E premte, 19.04.2024, 02:26 PM (GMT+1)

Mendime

Florim Zeqa: Pesimist dhe të pashpresë!

E enjte, 24.08.2023, 07:11 PM


Pesimist dhe të pashpresë!

Shkruan: Florim Zeqa

Përderisa në të kaluarën jo shumë të largët (para dhe pas përfundimit të luftës) shqiptarët e Kosovës vlerësoheshin (nga ndërkombëtarët) si populli më optimist në botë, sot është e kundërta, jemi kthyer në popullin më pesimist dhe të pashpresë në ballkanin perëndimorë.

Rënja e optimizmit produkt i klasës politike

Për çfarë optimizmi bëhet fjalë kur të rinjtë dhe të gjitha shtresat e popullsisë ia kthejnë shpinën atdheut të tyre dhe ikin drejt vendeve evro-perëndimore. Përderisa emigrimi masiv përgjatë viteve ’90 ishte i justifikueshëm shkaku i dhunës sistematike dhe represionit serb, fatkeqësisht emigrimet masive të viteve të fundit janë produkt i thyerjes së shpresave për jetë nga keq-qeverisjet e njëpasnjëshme të politikanëve shqiptarë.

Për dallim nga emigrimet e viteve të ’90-ta, të cilat ishin të ndikuara nga dhuna fizike dhe shkaqet socio-ekonomike, emigrimet e ditëve të sotme janë produkt i demotivimit për jetë në shtetin e lirë dhe të pavarur të Kosovës.

Në mesin e atyre që po largohen nga Kosova nuk janë vetëm të rinjët që po e ndërprejnë shkollimin për t’u shndërruar në punëtorë krahu në shtetet perëndimore, por janë edhe shtresa intelektuale, janë mjekët specialist dhe infermierët, studentët dhe profesorët, policët dhe ushtarët, janë të gjithë ata që nuk janë të zanatit të politikës (hajnisë)!

Përqindja më e madhe e largimit nga Kosova është në vendet rurale, gjysmë urbane dhe më pak në ato urbane. Shkaqet janë të shumta dhe të shumllojshme, duke filluar mungesa e perspektivës zhvillimore, mungesa e sigurimeve shëndetësore, pagat e ulëta dhe pasiguria në vendet e punës në sektorin privat, degradimi i sistemit arsimor dhe atij shëndetësorë, degradimi i sistemit të drejtësisë (prokurorisë dhe gjyqësorit) kanë bërë që edhe njerëzit me nivelin më të lartë arsimor ta braktisin vendin.

Ikja e trurit kombëtar, e shtresës intelektuale është në përmasat më shqetësuese, do të thoja alarmante, pasi ky boshëllëk do të jetë me pasoja afatëgjata dhe vështirë i kompensueshëm për një kohë relativisht të gjatë.

Pse nuk largohen politikanët nga vendi?!

Përgjigja në këtë pyetje është fare e lehtë dhe e thjeshtë. Përderisa politika është kthyer në biznesin më profitabil në vend, partitë politike janë kthyer në korporata fitimprurëse për kastën e lartë politike dhe klientelat (sekserët) e tyre në Kosovë dhe Diasporë.

Se sa tërheqëse është bërë politika për njerëzit në Kosovë dhe trojet etnike shqiptare në përgjithësi e dëshmojnë skandalet e përditshme korruptive të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe atyre publik, të cilët jo vetëm që e shkelin ligjin dhe dhunojnë Kushtetutën, abuzojnë me ligjin dhe zhvatin buxhetin e shtetit në të gjitha nivelet.

Politikanët sa më të lartë në hierarki mbetën të pandëshkuar nga drejtësia, por si gjithnjë ndëshkohen “peshqit e vegjël” të politikës apo sekserët e tyre, por asnjëherë të fortët e politikës.

Për këto 24 vjet nga paslufta dhe 15 vjet e gjysmë nga ri-shpallja e pavarësisë, edhe përkundër aferave të shumta korruptive dhe skandaleve të njëpanjëshme qeveritare nuk e kemi asnjë rast të vetëm ku është dënuar për korrupsion një zyrtarë i lartë shtetërorë apo liderë partiak!

Ky është një tregues për bashkërendim të krimit të organizimit dhe korrupsionit mes pushtetit dhe opozitës.

Kjo klasë kusarësh politikë vetëm “përlahen” para opinionit publik në Parlament dhe në studiot televizive, por në prapaskenë janë në bashkëdyzim dhe harmoni të plotë me njëra-tjetrën pushteti dhe opozita kur janë në pyetje tenderët, vjedhja e parasë publike dhe mitmarrja (ryshfeti) në bashkëqeverisjet komunale. Si pasojë e kësaj situate, popullata ndjehet e braktisur nga klasa aktuale politike, ku këta të fundit mendojnë dhe punojnë vetëm për xhepat e tyre.

Përveq papunësisë, varfërisë dhe mungesës së përspektivës zhvillimore, shqetësuese është bërë edhe mungesa e sigurisë. Rritja e akteve kriminale, përkatësisht e shtimit të vrasjeve në Kosovë e shpërfaqë mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë dhe e motivon akoma më shumë largimin masiv të popullatës sëë mbetur nga vendi.

Florim Zeqa

21.08.2023



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora