Mendime
Enver Bytyçi: “Shqipëria e Madhe” në skenarët e Beogradit!
E hene, 21.08.2023, 06:56 PM
“Shqipëria e Madhe” në skenarët e Beogradit!
Nga
Enver Bytyçi
Besoj
ju kujtohet ndeshja e futbollit midis kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të
Serbisë në Beograd tetorin e vitit 2014! Të gjithë e mbajmë mend dronin mbi
stadium dhe sherrin “nacionalist” me hartën e asaj që serbët e quajnë
“Shqipëria e Madhe” dhe ne i themi “Shqipëria Etnike”! E mbajmë mend edhe faktin se kjo skenë e
atëhershme, disi e çuditshme, shërbeu për të akuzuar për nacionalizëm vëllain e
kryeministrit, Olsin, si dhe vetë Edi Ramën. Kam shkruar dhe kam thënë asokohe
se gjithçka ishte e sajuar, skenarizuar dhe kishte për regjizor presidentin e
Serbisë dhe strukturat shtetërore të saj.
Ndërsa
tani po ndodh diçka e e ngjajshme dhe njëkohësisht e ndryshme nga ajo kohë. Po
shfrytëzohet vizita e kryeministrit të Kosovës në Tetovë dhe Shkup (Ju lutem mos
përdorni emërtimin Çair, se nuk ka diçka të tillë), me qëllim që të shtyhet
përpara projekti i Serbisë për këtë “Shqipërinë e Madhe” që ata e stimulojnë.
Në Serbi e dinë se Serbia e Madhe mund të realizohet si projekt, nëse
shqiptarët dalin e thonë se “Ne duam Shqipërinë e Madhe” dhe kroatët gjithashtu
kërkojnë po ashtu “Kroacinë e Madhe”! Vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër
Vuçiç, dhe ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, janë angazhuar fort pas
vizitës së zotit Kurti në Maqedoninë e Veriut të flasin për atë që ata e quajnë
“Shqipëria e Madhe”! Ky i fundit paralajmëroi gjithashtu Maqedoninë e Veriut
dhe Malin E Zi.
Sipas
serbëve, nëse ndërtohet rruga me tunel Prizren-Tetovë, kjo i shërben
“Shqipërisë së Madhe”! Ju kujtohet besoj kur të njëjtën gjë thoshin udhëheqësit
serbë për ndërtimin e Rrugës së Kombit dhe Sali Berishën e paraqisnin si
gogolin e destabilizimit të rajonit, pasiqë ai “synon Shqipërinë e Madhe”. Në
fakt nuk kishte asgjë të tillë. Edhe gjatë viizitës së Kurtit në Tetovë e Shkup
nuk pati asnjë deklarim dhe asnjë sinjalistikë të një strukture, çfarë në
Beograd propagandojnë. Askush nga liderët shqiptarë që akuzohen nuk e përmendin
atë që quhet “krijimi i Shqipërisë së Madhe”!
Por
është interesant fakti se në terma politikë këtë aksiomë e ka përmendur
kryeministri Edi Rama. Ai bëri thirrje para disa vitesh nga Prishtina për
zgjedhjen e një presidenti të përbashkët. Dhe shumë shqiptarë ishin entuziastë
për këtë, pa llogaritur pasojat ose përparësitë që do të kishte një iniciativë
e tillë. Atëherë Beogradi nuk foli, së paku kaq sa flet sot. Nuk alarmoi
institucionet ndërkombëtare. Sot po bën një fushatë agresive për
“destabilitetin e Albin Kurtit” dhe “përpjekjeve të tij për krijimin e
Shqipërisë së Madhe”! Njësoj siç denoncon p.sh Sali Berishën për këtë lloj
nacionalizmi.
Ndërkaq
në Beograd luten natë e ditë që bota të bie dakord para institucionalizimit të
pavarësisë së Kosovës për “krijimin e Shqipërisë së Madhe”! Sepse në këtë rast
Serbia përfiton shumëfish. Nuk zgjerohet vetëm në Republikën Srpska. Ajo do të
përitonte territore të shumta në Kosovë e gjetkë. Nëse Serbia ia arrin të bindë
ndërkombëtarët se duhen shtete me kufij etnikë, atëherë do të hedhin pikërisht
këto teza.
-
Dakord, do të thotë Aleksandër Vuçiç. Edhe unë nuk bëhem pengesë për krijimin e
“Shqipërisë së Madhe”. Por serbët duhet të jetojnë në shtetin e tyre dhe jo në
një shtet të huaj, ku ndjehen të kërcënuar”! Ai nuk ka asnjë provë se serbët në
Kosovë kërcënohen, por proaganda e tij i ka bindur disa ndërkombëtarë për këtë.
Dhe në këto rrethana çfarë përgatitet të ndodhë?
Përgatitet
ndarja e Kosovës në vijat e saj etnike dhe Serbia do të pretendojë territore
deri në Brezovicë. Ndaj duhet të jemi të vetëdijshëm se liderët serbë e
përdorin akuzën kundër “Shqipërisë së Madhe” për të parapërgatit ndarjen në
vija etnike të territorit të Kosovës dhe rrëmbimin e pasurive të saj. Edhe si
konotacion negativ dhe kritikë ndaj Albin Kurtit, zhurma për “Shqipërinë e
Madhe” është strategji e ndarjes së Kosovës.
A
e keni dëgjuar zotin Rama para dy-tri vitesh kur Ballkanin e Hapur e arsyetonte
me heqjen e kufirit me Kosovën? “Pa Ballkanin e Hapur, thoshte ai, nuk mund të
hapemi me Kosovën”! Sipas tij, është Serbia ajo që kundërshton hapjen e
Shqipërisë me Kosovën dhe për këtë arsye duhej mbështetur Open Balkan. E
vërteta është se Serbia kundërshton çdo lloj integrimi brenda shqiptar në
Ballkan.
Dhe
secilin hap në këtë drejtim e konsideron përpjekje për krijimin e Shqipërisë së
Madhe. Por është fakt se një integrim të tillë nuk e ka mbështetur as Edi Rama.
Jo se ai është kundër “Shqipërisë së Madhe” që merr parasysh bashkimin e
gjysmës së Kosovës me Shqipërinë, por se ai ka frikë se në këtë skemë
përfshihet e gjithë Kosova së bashku me trojet shqiptare të Maqedonisë së
Veriut dhe pushteti i tij nuk trashëgohet te Zahua, siç u trashëgua nga Koleka
e Kristaqi te Edi!