Nebi Dragoti: Dy satira
| E Marte, 07.08.2018, 07:00 PM |

NEBI DRAGOTI

 

DY SATIRA

 

LIKE, LIKE, LIKE

 

Mbjell egjër,drizë,  tallë, gram,

thotë: “Lëvroj poezi dashurie”

dhe s’i sheh tjetër mbjellje në arë,

se kësaj teme i bëjnë like, like…

 

Pret like, like, o Liku poet,

pa arën ta ka mbytur shterpësia.

O “talent”, s’di ç’ motive ka në jetë,

me një vrimë fyelli s’ lozet melodia…

 

Keq të ka gozhduar kjo marrëzia,

kur në facebook ta bëjnë qejfin me like.

Dhe fluturon, të fluturon mendjemadhësia.

Pas ke gishtin mbrapa nga mik dhe mike.

 

Shiko: dhe bariu me kërrabë në dorë

grigjës ia ndrron çairet në kullotë

të kenë tërfil më shumë e bar të njomë

dhe cilësi e sasi qumshti vedrat plot.

 

Numëron: pret like, vdes për like, o i shkretë,

je kapur keq pas likeve si rriqra;

like: kakërdhi bagtish pa vlerë!

Ah, likeve prej miqsh u rëntë pika!

 

 

MORAL DHISH

 

Erdhi kohë përçitjesh, erdhi;

cjapi i tufës komandon proçesin,

me radhë dhive “ua përveshi”,

por njërës një cjap tjetër “ia ngeci”.

 

-Ky është krim moral,- i tha dhisë,

-është tradhëti e pastër morali,

s’ të pëlqeu ky këtu? Jam unë babaxhani

dhe të dënoj, njollose nderin e shtëpisë…

 

Dhia bishtlëvizur u zu ngushtë:

-Njëckë rast qe, s’do ta përsërisë,

por cjapi me brirë i shembi hundët,

-Herë tjetër të vdekur kam për të shtrirë!

 

-Vetëm këtëckë, vetëm këtëckë,

vetëm njëckë, vetëm njëckë;

ç’u bë? Nuk ka justifikim dhie.

Këtu nderi është detyrë shtëpie. 



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: