Faleminderit
Mexhid Yvejsi: Mulla Mustafa Hoxha
E enjte, 24.09.2009, 06:24 PM
![]() |
Mulla Mustafa Hoxha me hoxhallarë veprimtarë… |
Nga Mexhid YVEJSI, Gjakovë
Mulla Mustafa ishte një hoxhë arsimdashës, liridashës, kuvendar, atdhetar, komandant e luftëtar…
“…Pasha këtë Kur’an, ai që e lëshon Vatanin, ai nuk ka pse me rrnue….
Me rrnue duhet këtu, ku e kemi shtëpinë …
Zoti na do ma shumë këtu…”
- Mulla Mustafa Hoxha
Mulla Mustafa Hoxha lindi në vitin 1915, në katundin Nishefc, në Malësin e Gollakut. Pasi kreu mësimet fillestare në gjuhën serbe, ndoqi mësime fetare te Mulla Ahmed Mardoçi dhe te Haxhi Efendi Ibrahimi. Ishte nxënësi më i mirë në Medrese, kurse më i dalluari në grupin ku mësohej për hivzë, pra, ku mësohet Kur’ani i shenjt përmendësh…
Në vitin 1936, kur u kthye nga shërbimi ushtarak, të cilin e kishte krye në Maribor, të Sllovenisë, Mulla Mustafa Hoxha filloi të punojë si mësues në mejtepin e Xhaminë së katundit Brainë….
Në rrethana shumë të vështira fetare, kulturore, ekonomike, shoqërore, politike, që jetonin shqiptarët në “kohën e Krajlit” (Ish-Mbretëria e Jugosllavisë), në kohën kur një shtet i tërë përpiqej të shpërngulë sa më shumë shqiptarë muslimanë për në Anadoll të Turqisë, si shumë hoxhallarë të tjerë, në veçanti dallohen hoxhallarët e Gjakovës, të cilët e penguan shpërnguljen e shqiptarëve prej Kosovës, edhe Mulla Mustafa Hoxha dallohet për kontributin e tij në pengimin e shpërnguljes të shqiptarëve nga Kosova…
Kanë mbetë të shënuara, të paharruara, fjalët e hoxhës, Mulla Mustafës, të mbajtura në xhami, nga ku iu drejtue popullit dhe ndër të tjera, tha:
“Po flitet se populli jonë do të detyrohet me shkue në Turqi. Ju xhemat i nderuem, ju vllazën, ju do të qëndroni në shpijat tueja, ne nuk dojmë ta ndrrojmë asnji pllambë të kësaj toke, me asnji premtim…
Prandej, këtu në Xhami, po ju ftoj të betohemi në emën të Zotit, se me asnjë kusht nuk do t’i lëshojmë trojet tona…
Ju m’i keni besue fëmijët që t’i mësojë…
Pasha këtë Kur’an, ai që e lëshon Vatanin, ai nuk ka pse të rrnojë. Me rrnue duhet këtu, ku e kemi shpinë…Zoti na do ma shumë këtu…”.
Ligjëratat e tij, nëpër oda të burrave e nëpër xhami, për çështje arsimore, edukative, shoqëore, fetare, politike e kombëtare dëgjoheshin me vëmendje, me kënaqësi, sepse ishin të sinçerta, të frymëzueshme dhe në jetë të zbatueshme…
Mulla Mustafa Hoxha, edhe në “kohën e krajlit”, edhe në “kohën e Shqipnisë” , gjatë sundimit të Italisë e Gjermanisë, por edhe në “kohën e partizanit” luftoi, u përpoqë, për hatër e t’mirën e t’Vatanit …
Kështu, me 29 shtator 1944, në vendin e quejtur karaulla, në katundin Brain, e formoi batalionin antifashist “Meto Bajraktari”. Ky njësit luftarak, me të cilin komandonte hoxha, Mulla Mustafa Hoxha, hyri në histori sepse e shpëtojë popullsinë shqiptare nga zhdukja që synonin bullgarët e çetnikët në nëntorin e vitit 1944, në rrethin e Llapit…
Në rrethin e Llapit e në trevën e Gallapit, Mulla Mustafa Hoxha u vue në krye të Këshillit Antifashist, por ai nuk ishte komunist…! Ai thoshte:
“Mos mendoni se neve jemi komunist! Së pari ju garantoi se:
Unë nuk jam komunist, as kurrë për komunizëm askush nuk më ka pyetur e as që dikush më ka imponue diçka të tillë. Unë kam dalë në mal si liridashës dhe si njeri që i kam pa tmerret e gjermanëve nazistë me 3 maj 1941, në tanë Malësinë e Gallakut e Llapit…
Sot mbi 40 mijë shqiptarë të Llapit janë në rrezik, ju vendosni për fatin e tyne…”
Pas Luftës së Dytë Botërore, Mulla Mustafa Hoxha, përveç detyrave zyrtare që kishte, ai u angazhue në disa lëmi, por ajo që vlenë të shënohet ishte përpjekja e tij e vazhdueshme në pengimin e realizimit të planeve të Qeverisë Jugosllave për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi…
Në pengimin e realizimit të këtyre planeve shfarosëse, Mulla Mustafa kishte përkrahjen edhe të shumë hoxhallarëve atdhetarë në rrethin e tij, si: Mulla Idrizin e Ballabanit, Mulla Hashimin e Tërnavës, Mulla Ismailin e Bervenikut, Mulla Hamitin e Majancit, Mulla Ibrahimin e Llozhancit, Mulla Shabanin e Pollatës, Mulla Aliun e Bradashit e shumë hoxhallarëve të tjerë në çdo anë të Kosovës…
Në odën e Mulla Mehmet Bajramit, afër Xhamisë së Dumnicës, Mulla Mustafa tha:
“Asnjë shqiptarë të mos mashtrohet, të mos frikësohet, për t’u shpërngulur…”
Kështu fliste, kështu popullin e porosiste Mulla Mustafa Hoxha, kudo që shkonte dhe në fund me këto fjalë, fjalën e përfundonte:
“ Shpërngulja në Turqi edhe ndaj vorreve t’parëve asht tradhti. Neve si musliman shqiptarë nuk guxojmë t’i lëshojmë këto troje, se Zoti do t’na dënoj në këtë botë edhe në botën tjetër…”
Mulla Mustafa Hoxha ndrroi jetë në vitin 1995, në moshën tetëdhjetë vjeçare, duke lanë emër e vepra në historinë shqiptare…
Komentoni
Artikuj te tjere
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Prej gjakut të sharraxhijve...
Shaban Peraj: Njëvjetori i vdekjes së Fiqri Hasanagës
Milazim Kadriu: Poezi për dëshmorët e kombit (X)
Mexhid Yvejsi: Xhafer Deva
Halit Bogaj: Azem Bejta
Fotaq Andrea e Dritan Muka: Një kryevepër e Petrarkës në Bibliotekën e Kastriotëve
Etien Dilo: Një personalitet i politikës dhe i kulturës shqiptare
Ardit Bido: Abetari 1882; Manifesti “i harruar” i arvanitasit Kullurioti
Baki Ymeri: Shqiptar i kulluar që i shndrisinin sytë nga atdhedashuria
Mexhid Yvejsi: Mulla Hasan Masurica
Halit Bogaj: Selman Bala dhe Adil Cena Dugolli
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Një arterie lidhëse me atdheun
Milazim Kadriu: Fitorja në betejën e Kaqanollit ishte një nga fitoret më të mëdha të UÇK-së
Baki Ymeri: Zef Berlini i Shipkovicës, apo dr. Sefer Abdija
Halit Bogaj: Sali dhe Feriz Krasniqi
Granit Zela: Vëllai i Nënë Terezës, kapiten i Mbretit Zog
Lek Pervizi: Intelektuali i shquem shkodran, i burgosun politik, Prof. Guljelm Deda
Mexhid Yvejsi: Sami Frashëri
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Xhamia e Leverkuzenit, vatër fetare e kombëtare
Përkujtohet ikona e demokracisë, Azem Hajdari