Fritz Radovani: Ingj. Ludovik Zojzi
| E Enjte, 28.09.2017, 08:58 PM |

INGJ. LUDOVIK ZOJZI

(1910 – 1943)

“Kultura asht shpirti i qytetnimit”

Nga Fritz RADOVANI

Dy çinarë shekullor mbi një stom me emnin e Zef Zorbës, brij lumit Kir, që vazhdon rrugën e tij derisa derdhet në Drinazë brijë Kalasë Rozafat, aty ku janë ledhet e qytetit të vjetër që pjesa ma e madhe janë nën shtratin e këtyne lumenjve, më kanë shtye me pyetë: “Kush ishte Ai burrë, që vuni gurët e qytetnimit mbi këtë stom me emnin Rëmaji?”

Një fushë mbi këtë stom që ma shumë ishte zallishtë me ferra e mrina kishte tërhjekë prej kohësh djelmoçat e rinj për me u argëtue, tue gjuejtë në shenj objektet e mbështetuna në trungjët e këtyne çinarëve.

Këta dy trungje janë koleksionerët ma të vjetër të predhave që janë përdorë në armët e mbajtuna në brezat e qytetarëve të Shkodrës. Një predhë e kalueme andej Zallit të Kirit aty rreth vitin 1840, pat plagosë një ushtar turk i cili mbas pak ditësh pat vdekë. Gjuejtësi i shenjës nuk asht kenë djalë i fisit Ejllori ose Radovani prej Shiroke, por, kjo vrasje padashje i mbet se asht ba prej Pjetër Pal Ejllorit dhe i kushtoi aq shumë këtij fisi, sa prej asaj kohe pasunia, të hollat e tokët e pagueme si damshpërblim nuk u zëvendsuen kurrma në këtë shtëpi. Kjo ngjarje u pat ba shkak me u rrallue ky argëtim në atë vend. Në 10-vjeçarin e fundit të shekullit XIX-të, aty nga 1895, u vendosën disa rrethime mbrenda të cilave ishte një faltore e vogël shumë e vjetër, rreth së cilës filluen me u varrosë qytetarët të cilët nuk kishin tokë ndër vorret e vjetra në fund të rrugës së Badrave, emni i së cilës ka mbetë nga kjo lule që rritët ndër vorre. Hapsina e atij vendi filloi me joshë dëshirën për vendosje të vorreve të reja që janë edhe sot.

Mendja e një shkodrani me emnin Ludovik Zojzi, vendosi përjetësisht mbi atë stom nën ata dy çinarë ato vepra arti që janë sot aty dhe, që thirrën Vorret e Rrmajit. Kapela e atyne vorrezave u projektue dhe u zbatue nga vetë ky ingjenjer. Planimetria e bame prej tij ruhet edhe sot në familjën Zojzi.

Ludovik Zojzi ka lé në Shkodër, më 23 nandor 1910, në familjën e vjetër të Zojzakëve. Kjo shtëpi njihet për intelektualët e mirëfilltë që i ka dhanë qytetit.

Keli ka përfundue shkollën tregëtare dhe ishte një kangëtar i njohtun si tenor në grupet e muzikantëve të At Martin Gjokës. Zefi, ishte dr. avokat i lauruem në Itali.

Rroku, ishte një ndër etnografët ma të mirë të Shqipnisë, për mos me thanë ma i miri dhe ma i zoti. Ludoviku, mbasi përfundoi Liceun “Illyricum”, më 27 qershor 1928, dhe doli me rezultate të shkëlqyeshme spikati me sjelljen e tij shumë të mirë dhe bani për vedi përsonelin e shkollës Françeskane, i cili e dërgoi për studime në Padova, Itali. Atje, ai nderoi brezninë shqiptare për zellin dhe vullnetin me studjue. Më 10 nandor 1933, u laurue me doktoratën e ingjenjerit elektrik, pikërisht, atëherë, kur Shqipnia po bante hapat e para me dalë nga errësina shekullore. Erdhi në Shkodër si profesor në Liceun e Shtetit deri më 1 tetor 1937. Në dy vitet e fundit të qëndrimit në vendlindje ishte edhe ingjenjer këshillues pranë Bashkisë së qytetit. Në vitin 1937, emnohet Drejtor teknik i Drejtorisë së Përgjitheshme të PTT në Tiranë, punë të cilën e vazhdoi deri më 15 shtator 1943, ditë në të cilën sapo delte nga shtëpia me shkue në punë, u vra pabesisht nga komunistët e Tiranës. Kuptohet thjeshtë arësyeja, një ingjenjer shkodran, katolik, i lauruem në Padova, familje intelektuale që nuk ishte pajtue me komunizmin, indiferente ndaj lëvizjes nacional-çlirimtare ashtu si pjesa ma e madhe e Shkodrës që etiketohet shpejt nga grupet komuniste: “..agjent, fashist, bashkëpunëtor i okupatorit e i klerit, spijun e trathtar ..” Këtë fat të zi pat edhe Dr. Ingj. Ludovik Zojzi në moshën 33- vjeçare, i formuem dhe i paisun me kulturën e shëndoshtë bashkohore. Ingj. Ndoc Naraçi, i cili e ka njohë afër Ludovikun, mbasi ka punue me té në Tiranë, më tregonte aty nga viti 1989 se arsyeja e vërtetë e vrasjës së tij asht kenë kërkesa e komunistëve, që ai me bashkëpunue me ta, gja të cilën Ludoviku nuk e ka pranue. PTT e Tiranës ishte një ndër qendrat ma aktive të grupeve komuniste, prandej ata që nuk ishin të lidhun me këta grupe, mendoheshin të rrezikshëm për punën e tyne, duheshin “çëruar”.

Kjo dokumentohët nga gazeta “Zëri i Popullit”, datë 3 dhetor 1959, në artikullin e Qeverim Çelit, ish anëtar i grupit komunist të PTT-së, i cili shkruan: “...Suksesi që arritën grevistët e Drejtorisë së Përgjithëshme të PTT-së, bëri që edhe punonjësve të tjerë t’u shtohej besimi në Partinë Komuniste dhe në udhëheqjen e drejtë të saj. Nga radhët e këtyre grevistëve u organizuan më vonë guerilet, që përlanë spiunin dhe armikun e popullit Ludovik Zojzi.” Ma poshtë shënohën edhe autorët e këtyne veprave të “suksesëshme”, organizatorët dhe kriminelët gjakatarë. Ja si vazhdon artikulli: “...Në atë kohë në Drejtorinë e Përgjithëshme të PTT-së, punonin shokët: Adil Çarcani, Fiqrete Shehu, Nikolla Profi, Mustafa Qilimi, Ilo Panduku dhe të tjerë organizatorë...”.

Cili nga këta kriminelë analfabetë mund të duronte mbi kokë një ingjenjer të lauruem në Padova të Italisë? Kush nga këta fanatikë mund të shihte me sy një ish student të gjimnazit të Fretënve, apo ish nxanësin e shkollës së Jezuitëve të Shkodrës, kur detyra e këtyne grupe vagabondësh ishte shkatrrimi e shqymja nga faqja e dheut e bazave të kulturës Evropiane?

Çfarë menduan për 50 vjet kokat e mykuna me idetë marksiste-leniste e stalinjane, të edukuem antishqiptarë ndër çerdhët e imoralitetit të komunistëve jugosllavë, që vetëm dinin me vra, dhe përshëndetëshin çdo mëngjez me parullat “plumbin ballit Atdhetarëve Atentati kundër Ludovik Zojzit, ishte fillimi i terrorit komunist kundër inteligjencës Shqiptare që ishte formue në shkollat Përëndimore, ishte atentat kundër Evropës së kulturueme, ishte zbatim detyre ndaj mësuesit jugosllav, ishte betim për trathtinë e madhe kombëtare që po bante Partia vëllavrasëse Komuniste e Shqipnisë, kundrejt Popullit të vet Shqiptar!

Kryqat e Vorrëve të Rëmajit ishin ngacmues për nervat e fanatikëve antikatolikë komunistë. Shumë herë u projektuen plane e platforma mashtruese gjoja për ndërtime të reja, vetëm si me i shkatrrue ato vepra arti që kishte projektue dhe zbatue shkodrani Dr. Ingj. Ludovik Zojzi. Sa herë kalonin udhëheqësit e Partisë së Punës andej pari përshpërisnin nën za: “Akoma, këta këtu?!”...

Ishte gjoksi i atdhetarit Gjon Kamsi, ishte Gjikami, vëllai i gjakut të Luigj Gurakuqit që nuk i tutej syni para askujt, veç, shtërngonte nofullat e i thonte hasmit: “ JO! Nuk guxoni me prekë këtë tokë se asht e bekueme me gjakun e Atdhetarëve që kanë punue dhe vdekë për Shqipni! Nuk guxoni me luejtë eshtnat e lyeme me Bagmin Shenjtë të Filip Shirokës, Kol Idromenos, Simon Rrotës, Hil Mosit, Kel Marubit, Don Ndre Zadejës, Dr. Federik Shirokës, Dr. Gjon Saraçit, Prenkë Jakovës, të Kakarriqit, Muzhanit, Topallit, Serreqit, Dedejve, Prelejve, Prennushve etj. që janë kenë gurët e thëmelëve të qytetit!”.

50 VJET PERPARA...1967

E dogjën një natë at Kapelë vorrezash të mbetun shkret... e dogjën një natë çatinë nën të cilën ishin Bekue sa e sa Shqiptarë qyshë në rrethimin e Shkodrës, të vramë nga gjylet e malazezëve... me mauzerrët ruse... e dogjën një natë bashkë me tavolinën ku dora e Bekueme e Meshtarëve freskonte Shpirtnat e sa vetëve që nuk vdisnin, por plasnin, se mbas atij muri rrethues të atyne vorrëve ata kishin të tretun nën pleh, pa një shenj tek koka, Loçkat e zemrës të varruem nga plumbat e komunistëve gjaksorë!

E dogjën një natë, se, mendonin se nën atë çati, ruhën vizaret e kulturës kombëtare!

E dogjën një natë, se, mendonin se ashtu bahët pluhun e hi fara e qytetnimit Shqiptar!

E dogjën një natë, se, kujtuen se do të rrëzohën edhe shtyllat, simbol i martirizimit!...

E dogjën një natë ashtu si librat e bibliotekave të Françeskanëve dhe të Jezuitëve!...

E dogjën një natë ashtu si shkollën ku mësonte Fishta, Harapi, Zadeja, Prennushi, Kurti, Nika.... E dogjën një natë se vrasësit kanë frikë vetëm nga vdekja!

E dogjën një natë se shumë larg u dukej se nëpër zhuri të Zallit të Kirit, përplaseshin tingujt e një kumbone që binte në një anë edhe nën dhé... e do të lajmëronte ringjalljen! E dogjën një natë, por, harruen se, thëmelet e Krishtënimit nuk prishen dhe as nuk digjen!

E dogjën një natë, por, harruen se mbi ato shtylla asht ende tymi i kemit, djegë në Lavdi të Zotit! E dogjën një natë, por harruen fjalët e Meshkallës, se “ka dymijë vjetë që digjni Ungjillin!”

E dogjën një natë, por, harruen se nën atë tokë vlon gjaku i Ded Gjo’ Lulit me shokë!

E dogjën një natë, por, harruen “me djegë” edhe Don Simon Jubanin!


Melbourne, 2017.

(Vota: 6 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: