E shtune, 03.05.2025, 06:01 PM (GMT+1)

Faleminderit

Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Një arterie lidhëse me atdheun

E enjte, 17.09.2009, 01:52 PM


FARUK TASHOLLI

ME TETOVARËT NË GJERMANI

NJË ARTERIE LIDHËSE ME ATDHEUN

Shënimi i 20-vjetorit të Kompanisë së Udhëtimeve “Sharr-Turist” nga Tetova e ndërmarrësit të suksesshëm shqiptar Lazim Destani, është dëshmi e një angazhimi dhe suksesi familjar, me një mision të pashmangshëm ekonomik, humanitar dhe patriotik në botën shqiptare përgjithësisht. Për më tepër, Kompania “Sharr-Turist”, tash e njëzet vjet ,është emblemë e qëndrueshme shqiptare në Europën Perëndimore.

Kur flitet për Kompaninë e Udhëtimeve “Sharr-Turist”” nga Tetova, si edhe për çdo ndërmarrje shqiptare, domosdo që imponohet edhe konteksti historik, shoqëror dhe politik. Kjo kompani u formua në fillim të rënies së botës komuniste, e cila kishte rënduar më së keqi në botën shqiptare, duke e bërë këtë popullatë të shtypur njëkohësisht dhe “apologjete” të mjerimit. Por popullata shqiptare në Maqedoni, e Malësia e Tetovës në veçanti, jo vetëm që mbijetoi, por me një sakrificë të paparë, u bë faktor i ndërrimit të jetës së vet dhe i ngritjes së fortë të ekonomisë familjare, duke gjetur hapësirat e punës në mërgim. Kjo popullatë, pos varësisë administrative, pavarësimin ekonomik nga shteti e bëri me kohë. Një pavarësimi të tillë, në përmasa më të mëdha, i priu edhe Lazim Destani duke themeluar kompaninë me emrin simbolik “Sharr-Turist”, e cila shumë shpejt u afirmua dhe u avancua në një ndërmarrje stabile dhe me ndikim të madh në jetën tonë përgjithësisht. Me këtë kompani, Lazim Destani dëshmoi cilësinë organizative në afarizëm dhe suksesin e shpejtë ekonomik. Të mos harrojmë se para këtij hapi, pas disa viteve punë në ndërtimtari Lazimi e dha me sukses provimin e vozitësit të autobusit urban. Me këtë u bë i njohur si “gastarbajter”-i parë që e kishte këtë leje dhe që punonte një punë të tillë.   Ai përpos  që çmonte shumë bukën e fituar me djersë nuk kënaqej që të vendnumëronte, por kërkonte hapësira më të  mëdha veprimi për vete dhe për bashkëvendësit. Ndërkohë, ai u zgjodh nga ana e mërgimtarëve shqiptarë edhe si këshilltar në kuvendin e komunës, ku u angazhua për çështje të të huajve në komunën e Stolbergut. Ky angazhim i tij ishte shumë dobiprurës për mërgimtarët shqiptarë. Vlen të theksohet se Lazimi arriti që mërgimtarët shqiptarë nga Jugosllavia t’i ndajë qartë nga të gjithë kombet tjera që vinin nga Jugosllavia. Duke mundësuar kështu që mërgimtarët shqiptarë të realizojnë të drejtat e tyre që ua garantonte shteti gjerman, ndërsa shteti i Jugosllavisë ishte i detyruar të participojë. Në takimin e parë që pati me përgjegjësen e departamentit për të huaj në komunë, zonjën Müler, Lazimi kërkoi që mërgimtarët shqiptarë të dallohen nga të gjithë kombet tjera që vinin nga Jugosllavia. Zonja Müler, duke shikuar listat e të huajve të regjistruar në komunën e Stolbergut,  e pyeti me habi.
- Si mund t’i dalloj unë nga kjo listë se kush është shqiptar, e kush serb, kroat apo maqedon?
Lazimi ia ktheu:
- Shumë lehtë. Vetëm shikoni mbiemrat. Ata mbiemra që nuk mbarojnë me “viç” apo me “ovski” të gjithë janë shqiptarë. Ne vërtet vijmë nga i njëjti shtet por jemi komb tjetër me gjuhë të veçantë dhe me tjera tradita dhe trashëgimi kulturore. Neve duhet të na sigurohet mësues për fëmijët tanë në gjuhën amtare, e gjuha jonë amtare është gjuha shqipe, jo serbokroatishtja. Prandaj edhe duhet të dallohen qartë mërgimtarët shqiptarë nga ata të kombeve tjera përndryshe ne nuk do ta realizojmë të drejtën tonë për shkollim të fëmijëve tanë. Kur zonja Müler ktheu shikimin kah lista e të huajve, vërejti se lista ishte me mbi tetëdhjetë përqind me mbiemra pa “viç” dhe “ovski”. U bind në kërkesën e Lazimit dhe i premtoi se kjo çështje do të shqyrtohet në organet e komunës dhe se do ta lajmërojë për përgjigjen. Nuk kaloi shumë kohë dhe mërgimtarëve shqiptarë iu mundësua që për fëmijët e tyre të kenë mësues për gjuhën amtare. Me këtë filloi edhe realizimi i të drejtave të mërgimtarëve shqiptarë ashtu siç ishin për të gjithë “jugosllavët” tjerë.
    Se Lazim Destani ishte realizues i ideve që shumëkush i lakmonte, dëshmon edhe kompania “Sharr –Turist”  që për vite të tëra u bë arteria më besnike e lidhjes së mërgatës shqiptare me atdheun, duke ndihmuar hallexhinjtë e shumtë të shpërndarë nëpër botë, të udhëtojnë, të kontaktojnë dhe t’i ndihmojnë familjet e tyre. Nëse kthehemi vetëm dhjetë vite më përpara, “Sharr-Turistin” do ta shohim jo vetëm si kompani ekonomike, por edhe një përfaqësi humanitare dhe patriotike në Europë. Se kjo është e vërtetë, po ndalemi vetëm në disa shembuj: Në një Maqedoni që po formohej si shtet dhe në një Kosovë të robëruar egërsisht, për t’i ndihmuar bashkatdhetarët, ndërhynte suksesshëm “Sharr-Turisti”. Ta zëmë, aso kohe me Kosovën kur nuk funksiononte  si duhet as posta, përmes “Sharr-Turistit”, njerëzit e mërguar dhe që po mërgonin vazhdimisht, financat e para i dërgonin te familjet e tyre, letrat e para po ashtu, dokumentet e nevojshme e kështu me radhë. Në favor të humanitetit dhe patriotizmit, ndërmarrësi Lazim Destani, bëri edhe punë ilegale dhe të dënueshme nga shteti serb. Por fatmirësisht, ai i kaloi edhe këto vështirësi. Ai në rastet më të rënda të bashkatdhetarëve, si ishin rastet e vdekjeve në familje, iu siguroi udhëtim të sigurt deri në vendlindje. Por edhe diçka: Nuk është i vogël numri i atyre njerëzve që edhe pa pasaporta iu kanë kthyer familjeve të tyre po përmes “Sharr-Turistit”. Nuk është i vogël as numri i atyre të rinjve që të ikur nga ushtria jugosllave po ktheheshin pa asnjë dokument, pikërisht përmes aeroportit të Prishtinës për t’u bërë ushtarë të një ushtrie kombëtare, si ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në aeroportin e Prishtinës, të rrethuar  e të kontrolluar nga forcat policore serbe, vetë Lazim Destani u priu grupeve të vogla të të rinjve, duke i kamufluar ata si pjesëtarë të ekuipazhit të fluturimeve e raste të ngjashme. Po kështu, jo pak veprimtarë e intelektualë shqiptarë, e zhvilluan aktivitetin e tyre në mërgatë, pikërisht përmes “Sharr-Turistit”.
    Tash kur kjo kompani i ka bërë njëzet vjet jetë e veprimtari, shqiptarët e mërguar  i lidhin kujtime të shumta me të, duke i ndërlidhur edhe sukseset e tyre personale. Sidomos shqiptarët në Gjermani, do ta kujtojnë me respekt zyrën e kësaj kompanie në Dyseldorf dhe në Stolberg, ku përpos udhëtimeve, dërgimit të parave në familjet e tyre dhe pranimit të dërgesave të ndryshme nga atdheu, aty e kishin edhe një pjesë të kulturës kombëtare, ku gjendeshin libra dhe audio e videoprograme me përmbajtje artistike.
    Marrë përgjithësisht, në punën e shkurtër 20-vjeçare, “Sharr-Turisti” ka bërë një emër të madh dhe të qëndrueshëm, jo vetëm duke u radhitur, por edhe duke ua kaluar shumë kompanive simotra në Europë që kanë traditë shumëvjeçare.     

(19.12.1997)


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx