E hene, 29.04.2024, 09:07 AM (GMT+1)

Faleminderit

Fotaq Andrea e Dritan Muka: Një kryevepër e Petrarkës në Bibliotekën e Kastriotëve

E shtune, 19.09.2009, 10:00 PM



Me rastin e 539 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu

NJË KRYEVEPËR E PETRARKËS NË BIBLIOTEKËN E KASTRIOTËVE

Nga Fotaq Andrea e Dritan Muka

Zbulimin e madh e ka bërë që në vitin 1972 Robert G. Calkins, Profesor i Historisë së Artit Mesjetar i Universitetit Cornell të Itakës në Amerikë. Është fjala për kryeveprën e kryepoetit italian Francesko Petrarka “Trionfi, Canzoniere – këngë e sonete”, që përmban në dy fletë të saj emblemën e famshme të Kastriotëve.

Vepra, është një dorëshkrim i rrallë fjorentinas, shkruar sipas studjuesve rreth viteve 1465-1470. Përmban 188 fletë në pergamen dhe ndodhet në fondet e Bibliotekës së mirënjohur të Universitetit Cornell që nga viti 1902, kataloguar me numër MS. 4648 n°.24 +. Shkruar në italisht, ky kodik ka në përbërje të tij 39 fletë nga vepra “Trionfi”, 143 fletë nga vepra “Canzoni” dhe 6 fletë Indeks. Studjuesit Fowler, Ricci, Wilkins, Ullman, Calkins etj. shohin në këtë vepër dorën e iluminatorit të mirënjohur mesjetar Francesco d’Antonio de Cherico, ndërsa skribi apo shkruesi është Nicolous Riccine.

Faqja e parë, në gërmën hyrëse të “Triumfit”, paraqet në miniaturë, dhe me shije të veçantë artistike, poetin Petrarka duke ëndërruar, e në krah të tij, përsëri Petrarkën në moshë të pleqërisë mbështetur mbi paterica. Poshtë tekstit, në mes të faqes, katër ëngjëj të bukur fëmijërorë, apo eros, mbajnë emblemën e shenjtë të Kastriotëve. E njëjta emblemë, mbajtur përsëri nga engjëjt, paraqitet me stilizim po aq mjeshtëror edhe në faqen që çel veprën “Canzoni”, ku në gërmën fillestare të tekstit, këtë herë Petrarka paraqitet me libër në duar.

Ndonëse pjesa e djathtë e emblemës shfaqet, në të dyja fletët, e dëmtuar rëndë, përsëri Profesor Calkins sheh në të emblemën e Skënderbeut dhe e mbështet argumentimin e tij shkencor tek pjesa e majtë e emblemës, mëse e qartë në të dyja rastet : në sfond të kaltër, një luan i artë, ngritur në këmbë, mban në putrën e djathtë një shpatë të argjendë dhe mbi të, ndodhet simboli i artë i zambakut anzhuin. Këtë element të rëndësishëm të emblemës, ai e ka përqasur me emblemën kastriotase të Librit të Uratave, duke arritur në konkluzionin se Libri i Petrarkës “duhet të ketë qenë me siguri në zotërim të Skënderbeut ose të birit të tij Gjonit”.

Një simbol tjetër i veçantë shfaqet në emblemë në mënyrë domethënëse : gjurma e  një ylli gjashtëcepësh të artë në sfond të kaltër, gati të shuar nga mpleksje e fortë e ngjyrave. Kjo gjurmë paralajmëron aty praninë e dikurshme të shqiponjës dykrenore, dhe përbën, të themi, majën e ajsbergut të saj përpirë nga koha. Në vend të shqiponjës, për fat të keq, na shfaqen këtu vetëm gjurma njollash, që flasin për dëmtim a për ndërhyrje të jashtme brutale (faqja B).

Faqja A
Faqja A
Duke dashur të thellohemi në argumentat e Profesor Calkins, u lidhëm me konservatorin e Bibliotekës së Universitetit të Cornellit, i cili na ndihmoi mjaft me të dhëna konkrete, si dhe kërkuam gjurmët e botuara e të pabotuara të Librit të Uratave për të cilën kanë folur edhe studjuesit tanë, Prof. Kristo Frashëri e Dr. Moikom Zeqo.

Me të na rënë në dorë emblema e Librit të Uratave, (këtu në krah) të cilën nuk e kishim parë të botuar, kuptuam zbulimin e madh, lidhjen logjike, shkencore e mahnitëse që kishte bërë prof. Calkins midis emblemës kastriotase të Librit të Uratave dhe emblemës po kastriotase të Librit të Petrarkës. Simboli i të njëjtit luan, me të njëjtin kompozim e pozicion, shfaqet qartë në dy burime krejt të ndyshme nga njëri-tjetri, njëri me tematikë fetare dhe tjetri me tematikë laike e letrare. Veçse në Librin e Uratave, luani heraldik kastriotas qëndron denjësisht e krenarisht përballë shqiponjës dykrenore kastriotase me yllin gjashtë cepash mbi krye, ndërsa në Librin e Petrarkës, i njëjti luan nuk bën gjë tjetër veçse paralajmëron fisnikërisht praninë e dikurshme të së njëjtës shqiponjë dykrenore, mjerisht viktimizuar nga koha pas shekujsh ekzistence.

 

Faqja B
Faqja B
Tek siguruam dy burime për të njëjtën emblemë kastriotase, dhe duke dashur t’i shohim ato në lidhje të ngushtë me njëra-tjetrën, na ra dukshëm në sy se luani heraldik i emblemës së Kastriotëve kishte lidhje të ngushtë me luanin heraldik të emblemës së Muzakajve dhe, më thellë në historinë tonë, me luanin e emblemës së Skurrajve, por jo me luanin heraldik të emblemës së Topiajve, i cili na paraqitet në pozicion madhështor të vithisur, me kurorë e pendë. Madje, në bazë të shkencës heraldike, vumë re se, ndryshe nga luani i Topiajve, ky simbol tek emblema kastriotase është luaneshë, domethënë është i zhveshur nga atributet mashkullore : është pa krifë, pa qime në putra, pa vergë, e mbi të gjitha me trup të hajthëm e të zgjatur. Në heraldikën evropiane na rezulton të mos ketë asnjë rast të ngjashëm me luaneshën kastriotase, madje edhe njëfarë luani bask, me shpatë e në këmbë, është krejt i ndryshëm për nga kompozimi e paraqitja.

Dr. Zeqo na siguron, nga ana tjetër, për dy raste të shfaqjes së emblemës kastriotase me shqiponjë e luan shumë vite pas vdekjes së Heroit dhe larg truallit kombëtar. Njëra emblemë ndodhet në monumentin që Isabela Kastriotit i ngrit të shoqit Guido Ferramosco në Montecassino dhe tjetra në varrin e një pasardhësi të Skënderbeut në vijë femërore Giusepe Felice Kastriotit në Leçe të Puljes (Itali). Përshkrimi që studjuesi pasionant shqiptar u bën këtyre emblemave është i ngjashëm si dy pika uji me emblemën e Librit të Uratave dhe me emblemën e Librit të Petrarkës : shqiponjë bizantine me dy krerë e me dy kurora princërore, në fushë të kaltër, nga njëra anë, dhe luan me shpatë e me lule zambaku, nga ana tjetër. Pra kemi pikë për pikë të njëjtën emblemë kastriotase, por në katër burime të ndryshme, të cilat nuk na rezultojnë aspak që të jenë variante, por janë shëmbëlltyra të njëra-tjetrës.   

Përgjithësisht, është thënë se Skënderbeu e huazoi emblemën e tij nga Muzakajt, duke i bërë ndryshime të dukshme. Nga ana tjetër, në veprën madhore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Histori e popullit shqiptar, vëll. I, 2002, nënvizohet : “Gjergj Kastrioti Skënderbeu mëtonte se ishte trashëgimtar i ligjshëm i zotërimeve të Topiajve e të Balshajve dhe, si për të theksuar këtë, i shtoi emblemës së familjes edhe simbolet e këtyre dy familjeve, luanin dhe yllin” (nënvizimi është i yni, F.A. e D.M.). Rrjedhimisht, del se simboli i luanit (apo luaneshës) është shfaqur domosdoshmërisht në emblemën kastriotase gjatë kohës sa ishte gjallë Skënderbeu. Dhe ka vijuar më tej përtej detit, tek simbolet e pasardhësve kastriotas.

Për mendimin tonë, kjo tezë, që ka të bëjë me aleancat familjare, politike, ushtarake e ekonomike të familjeve aristokratike shqiptare, ka një rëndësi të madhe për të përcaktuar në kohë periudhën e shfaqjes së Librit të Uratave dhe të Librit të Petrarkës. Gjin Varfi në librin e tij “Heraldika shqiptare” vë në dukje se emblema e Gjergj Kastriotit me shqiponjë (ne do shtonim nga ana jonë edhe me luaneshë) shfaqet për herë të parë në Librin e Uratave, që iu dhurua Skënderbeut nga Alfonsi V, mbret i Napolit me rastin e nënshkrimit të traktatit të Gaetes më 26 mars 1451. Kurse studjuesi i mirënjohur i emblemave mesjetare J.J.G. Alexander, Profesor i Universitetit të Manchesterit, në veprën e përbashkët me Prof. A.C. de la Mare “The italians Manuscripts in the library of Major J.R.Abbey” - ku ka botuar në pesë faqe katalogimin e Librit të Uratave dhe emblemën e Skënderbeut -, shpreh mendimin se ky libër mund t’i përkasë vitit 1480. Duke prezantuar në mënyrë të hollësishme Librin e Uratave, Prof. Alexander thekson se kodiku, (me 214 fletë, në latinisht e pergamen, dhe me mjaft ndryshime, fshirje e shtesa) “mund të ketë qenë pronësi e Gjonit, të birit të Skënderbeut, mbrojtësit të Shqipërisë kundër turqve. Pas vdekjes së Gjergjit më 1468, Andronika Komnena – Donika Kastrioti – dhe i biri u thirrën në Napoli nga mbreti Ferrante. Më pas, Uratat kaluan në përdorim françiskan”. Dhe më tej, autori vijon në mënyrë të saktë e të prerë : “Nga viti 1544, apo ndoshta pak më parë, manuskriti ka qenë në zotërim të familjes së kontëve Capua dhe Altavilla”. Këtë e vërteton me shënimet në fletët 203-214 që përbëjnë pjesën shtojcë të manuskritit origjinal, ku datat e lindjes së pinjollëve të këtyre dy familjeve fisnike italiane shoqërohen në këtë shtojcë me emblemat e ndryshme të familjeve Capua, Altavilla, Orsini, Margaritta Ruffo-s, princeshës së Silës apo gruas së D.J. Fabricio di Capua-s.

Pra, studjuesit anglezë janë unanimë kur theksojnë se të dy librat, si “Uratat” ashtu dhe “Petrarka”, kanë qenë që në fillim në zotërim të familjes së Kastriotëve dhe më pas, kanë mërguar në Itali, me mërgimin e të zotërve të tyre, Donikës e Gjonit. Veçse për ta, koha e shfaqjes së këtyre dy librave është e ndryshme : Libri i Petrarkës shfaqet në vitet 1465-1470, dhe Libri i Uratave në vitin 1480. Si historianë të artit të manuskriteve, këto përcaktime kohore ata i kanë bërë kryesisht në bazë të përqasjeve me kodikë të tjerë të po kësaj periudhe.


Libri i Uratave
Mirëpo, duke ndjekur pistën e historiografisë sonë, vëmë re se në morinë e simboleve të ndryshme kastriotase, të përkrenares me kokë dhie, të Diellit e të simboleve pellazgjike, të luanit heraldik evropian, të zambakut anzhuin, etj. shqiponja dykrenore bizantine me yllin me gjashtë cepa mori përparësi e mëvetësi me vulën e madhe të Skënderbeut përdorur “për herë të parë në letra që janë shkruar gjatë mesit të viteve ‘50 të shekullit XV” (Histori e popullit shqiptar, f.435). Nga ana tjetër, vajtje-ardhjet e shpeshta të Skënderbeut dhe të ambasadorëve të tij në Itali në vitet 1451-1466, fama dhe lavdia e Heroit në rang evropian gjatë po kësaj periudhe, vetë formimi i tij i gjerë kulturor humanist, si dhe në radhë të parë motivet e fuqishme politike, ushtarake, etnike e ekonomike flasin për atë që Skënderbeu i përdori, gjatë gjithë kohës, simbolet e tij me kuptim shumë të thellë, e jo thjesht kancelaresk apo luftarak. Nëpërmjet këtyre simboleve, ai bëri me mjeshtëri një lidhje të fuqishme organike, politiko-historike, me lashtësinë dhe vazhdimësinë e etnisë shqiptare, me Ilirinë, Krishtërimin, Bizantin dhe Evropën, për të kristalizuar e formuar kështu shtetin shqiptar. Pra, do të ishte disi e vështirë të pranohej që këto vepra madhore si Libri i Uratave dhe Libri i Petrarkës të kenë qenë në bibliotekën kastriotase vetëm pas vdekjes së Skënderbeut apo t’i jenë përkushtuar të birit, Gjonit, me synimin thjesht fisnik për të përjetësuar simbolet kastriotase, kur dihet që ky, në atë kohë, ishte tepër i mitur.

Nga ana tjetër, historia ka pagëzuar si “Codex Scanderbegus” enciklopedinë e famshme të shekullit XV që ndodhet në bibliotekën e Vajmarit, Vjenë, edhe pse në të nuk ndodhet asnjë portret apo emblemë kastriotase. Ky kodik mbahet se i është bërë dhuratë Skënderbeut nga mbreti Ferdinand i Aragonës. Dhurata të tilla ishin tepër të zakonshme e kuptimplota në Mesjetë, dhe nuk përjashtohet në këtë rast mundësia që si Libri i Uratave ashtu edhe Libri i Petrarkës t’i jenë bërë dhuratë Heroit gjatë kohës që ai po i bënte shërbime të mëdha Evropës me kreshnikëritë e veta.

Emblema e Muzakajve
Emblema e Muzakajve
Duke gjurmuar në veprën iluminatorit të njohur Francesco d’Antonio de Cherico, autor i ilustrimeve të Librit të Petrarkës me emblemën e Kastriotëve, vumë re një fakt tepër domethënës : ky mjeshtër i njohur i Firences, që mbante lidhje me familjen fisnike Medicis dhe Dukën Urbino, ka realizuar, krahas “Urbino Bible”, “Codice Trivulziano” e “Longleat Virgil” edhe ilustrimin e librit “Jeta e Karlit të Madh”, më 1461, libër tepër i vyer për kohën, që i është bërë dhuratë mbretit francez Luigjit XI, duke pasur në hyrje të tij pikërisht emblemën e këtij mbreti. Mund të konkludojmë atëherë që edhe Libri i Petrarkës t’i jetë bërë dhuratë Skënderbeut, po gjatë kësaj periudhe, duke e nderuar atë me bukurinë e emblemës kastriotase realizuar nga autori i mirënjohur në një kryevepër të poetit madhështor. Por ndërsa Biblioteka e Luigjit XI, që numëronte në atë kohë rreth 800 kodikë të mrekullueshëm, do të përbënte bërthamën e ardhshme të Bibliotekës së Francës, kodikët e Bibliotekës së Skënderbeut, - nga të cilët njohim deri më sot Codex Scanderbegus, Librin e Uratave dhe Librin e Petrarkës,  do të mërgonin, pas vdekjes së tij, në dhé të huaj, do të zotëroheshin nga duar të huaja, dhe rrjedhimisht do të njihnin ndryshime, bastardime, fshirje e gjymtime, duke humbur kështu identitetin fillestar e origjinal. Shkenca heraldike na mëson këtu se historiku i manuskriteve është i tillë që nuk përjashton luftrat politike e ideologjike, përplasjen e prirjeve dhe shijeve të kundërta, që sillnin detyrimisht rrënimin masiv të kodikëve ose dëmtim të pjesshëm brenda tyre. Fatmirësisht në Librin e Petrarkës – të cilin po ia bëjmë të njohur sot lexuesit për herë të parë - luanesha kastriotase arriti më në fund të shpëtojë prejardhjen, identitetin dhe vetë historinë e dhimbshme të këtij kodiku të shenjtë.

Në mbështetje të tezës sonë se Libri i Petrarkës mund të jetë realizuar rreth viteve 1460, vjen edhe studimi i Prof. Ilona Berkovitz e Akademisë hungareze të Shkencave, e cili ka analizuar që më 1964 fondin e Bibliotekës së Mattia Korvinos (Corviniusit), birit të Huniadit të madh, mikut e bashkëpunëtorit të Skënderbeut në luftën e përbashkët kundër sundimtarëve osmanë. Berkovitz, duke studjuar veprën e autorit Eusebius (Eusebius Pamphili) nga koleksioni i Corviniusit nënvizon se këto dorëshkrime janë të përngjashme me punimet e mjeshtrave fjorentinas të viteve 1460-1470. Pikërisht këtë tezë merr për bazë Prof. Calkins kur thekson se dorëshkrimet e kësaj epoke, përhapur në krejt Italinë e shekullit XV, përmbajnë elementë dekorativë që afrohen shumë në stil e në ngjyra, si dhe një numër të madh emblemash rrethuar nga kurora. Dhe është periudha kur vepra e Petrarkës njohu lulëzim të veçantë nëpërmjet manuskriteve fjorentinase, e ndër to edhe punimet e Francesco Antonio de Chericos, një pjesë e të cilave ndodhen në koleksionin “The Fitzwilliam Museum”. 

Nga ana tjetër, është me interes të theksojmë se Prof. Robert G. Calkins, në prezantimin e veprës madhore të Petrarkës “Trionfi e Canzoni”, nuk mungon të vërë në dukje se ndërtimi kompozicional i emblemës kastriotase është i tillë që rrethohet nga dy kurora në formë krahësh, dhe se këto kurora “duket sikur e mbështjellin vetë Shqipërinë me përkujdesje atërore”. Kurse në katalogun “The Cornell Library Journal” të vitit 2003, tërhiqet vëmendja se midis 130 kodikëve të Mesjetës e Rilindjes që ruhen në Cornell U,  Libri i Petrarkës është një prej dorëshkrimeve më të bukura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë katalog parashtrohet prejardhja e parë e mundshme e manuskritit të rrallë, duke theksuar se ka qenë në zotërim të Gjergj apo Gjon Kastriotit, dhe prej tyre ka kaluar në duart e Abatit Ferdinand Ughelli (1595-1670), për të përfunduar pas pesë a gjashtë duarsh, në zotërim të Willard Fiske, konservatorit të parë të Bibliotekës Cornell (1880), i cili ia dhuroi më pas tërë koleksionin e tij po kësaj Biblioteke. Me rastin e 700 vjetorit të lindjes së Petrarkës, në ekspozitën Penn University dhe Cornell University, u ekspozua edhe Libri i Petrarkës me emblemën kastriotase, shoqëruar me një biografi të shkurtër për Heroin Kombëtar shqiptar, si organizator i Lidhjes së Lezhës dhe mbrojtës i Shqipërisë në shekullin XV.

Duke përfunduar këtu këtë paraqitje të shkurtër për këtë zbulim të madh, me synimin për t’u thelluar më shumë në një studim të posaçëm, vëmë në dukje se Libri i Petrarkës dëshmon për një fakt të mrekullueshëm e tepër kuptimplotë që lidhet me vetë përmbajtjen e tij : që në bibliotekën e familjes kastriotase kanë zënë vend të nderuar penat e fuqishme italiane, Petrarka e Bokaçio, dhe më tej akoma, të cilët janë njohur nga afër nga anëtarë të kësaj familjeje dhe nga vetë Skënderbeu. Ja vlerat e rralla të Librit të Petrarkës, që përmban në gjirin e tij thesarin kastriotas.

Figura titanike e Heroit Kombëtar të Shqipërisë mbetet përherë burim i fuqishëm shpirtëror i një kombi të tërë për të lartuar emrin e atdheut nën shembullin e tij. Për këtë kemi sot e kësaj dite nevojë, në duam të mbajmë gjallë e të fuqizojmë ndjenjën e fisnikërisë dhe të krenarisë kombëtare, përkrah popujve e qytetërimeve të tjera të përparuara që e kanë ngritur tashmë historinë e tyre në pidestal lavdie. 



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora