Fritz Radovani: ''Revolucioni ideologjik dhe kultural'' i 1967 (II)
| E Marte, 07.02.2012, 08:04 PM |

6  SHKURT  1967:

 

Pjesa e Dytë: “REVOLUCION”…A PO… “MADE  IN  CHINA

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Dolores Ibaruri, në vitin 1962, në Konferencen e 82 partive komuniste në Moskë tha: “Diskutimi i Hoxhës ngjan me qenin të cilit i japin bukë, kurse ai kafshon dorën e atij që e ushqen! ...” (Theksimet e nenvizimet janë të FR)

1966, amerikani Harold Uajzberg: “Vrasësi tipik e shikon veten si ndonjë hero.”

N.S.Hrushov: “Pikrisht kështu ka kenë tek né në kohen e Stalinit. Ai zhdukte gjithë kuadrot e hershme e populli thërriste: ‘Rroftë Stalini!’. Liderat shqiptarë nisen nga idea se Populli asht turmë. Ai duhet mbytë në frikë, tue e nënshtrue me kërcënime.

Kështu vepron edhe Mao Ce Duni.

Komunistët kanë inaugurue terrorizmin në masë si mjet qeverisje.

Mbas fjalimit “programatik” të 6 Shkurtit 1967, PPSh dhe personalisht vet Enver Hoxha, udhëzon, drejton dhe kontrollon punën e organeve të sigurimit të shtetit. Çdo vendim del nga Byroja Politike e KQ të PPSh, shpërndahet në rrethe dhe zbatohet nga komitetet e partisë, që kanë në varësi sigurimin e shtetit dhe organizatat tjera terroriste.

Vetë terroristi Enver Hoxha, në “veprën” e tij nr. 19, tregon se primare per té asht depersonalizimi i njeriut, tue e çveshë até nga “e drejta me besue në Zotin”, me arrijtë me e ba instrument të sigurimit të shtetit në sherbim të PPSh, për shpartallimin dhe varrosjen perfundimtare të Identitetit Kombtar, shemtimi ma i madh i këtij “Revolucioni”, që sot “dr. prof dhe akademikët e RPSSh” nuk e konsiderojnë endè Genocid i Shqiptarëve.

Me daten 6 shkurt 1967, Enver Hoxha në “Fjalimin Programatik” për thellimin e “Revolucionit socialist” mbi bazen e “mësimeve të panderprera proletare të PPSh” synon në të gjitha fushat e jetës politike, shoqnore, historike, kulturore e arsimore me ba spastrimin e shoqnisë Shqiptare nga të gjitha “mbeturinat e vjetra”, tue ndjekë këte rrugë:

Dhunimi i identitetit kombtar, tue fillue nga Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, i cili nga “dr.prof e akademikët” quhet “Skënderbeu Gjergj Kastrioti” (fjalori Enciklopedik Shqiptar, Botim i Akademisë së Shkencave të RPSSh, Tiranë 1985 fq. 964, e vazhdohet: “Heroi Kombëtar i shqiptarëve, strateg e burrë shteti i madh që udhëhoqi luften për pavarësi kunder pushtimit osman, ...një nga figurat e shquara të historisë së shek. XV...”

Dhunohet e drejta zakonore Shqiptare, ku perfshihet “Kanuni i Skenderbeut”, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”... që ruejten kenien e Popullit Shqiptar nder shekuj, gjuhen dhe kulturen e tij. Pasuen brez mbas brezi tiparet Shqiptare: Besë, Burrni, Bujari.

Dhunohet Nderi i Shqiptarit, qё ruen dhe trashigon vlerat e Familjes Shqiptare.

Dhunohet në Vaun e Dejës, në vitin 1967 Kisha ku asht kunorzue Heroi ma i madh i Kombit Shqiptar, pikrisht në pragun e 500 vjetorit të vdekjes së Tij.

Dhunohet Opera e “Skenderbeut”, me zhdukjen e kompozitorit Prenkë Jakova.

Dhunohet “Kanuni i Skenderbeut” me dënimin me vdekje të Don Frano Illisë.

Dhunohet në Kuvendin e Françeskanëve Troshan, vepra e artit, pikturë me vaj, per Gjergj Kastriotin, e cila, vidhet nga Galeria e Arteve në Tiranë, me leje nga shteti.

Dhunohet Dokumenti origjinal i Shpalljes së Pavarësisë Kombtare në 1912.

Dhunohet “Kushtetuta e RPSh” e hartueme nga vetë shteti komunist në 1946.

Dhunohet gjuha Gegnishte Shqipe me kongresin e “Drejtshkrimit” në 1972.

Dhunohen letersia dhe artet, arrestohen dënohen dhe vuejnë nder burgje e kampe shfarosje ata që mendohet se në kokë ruejnë të tjera ide nga ata socialiste e komuniste.

Dhuna në letersi e arte merr trajtën e plotë të “realizmit socialist” mbas plenumit të KQ të PPSh në qershorin 1973, kur vendoset edhe “spastrimi” i teksteve shkollore nga disa “mbeturina” të letrarëve dhe shkrimtarëve të Gjuhës Gegnishte Shqipe të Veriut.

Dhunohet shkolla shqiptare mbas fjalimit të Enver Hoxhës, me 7 mars 1968 per “revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës”, aprovohet rruga“revolucionare” me ligj nga plenumi i VIII i KQ të PPSH, në qershor 1969, ku shenohet: “Qellimi perfundimtar i shkollës nuk është marrja e diplomës e mbarimi i universitetit, por për t’i shërbyer atdheut e socializmit ku të jetë nevoja. Në qender të të gjithë procesit mësimor-edukativ të shkollës, si shtyllë e paluajtshme kurrizore u vendos boshti ideologjik marksist-leninist.” “Dr. prof. dhe akademikët” tanë e dijnë ma mirë se unë se “ku kishte nevojë PPSh...”, mbasi shumica vazhdojnё “me krye ato detyra” edhe sot...

Dhunohet e drejta e Shtetit të Pavarun nga PPSh dhe tirani E.Hoxha.

Dhunohet e drejta Kushtetuese...e mbrojtjes së të “pandehurit” nga avokati.

Dhunohen të drejtat civile të qytetarëve që perfshihen në “Luften e Kllasave”, tue humbë të gjitha të “drejtat e liritë njerëzore dhe qytetare”.

Ata u përkasin vetëm “atyne” me “të drejtat socialiste”. Si pasojë:

Dhunohet e drejta me vazhdue shkollat e nalta pa u “aprovue” nga PPSh.

Dhunohet e drejta e mbrojtjes së titujve “dr. prof, akademik, jurist,”...

Dhunohet e drejta e krijimit të familjes pa miratimin e PPSh...

Dhunohet e drejta e punës private dhe në administraten shtetnore.

Dhunohet e drejta e punës në arsim dhe asaj krijuese në art e kulturë.

Dhunohet e drejta e punës kooperativiste për klerikët katolik.

Dhunohet e drejta e perkthimeve për me trashigue në kulturen kombtare veprat e kulturës botnore. Arrestohen dhe dënohen randë perkthyesit Prof. Nikoll Dakaj, Prof. Mark Dema etj. Dënohet me burg kangtari Lukë Kaçaj, se reciton “Lahuten e Malsisë”.

Dhunohet e drejta e pronës private dhe trashigimia nga prind të “deklasuem”.

Dhunohen dokumentat e Gjendjes Civile per qellime “shpifje” nga shteti.

Dhunohet e drejta e trashigimit të Tokës dhe pronës paluejtshme nga pronarë që janë të “deklasuar”, të pushkatuem etj. ose kulakë.

***

Dhunohet e Drejta Kanonike (Kishtare). Në vitin 1951 Shteti Shqiptar detyroi Klerin Katolik Shqiptar që të mbante lidhjet me Vatikanin për çeshtjet Kanonike dhe ata të vendimeve të Konçileve të Vatikanit, vetem nëpërmjet të Qeverisë Shqiptare. Zgjedhja e Prelatëve të Kishës Katolike, do të aprovohej nga Vatikani nëpërmjet Shtetit Shqiptar.

Të gjitha ligjët u caktuen në “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare”, që edhe ky, u aprovue nga Kuvendi Popullor i RPSh, me datën 30 korrik 1951, nga Dr. Omer Nishani.

Me këte “Statut” nuk u pajtuen klerikët Don Ejëll Kovaçi, Don Dedë Malaj që u pushkatuen. At Konrrad Gjolaj e Don Nikoll Gjinaj, u dënuen me shumë vite burg. Don Nikoll Sheldija ishte i smurë dhe nuk firmoi, ndonse vdiq me 20 mars 1952, pa pague “vepren” antiparti. Don Zef Oroshi arratiset me 10 qershor 1952... Shugurohen Meshtar të rijё, vdesin pleqtë...arrestohet aty-këtu ndonjeni...po edhe lirohen nga burgjet shumë nga “ata” që mendohej se do të vdisnin nder kampe shfarosje nga lodhja, stermundimi dhe të gjitha mungesat tjera që nuk i lanë asgja mangut arritjes së qellimit perfundimtar...

Me 6 shkurt 1967 Enver Hoxha shpallë haptas “Lëvizjen kunder Fesë”...

Prof. At Zef Valentini S.J. shkruen me 1954: “Tue kenë me arsim shumë të ngritun, katolikët shqiptarë gjithmonë u patën ngjallë zili disave. Vrasësi antikatolik Hoxha e pranonte këte tue i ba nder katoliçizmit, por katoliçizmi dhe në veçanti kleri katolik ishin pengesa ma e madhe per triumfin e komunizmit.

Tirani anadollak Hoxha persëritë: “Çka thotë partia bën Populli!”...Asnjë veprim tjeter nuk ka të drejtë askush me ba, vetem até “çka thotë PPSh!”... Po PPSh kush ishte? – Enver Hoxha me kriminelët e tij, të byrosë politike...Hysni Kapo, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu dhe i zgjedhuni nga kriminelët e Spanjës Mehmet Shehu, si specialist masakrash per dhunimin e të drejtave të njeriut me detyrue njerzit “mos me Besue në Zotin”, dhe me eleminue Klerin Katolik Shqiptar perfundimisht tue zbatue ligjet e Genocidit komunist.

Duhej luftue deri në zhdukje botkuptimi fetar me luftë kunder institucioneve fetare që ruenin Fenë në zemren dhe mendjen e Popullit. Ishin pikrisht Ato Kulla që ishin ngritë që në Shekullin e Parë të Epokës mbas Krishtit, nga Shen Pali në Durrës...Aty, ku “rinia revolucionare”, në shembullin e “gardistëve të kuq”, vuni “Fletë Rrufenë” e parë.

Kryetari i Kishës Katolike Shqiptare Imz. Errnesto Çoba, me 1 Qershor 1966, kur ishte vendosë me u mbyllë Kisha e Zojës 1000 vjeçare tek Kalaja e Shkodres, i kishte shkrue një leter Enver Hoxhës, ku shenon: “Na jemi të gatshem të bajmë sakrifica per mbarëvajtjen e Atdheut, kjoftë edhe me jeten tonë!”...(Arkivi i Min. Mbrendshme 1998)

Enver Hoxha shpallë “Shtetin e Parë Ateist në Botë”...me dekretin 4337: “Shteti nuk njeh asnjë fé dhe inkurajon zhvillimin e propagandës ateiste, për të krijuar të njerëzit botkuptimin shkencor e materialist” Artikulli 37 i Kushtetutes RPSSh, 1976.

Me 19 mars 1967, mbyllen perfundimisht Kishat Katolike tue fillue me Kishen Kathedrale të Shkodres. Njëheri fillon edhe dhunimi i vorrezave nder Kisha.

Me porosi të KQ të PPSh dhe të terroristit Enver Hoxha, tek Dosja 2291. Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë, prokurori i pergjthshëm Lefter Goga urdhnon:.. “Hetuesit mund të përdorin torturat më shnjerëzore deri në vdekje të burgosurëve, pa asnjë përgjegjësi penale ndaj të pandehurëve që mund të vdesin në duart e tyre në hetuesi.” (Prill 1967) Dhe, menjëherë fillojnë arrestimet e Klerikëve si në 1945, me At Gegë Lumaj, At Gjergj Vata, Don Mark Hasi, At Pjeter Meshkalla, Don Frano Illia, At Zef Pllumbi, Don Nikoll Mazrreku, Don Ndoc Ndoja, Don Nikoll Troshani, Don Ndoc Sahatçija, Don Zef Simoni, Don Kolec Toni, Don Ndre Krroqi, At Anton Luli, Don Gjergj Simoni, Don Nikoll Pergjini, dhe pushkatohet: Don Zef Bici, Don Mark Dushi, Don Marin Shkurti, Don Shtjefen Kurti, Don Mikel Beltoja, mbytet në fabriken e çimentos në Krujë Don Prekë Nikçi, vdes në hetuesi të Tiranës Imz. Errnesto Çoba, vdes në burg Don Lec Sahatçija, helmatiset Don Lazer Jubani, mbytet në Amerikë Don Lazer Sheldija, vdes në burg Don Pjeter Gruda...Po çka u ba me At Mark Harapin, At Donat Kurtin, Don Injac Gjoken, Don Ndue Sokun, Don Simon Jubanin, Don Mikel Koliqin etj...të cilët, janë “dosjet e shlyemjes perfundimtare të të gjitha të Drejtave dhe Lirive të Njeriut nga Gjenodi komunist” i anadollakёve Enver Hoxha dhe Ramiz Alia...”

Shqipnia e viteve 1944 – 1991 asht i vetmi vend në Botë që me “Revolucionin apo Gjenocidin komunist të vitit 1967” ka krye Vetvrasje Kombtare perfundimtare!

 

Vazhdon...


Melbourne, Janar 2012.

(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: