Dheu që t’i mbulon eshnat

Ma shpalon

Thellësinë e ngrohtësisë

 

-Mos më anko o nënë

Kësaj ngrohtësie

As unë nuk i largohem

Kjo tokë do t’më pranojë

Se kurrë se përbuza

As s’e braktisa

 

Kjo tokë më fali ngrohtësi

Unë zemërgjerësi

 Kjo më fali hapësirë rrite

Unë besnikëri

Kjo mua më fali shpresë

Unë ia ruajta kujtimet

 

Tash jam më i mplakur se ti kur vdiqe

Jam baba

Fëmijët e mi e kanë edhe nënën

 

Ata m’i dëgjojnë psherëtimat

 “oh nënë”

Sa do që mundohem t’i them pa zë

E madhe je o nënë

E maaaadheeee!

 

 

Vjersha për të rritur

 

 

RRAGATË

 

Në Gurubincë ka thatësi

Në zemrën time  shkrumb

 

Eshtrat e babait tim

Gurëzohen në Gurubincë

Një orë këndej Kumanove

Unë në Gjilan

Numëroj orët larg meje

 

Gurubinca ka etje

Zemra ime shkrumbon

 

Sa thera gjembgjata

Sa hendeqe u hapën[1]

Sa zezëre zijojnë

Mes Gurubince[2] e Gjilanit

 

Përbindëshit e dalë nga përrallat

Gërryejnë hendeqe

Sipri  eshtrave të gurëzuar

Çalija[3] mbjellin

 

Çafka, çafkanë, çalijave

Krrakamë korbash rragatë

 

Ku t’i gjej opingat

Çalijat për t’i kaluar

Ku t’i gjej zyzat

Të dal nga zijimi

 

Opingat janë të shqyera

Syzat s’e kanë  dioptrinë

 

I uritur për të rrugëtuar

Mbetem këndej hendekut

 

Me mbamendje

Për buzëqeshjen Tënde nën mustakë

Për diellin që do të lind

 

Në Gurubincë thanë thatësia

Në zemër shkrumbi shkrumbon

 

Andej e këndej

Krrakamë korbash rragatë

 

 

NË KËRKIM

TË SHPRESËS SË KALLUR

 

E kërkova

në dhembjen

         e pezmatuar

në degën e tretur

të zogut

                     të harruar

 

shtigjeve

të shkelura

nëpër llucën

         e pistë

rragamave

nga erërat

pluhurngritura

 

-në qepallën

         e teremekur

                     të harrimit

 

në gjuhën e memecit

         me shikim të tretur

 

në vrapin e lepurit

që merr rrokullisjen

teposhtëzës

 

edhe në dashurinë

         e shtegtarit

me vrapin e kthimit

 

 

në ujin

         amull

të lumit të tharë

 

në rreshkun e buzëve

         për pikën e ujit të etur

edhe në rrasën e gurit

ku drekojnë

         zanat që shitojnë

 

në plasaritjet e harruara

në motet e bjerra

në melodinë

         e fyellit të harruar

rafteve të kullave

nëpër mote

 

e kërkuam

në vetveten

         e nëpërkëmbur

         në ofshamat

në dënesjet e miturakut

         bonjak

         e pa djep

në lulakun e grimcuar

         nga molcat

në kaptellin e grabitur

         nga djepësit

në kupën e vajtimit

në vajin e vashës

         për nusërim

II.

ajo

nuk kishte pamje

as formë

vendbanimi i saj

         ishte thellë

                     i strukur

aq thellë

         në fund të pusit

                     të kallur

  vuante

për një pikë ujë

         të kroit  të harruar

kishte ethe

dhe asnjë vend

                     pa mornica

e katandisur me thonjtë

         e mbetur në gurin e krisur

ajo e kishte humb

         kumtimin

         e kuptimit

Vuajtjes ia kishte kërkuar

         shpresat e grimcuara

me thonjtë e miut

         në folenë e macjes

                     së uritur

                Në degën e tharë

për t’u takuar

me kukunë e qyqes

me soditje të papërcaktuar

hapësirës së kallur

si të bëhet për ta  pasur

     

      Hap e kurthë

      Kurthë e hap

 

BUZËQESHJA MË TËRHIQTE

 

Unë mendoja

se po t’i mëkoja plagët

kur shtrija rrugët para vetes,

mendoja se do të  ngjitesha

kah burimet e erës

tok me petalet e rëna

për tokë

 

Më dukej se më tërhiqte

buzëqeshja jote

tok me fluturimin e zogjve

 

Ti ishe atje

ku puthiteshin retë

vetëtimat

bubullimat

 

Atje kur mornica të ftohta

pikonin nga qielli

ti kishe dridhje

shkëlqim vese ishin ato

në relievin e mbushur

rrudha brengash

.  .  .

Ecja

me hapin

lodharak të vargut

të varur

në verig

 

Ecja

për qëllimet

tua

 

Në reale

jo në ëndrra

me ankth

 

Vargu i dalë

nga metafora

ecjen tënde e bëri hap

pas hijes sate të freskët

                        si hija e valës

më shket e më shket

vështirë e lehtë

dikush e kthen

mbarë e prapë

Dhe

më vjen me vrap

pa tjetër do ta kem

si  në dimër dhe në vapë

 

 

LINDJA E NINULLAVE

 

1.

Do të shkruaj ndonjëherë

Pa praninë e zukamës së mizës

Në letër pa vija

 

Për mollën e argjendtë

Naisusiane

Të grabitur nga lika lakejsh

Kur hesperidet[4] gjumonin

Në djepin e dremitjeve

 

Sa keq për gjurmët e tretura

Nëpër jelekë e xhubleta

Xhamadanë

Të përbuzur nga shlliga e shapkanë

Të përplasur e të skërmitur

            Me nxjerrje dredhash

Tufanë, furtunë

Trungje të shkulur

Rrënjtë djegur e pjekur

 

2,

Fara e Faranores[5]

Nuk humbi

 

Fara e Faranaores

U hodh përtej

Prore për të mbetur

Nën hijen  e Premtit

Në fortesën

Dardania Sacra

 

3.

Udhëtim i gjatë

Nëpër mot të keq

Këmbët

Demonstrojnë lodhjen

Gjunjtë

Lëshojnë krisma

-Në rrugëtim jam

 

Të ngjitem në maje

Vetëm nga ato kurora

Vështroj “vallen e yjeve”

Përtej diellit

Lindjen e sigurtë

Dhe kurrën e perëndimit

 

4.

Vargu im drejt agmisë

Uron tymin e oxhaqeve

Kthimin e dallëndysheve

 

Kë ta lus të këndojë për dashurinë

Pjekur nga ngrohtësia e tokës

 

Të të puth o vendlindje

 Nuk do të kisha kurrë

Pa gjakim e përvëlim për ty

 

Nuk do të kisha as gjuhë

Pa gjuhën e shenjtërisë Etrite

 

Nuk do të kisha shkronja

Pa gravërimin e t’Madhit

Dhe

Udhëtimin e shenjtërisë

Deri në romancën time

 

5.

Mos ta kishe emrin kaq të bukur

Do të quaja  d u r i m

Çka t’ju rrëfej në këtë ekstazë

Merreni me mend

 

Letargji nuk është

Sofër e gjerë

Majelartë

Zemërzjarrtë

Në letargji

Më mirë se gjithkush

E di lotin e ndarjes

Ngashërimën e vashës

Kuqlimin e vakët të faqeve

Për djalin në udhëkryq larg diku

Baras me fjalën lokes ofshama

Në fjalorin e nënës

Shpërndarë nekrologjeve

 

6.

Nga kush kjo përbuzje

Xhepat fare zbrazur

 

Dhuratë nga Hyji

Zemrat plot dashuri

Për t’i vazhduar  ninullat

Për të palindurit

 

Në ecjen tonë

Lindja e ninullave gëzon

Ato puthin tokën

Lulet zbardhëllojnë

Për fëmijën e parë të nuses

 

Në qerpikët e diellit

Pagëzimi i ninullave

 

Hesperidet pagjumësohen

Dhuratë Mollë e argjendtë

1993

 

 

IMZOT

 

I.

Sa herë

Më rrëmben idila

Në këtë rrafshirë

Të pjerrtë

Futem

            Në zgavërimë

Rrap i vjetër

            Në rrugëtim

            Hapur

Nga zjarri

            Në mes ferrit

            Zbuluar kabineteve

                        Lluciane

            Për të gjetur

Prehje

            Në qetësi

            Të (zhurmë)rimës

Me spërkatje

Pikamëdha

Të ndotjeve

                        Pa spketër

 

 

            II.

            (Zhurmë)rimë

E lezetshme

Ko(i)mponuar

Në penta(pro)grame

Euro(a)fonike

            Le të shërbejë

Për serenadë

Qerrasjesh

 

Të mos i mungojë

As thumbi

Majeshkopi

            I stërgjetur

            Edhe (pa)shlyerësia

            Mbetet

Gjurmë

            Në relieve

            Të leckosur

                        Për pergamene

Është vallë

            Konkurencë

            Plot dhembje

Gjaku gjakuar

            Përimtësi

            (stër)holluesish

 

            III.

            Vallë(zimi)

            Mbeti

Vallëzim

                        Në shefi

            Pa sinor

Në stilin

            E stërholluar

E mprehur

            Mje(sht)risht

Prapakulisve

            Stërholluesi

I stërhollimeve

            Stërhollimisht

Del në shesh

            Duke i lënë

            Stërhollimet

                        Të damkosura

            Në pergamenë

            Me bardhësinë

                        E shpi(fur)kur

            Në kabinete

            Të akulta

Thurrë rrmok

            Duke mbetur

            Në(pa)qartësi

            E latuara dhe

                        E vrazhdta

 

 

IV.

 

            Kundruar në mes

            (Përditsh)Mërive

                        Për një kënaqësi

            Mbesin dëshirat

            Në(pa)hetuesi

Imzot

            Atij që i falet

            Me hire

                        Në stilin

                        Eurorrmok

 

Bërja të idhët

            Për kokën

            E të palindurve

            Guri sinor

            Të vehet në vend  /[6]

 



[1] Kufiri shqiptaro-shqiptar.

[2] Toponim në Vaksincë të Kumanovës ku prehen eshtrat e prindërve të autorit.

[3] Lloj there.

[4] Figura mitologjike: Rujtëset e mollës sëargjendtë

[5] Kështjellë dardane përtej Naisusi (Nishi i sotëm)

/[6] Kjo poezi lexohet në katër variante: Rreshtat në të majtë, rreshtat në të djathtë, rreshtat e mesit dhe  në tërësi.



(Vota: 7 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora