Kaltrina Hoti: Me vepra ta duam atdheun!
| E Shtune, 29.07.2017, 07:46 PM |

Me vepra ta duam atdheun!

- Mirëmengjes Bashkimi Kombetar, (6)-

-Ne të gjithë mendojmë që jemi të lirë në vend të huaj, por jo, nuk jemi sepse kjo liri është liri e imponuar për luftë ekzistuese. Dhe pa e vërejtur shndërrohemi në: “Njeri pa hije”, harrojmë ta ushqejmë atdhedashurinë shpirtërore, rrajët e të cilit janë tek shpirti i popullit, e ai shpirt është kultura-

Nga Kaltrina Hoti, NY

Patriotizmi nuk  blihet, shitet apo dhurohet.  Jeton në secilin nga, është dhuratë  e  dhuruar nga toka, është dashuri e veçantë, sakrificë që na mbron identitetin tonë. Ta valosh flamurin në kulmin e shtëpisë, të stolisësh veten me shqiponjë, ta shndërrosh zërin tënd në rrufe të jehonës:  “Jam Shqiptar”, s’do të thotë se je atdhetar.  Jeta kërkon dashuri, sfidë nëpërmes të cilës mëson për fuqinë tënde shpirtërore apo mendore, dhe pastaj nëpërmes të përjetuarës atdhedashuria rrjedh. Por kjo ndjenjë rrjedh si  lumi i qetë, me veti bart urtësinë, butësinë, durimin e fjalës dhe veprës.

Sot në mërgatë takon shumë mërgimtar/e që u detyruan për arsye të ndryshme të bëhen shtegtar/e,  por shtegtare nuk janë, e  jetojnë jetën e mërgimtarit me dy dhimbje shpirtërore. Dhimbje Atdhetare dhe dhimbje Ideale. E lan atdheun se ishin të detyruar, apo të “detyruar”, dhe tani jetojnë duke luftuar për ekzistencë. Detyrohen të punojnë punë që e sulmon personalitetin e tyre. Dhe ata nuk kanë frik të dalin në ballë të kësaj beteje, sepse e kuptojnë realitetin e botës ku gjinden. Shndërrohen në klasë punëtore të shkallës nënçmuese në shtet të huaj, aty ku sfida i solli. Derisa në Atdhe ata krijonin fjalë, varg, art, muzikë, pikëpamje opinionesh, porta të ardhmërisë, përkrahje të kombit, ndryshime në ardhmëri, këtu çdo ditë kur mbaron puna i ruajnë lotët të pa pikuara për t’i ujit ëndrrat e tyre të filluara të cilat i japin shpresë të vazhdojnë ditën e nesërme. Atyre mund t’iu thuash Patriot. Nuk hezituan të japin shpirtin në çdo aspekt për Atdhe duke mos kërkuar asgjë në kthim.

A thua përse i injorojmë këta krijues, që e shtrydhën veten për Atdhe? Sa herë kam dëgjuar;  “Ka qenë, gazetar/e, shkrimtar/e,  muzikant/e, artist/e, piktor/e,  e të tjerat por tani është në Amerikë, s’ka asgjë falas, le të punon”. Ai është duke punuar por është vështirë të fillosh një fillim të ri ku je vetëm një pikë e padukshme, pa gjuhë, pa këmbë. Në të gjithë mendojmë që jemi të lirë në vend të huaj, por jo, nuk jemi sepse kjo liri është liri e imponuar për luftë ekzistuese. Dhe pa e vërejtur shndërrohemi në: “Njeri pa hije”, harrojmë ta ushqejmë atdhedashurinë shpirtërore, rrajët e të cilit janë tek shpirti i popullit, e ai shpirt është kultura. Përse?!! Të gjitha këto organizata që i kemi krijuar për qëllime kombëtare duhet të kenë një fond për atdhetar të tillë. Nuk po flas ti ushqejmë, t’i veshim apo të iu gjejmë një kulm për tu strehuar, po flas të iu jepet rasti të vazhdojnë profesionin e tyre, të iu jepet mundësua të shprehin aftësitë e tyre, idetë e tyre nëpërmes veprave të tyre. Piktorit t’ia blesh pikturën, shkrimtarit librin, gazetarin shkrimin (kemi plot gazeta). Ai që është i uritur për dituri ta ndihmojmë të vazhdoj shkollimin, artistit t’i jepet mbështetje.

Të dhënat tregojnë se shqiptarët si popull janë ndër më të pasurit në diasporë, që do të thotë se ata kanë biznese të fuqishme, ndërsa jo që nuk duan por disi mungojnë fondet për arsim, kulturë, art e avancim të organizuar të bizneseve të përbashkëta. Të jesh patriot do të thotë të bëhesh pjesë e kulturës. Sa më shumë të arrijmë si komb më afër Bashkimit Kombëtar jemi. Janë shumë emra të njohur që ndodhen në diasporë, por që nuk kanë mundësi ta dëshmojnë aftësinë, cilësinë, veprimtarinë për arsye objektive. Shqetësimin tim e përfundoj me një fjalë të takohemi në Qendrën Kulturore aty t’i themi njëri tjetrit “Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar”. Ju do pyetni ku është “Qendra kulturore” e unë e di dhe ju e dini, është në idenë e atyre që duan të na shohin të bashkuar. Të bashkuar me një ide, në një vend ku mund të dëshmojmë veprimtarin, aftësinë, cilësinë... aty bashkë Shqipëria lartësohet, aty jeton.

Mirëmengjes Bashkimi Kombetar.

-Per ZemraShqiptare, nga NY, USA, Verë 2017-



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: