E shtune, 03.05.2025, 06:09 PM (GMT+1)

Faleminderit

Halit Bogaj: Selman Bala dhe Adil Cena Dugolli

E premte, 18.09.2009, 02:43 PM


SELMAN BALA DHE ADIL CENA DUGOLLI

Nga Halit Bogaj

Edhe Selman Bala dhe Adil Cena Dugolli bënin pjesë në Elitën e rapsodëve tanë më të mëdhenj popullorë. Bashkë me Rizah Bllacën dhe Sali dhe Feriz Krasniqin përbënin Grupin  e këngëtarëve më të shquar të kohës, duke qenë ndër më të kërkuarit nëpër dasma, ndeja dhe ahengje të ndryshme shqiptare nëpër të gjitha viset ku jetonim ne/në Kosovë dhe në trevat e tjera ish jugosllave/.Duke kënduar jepnin kontribut të madh edhe në zgjimin e ndërgjegjes sonë kombëtare tek masat e gjera popullore dhe tek rinia jonë e cila edhe sot ruan traditat dhe zakonet tona popullore, herëherë duke i interpretuar dhe riprodhuar këngët e tyre më të bukura nga folklori ynë i lashtë dhe i ruajtur brez pas brezi deri në ditët e sotme.

Selman Bala dhe Adil Cena-Dugolli i përkisnin Trevës së Drenicës në të cilën luftohej përherë për lirinë e këtij vendi të lodhur nga beteja të shumta dhe të njëpasnjëshme.Në Drenicë tamam kur pushonte një pushkë fillonte tjetra, prandaj këtyre ngjarjeve dhe heroizmave patriotike u këndonin Selman Bala dhe Adil Cena-  Dugolli /dy atdhetarë të mëdhenj të çështjes sonë të pazgjidhur kombëtare/. Se çfarë ndikimi kishin  ata dy me këngët e tyre të fuqishme, se si e ndeznin atmosferën dhe e mobilizonin rininë  dhe dëgjuesit tjerë për veprime të ndryshme, tregon edhe fakti  se ata ndikuan drejtpërrdrejtë edhe tek më të afërmit e tyre të dashur.Si produkt i këtij ndikimi ishin edhe bijt e dy rapsodëve: Enver Dugolli /i biri i Adilit/i  cili i kaloi disa vite në burgjet serbe dhe Abedin e Hajredin Bala – bijt  e shtrenjtë të Selmanit dhe të këtij populli / Abedini i vrarë në burgjet serbe, kurse Hajredini i dënuar në Hagë si përfaqësues i UÇK-së nga radhët e saj të para./ Pra se kush ishin dy rapsodët tanë për të cilët bëhet fjalë në këtë shkrim tregon edhe ndikimi i pakontestuar që patën ata tek pasardhësit e tyre trashëgimtarë të idesë së lartë çlirimtare, duke i çelnikosur ata edhe në luftën frontale me armikun tonë shekullor. Se sa i gjason fëmija prindit të tij tregon edhe e vërteta se Abedini dhe Hajredini ‘’ia kishin këputur kokën’’siç thotë populli babait të tyre .. Abedinin e kishte pasur përherë afër zemrës dhe se ai më herët  kishte rënë në duart e armikut dhe ishte vrarë prej tij dhe që kishte kënduar krejt si Selmani.Gjithashtu duhet theksuar edhe faktin se Selman Bala pas vrasjes së djalit në burgjet serbe/të cilin e kishin likuiduar pas dënimit me burg të gjatë / më kurrë nuk kishte parë ditë të bardha dhe me vite të tëra nuk e kishte kaluar pragun  e shtëpisë. E kishin vrarë dhe prapë duke u bërë qesharkë si gjithmonë ,kishin  thënë se ‘’Ai e kishte varur veten’’, ashtu siç thoshin edhe për dhjetra e dhjetra djem tanë që i sillnin nga shërbimi ushtarak dhe nuk i lejonin prindërit  që t’i hapnin arkivolet e tyre!Emrat e Selman Balës dhe Adil  Cenës ishin të respektuar pa masë, prandaj ata priteshin dhe përcilleshin me nderime të mëdha kudo që shkonin për të kënduar.Repertori i tyre përfshinte sidomos këngë patriotike nga periudha të ndryshme të historisë sonë të përgjakshme por edhe të lavdishme. Kur këndonin , zëri i tyre jehonte shumë larg dhe kuptohej lehtë që ishin ata, duke u bërë sinonim i një krenarie të fuqishme kombëtare që i kishte rrënjët e thella në popullin tonë dhe në gjurmët e tij tradicionale.Ata na kanë lënë një varg këngësh të çmuara nga të  cilat duhet dalluar: Imer Popovcin, Dan Darofcin, Ahmet Shtimen, Bajram Begun, Avni Rrustemin, Osman Pashën n’ Pleme t’ vogël, Azem Bejtën, Selman Kadrinë e shumë e shumë këngë të tjera të cilat i kënduan gjatë një periudhe të begatshme në të  cilën bënim pjesë edhe ne si dëgjues të pasionuar të këngëve të tyre aq melodike dhe të paharruara, të cilat na lenin mbresa të shumta dhe që kanë mbetur një thesar i pakrahasuar deri në ditët tona.Për këngët që i këndonin këta dy rapsodë të shquar shpesh kishte folur edhe i madhi Sali Bajrami/Krasniqi/ i cili kishte thënë se këngët që i interpretonin Selman Bala dhe Adil Cena ishin shumë të vështira për t’u kënduar nga dikush tjetër dhe anasjelltas.Dhe se ishte ashtu tregon fakti se as Salihu as Ferizi nuk mund ta këndonin aq bukur Imer Popovcin si Selmani dhe Adili, por as Selmani dhe Adili Kamer Loshin sikur Salihu dhe Ferizi.Si përfundim duhet theksuar edhe diçka tjetër se Selman Bala, aq sa ishte i madh në të kënduar po aq madhështor ishte edhe kur fliste nëpër ndeja dhe ahengje të ndryshme. Me fjalë të tjera ishte siç thotë populli’’Shahir e shkuar shahirit’’, i lindur në  kuptimin e plotë të  fjalës si i tillë. Anekdotat e tij të shumta, të cilat siç është ajo shprehja’’i nxirrte nga xhepi’’ mbahen mend edhe sot dhe përfliten nëpër vende dhe biseda të ndryshme, të cilat kanë mbetur vlera të larta kulturore nga tradita jonë e asaj fushe. Dhe çuditërisht , ne qeshnim me gjithçka që na tregonte , madje madje nganjëherë kishim dëshirë që ta dëgjonim qoftë vetëm duke folur, përkatësisht duke na treguar diçka shumë interesante . Dhe njëmend ishte çudi se prej nga i rridhnin të gjitha ato fjalë dhe anekdota dhe ku e merrte atë force aq të pashterrshme për t’i treguar ato tamam  ku e kishin vendin ngase anekdota është interesante vetëm nëse tregohet në momentin e duhur dhe se ato nuk guxojnë të përdoren vend e pa vend.


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx