Xhylije Ibrahimi: Dita kur filloi kthesa historike
| E Marte, 28.03.2017, 08:58 PM |

Në tetëmbëdhjetë vjetorin e madh për Kosovën

Dita kur filloi kthesa historike mbetet e pa harruar

Marsi është fillimi i një fundi të dramës së përgjakshme kosovare, që në këto troje u luajt për shumë vite.

Nga Xhylije IBRAHIMI

Marsi i vitit 1999, muaji kur filluan bombardimet mbi caqet serbe, që u përmbyllë me hyrjen e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, është ora e fillimit të një kthese të madhe historike në Kosovë, e cila prej një shekulli po zhvillonte rezistencë paqësore e të armatosur (UÇK), për t`u çliruar nga robëria serbe. 24 marsi është fillimi i një fundi të dramës së përgjakshme kosovare, që në këto troje u luajt për shumë vite. Makineria serbe vrau shqiptarë në Gjilan, edhe gjatë tërheqjes nga Kosova, sipas marrëveshjes teknike-ushtarake të Kumanovës, pavarësisht se trupat franceze ishin futur në këtë territor dhe po shpejtonin ta merrnin kontrollin. Gjilani kishte frikë se mund të përsëritej viti 1944, kur këtu u krye masakra më e madhe në trojet shqiptare. Ndoshta, serbët kishin planifikuar ta kryenin sërish këtu lojën e thikave të gjata, por me gjasë ishin vonuar në realizimin e skenarit famëkeq, prandaj edhe u hakmorën gjatë tërheqjes. Për 78 ditë nëpër Gjilan kishin lëvizur vetëm veturat e policisë dhe tanket serbe. Gjatë atyre ditëve të gjata, u kryen shumë vrasje, shkatërrime, tortura, dhunime e dëbime të popullatës. Monitoruesit e OSBE-së, kishin parë e regjistruar ngjarje të tmerrshme në regjionin e Gjilanit dhe gjithandej nëpër Kosovë, derisa nuk u tërhoqën, për t`iu hapur rrugë bombardimeve.

U dogjën edhe furrat e bukës

Dy-tri ditë para se të fillonin goditjet e caqeve serbe nga ajri, forcat serbe i kishin shtuar aktivitetet represive ndaj popullatës civile. Kështu, më 19 mars stacionohet në fushat e Karadakut artileria e rëndë, tanke, mjete transporti e të blinduara, kamionë, antiajrorë dhe rreth 5 mijë trupa. Më 20 maj, ushtrisë jugosllave, tashmë të vendosur në Gjilan, i vijnë përforcime të reja nga drejtimi i Bujanocit. Fshatarët e Grykës së Karadakut e kishin të qartë se çfarë mund të ndodhte. Serbët po i vringëllonin armët gjithandej dhe po çirreshin “kjo është Serbi”. Deri nga mesi i prillit, qyteti i Gjilanit përjetoi sulme dhe grabitje në dyqanet private të shqiptarëve, bombardime makinash dhe zjarr snajperësh. Një civil serb kishte shkuar në shtëpinë e një shqiptari, më 25 mars dhe i kishte kërkuar atij të shpërndante lajmin se të gjithë në lagje duhet të largoheshin. Më 30 mars forcat paramilitare kishin vendosur një bombë-makinë në lagjen “Ramiz Sadiku”, të banuar me popullsi shqiptare, ku pas shpërthimit të fuqishëm, dy ndërtesa ishin shkatërruar, ndërsa ndërtesa tjera përreth, në një diametër prej 200 metrash e më shumë, ishin dëmtuar. Më 28 mars u krye një gjuajtje ajrore nga NATO në kazermat e ushtrisë jugosllave në Gjilan. Natën ndërmjet 31 marsit dhe një prillit, Gjilani u bombardua nga Aleanca përsëri. Në mëngjesin e 1 prillit, pasi Aleanca kishte kryer një sulm tjetër ndaj barakave të ushtrisë jugosllave në Gjilan, serbët kishin plaçkitur e shkatërruar dyqanet e shqiptarëve, ndërsa furrat e bukës i kishin djegur. Rreth datës 4 prill, Gjilani u qëllua me granata nga fshati serb Koretishtë. Disa shtëpi u shkatërruan. Më 5 prill, forcat paramilitare serbe hynë në shtëpinë e një shqiptari dhe kërkuan armë. Nga 15 prilli filluan ta lënë qytetin edhe ata banorë që erdhën këtu me shpresë se situata mund të ishte më e qetë dhe më sigurt se në fshatra. Harku i dhunës po zgjerohej. Paramilitarët me maska po hynin nëpër shtëpi. Rrjetat në fytyrë po i mbanin për të mos u identifikuar, meqë mjaft prej tyre ishin serbë lokalë. Gjatë muajit maj, shumë njerëz u larguan nga qyteti. Kishte mungesë të ushqimit, por ndodhi edhe largimi me forcë nga policia. Më 30 maj, policia hyri shtëpi për shtëpi në qytet, arrestoi e torturoi. Policia, nga fundi i majit kishte filluar një regjistrim të qytetarëve, të cilët gjendeshin në Gjilan dhe njerëzit filluan të frikësoheshin se po bëhej zgjedhja e atyre që duhej të likuidoheshin. Dyshime kishte shprehur edhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Evidentimin  e kishte urdhëruar kryeshefi i shërbimit sekret serb.

Shqiptarët shiheshin si terroristë edhe në spital

Ushqimet kishin mbaruar. Furrat e “shtetit” nuk ndanin bukë për shqiptarët. “Shkoni te NATO-ja”, kërcënonin serbët. Edhe spitali i Gjilanit nuk i pranonte shqiptarët që kishin nevojë për trajtim. Stafi mjekësor i refuzonte edhe njerëzit që kishin nevojë për shërim. Të gjithë i konsideronin ”terroristë”. Gjendja e tillë po bëhej e pa përballueshme. Por, popullata sikur ishte “ambientuar” me këto rrethana dhe mbi gjysma e saj nuk i kishte braktisur shtëpitë. Vetëm më 12 qershor, u pa se sa i madh ishte numri i atyre që kishin jetuar në rrethin e tmerrit për 78 ditë të tëra. E frikshme dhe e gjatë ishte veçmas nata e 11 qershorit, kur forcat serbe po grupoheshin. Gjithë atë natë nuk kishin pushuar daullet dhe rafalët e automatikëve. Të gjithë dyshonin se po bëheshin gati për “lojën e thikave të gjata”, që serbët e kishin paralajmëruar për fund në Gjilan. Më vonë është kuptuar se serbët nuk kishin besuar se lufta do të përfundonte aq shpejt dhe, më 11 qershor ishte bërë vonë për të kryer një masakër tjetër në Anamoravë, sepse duhej fshehur shumëçka dhe kohë më nuk u kishte mbetur. 24 marsi ishte fillimi i këtij fundi të madh, që hapi një epokë të re për shqiptarët.

(Autorja është master i marrëdhënieve ndërkombëtare)



(Vota: 30 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: