Mendime
Ibrahim Kabili: Të mbështesim letrën e deputetëve evropianë dhe amerikanë
E diele, 20.08.2023, 06:33 PM
Të mbështesim letrën e deputetëve evropianë dhe amerikanë drejtuar Blinkenit, Borellit dhe Britanisë së Madhe...
Nga
Ibrahim Kabili
Të
bëjmë protesta demokratike pranë fuqive
vendimmarrëse në mbështetje të çështjes së Kosovës. Duhet përdorur çdo mjet demokratik
për ta mbrojtur Kosovën nga politika hegjemoniste e Serbisë kundër saj. Shqiptarët
e shpërndarë në të gjithë botën duhet të bashkohen në mbështetje të tërësisë
tokësore të Kosovës. Këtë mund ta cënoi në çdo kohë asociacioni me kopetenca
ekzekutive, i komunave me shumicë serbe. Po kështu duhet të mbështesim dhe
mbrojmë UCK-në si vlerë kombëtare nga sulmet në rritje të Serbisë. Kriminelët
serbë enden të lirë... Ish-komandantët gjykohen në Hagë... Arrestohet në Tiranë
ish-ushtari i UÇK-s, Dritan Goxhaj... Siç duket mëpas do ketë edhe të tjera
arrestime... Çfar tregon kjo? Në lidhje
me Dritanin nuk flas si individ pasi nuk e njoh fare, por për aktin e tij dhe e
shumë të tjerëve si ai që i'u bashkuan vullnetarisht UÇK-së dhe luftës heroike
të saj. Dora serbë vazhdon dhe godet aty ku ishte pika jonë më e fortë, UÇK-ja.
Kjo dorë vrastare nuk do ketë të ndalur. Çuditërisht reagimet tona janë
minimale... Çfar presim? I vëmë "fajin", Kurtit për
"gabimet" e tij. Asnjë faj nuk ka Kurti si kryeministër dhe qeveria e
tij. Si për dështimet apo arritjet e tij, ai ikën dhe vjen me votë, o njerëz të
mirë... Prandaj duhet bllokuar Serbia pasi ajo çdo ditë e më shumë po bëhet më
e rrezikshme dhe më agresive ndaj Kosovës dhe Ballkanit. Ngrihuni të gjithë dhe
përdorni çdo mjet demokratik për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për
rrezikun që vjen nga Serbia dhe Vuçiçi. Duhet thënë jo, "bosnjëzimit"
të Kosovës. Bashkohuni shqiptar kudo që jeni; në Shqipëri, Kosovë, në trojet
etnike, në Evropë e diasporë, etj. Shqiptarët e diasporës që jetojnë dhe
punojnë në SHBA, Vatra dhe vatranët duhet të ngrihen, të sensibilizojnë
opinionin, politikën amerikane dhe Presidentin BIDEN, për rrezikun që sjell
"Asociacioni" me kopetenca ekzekutive për Kosovën. Kjo të çon në
ndarje. Kosova pa Trepçën dhe Ujmanin është e vdekur dhe jo funksionale. Duhet
bërë protesta paqësore masive në Bruksel dhe Amerikë për të kundërshtuar
ndarjen. Atë don me çdo mjet të arrijë, Serbia. Fajtori për gjendjen në veriun
e Kosovës është Serbia. Duhet mbështetur Qeveria e Kosovës dhe kryeministri
Kurti në qëndrimet e tij, ndaj Serbisë. Kosova po përballet me një shtet dhe
armik të fuqishëm, Serbinë. Për ndaljen e Serbisë në qëllimet e saj duhet
reagim mbarë kombëtar. Le ta mbështesim Kurtin si kryeministër në qëndrimin e tij ndaj Serbisë.
Le t'u tregohet vendi edhe "shqipfolësve" që na bëjnë të
"diturit" dhe punojnë për Serbinë... Kush ka nevojë për këto
"paçavure" që natë e ditë s'pushojnë së foluri kundër Kosovës dhe
qeverisë demokratike të saj. Janë po këta që nuk thonë asnjë fjalë kundër
Vuçiçit dhe Serbisë. Elita intelektuale duhet ta thotë fuqishëm fjalën e saj.
Duhet mbështetur me protesta paqësore letra e 96 politikanëve e deputetëve
evropianë dhe amerikanë dërguar Blinkenit, Borellit dhe Britanisë së Madhe, për
proporcionalitet dhe ndryshimin e qëndrimit ndaj Serbisë, në raport me Kosovën.
Serbia po përkëdhelet nga Borell dhe Lajçak dhe duhet të merren masa
ndëshkimore ndaj saj. Më bëri përshtypje dhe duhet marrë si shembull politikani
ukrainas Aleksandër Merezhko i cili krahas të tjerëve, është bërë pjesë e një
thirrjeje për BE-n dhe SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, ku ndër të tjera thuhet,
se: "... Është nder të qëndrosh në mbështetje të lirisë, demokracisë,
paqes dhe stabilitetit. Bota e lirë nuk duhet të heqë sytë nga Ballkani.
Balancimi dhe proporcionaliteti duhet të jenë fjalët tona në trajtimin e
Kosovës dhe Serbisë”. Ky shembull është mjaft domethënës pasi Ukraina ende nuk
e ka njohur pavarësinë e Kosovës...
Ibrahim Kabili
Tiranë, më 08.08.2023