Vangjush Saro: O(h)pozita!
| E Hene, 13.04.2015, 07:15 PM |

O(h)pozita!

Nga Vangjush Saro

Afrimi i zgjedhjeve vendore, po shpalos edhe njëherë me intensitet huqet e vjetra dhe prirjet e turbullta të partive politike dhe të drejtuesve të tyre, të vjetër e të rinj, (gjë në të cilën asfare nuk kemi parasysh moshën fizike). Nëse nuk e rëndojmë pritshmërinë e lexuesit të nderuar për këto radhë, po kujtoj shkurtazi se si shumë kohë më parë, gjatë ndeshjeve të futbollit në Korçën e atëhershme, më bënte përshtypje që ndonjë nga tifozët e pakënaqur, sidomos me mesfushorët apo mbrojtësit, thoshte: “Këta kanë edhe turp, more byrazer… Kanë turp ta kthejnë topin prapa. Epo, ha golin atëherë!” Sado e largët analogjia, në politikën shqiptare ndodh pak a shumë kështu. Mbyllen sytë përpara të gjitha shanseve për t’u tërhequr, për bashkëpunim dhe rishikim të modeleve dhe përvojave, etj. Nuk e di nga buron kjo mendjelehtësi. Ndoshta është pjesë e kulturës qytetare në tërësi.

Çfarë ka ndodhur më parë, si jemi grindur me njëri-tjetrin, për kulturën tonë do të thotë “biografi”, në kuptimin më leninist të fjalës. Kësaj i përmbahen shumë parti e politikanë shqiptarë, edhe pse u bënë 25 vjet që jetojmë në pluralizëm. Këto parti dhe këta individë (nganjëherë habitesh si gjenden pikërisht ata në timon) nuk shohin asnjëherë prapa, nuk bëjnë asnjë lëshim, nuk shprehin asnjë interes për të konsoliduar aleancat apo edhe për t’i zgjeruar ato. A thua është fjala për sedër? Nuk na duket se ishte termi i duhur. Kështu, në ditët tona, është vetë PD-ja, partia e parë e pluralizmit, që po llastohet ca si shumë duke bërë rolin e “të fortit” dhe duke mos iu paraqitur simpatizantëve të vet pamjet reale të garës (a luftës) politike në zhvillim e sipër. Bie fjala, zotërinjtë e pasprovuar nuk e afrojnë Topin; por edhe të tjerë si ai, që mbase gëzojnë cilësimin apo statusin “tradhtar”, si njëherë e një kohë. Lojëra të habitshme duket se po bëhen edhe me një prej aleatëve më të vjetër, ndoshta edhe ai më besniku, PR. Me PDK gjithashtu. Por edhe me PDIU duket se ka moskuptime. Është e habitshme ndërkaq, por të djathtët nuk e gjetën veten as edhe në relievet e lëvizshme e të paqendrueshme të partive të vjetra tradicionale (!) Kështu, i mbetet që opozita të gostitet me ndonjë gol edhe në këto zgjedhje vendore.

Pyetjet këtu do të ishin shumë. Por le ta shqyrtojmë edhe njëherë analogjinë me futbollistët që iu dukej se ishin në gjendje ta mbanin topin... Të thuash se nuk është fjala për sedër por për turp, ndoshta je ende larg së vërtetës. Në rastin e drejtuesve të PD-së së paku, nuk bëhet fjalë për turp, për turpe në tërësi, por thjesht e vetëm dhe përherë… për interesa të ngushta. Për interesa familjeje dhe klani. Ish-ët nuk e duan Topin, prandaj edhe ata që drejtojnë aktualisht, s’mund t’i bëjnë ftesa atij. Ai është “tradhtar”. Nuk është fjala se ai dhe partia e tij e vogël shfaqin ndonjë interes të madh. Çështja shtrohet të ketë kulturë dhe mirëkuptim midis aktorëve që thonë se luajnë në të djathtë. Por për çudi, ftesat në FRD, vijnë nga e majta. Dhe Topi i pranoi. Këtu s’kemi të bëjmë me kahje dhe përvoja politike, sesa me sjellje politike, me kulturë politike. Disa mendojnë me trutë e të tjerëve, me mendje të dikurshme, udhëhiqen nga paragjykime social-komuniste. Ai ka ikur nga ne, ai na ka tradhtuar, drejtuesi ynë historik (kupto: Berisha) nuk e do atë… Pra, po e mbajmë larg.

Kësaj, me një fjalë të vetme i thonë tangërllik; apo të bësh sikur bën opozitë. O(h)pozitë më mirë. Që të jem i ndershëm me lexuesit, këtë titull e kam përdorur edhe njëherë tjetër; por shumë vjet më parë. Dhe i cilësuari (me Oh!) për fat të keq është po i njëjti. Domethënë po ajo opozitë. Po vërtet, përse duhej të shkonte a të detyrohej të shkonte në një aleancë me PS-në partia e drejtuar nga zotërinjtë Topi dhe Oketa, ndërkohë që shumicën e kohës në politikë (të gjithën, pse jo) ata e kanë kaluar në strukturat e PD-së(!) Çfarë e detyron PR-në të ngulë këmbë në kandidatin e saj për Bashkinë e Durrësit, z. Duka, edhe pse, siç kam shkruar do kohë më parë, edhe kjo zgjedhje kërcet, vjen nga një përvojë dhe anëtarësi e cilësuar në PS; dhe pra, është krejt pa vend. Ndoshta për këtë… s’e duan zotërinjtë drejtues të PD-së, pse ka qenë deputet dhe ministër i socialistëve(!) Për fat të keq, nuk është kështu. Pak peshë ngre të qënit ish-socialist për demokratët e sotëm. Kjo është provuar tashmë disa herë. (Mjafton shembulli grotesk i z. K. Islami.)

Nuk është sedra dhe as orientimi politik që i frymëzon klanet politike të sillen në këtë mënyrë.  Është në natyrën e forcave politike në Shqipëri të punojnë shumë pak për aleanca të qendrueshme dhe për lidhje serioze. Është na natyrën e tyre të shkojnë pas të parit, edhe pasi ai nuk është më i parë, së paku zyrtarisht. Është në natyrën e tyre të qëndrojnë lidhur fort me familjen, jo pse ashtu duhet, por sepse ashtu janë qepur interesat dhe borxhet. Ndonjëherë, si në rastin e drejtuesve të tanishëm në PD, borxhet duket se janë të konsiderueshme. Dhe një fjalë e urtë popullore thotë: “Ndërgjegjja flet, interesi ulërin.” (Por nga njëra anë, çudi, sepse vetë ustai i tyre, në fakt politikan me shumë përvojë, skile e rregjur, në situata zgjedhore nuk linte formacion inegzistent pa thirrur; me sa më kujtohet, reshtoi njëherë edhe një partiçkë të G. Apostolit... Vodevil.)

Me siguri, kjo e gjitha është edhe çështje modeli. Politika shqiptare që në fillimet e saj ka zgjedhur (le të themi) modelin italian, që është ai më i paqendrueshmi sa i takon kaosit politik, krijimit, shkrirjes, rigrupimit të forcave politike, çka pasqyrohet pastaj edhe në mënyrën se si konceptohet qeverisja. Meqë ra fjala, ndryshon modeli britanik ose ai kanadez; ata priren nga parime qendrueshmërie dhe kontrolli mbi politikën dhe drejtuesit e saj. Dhe meqë bëra disa pranëvënie, le të themi se edhe ngjarjet e tanishme janë pjesë e paqendrueshmërisë që shfaqet tash e çerek shekulli në politikën shqiptare. Ndërsa partitë politike duhej të përfaqësonin grupe të mëdha njerëzish, me pikëpamje dhe prirje të caktuara, ato përfaqësojnë klane dhe familje, të cilave pjesa tjetër (e elektoratit përkatës) iu shkon prapa në mënyrë të verbër.

Më vjen keq që detyrohem të pohoj në disa shkrime se kjo e gjitha bie erë prapambetje dhe mungese qytetarie; është një proces ku ne jemi shumë të vonuar dhe do të kemi ende shumë zhgënjime përpara se të duket pak dritë nga tregimi i bukur mbi pluralizmin.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: