Mendime
Idriz Zeqiraj: Është koha që Franca dhe Gjermania të dëshmojë drejtësi për Kosovën
E premte, 18.08.2023, 06:27 PM
Letër e hapur
PRESIDENTIT EMMANUEL MACRON
KANCELARIT Olaf SCHOLZ
- Është koha që Franca dhe Gjermania të dëshmojë drejtësi për
Kosovën -
Ju përzgjodha për këtë
letër, ngaqë e di peshën Tuaj brenda BE-së dhe më gjerë. Angazhimi Juaj President
Macron dhe Kancelar Scholz, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e
konsiderojmë si një nismë fisnike. Sepse ndërmjetësuesit Borrell dhe Laiçak
dështuan, duke u pozicionuar njëanshëm në përkrahje të persekutorës Serbi, për
ta anashkaluar dhe dëmtuar viktimën Kosovë.
E kuptojmë ngutinë e
shteteve të Quintit, për ta qetësuar Ballkanin Perëndimor, duke e tërhequr
Serbinë në Evropën Demokratike dhe shkëputjen e saj nga Rusia ekspasioniste e
fashiste. Por, kjo nuk duhet të bëhet assesi në dëm të Kosovës, duke e bërë
Serbinë hisedare në territorin e Kosovës.
Për këtë është zgjedhur
mënyra përfide: Fillimisht, bërja e Asociacionit për komunat me shumicë serbe,
pastaj veprimet "alla Dodik", si në Bosnje Hercegovinë, për ta bërë
një -Republika Srpska-, me qëllim të shkëputjes të veriut të Kosovës dhe
bashkimin me Serbinë.
Në harkun kohor prej tri
dekadash, janë provuar disa faje, të cilat Qendrat e Vendosjes i kanë bërë ndaj
shteteve tjera:
Presidenti Clinton e
pranon fajësinë se bindi Ukrainën, për të hequr dorë nga programi bërthamor.
Por, e pësoi me përgjakjen që i bënë Rusia sot Ukrainës.
Ambasadori Cristopher
Hill thotë se "bëra gabim që lejova krijimin e Asociacionit, për 14
komunat serbe në Bosnje e Hercgovinë. Sepse, me gjithë garancitë tona, serbët
atje themeluan Republikën e tyre dhe kërcënojnë me shkëputje nga Bosnja
Hercegovina, për t`u bashkuar me Serbinë. Ndërkohë, "non grata" të
DASH-it amerikan, Dodik e quan "letër higjenike!"
Plani i Presidentit Ahtisari
rezulton të këtë qenë i ndikuar nga miqtë evropianë të Serbisë. Presidenti
Clinton e pranoi se "nuk isha dakord me Asociacionin e komunave serbe në
Kosovë".
Ngulmimi për ta bërë
Kosovën multi-etnike, ishte marrëzi, kur dihet se 94 % e popullsisë të saj janë
shqiptarë. Edhe pse e betë Kosovën multi-etnike në letër, me qëllim që t`u
jipni më shumë të drejta minoriteteve në Kosovë, madje deri në cënimin e
funksionimit normal të shtetit të Kosovës, siç është pamundësia e marrjes të
disa vendimeve, -pa 2/3 (dy/tretat) e deputetëve të minoriteteve-, tani BE-ja
kërkon krijimin e Asociacionit mono-etnik për serbët e Kosovës!?! Një
kontradiktë e paakceptueshme! Pse bëhet dhe kujt i duhet kjo -lojë e
përgjakshme-, kur dihet se kufinjtë nuk mund të ndryshohen pa luftë?!!
Pak histori:
Më 1878, kur Kongresi i
Berlinit përgjysmoi territorin tokësor, të banuar, kryesisht, nga shqiptarët,
duke ua dhuruar fqinjëve lakmiqarë ballkanas, Franca dhe Gjermania ishin pjesë
e krimit, përkrah Rusisë cariste.
Në vitin 1913, në
Konferencën e Londrës, Gjermania shkëputet nga aleanca e mëparshme dhe
rrjeshtohet përkrah Austro-Hungarisë, në mbrojtje të pavarësisë të Shqipërisë,
të shpallur një vit më parë. Ndërkohë, Franca aprovoi konfiskimin e trojeve
tjera shqiptare, përfshi edhe Kosovën, me trevat tjera shqiptare, përsëri
Franca ishte aleate e Rusisë, përkatësisht e Serbisë.
Me mbarimin e Luftës së
Dytë Botërore, Shqipëria komuniste vendosi regjimin diktatorial. Gjatë luftës, ajo
nuk bëri asnjë betejë ballore me pushtuesit italianë e gjerman. Por, bëri luftë
civile kundër "Ballit Kombëtar" antikomunist. Prandaj, edhe pse,
formalisht, i takonte Bllokut Antifashist, nuk gëzoi reparacionet,
dëmshpërblimet e luftës. Vrasjet, pa gjyq dhe me gjyqe fiktive, ndaj
kundërshtarëve ideologjik e politikë, i vazhdoi edhe pas luftës, duke i
ekzekutuar e burgosur të gjithë deputetët demokratë. Në shenjë proteste, për
fashistizimin e vendit, me vrasje, burgje, internime, duke i vrarë e lënë 6.000
intelektualë pa varr, SHBA, me aleatë, si Gjermania, Anglia e tjera, ndërprenë
marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë staliniste e tej fashiste.
Ndërsa, Franca jo vetëm
që nuk i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, përkundrazi, ajo u përkujdes
për shëndetin dhe dhëmbët e diktatorit filo-sllav Enver Hoxha!
Një gazetar i një medie
prestigjioze, pyet një ministër francez: "Pse Franca, me aleatë, toleron
bandën pushtetare të Enver Hoxhës, ta torturojë në dekada, popullin shqiptar në
Shqipëri?!"
- Minstri francez
përgjgjet me cinizëm: "Shqipërinë e kemi lënë si një muze të mjerimit në
Evropë!"
Ja, deri ku arrinë
mendësia e përfaqësuesit të Francës, dikur tempull i Revolucionit, lirisë,
drejtësisë, barazisë në Evropë dhe mëtej në botë.
Në luftën, më saktë,
masakrën e Serbisë në Kosovë, 1998-1999, edhe pse Franca, si anëtare e
NATO-paktit, për herë të parë reflektoi dhe u rrjeshtua në krahun shpëtimtar të
Kosovës, megjithatë, miqësinë me Serbinë nuk e harroi. Një oficer francez, pjesë
e kontigjentit ushtarak francez, dekospiroi, spiunoi planet, veprimet goditëse
të NATO-s, përgjatë bombardimeve në caqet vitale ushtarake në Serbi, Mal të Zi,
Kosovë!!
Për hirë të unitetit të
aleancës ushtarake, rasti i rëndë i tradhtisë, u tejkalua, u mbyll si një
epizod skajor, eksepsion, përjashtues, edhe pse shumë domëthënës, në kuadrin e
vijimësisë të një aleance, gjithnjë të ruajtur dhe besnike!
Franca në aleancë të
fshehtë me Serbinë, kundër Kosovës!
E gjithë drama e sotme e
Kosovës nismon me "miqësinë" e frengut Arnaud Danjean me Hashim
Thaçin, në Zyrich dhe Gjenevë të Zvicrës, qysh para luftës. I pari që e zbuloi
dhe e denoncoi këtë "miqësi", ishte bashkëpunëtori i afërt i
Hashimit, i ngarkuari me punë të Jashtme i LPK-së, Bardhyl Mahmuti.
Ndërsa shefi gjeneral i
Shërbimit Sekret të Francës, Pierre Siramy, anëtar i DGSE, në një dokumentar
Special, të "CANAL +", thotë: "Hashim Thaçi është agjent i yni,
agjent i Francës. Në historinë e rekrutimit të Thaçit është përfshirë Arnaud
Danjean, në atë kohë Oficer Hulumtues për Çështje të Ballkanit". Ai ishte
dhëndër i Serbisë dhe e fliste gjuhën serbe.
Lëvizja Popullore e
Kosovës (LPK), ishte organizatë ilegale, që veproi në Kosovë dhe Mërgatë. Dega
e LPK në Mërgatë, përmes agjentëve të UDB-së dhe "diplomatëve"
shqiptarë, pjesë e Sigurimit Sekret të Shqipërisë, u vu nën kontrollin e tyre.
Disa nga krerët e LPK-së, tashmë, ishin agjentë të dyfishtë.
UDB-a, në koordinim me
agjentët e saj, nga radhët e LPK-së, ekzekutoi disa krerë nacionalistë: Jusuf e
Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, Vehbi Ibrahimin, Enver Hadrin dhe të tjerë.
Organet kompetente gjermane i arrestuan agjentët e Serbisë dhe të Shqipërisë,
njëherësh, pjesë e krimit faktik, por, për habi, i liruan "në mungesë
provash?!" Ndërkohë, gjykata gjermane, për vrasjen e një disidenti kroat
në Mynih, organizatorin e vrasjes, e dënoi me burg të përjetshëm.
Agjentët e dyfishtë,
krerët e LPK-së, në mesin e mërgimtarëve të Kosovës, sabotuan fondet për
mbijetesën e popullit të Kosovës, nën pushtetin serbo-sllavë, përgjatë dy
dekadave. Grupit të hafijeve të hershëm të UDB-së dhe të Sigurimit Shqiptar, iu
shtuan edhe agjentë të rinj, Hashimi me shokë. Këta ishin më të zi se të
vjetrit. Bënë puç në Kryesinë e vjetër të LPK-së.
Tirana zyrtare
social-komuniste kushtëzoi marrjen e dhunshme të drejtimit të partisë (LPK-së);
fletushkën "Zëri i Kosovës"; Fondin "Vendlindja thërret",
duke e bërë -të parë- kuadrin e PS-së, njeriun e SHISH-it dhe të SHIK-ut,
njherësh! Edhe pse Kryesia e re e LPK-së, e akuzoi për tradhti Kryesinë e
vjetër, të dy palët, agjentët e dyfishtë, të UDB-së dhe të Sigurimit Shqiptar,
u bënë pjesë, me agjitim, tashmë, me fletushkën të bërë gazetë "Zëri i
Kosovës", kopje e pistë e "Zëri i Popullit" dhe me praninë
fizike, në përkalljen e Shqipërisë, në vitin 1997!!
Të paktën, 4 (katër) nga
pretenduesit e themelimit të "UÇK-së" të LPK-së, dematojnë Hashim
Thaçin:
a) Hashimi nuk është
themelues i UÇK-së;
b) Asnjë strukturë
partiake apo ushtarake nuk e ka emëruar Hashimin Drejtor Politik të UÇK-së;
c) Askush nuk e ka
zgjedhur Hashimin udhëheqës të delegacionit të Kosovës në Rambuje;
d) Hashimi nuk është
pjesë e luftës të "UÇK-së".
e) Askush nuk e ka
autorizuar Hashimin, për ta lexuar deklaratën e shpalljes të Pavarësisë të
Kosovës. sepse nuk po shpallej qeverua e pavarur, por
shteti i Kosovës. Dhe, para tij ishin Presidenti i Republikës dhe
kryetari i Kuvendit të Kosovës. Pra, marrja e
kompetencave të huaja, ishte e turpshme. Hashimi donte të hynte, dhunshëm e
turpshëm, në histori!
Pra, Hashim Thaçi nuk
është as kreu dhe as bishti i UÇK-së, siç e kam thënë dhe përsëritur
publikisht. Të gjitha këto atribute ia ka dhënë vetës, me këshillimin e
agjentit të Shërbimit Hulumtues francez DGSE, Arnaud Danjean, shef dhe mentor i
Hashimit.
Nga përgjimi i kuadrit
të specializuar të Kosovës dhe të ndërkombëtarëve, njëherësh, rezulton se
agjenti Arnaud Danjean, i ishte bërë "pullë" Hashim Thaçit, duke e
nxitur ta refuzojë dhe dështojë "Konferencën, përkatësisht, Marrëveshjen e
Rambujesë", gjegjësisht, nënshkrimin e saj, sepse këtë e priste Beogradi
nga miku i tij, Danjean. Siç thotë politikani, përfaqësuesi i Shoqërisë Civile
në Konferencën e Rambujesë, Veton Surroi: "Po të ishte dëgjuar Hashim
Thaçi në Rambuje - lamtumirë Kosovë!"
Publicisti Surroi, si
askush tjetër, në librat e tij, me tematikë para, gjatë dhe pasluftës,
lakuriqësoi megallomaninë, injorancën, tradhtinë dhe hiçësinë e LPK-së, duke e
mohuar, madje, tërësisht, ekzistencën e "UÇK-së" të LPK-së, e cila
nuk arriti kurrë të angazhohet në Luftën e Kosovës, me formacionet e saja
ushtarake. Realisht, LPK-ja, përkatësisht, "UÇK-ja" e saj, kishte
"komandantë", të vetëquajtur, por, pa ushtarë. Ushtarët ishin të
FARK-ut të Ibrahim Rugovës dhe këtë e pranojnë, të paktën, dy komandantë
rezidentë në Kosovë, përgjatë luftës. Njëri pranon se 98 % të ushtarëve dhe
tjetri qind për qind (%) të ushtarëve ishin nga radhët e LDK-së.
E pranojnë themeluesit e "UÇK-së" të LPK-së, të paktën,
4 (katër) syrësh, edhe përsëritur publikisht, se "UÇK-ja" e LPK-së
dhe lufta u sabotua. Rrjedhimisht, tradhtia ndodhi dhe përmendin 4 (katër)
emra, sipas pozitave fiktive që mbanin: Hashim Thaçin, Azem Sylën, Xhavit
Halitin dhe Kadri Veselin. Me zemratë të veçantë këtë tradhti e denoncon dhe
dënon ish-zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi, i cili shton se "Komunikatat,
në emër të SHTAB-it të UÇK-së, nuk janë shkruar nga BANHOFËT!"
Ndërkombëtarët,
përkatësisht, NATO me "Apaçët" saj, çliroi Kosovën, në kufinjtë e saj
klasik, ekzistues, sepse ish-Republikat, Krahina e Kosovës dhe Provinca e
Vojvodinës, të cilat përbënin Federatën Jugosllave, kishin kufinjtë strikt të
përcaktuar administrativ. Atëherë, pse kontigjenti i KFOR-it francez e zbriti
kufirin në Urën e Ibrit, përkatësisht, përgjatë Lumit Ibër, gjë që një lëvizje
e tillë e kufinjëve, nuk ndodhi në asnjërin, tashmë, shtete të ndara nga
Jugosllavia?!
Kriminelët serbë në veriun
e Mitrovicës, sulmuan shqiptarët vendorë, në shtëpitë e tyre, duke vrarë një
duzinë dhe duke përzënë disa mijëra të tjerë, me qëllimin ultra-fashistë, ta
ndryshojnë stukturën e popullatës në atë zonë. E gjithë kjo plojë ndodhi në
praninë e ushtarëve francezë, ndërkohë që ishin zotuar për të mbrojtur
popullatën, pa dallim përkatësie nacionale, fetare, ngjyre apo ideologjie.
Megjithatë, u bënë spektatorë gjakftohtë, përballë krimeve makabre.
Protestuesit shqiptarë dhe minoritetet tjera jo serbë, nga pjesa jugore e
Mitrovicës, u bllokuan nga ushtarët francezë ke Ura e Ibrit.
Hashim Thaçi dhe Kadri
Veseli mbajtën fjalimet e tyre mashtruese, me premtimin se, "së shpëjti do
t`ju kthejmë në shtëpitë tuaja" në veri, gjë që nuk ndodhi asnjëherë deri
më tani. Dhe, vrasjet, rrahjet brutale dhe dëbimet individuale e grupore
vazhduan dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.
Kosova kurban i
komandantëve të "UÇK", të shantazhuar me dosjet e krimeve serike
Disa nga komandantët e
"UÇK-së" të LPK-së, të etur për pushtet, u zhytën në krime vrastare,
të kundërshtarëve politikë, kryesisht, ushtarakëve të FARK-ut; bashkëpunëtorë
të Presidentit Rugova; veprimtarëve të LDK-së; gazetarëve të luftës; kuadrove
të hershëm të LPK-së, rivalë të mundshëm në të ardhmen, brenda llojit, si dhe
të aktivistëve të së djathtës shqiptare të Kosovës.
Të gjitha këto krime të
LPK-së së djeshme, përkatësisht, të PAN-it të sotëm, janë "një e fshehtë
publike", sepse janë krime masive, gjysmë legale, jo 100 e as 200 vrasje
politike, por, sipas llogaritjeve, kapin shifrën e disa qindra personave, të
ekzekutuar ditën për diell dhe natën në errësirë.
Ndoca vrasje u bënë ende
pa filluar lufta. U shtua numri i vrasjeve, me urdhër të SHTAB-istëve të
"UÇK-së" të LPK-së, madje me lista emërore morbide, të bëra në vilat
e Bllokut të Zi të Tiranës. Pas lufta ishte e frikshme, jo vetëm për kuadrot e
LDK-së, por edhe për të gjithë ata që nuk pajtoheshin me veprimet fashiste, të
bandës të Qeverisë të Përkohshme të Hashim Thaçit, e kopjuar, besnikërisht, nga
junta ushtarake, ultra fashiste të partizanëve të Enver Hoxhës. Emërtesa -
Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale -, siç e cilëson bandën e qeverisë në fjalë,
Prokurori amerikan Xhack Smith, është adekuate e saktë.
UNMIK-u, me shefin e tij
Michael Kouchner, bënte sehir, ai e dinte se Hashimi është agjent i Francës dhe
përqafohej, deri në puthje, me atë. Asfare nuk i bënin përshtypje vrasjet
politike, pothuajse, të çdoditshme. Ndonëse vrasjet ishin gjysmë legale, policia
arrestonte vrasësit individual e gruporë faktik. Kinse i hetonte, me ditë, javë
e muaj dhe "i lironte për mungesë faktesh!" Ndërkohë, grupi kriminal
vriste ndonjërin nga mesi i tyre dhe krimi i faturohej të vrarit.
Në prillin e 2003, në
Kompleksin Memorial në Koshare, shefja ime e Emërgjencës, Sabahate Tolaj, e
vrarë në cilësinë e Hetuesës Speciale, së bashku me Isuf Haklaj, tashmë,
Heroinë dhe Hero të Kosovës, më thoshte: "E bëjmë gadi dosjen e krimit,
pothuajse, të gatshme për Gjykatë. UNMIK-u na e merr dosjen nga dora, e futë në
kasafortë dhe kurrë më nuk hapet! Dhe, na jep një dosje tjetër për trajtim!
Hashim Thaçi ishte në
dijeni se fati i tij, me bashkëpunëtorë në krime, është në dorën e Serbisë,
ngaqë ajo posedonte dosjet me krimet numerike të tyre. Hashimi, me PAN-in e
tij, provoi dhe dështoi në zhbërjen e Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në
Hagë. Ai me komandantët e tij të inkriminuar, kryesisht, vrasjen e
kundërshtarëve politikë shqiptarë, u dakordua të zbatojnë planet e Serbisë në
kurriz të Kosovës, deri në ndarjen e saj, në këmbim të lirisë së tyre personale
e grupore.
Serbia vepron, organizon
protesta të dhunshme të mars-prillit 2004, në Kosovë, përmes agjentëve të saj,
brenda partive-banda të PAN-it, përkatësisht, PDK, AAK, NISMA, për qëllime
politike, ku u vranë 19 persona dhe u dogjën shtëpi e kisha ortodokse serbe.
Policia e UNMIK-ut arrestoi kryesuesit e protestave vandaliste, disa krerë të
OVL të UÇK-së të komunave, si dhe disa kryetarë lokalë të partive të PAN-it, por
jo edhe shefat e tyre, hafije të Serbisë. Pas pak muajsh, i liroi, pa i kërkuar
llogari Beogradit, edhe pse e dinte se qëndronte prapa këtyre protestave
vandaliste të përgjakshme
Për këtë BE-ja,
ndërkombëtarët penalizuan, padrejtësisht, Kosovën, duke kërkuar dhe bërë
decentralizimin e pushtetit lokal, përkatësisht, duke krijuar fshat e komunë
serbe, për të ardhur tek kërkesa absurde - krijimin e Asociacionit të komunave
me shumicë serbe-, që është bërë "Thembra e Akilit" për shtetin e brishtë
të Kosovës.
Thaçi, me porosi të
Serbisë, dialogun Teknik e shëndrroi në Politik
Përtej një dekade
vazhdon dialogu Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e përfaqësuesëve të BE-së.
Filloi si dialog teknik dhe Serbia, me mbështetjen e drejtëpërdrejtë të Hashimit
dhe të përfaqësuesëve të BE-së, e ktheu në dialog politik. Këtë e arriti Serbia
përmes pengut të saj, rrast të shantazhuar, Hashim Thaçi dhe veglës së tij,
Edita Tahiri, e cila mashtronte opinionin se "dialogojmë vetëm për çështje
teknike!?"
Presidenti i shantazuar
Hashim Thaçi, me shokët e tij të krimeve numerike, i ndodhur në siklet të madh,
nga hetimet që bënte Prokurori Xhack Smith, për krimet e luftës dhe të
pasluftës, përmes diplomatëve ambasadorë, të prirë nga Vlora Çitaku,
intensifikoi lobimin, madje me pagesë të majme, për ndarjen e Kosovës. Lobuesit
e dikurshëm për çështjen e Kosovës, tani u bënë argatë të Hashimit, për
zhbërjen e Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë. Me Vuçiqin e kishte
bërë pazarin, të cilin, për opinionin e shpalosi, shelegu i Hashimit, spiuni i
hershëm i Serbisë, Baton Haxhiu, në T7, emisioni "PRESSING", me
drejtues Leonard Kërçukun:
1) Veriu i Mitrovicës
t`i lihet Serbisë;
2) Të zhbëhet
Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë;
3) Të bëhet falja
e krimeve reciproke dhe pajtimi Kosovë-Serbi.
Për ndarjen e Kosovës
ishte pajtuar edhe këshilltari me pagesë i Serbisë, amerikani Richard Grenell.
Ardhja e Albin Kurtit në pushtet e shqetësoi Grenellin. Ai e shpërfilli Kurtin
dhe flirtoi me LDK-në dhe PAN-in. Në mënyrë mafioze dhe arbitrare i dha urdhër
LDK-së, që brenda javës ta prishë koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje. Dhe,
ashtu u bë! Ishte goditja fatale, jo vetëm për dy partitë në koalicion, por
edhe për Kosovën.
Serbisë nuk po i shkonte
"muhabeti" me kryeministrin Kurti. Si në kor, reagoi katërsha e parë
e Beogradit zyrtar: Vuçiq, Bernabiq, Daçic, Vulin: "Me Thaçin dhe
Haradinaj merreshin vesh, me Kurtin nuk bisedohet!"
Njeriu i parë i BE-së,
Borrell dhe disa ndërmjetës të tjerë, përkrah Serbisë!
Kurti nismoi
reciprocitetin me Serbinë, kalimin kufitar me dokumente të njëjta, targat dhe
të tjera. Reagimi nga pala serbe ishte i sertë. BE-ja, ndërkombëtarët,
"Kosova ka të drejtë, por, të mos politizohen targat, sepse ato janë
teneqe!" Në fakt, targat ishin pjesë e sovranitetit, pasi serbët, në
veçanti, ata në veriun e Kosovës, deklaronin hapur se "nuk e njohim
pushtetin e Kosovës, jemi me Serbinë, president e kemi Vuçiqin!"
Bandat serbe provokonin,
deri në plagosjen e policëve të Kosovës. Mjaftoi arrestimi i një krimineli dhe
ata të protestonin, të barrikadonin. Përfaqësuesit e BE-së, në ndërmjetësim të
dialogut, kishin mirëkuptim për bandat e veriu dhe akuzonin qeverinë Kurti
"për provokimin e serbëve! Serbët kanë drejtë të vënë barrikadat, thonin
ndërkombëtarët". Dhe, kjo i trimëroi bandat, duke shtuar barrikadat edhe
në rrugët dytësore e tretësore.
KFOR-i dhe EULEX-i
përsërisnin deklaratat klishe: "Jemi këtu për mbrojtjen e të drejtave të
njriut dhe lëvizjen e lirë të njerëzve!" Ndërkohë, barrikadat shkëlen të
drejtat elementare të lirisë dhe të lëvizjes, për një muaj radhazi. Edhe
ushtarët e KFOR-it ecnin në këmbë, në rrugët dhiare e mushkatore. Rast unik në
botë! Evropa dhe bota u dorëzua para bandave serbe të veri" Tmerr e
marrëzi!!
"Të bëhet
normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi me njohjen "de jure" të
Kosovës-, - thanë personalitetet e BE-së dhe SHBA-së, përfshi edhe Presidentin
Biden. Për çudë, u pishmanzuan, "jo, Serbia nuk po pranon, atëherë vetëm
njohje "de fakto". As këtë nuk e pranoi dhe as marrëveshjet tjera nuk
i nënshkroi Vuçiq! "Të vazhdohet edhe pa nënshkrim",- thanë Lajçak e
Borrell. Nga Brukseli, u kalua në Ohër, si simbolikë e një marrëveshje të
brendshme maqedono-shqiptare, dikur në Maqedoni. Edhe këtë marrëveshje e
dështoi Serbia. Ajo nuk pyeti as për platformëm-shpresë për zgjidhje të dyshës
së fuqishme evropiane, Macron-Scholz! Një mujëshi dhe poshtërim i radhës ndaj
Evropës dhe botës, nga ana e Serbisë!
Beogradi zyrtar në koordinim
me Moskën, urdhëruan serbët e veriut t`i braktisin të gjitha zyrat në veriun e
Kosovës, përfshi policinë, gjyqësinë, parlamentin dhe administratën vendore.
Kërkonin më çdo kusht e çmim kaos e gjakderdhje, me qëllim të përfitimit
politik, deri në shkëputjen e veriut të Kosovës dhe bashkimin me Serbinë. Ky
qëllim do të arrihej përmes -krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë
serbe-! Krejt njësoj si në "Republika Srpska" në Bosnje dhe
Hercegovinë. BE-ja, me ndërkombëtarët tjerë, si papagaj, përsërisnin plotësimin
e këtij kushti fatal për Kosovën.
Ndërkohë që,
personalitetet evropianë e botërorë; gazetarë e analistë prestigjiozë,
përcjellës të rrjedhave politike ballkanike, evropiane dhe botërore, i bënin
thirrje BE-së, SHBA-së dhe Kosovës, "mos pranoni kushtin kriminal të
Serbisë, - krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe -, sepse kjo
është nismë e autonomisë territoriale për serbët e Kosovës, respektivisht,
bllokim i sovranitetit të Kosovës, në perspektivë shkëputjen e veriut të
Kosovës dhe bashkangjitjen Serbisë.
Këto qëllime, tashmë,
janë bërë publike nga Komisioni i minoritetit serb, në "Draft-statutin për
Asociacionin e komunave me shumicë serbe, në Kosovë", ku kërkohet autonomi
territoriale dhe referendum të serbëve të Kosovës"! Dhe, këtë
"Draft-statut", sa të poshtër, aq edhe kriminal serb, të hartuar në
Beograd e Moskë, ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak,
cinikisht e pacipërisht, e quan "nismë të mirë për dialogimin e mëtejmë!"
Më qartë nuk ka se si të pranohet, nga përfaqësuesi i dialogut, më sakt, nga
BE-ja, ndarja dhe aneksimi i një pjese të territorit të Kosovës nga Serbia!!!
Ndërmjetësues e jo mahi!?
Për muaj të tërë Veriu i
Kosovës u la në mëshirën e kriminelëve serbë, duke e bllokuar qeverinë e
Kosovës për çfarëdo ndërhyrje, për t`i dhënë fund kaosit, anarkisë, terrorit të
bandave serbe, të cilat vazhdonin të digjnin veturat dhe të dëmtonin pronat e
serbëve vendorë, kryesisht, të opozitës serbe, duke mos lejuar asnjë
bashkëpunim me pushtetin dhe qeverinë e Kosovës.
Ndërkombëtarët u pajtuan
të mbahen zgjedhjet komunale në katër komunat e veriut të Kosovës. U njoh edhe
rezultati i zgjedhjeve ligjore e demokratike. Por, Beogradi zyrtar nuk i njohu
dhe urdhëroi bandat, për bllokimin dhe pushtimin e zyrave komunale.
Ndërkombëtarët, pothuajse, -en bloc- u pajtuan me Vuçiqin, përveç Anglisë, e
cila ishte përkrah Kosovës. Përpjekja e Qeverisë të Kosovës, të ushtrojë
sovranitetin edhe në këtë pjesë të Kosovës, duke i vendosur kryetarët komunalë
në zyrat e tyre, hasi në kundërshtinë e bandave të armatosura, të dërguara nga
Serbia, enkas, për të shkaktuar rrëmujë e gjakderdhje.
Zullumi kulmoi më 29 maj
2023, në veriun e Mitrovicës, kur bandat e milicisë fashiste të Beogradit
sulmuan ushtarakët e KFOR-it, Policinë e Kosovës, gazetarët, qytetarët vendorë.
Breshëri gurësh, stupca e plumba plagosën tej 30 ushtarë të KFOR-it, policë të
Kosovës, gazetarë dhe qytetarë të tjerë. Një ushtarit hungarez iu amputua edhe
këmba, e goditur nga plumbi.
Shqiptarët e kudondodhur
e përjetuan rëndë, lotuan me dhimbje, si për djalin e tyre, sepse ai ishte në
mbrojtje të ligjshmërisë dhe të sovranitetit të Kosovës. Në këtë krim njerëzor,
u bë pjesë edhe BE-ja, me aleatë, sepse pas çdo eskalimi dhe përshkallëzimi të
dhunës të bandave serbe në veri, në kundërshti të qeverisë të Kosovës, i
përligji veprimet dhe dhunën e bandave serbe, të ndërsyera nga Beogradi zyrtar
dhe personalisht presidenti Vuçiq!
"Të dënohen
dhunuesit, në protestën e paprovokuar të 29 majit",- tha Borrell dhe
ndërkombëtarët e tjerë. Policia Kosovës arrestoi disa protestues të vrazhdët,
"të zënë me pelë për dore", me gurë, stupca e plumba! Borrell dhe
ndërkombëtarë të tjerë, u penduan çfarë thanë dje, amnistuan, madje, pa kërkuar
falje fare banda zyrtare e Beogradit, e prirë nga presidenti Vuçiq. Dhe, për
habinë e të gjithëve, e dënuan dhe e ndëshkuan Kosovën me sanksione. Bota
demokratike nuk u pajtua me këtë marrëzi zyrtare të BE-së dhe të disa
ndërkombëtarëve, andaj reagoi në mbrojtje të Kosovës-viktimë, duke kërkuar
ndëshkimin e Serbisë provokatore dhe persekutore.
Të nderuar President
Macron dhe Kanzelar Scholz,
Më ndjeni për
zgjatjen, por, e pashë të arsyeshme të bëj një përvijim kronologjik të trishtë
historik të Atdheut tim-Kosovë, duke e thënë vetëm të vërtetën, madje në
shkallën sipërore.
Tani është radha e Juaj
të vendosni drejtësi, për të mirën e popullit serb dhe atij shqiptar, që është
në interes jo vetëm të Ballkanit, por edhe të Evropës dhe me gjerë në botë.
Shembulli tragjik i Kosovës dhe Bosnjes dje, si dhe i Ukrainës sot, duhet të
jetë pikënisja e Juaj, për një zgjidhje të drejtë, të paanshme, të qëndrueshme,
të bashkëjetesës në fqinjësi korrekte.
Njohja reciproke e dy
shteteve, Kosovë-Serbi dhe largimi nga agjenda e dialogut, bisedimeve për
Asociacionin, madje, i çfarëdo forme dhe varianti qoftë ai, duhet të jenë guidë
dhe moto, për zgjidhjen e problemit të shtisur nga Serbia dhe të dramatizuar,
artificialisht, nga BE-ja dhe ndërkombëtarët tjerë.
Referenca tek - Klausula Sic Stantibus
Rebus", si normë juridike ndërkombëtare, për prishjen një kontrate apo
marrëveshje ndërkombëtare, kur rrethanat kanë ndryshuar rrënjësisht dhe dëmi që
sjellë zbatimi i një marrëveshje të tillë, është fatal për vendin, shtetin, siç
është Asociacioni njëetnik. Qëllimet janë të errëta, me prapavijë bërjen
hisedare të Serbisë në Kosovë, duke krijuar një "Republika Srpska", e
cila paralizon funksionimin normal të shtetit të Kosovës, deri në shkëputjen e
një pjese të saj.
Rrethanat e ndryshuara, nga koha e bërjes të
kësaj marrëveshje fatale ndërkombëtare, janë evidente, të dukshme: Ministri i
Jashtëm, kryeministri e më pas, presidenti Hashim Thaçi, me disa komandantë të
tjerë, ishte i shantazhuari me dosje kriminale vrastare nga Serbia, edhe pse
viktimat e tij, janë, kryesisht, shqiptarë të Kosovës, kundërrshtarë politikë
të tij dhe të disa komandantëve kriminelë të PAN-it të tij.
Në përpjekje për të shpëtuar nga Gjykata Speciale
e Kosovës, me seli në Hagë, ai aprovoi dhe firmosi Marrëveshjen për
Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke e bërë Serbinë
hisedare në sundimin e Kosovës dhe mëtej aneksimin e veriut të Kosovës nga
Serbia. Thaçi, me bandat e tij, me krime e terror, mori kompetenca tej
mbretërore dhe bëri veprime fatale ndaj Kosovës, me elemente të bollshme të
tradhtisë kombëtare, siç është tjetërsimi i tokave të Kosovës.
Një arsye shtesë është se Serbia dhe serbët e
kudondodhur, kanë festuar ngulmimin e krijimit të Asociacionit nga BE-ja dhe
ndërkombëtarët tjerë, si krijimin e një "Republika Srpska", të dytë
në Ballkan, pas asaj në Bosnje e Hercegovinë. Madje, duke projektuar krijimin e
"Botës serbe", e cila, së bashku me "Botën ruse",
pretendojnë ta sundojnë jo vetëm Ballkanin, por, edhe më gjerë Evropën dhe
botën!
Lexoni, gjykoni dhe vendosni, Ju, të nderuar
President Macron dhe Kazelar Scholz!
Shpresoj dhe besoj në mirëkuptimin Tuaj!
Me respekt dhe konsideratë të lartë për Ju -
Idriz Zeqiraj, gazetar