E shtune, 03.05.2025, 06:42 AM (GMT+1)

Faleminderit

Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Intervistë me biznesmenin Lazim Destani

E shtune, 26.09.2009, 07:07 PM


FARUK TASHOLLI

ME TETOVARËT NË GJERMANI

NUK KA NDONJË MODEL TIPIK
PËR BIZNESMEN TË SUKSESSHËM

(Intervistë e bërë nga Rexhep Aliu për gazetën “Valuta” të Prishtinës)

Valuta: Si ju lindi ideja për të themeluar agjenci turistike?

          L. Destani: Në atë kohë për mërgimtarët udhëtimi për në vendlindje ishte vërtet problem i madh. Ekzistonte vetëm një linjë me tren që quhej Akropolis (Athinë - Paris - Athinë). Kjo ishte e vetmja mënyrë për të udhëtuar në kohën e pushimeve. Por, edhe në këtë linjë ne ishim të detyruar që të udhëtojmë në grupe duke rezervuar një vagon, pasi rruga vërtet kishte rrezik. Gjatë udhëtimit caktonim person kujdestar pasi ndodhnin shumë plaçkitje dhe dëmtime nga më të ndryshmet. Pasi dihej që shqiptarët paratë e fituara në kurbet i kanë me vete, prandaj edhe ishin në fokusin e lloj-lloj plaçkitësve. Fluturime me aeroplan për në Shkup nuk kishte, përveç se përmes Zagrebit dhe Beogradit. Pra, edhe ky lloj udhëtimi ishte deri në mes të rrugës. Thënë shkurt, mungonte një agjenci udhëtimesh që do të organizonte udhëtim të sigurt për në vendlindje. Unë aso kohe kisha përvojë si vozitës i autobusit urban në Gjermani, disa herë edhe bartnim turistë gjermanë në bregdetin kroat. Dhe vendosa ta shfrytëzoj përvojën time në këtë kompani gjermane dhe bashkatdhetarëve të mi t’ua ofroj të njëjtat shërbime. E gjithë ideja ishte që bashkatdhetarëve të mi t'ua ofroj të njëjtat shërbime, për të cilat unë kisha nevojë të më ofrohen edhe mua. Kështu nisëm. Në fillim mora një autobus me huazim dhe nisëm me udhëtimet e para për në vendlindje. Vetë firma gjermane, si dhe autobusi me targa gjermane garantonte sigurinë e udhëtarëve, pastaj edhe shërbimet e tjera ishin në përputhje sipas standardeve europiane të kohës. Kështu që, bashkatdhetarët e mi, gjatë udhëtimit ishin plotësisht të sigurt dhe të rehatshëm. Kjo e bëri që të shtohen kërkesat për udhëtime të tilla dhe duke ndjekur kërkesat e udhëtarëve ne i shtuam edhe autobusët e, më pastaj, në vitin 1987, e regjistrova edhe Agjencinë e udhëtimeve “SHARR TURIST”.

Valuta: Përse e emërtuat “Sharr-Turist”?

    L. Destani: Sharri për mua përherë ka qenë më shumë se emër i një mali apo bjeshke, e kam ndjerë si diçka shumë domethënëse për mua. Që në fëmijërinë time të hershme fillova të ndjej respekt të thellë për këtë emër që disi ngulitej edhe në karakterin e malësorëve. Me shumë ëndje i dëgjoja bisedat e pleqve në odat e burrave, kur rrëfenin për ndodhi të ndryshme që kishin ndodhur në Malësinë e Sharrit. Unë jam nga Bozofca, pra diku në mes dy territoreve tona që Sharri edhe i ndan, por edhe i bashkon. Prandaj, vendosa që agjencia ime ta mbajë këtë emër, që për mua e ka këtë domethënie.

Valuta: A mund të na e përshkruani pak fillimin e punës së agjencisë?

           L. Destani: Hapja e “Sharr Turistit” në atë kohë u prit shumë mirë nga shqiptarët që punonin në Gjermani. “Sharr Turisti” u bë një urë lidhëse midis Europës dhe vendeve tona. Dhe jo vetëm shqiptarët e Gjermanisë, por edhe ata të Belgjikës, Holandës e kështu me radhë, udhëtonin me “Sharr Turistin”. Për një kohë të shkurtër u ndërtua një besim i ndërsjellë midis udhëtarëve dhe “Sharr Turistit”. U lehtësua udhëtimi, u shtua siguria. Në popull u përhap fjala menjëherë se për të udhëtuar në vendlindje të duhet vetëm një biletë në linjat e “Sharr Turistit” dhe asgjë tjetër, gjithçka tjetër të nevojshme i siguron Sharr Turisti. Kjo veçanërisht ndikoi shumë që me ne të udhëtojnë edhe familje të tëra pa përcjellës, pasi siguria dhe korrektësia ishte maksimale. Ky besim i ndërsjellë ishte maksimal. Me ne udhëtonin edhe fëmijët e mërgimtarëve në kohën e pushimeve shkollore apo festave të ndryshme.

Valuta: Si e pritën hapjen e agjencisë kurbetçinjtë shqiptarë?

            L. Destani: Atë e përmendëm më lart, udhëtarët “Sharr Turistin” e kishin si të vetin, pasi me të u hoqën të gjitha pengesat e udhëtimeve që ishin aso kohe. Dhe jo vetëm të udhëtimeve, pasi “Sharr Turisti” luajti edhe rolin e postës dhe të bankës. Përmes “Sharr Turistit” përcilleshin letra, medikamente dhe pako të vogla, si dhe para për familjet. Këto shërbime janë bërë falas, pa asnjë pagesë.

Valuta: “Sharr Turist”-i është bërë sinonim i udhëtimeve të këndshme, suksesit dhe mirësisë, a thua ky ishte synimi juaj kur e themeluat këtë agjenci?

    L. Destani: I bindur që nga themelimi se, duke respektuar dhe trajtuar në mënyrë humane (njerëzore) klientin, pa një materializim të shprehur të çdo shërbimi, do të “njihem” (identifikohem) me epitetin e biznesmenit human dhe kjo do të krijojë një mundësi shtesë për ta rritur në mënyrë të vazhdueshme numrin e klientëve. Dhe kjo me kohë ndodhi. Nuk ishte vështirë të ndërtohej ky koncept, sepse unë vetë isha një kurbetçar që kisha çarë rrugët e kurbetit për hallet e mia sociale-ekonomike. Pra, unë në fillim isha pjesë e asaj “armate” të kurbetit, e cila dita-ditës rritej. Radhët e gjata të klientëve të mi ishin një fundament i qëndrueshmërisë së biznesit tim. Unë me “Sharr Turistin” u faktorizova dhe u bëra faktor relevant në tregun e udhëtimeve të të gjitha llojeve. Shumë kompani të transportit ajror dhe ujor i kishin “lakmi” klientët e mi dhe, për pasojë, dëshironin të kenë bashkëpunim afarist me mua. Këtë synim të suksesshëm tentoj ta përcjell me përkushtim te trashëgimtarët natyrorë të biznesit tim sot.

    Valuta: Biznesi ka baticat dhe zbaticat e tij, a mund të na thoni se në cilin moment jeni ndjerë më i lumtur me veprimtarinë e agjencisë?

          L. Destani: Njëzet vjet aktivitet është shumë vështirë të përshkruhen me disa fjalë. Por, së shpejti do të botohet monografia e “Sharr Turistit”, ku do të përfshihen të gjitha aktivitetet, prej vitit 1987 deri më 2007. Aty lexuesit do të kenë rastin të lexojnë për shumëçka. Aty do të përshkruhen të gjitha baticat dhe zbaticat e “Sharr Turistit” dhe gjeneratat e reja do të kenë rastin të shohin se si janë kaluar disa pengesa jashtëzakonisht të vështira. Kurse, më i lumtur kam qenë unë kur klientët e mi ishin të lumtur me organizimet e mia. Mendoj se kësaj pyetjeje iu përgjigja në fjalimin tim në akademinë solemne kur thashë: Për mua përherë kënaqësi dhe pasuri më e madhe ka qenë buzëqeshja e klientit tim.

Valuta: Cilat manifestime, të sponsorizuara nga “Sharr Turisti”, ju kanë dhënë më shumë kënaqësi shpirtërore?

            L. Destani: Edhe ato nuk do të kisha mundur t'i përmend, pasi për mua të gjitha organizimet e kanë pasur peshën dhe vlerën e vet, për atë unë shumë i kam respektuar ata organizatorë që merrnin përsipër organizime të ndryshme dhe kishin vullnet të madh të realizoheshin manifestime apo vepra të ndryshme. Dihet se për realizime të tilla duhej edhe financim, prandaj unë kam ndihmuar me sa kam mundur çdo iniciativë me ngjyra kombëtare dhe jam i lumtur që m’u dha mundësia të ndihmoj.

Valuta: Kam takuar shumë haxhilerë, të cilët kanë udhëtuar me “Sharr Turistin”, ata thonë: E, sikur edhe një herë ta organizonte z. Destani shkuarjen në haxh, me siguri do të kishim shkuar. Përse nuk e organizuat edhe një herë përpara se ta mbyllnit agjencinë?

    L. Destani: Organizimi i udhëtimeve për në haxh nisi rastësisht dhe me insistimin e disa miqve të „SHARR TURISTIT“. Ata kërkuan të mendojmë edhe rreth bartjes së haxhinjve në vendet e shenjta, që nuk ishte punë e lehtë, sepse, deri atëherë ky aktivitet bllokohej nga grupe interesash që dëshironin të ruanin monopolin e tyre. Këto udhëtime ishin shumë të shtrenjta dhe të paarritshme për shumicën e njerëzve që dëshironin të kryejnë shtyllën e pestë të fesë Islame. Pikërisht këto rrethana nxitën „SHARR TURISTIN“ t’i rreket këtij projekti me shumë seriozitet, dhe pas një kohë të shkurtër hapi rrugën dhe krijoi mundësinë e udhëtimit për në haxh me cilësi të lartë dhe me çmime përgjysmë më të lira se ekzistueset. Ky projekt për ne ishte një mision që për qëllim të vetëm kishte vënien e standardeve dhe krijimin e kushteve të volitshme për kryerjen e këtij detyrimi fetar. Kompenzimi më i çmueshëm për ne ka qenë gjithmonë buzëqeshja dhe emocionet e njerëzve të moshuar që vazhdonin të jetonin të lumtur se kanë realizuar ëndrrën e tyre, se kanë kryer haxhin. Pasi ia dolëm me sukses, pra pasi u krijuan standardet dhe u rregullua udhëtimi për në haxh, „SHARR TURISTI“ kishte kryer detyrën që nisi dhe me këtë e përfundoi projektin duke lënë kështu një rrugë të shtruar.

Valuta: Cilat ishin arsyet e mbylljes së „Sharr Turistit“?

            L. Destani: Koha ka ndryshuar, dhe me këtë edhe rrethanat: Më parë çdo klient qoftë në aeroporte, qoftë në vende të tjera nga unë apo nga nëpunësit në agjenci kërkonin ndihmë për udhëtime. Kurse tre apo katër vitet e fundit thuajse të gjitha kërkesat lidhen me punësimet. Shumë klientë të mi më drejtoheshin për punësimin e vajzës apo djalit që sapo kishin diplomuar, por që ishin pa punë. Këto kërkesa shtoheshin dita-ditës gjë që më brente vazhdimisht. Mirëpo kohëve të fundit udhëtimet janë lehtësuar shumë, falë teknologjisë dhe unë nuk shihja se mund të jepja kontributin tim në këtë drejtim me aktivitetet e agjencisë. Prandaj vendosëm që të ndërpresim këtu këtë projekt, klientët të shpërndahen nëpër agjenci të ndryshme dhe mungesa e “Sharr Turistit” nuk do të ndjehej shumë. Ndërkaq, duke qenë se për qëllim thelbësor të biznesit kemi zhvillimin, vendosëm të orientohemi kah veprimtaritë tjera tonat, veçanërisht ato që i udhëheqin djemtë e mi. Me këto veprimtari, që kanë shtrirje globale, ne mund të ndihmojmë më shumë me hapjen vendeve të punës dhe të kontribuojmë në zhvillimin e ekonomisë dhe biznesit. Ndërsa unë personalisht do të mund të përqendroj eksperiencën time në mbështetjen e djemve të mi në veprimtaritë e tyre. Pra ne me këtë veprim, po transferojmë energjinë tonë nga një biznes konvencional që ka qenë i nevojshëm dhe funksional në një periudhë të caktuar kohore, në një biznes bashkëkohor me përmasa shumë më të gjëra që paraqet mënyrën e vetme për të realizuar qëllimet që dikton e sotmja, për të vazhduar dhe rritur kontributin zhvillimor në trevat tona e gjetiu.

Valuta: Si e vlerësoni punën 20-vjeçare të “Sharr Turistit”?

            L. Destani: Puna e “Sharr Turistit” përgjatë dy dekadave mund të vlerësohet e suksesshme në disa dimensione. Dimensioni i guximit dhe aksionmarrjes në “kohëra të pakohë”. Zhvillimi i biznesit duke u ballafaquar me sfida nëpër shumë shtete, kufij dhe struktura turbulente të gati më se një dekade me radhë, duke mbajtur llogari, para së gjithash, për sigurinë fizike dhe disponimin psikik të udhëtarëve në ato hapësira dhe momente me shumë papërcaktueshmëri. Dimensioni i qëndrueshmërisë financiare, krijimit të rrjetit të infrastrukturës së përfaqësive në të gjitha trojet shqiptare dhe zhvillimit të parkut teknik me të cilin operonte agjencioni. Dimensioni social dhe bamirës i agjencisë, ku duhej mbajtur ekuilibrat e mundësive dhe nevojave, që këto të fundit gjithmonë janë shumë më të mëdha se të parat.
    Këto dimensione dhe të tjera duhej të harmonizohen dhe bashkërenditen në një sistem sinergjik që në fund të rezultojnë me sukses. Puna, përkushtimi, bashkërenditja dhe përfshirja e shumë njerëzve në këtë sinergji të sistemit ishin parimet bazë të këtij suksesi.

Valuta: Ju konsiderojnë si njeriun e parë, i cili solli trend modern në biznes, gjegjësisht ju ishit të parët që e përdorët marketingun, a është ky sekreti i suksesit tuaj si biznesmen?

          L. Destani: Asokohe kur unë kam filluar biznesin, koncepti “marketing” nuk ishte gjithaq i njohur, kjo shpesh ngatërrohej vetëm me reklamën më të thjeshtë. Marketingu më i mirë për mua ka qenë kënaqësia e klientit tim që e trajtoja me respekt dhe korrektësi. Shtresat sociale të kurbetit dhe klientët e mi kryesisht ishin njerëz me shumë peripeci, halle dhe vuajtje. Në këto rrethana ata kënaqeshin me shumë pak. Unë jam munduar që këtë t'ua ofroj dhe ata e kanë pritur shumë mirë. Më vonë fillova të praktikoj jo reklamën, por promovimin, siç më sugjeronin disa që më mirë i kuptonin këto punë dhe vërtet ndjehesha i stërplotësuar kur klientët e mi e pranonin këtë promovim. Zoti më fali sensin dhe intuitën për të qenë gjithmonë i pari që i ulja çmimet dhe e përmirësoja cilësinë e shërbimeve. Gjithmonë dëshiroja të jem në lëkurën e ndjenjave të kurbetit se si i fitonin paratë klientët e mi. Ky ishte marketingu më i madh për mua dhe mendoj se ishte çelësi i suksesit në rritjen permanente të biznesit tim. Merreni vetëm shembullin e uljes së tarifave dhe çmimeve monopole për në haxh, dikur shiteshin dy hektarë tokë për të shkuar deri në Vendin e Shenjtë, kurse sot me shumë më pak!

Valuta: Sipas juve z. Destani, cilat veti duhet t'i ketë një biznesmen i suksesshëm?

    L. Destani: Nuk ka ndonjë model teorik për biznesmen të suksesshëm, por në varësi të biznesit, ju duhet të profiloni sjelljen dhe modelin e suksesshmërisë. Fare thjesht, sipas meje, duhet të jeni i përkushtuar dhe konsekuent ndaj punës suaj, të mësoni për punën tuaj dhe ta zhvilloni gjithnjë atë, sepse asnjë biznes nuk është i përsosur, pra ju duhet të pretendoni gjithnjë për më mirë, të kërkoni këshilla nga më profesionistët, të merrni vendime racionale dhe jo emocionale në biznes dhe të përkujdeseni për “konsumatorin” tuaj (në këtë rast klientin). Nëse do të veçoja vetitë që ju i apostrofoni, atëherë këto do të ishin: përkushtimi ndaj punës dhe klientit, bëje punën që e njeh më mirë, shmangiu hilesë, bamirësia dhe ndarja e kafshatës me shumë njerëz. Në këto rrethana edhe Zoti i Madh të përkrahë, bile edhe në kohët e krizave vetëm atë e ke “partner” të sinqertë, nëse ke punuar sipas parimeve të Zotit.

Valuta: Edhe fëmijët tuaj janë të suksesshëm në veprimtarinë e tyre, a do të thotë kjo se prirjen për biznes e kanë trashëguar prej jush?

    L. Destani: Ka dashur Zoti që edhe fëmijët të qëndrojnë në rrugën e koncepteve të mia për biznes, kuptohet ata duke i zbatuar kërkesat e kohës për profesionalizëm më të madh, duke angazhuar shumë profesionistë të dëshmuar, bile me përmasa ndërkombëtare, në menaxhmentin e lartë të bizneseve të tyre, por ata mbeten vetë ideatorët dhe vizionarët autoktonë të strategjive të biznesit të tyre. Patjetër se kanë ndikuar edhe vetitë e mia aksionmarrëse. Unë kam vetëm një kërkesë prej tyre: krahas vetes, të mendojnë edhe për të tjerët në biznes dhe unë ua rekomandoj që ta bëjnë sa më shumë biznesin me njerëz dhe për njerëzit. Sot i jam mirënjohës Zotit që ato, në mundësi që të gjejnë punëtorë nga tregu global, edhe pesë herë më të lirë se nga vendi ynë, ata përsëri marrin njerëzit që kanë nevojë nga vendi ose regjioni ynë. Nuk është lehtë për këtë t'i bindim menaxherët profesionalë (amerikanë dhe gjermanë) që i shikojnë vetëm kushtet e tregut. Këto kërkesa tonat është vështirë t'i kuptojnë ata, por djemtë e mi deri tani janë të pakompromis në këtë dimension.

Valuta: Për në fund, çfarë do t'i kishit porositur biznesmenët shqiptarë?

            L. Destani: Oh, ka shumë gjëra që unë edhe i kam mësuar prej të tjerëve, por do të ndalem në disa:
-të kapen dhe të përkushtohen për punën që më së miri e njohin dhe jo të kopjojnë duke iu lakmuar fitimit të tjetrit;
-të mësojnë për biznesin e tyre, duke e zhvilluar atë dhe duke angazhuar njerëz profesionalë pranë tyre, por gjithmonë të dinë se për çështje të caktuara duhet t'i marrësh vetë vendimet;- t’u gëzohen rezultateve të partnerit, shokëve dhe miqve e jo të pengojnë njëri-tjetrin, siç ndodh zakonisht, sepse nuk mund ta kesh mirë biznesin vetëm ti, nëse të tjerët janë keq. Kjo nuk zgjat shumë;-të bashkëpunojnë me korrektësi midis tyre dhe jo me hile, sepse populli thotë “hilja-hilon” dhe të delë atje ku nuk e pret; dhe së fundi
-t'i ndihmojnë njerëzit që kanë nevojë gjithmonë sipas mundësive, duke mos harruar se ku dhe kush kanë qenë vetë para se Zoti t`ua ketë dhënë idenë dhe forcën për atë biznes.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx