Faleminderit
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Prej gjakut të sharraxhijve...
E enjte, 24.09.2009, 06:02 PM

ME TETOVARËT NË GJERMANI
PREJ GJAKUT TË SHARRAXHIJVE
DERI TE RETË QUMËSHTORE
MBI MAJAT E SHARRIT
Kur kam marrë kumtin se në Tetovë po përgatitet monografia për 20-vjetorin e kompanisë shqiptare të udhëtimeve “Sharr-Turist” me president afaristin e suksesshëm Lazim Destanin, menjëherë më është kujtuar poezia e papërsëritshme “Gjaku i sharraxhijve” e Murat Isakut, poetit me prejardhje nga Gajrja e Tetovës. Kjo poezi, që intonon një dhembje të rëndë kombëtare, ma ka sjellë në kujtesë portretin e shqiptarit nga Malësia e Sharrit, që ka punuar qyteteve të huaja për ta siguruar bukën e gojës. Gjithmonë si refren i trishtë ka trokitur në zemrën time dyvargëshi:
O sharraxhijtë e mjerë, vëllaznit e mi-
të gjallë e të vdekur
pa kunorë, -
kur, heu, kur do t’buzëqeshë fati juej, o vëllaznit e mi
të gjorë?!
Në pjesën e dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë, kur bota po zhvillohej në çdo sferë, shqiptarët ende po vendnumëronin, të shkelur nga regjimet komuniste dhe, çdo intelektual i këtij kombi, do të pyeste si poeti vazhdimisht: kur do t’buzëqeshë fati, o vëllaznit e mi? Me pjesën e mërguar të shqiptarëve në vitet shtatëdhjetë të atij shekulli do të jetë edhe Lazim Destani, djaloshi nga Bozofca e Tetovës, i cili mësyn Gjermaninë. I ndodhur mes bashkatdhetarëve të zellshëm dhe atdhedashës, ai merr përvojat e punës në botën perëndimore dhe sikur përgatitet për një ditë të bardhë edhe për kombin. Në vitet kur perandoria komuniste kishte filluar të jepte shpirt, në qytetin e vogël Stolberg të Gjermanisë, Lazimi vendos që të themelojë agjencinë e udhëtimeve me emrin simbolik dhe domethënës “Sharr-Turist”, duke sinjalizuar se me këtë buzëqeshi edhe fati i vëllezërve të tij, si do të pyeste poeti. Që nga ai moment, bashkatdhetarët e Lazim Destanit, braktisën trenat e mërzitshëm dhe iu qasën aeroplanëve dhe autobusëve që siguronte “Sharr-Turisti”. Për pak kohë, kjo kompani dhe pronari i saj, u bënë të njohur për të gjithë shqiptarët. Tashmë ata “sharraxhijtë”, po i preknin retë qumështore mbi majat e Sharrit, ndërsa agresorët serbë, ende po mundoheshin që me luftë t’i mbajnë nën këmbë. Lufta krijoi shumë refugjatë shqiptarë, që kërkuan shtigje në vendet e huaja, por që “Sharr-Turisti” u bë adresë e tyre për kthim fizik e shpirtëror.
Në vitin 1994, kur Kosova më kishte mbetur larg dhe edhe unë isha gjendur në “fund të botës”, befas m’u shfaq para syve një autobus modern në një rrugë të qytetit Aachen me firmën e shkruar në pjesën anësore me shkronja të mëdha “SHARR-TURIST”. Nuk përshkruhet ai çast ngazëllimi, kur më dukej se gjithçka shqiptare më kishte mbetur larg. Vetëm kalimi i autobusit rreth meje me një mbishkrim shqiptar m’u duk si një dorë e zgjatur. Pas ca ditësh, kuptova se jo fort larg Aachenit, në qytetin e vogël Stolberg, “Sharr-Turisti” kishte zyrat e punës. Por ato nuk ishin thjesht vetëm zyra të një agjencie. Aty po kompensohej edhe qendra kulturore shqiptare, edhe ambasada lidhëse me atdheun, edhe posta njëkohësisht. Lidhja e vetme kishte mbetur “Sharr-Turisti”. Përmes tij, mërgimtarët e shumtë po komunikonin me pjesët e atdheut, diku të përfshirë nga flakët e luftës e diku të përmbytur në mjerim. Kur radiot dhe televizionet kombëtare ishin mbyllur në ish-Jugosllavi, përmes “Sharr-Turistit” dhe fuqisë shpirtërore e financiare të Lazim Destanit, po vinin grupe artistësh në Europë, po vinin programet audiovizuele, po vinin libra e abetare për fëmijët e sapolindur, ndërsa në anën tjetër, po shkonin paratë për të afërmit, buka që pushtuesit serbë e kishin këputur për familjet shqiptare në Kosovë. Pikërisht në ato vite, diku në njërën nga sallat koncertale të Aachenit, jam takuar me Lazim Destanin, të cilin nga larg e kisha njohur jo vetëm nga veprimtaria afariste, por edhe përmes mikut tim, tash të ndjerë, poetit tetovar Ramadan Sinani. Ai takim ka bërë që të fillojë mes nesh një miqësi e re, ndërsa puna, sukseset, korrektësia dhe ndihma ndaj klientelës, ma kanë shtuar krenarinë për mikun nga Tetova. Ai u bë dëshmi e gjallë e suksesit që del nga vitaliteti i një populli kur fillon t’i ndrijë liria kombëtare. Agjencia e tij në kryeqytetin e Landit të Rajnë-Vestfalisë veriore të Gjermanisë, në Dyseldorf, u bë emblemë shqiptare, përkrah firmave të shumta gjermane e botërore, ku reklamat shkëlqejnë dhe trembin terrin e netëve të gjata. Po kështu, edhe Lazim Destani hyri në radhën e afaristëve të suksesshëm gjermanë e botërorë duke e zgjeruar dhe më në fund transferuar veprimtarinë e “Sharr-Turistit”. Në Stolbergun e vogël, ku Lazimi kishte ardhur si i ri, kanë ardhur në jetë edhe bij e nipër të brezit të tij, ndërsa për të flitet kudo me respekt e admirim. Sa herë që e kërkon momenti, madje edhe në organizimin më të vogël familjar e shoqëror, Lazim Destani, u shmanget edhe punëve të mëdha që ka, për të qëndruar mes bashkatdhetarëve ku me ta ka ndarë gëzimet dhe pikëllimet e viteve të mërgimit. Kur “Sharr-Turisti” i bëri 20 vjet jetë, ai porositi një aeroplan dhe bashkatdhetarët e tij, i solli për një mbrëmje në vatrat e veta dhe në manifestimin e firmës në mes të Shkupit. Edhe unë isha në mesin e tyre, duke i prekur retë e borës me zemër të ngrohur mbi majat e Sharrit. Diku mbi qiellin shqiptar të asaj nate dhjetori po pëshpëritej emri i Lazim Destanit. Emri i njeriut që i preku edhe ëndrrat në qiell. Pikërisht ku mblidhen retë e borës, ndërsa majat e Sharrit gjithmonë mbesin bardh.
I bardhë qoftë ky shekull edhe për shqiptarët!
(2007)
Komentoni
Artikuj te tjere
Shaban Peraj: Njëvjetori i vdekjes së Fiqri Hasanagës
Milazim Kadriu: Poezi për dëshmorët e kombit (X)
Mexhid Yvejsi: Xhafer Deva
Halit Bogaj: Azem Bejta
Fotaq Andrea e Dritan Muka: Një kryevepër e Petrarkës në Bibliotekën e Kastriotëve
Etien Dilo: Një personalitet i politikës dhe i kulturës shqiptare
Ardit Bido: Abetari 1882; Manifesti “i harruar” i arvanitasit Kullurioti
Baki Ymeri: Shqiptar i kulluar që i shndrisinin sytë nga atdhedashuria
Mexhid Yvejsi: Mulla Hasan Masurica
Halit Bogaj: Selman Bala dhe Adil Cena Dugolli
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Një arterie lidhëse me atdheun
Milazim Kadriu: Fitorja në betejën e Kaqanollit ishte një nga fitoret më të mëdha të UÇK-së
Baki Ymeri: Zef Berlini i Shipkovicës, apo dr. Sefer Abdija
Halit Bogaj: Sali dhe Feriz Krasniqi
Granit Zela: Vëllai i Nënë Terezës, kapiten i Mbretit Zog
Lek Pervizi: Intelektuali i shquem shkodran, i burgosun politik, Prof. Guljelm Deda
Mexhid Yvejsi: Sami Frashëri
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Xhamia e Leverkuzenit, vatër fetare e kombëtare
Përkujtohet ikona e demokracisë, Azem Hajdari
Agim Bacelli: Fisnikëria e trimëria e Skënderbeut