E merkure, 24.04.2024, 06:54 PM (GMT+1)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Një ditë në Grabovën e historisë, turizmit dhe të dashurisë për vendlindjen

E shtune, 19.08.2023, 08:33 PM


Një ditë në Grabovën e historisë, turizmit dhe të dashurisë për vendlindjen

Intervistë me Todi Buzon, sipërmarrës dhe administrator i Hotel "Grabovës"

Nga Entela Binjaku

Në ditët e para të muajit gusht zhvilluam një vizitë në fshatin Grabovë e Sipërme. Historia e këtij fshati nuk mund të kuptohet pa njerëzit që e mbajnë atë gjallë dhe jetojnë mes historisë, bukurisë natyrore dhe virtyteteve të të parëve. I tillë është edhe sipërmarrësi Todi Buzo. Me vullnetin e tij dhe besimin tek pasioni ai sot drejton një nga baxhot më të mira në vend ku prodhimet e qumështit janë të një cilësie të pakrahasueshme dhe një hotel alpin mikpritës në cdo orë. Ndiqni në vijim intervistën tonë.

E. Binjaku: Z. Todi mund të na tregoni pak ju lutem si ka qenë fëmijëria juaj në Grabovë?

T.BUZO: Fëmijëria ime ashtu si edhe e shumë fëmijëve në Grabovë, për shkak se kur kam lindur kemi qenë në sistemin komunist, ka pasur vështirësitë e saj. Grabova në atë kohë kishte një zhvillim, kishte shumë njerëz. Siç ishte i organizuar sistemi komunist me shkollat, me vatrat e kulturës, me  kinematë që na vinin e na jepnin filma një herë në muaj, në dy muaj, në tre muaj- ajo kohë kishte bukuritë e saj, por kishte edhe vështirësitë  e saj. Grabova ishte në një zonë shumë të thellë, edhe buka na vinte me racion, aq më keq ne që ishim në zona të thella. Ruaj kujtimet nga më të bukurat sepse Grabova sportin e skive e ka pasur sport popullor. Ne organizoheshim atëherë me shkollat, pastaj më vonë filluam me shoqatat e skive, edhe aktivitetet e tjera sportive i zhvillonim sepse Grabova ka pasur shumë njerëz që ishin në qytetin e Gramshit, Elbasanit, Pogradecit dhe të Korçës dhe fëmijët e tyre gjatë verës na vinin e na mësonin plot lojra. Ishte shumë gjë e bukur, kujtime nga më të bukura kam, por siç thamë edhe me vështirësitë e kohës, që i kishte sistemi atëherë. Ishte një fat i madh që m´u dha një e drejtë studimi dhe ika në Tiranë. Pas shkollës së mesme  bëra nje specializim për shkollën teknologjike, ku u specializova për bulmetin, pijet alkoolike dhe pak kuzhinë dhe në moshën 20 vjeçare në qytetin e Gramshit përgjegjës në një ndërmarrje ushqimore. Aty pak nga pak ndërtova jetën time dhe në vitin 1993 demokracia na zuri kur isha në Gramsh. Kur isha skiator, kampionatin e skive e zhvillonim gjithmonë në Voskopojë ndaj dhe mendoja pse Voskopoja ka një hotel ose disa hotele kishte kurse Grabova nuk kishte kur paralelisht ne ishim të së njëjtës etni. Voskopoja ishte pak më e madhe ishte, kishte më shumë kisha. Në kuadër të kësaj mendoja një ditë nëse do të më jepej mundësia edhe unë do të zhvilloja sportin dhe kampionatin e skive në Grabovë. Në vitet 1993-1994 isha në emigracion, bëra pak lekë edhe pak nga prindërit e mi dhe realizova ëndërrën time dhe bëra një hotel në Grabovë që fillimisht e mendoja për zhvillimin e kampionatit të skive. Më vonë hotelin, me shumë miq të mij e menduam për turizëm malor.Unë ngaqë kisha qenë edhe jashtë kisha parë se mund të zhvillonim turizmin malor, por në atë kohë ishte dhe pak paradoks sepse të gjithë njerëzit nga vitet 96-97-98 iknin nga fshati në qytet. Deri nga viti 1993 ishte e ndaluar të ikje për në qytet kurse unë vija nga qyteti dhe investoja në fshat. Të mos them që ca më morën edhe të lajthitur sepse thoshin “si mund të vijë ky tani ne po ikim ky po kthehet  në fshat”. Por prej pasionit të fëmijërisë që ishte për mua paralelisht edhe malli për vendlindjen dhe kujtimet e bukura që kisha mendova të investoj e  t´i jap një zhvillim Grabovës. Grabova kishte një histori të madhe: kishte qenë një qytet i dimensioneve të Voskopojës, kishte nxjerrë shumë njerëz të mëdhenj, kishte nxjerrë  piktorët e famshëm mesjetarë shqiptarët vëllëzërit Çetiri që kishin pikturuar gjithë kishat e Shqipërisë deri në Hungari, kishte nxjerrë Andrea Shagunën, arqipeshkv i Transilvanisë njeriu që ndërtoi kisha dhe shkolla në gjithë Evropën, kishte nxjerrë Lika Jankun piktoren e famshme, nga Grabova ishte edhe Pandeli Sotiri me origjinë të hershme që bëri shkollën e parë shqipe, por edhe Naum Veqilharxhi që e kishte  Brato mbiemrin, pra kishte shumë figura. Grabova kishte kisha, ura mesjetare, kishte destile, sharra dhe ja vlente për turizmin malor. Mendova  që në kuadër te kësaj do të investoja në fshatin tim të lindjes, aty ku unë ndjehem mirë për veten time, por paralelisht i jap zhvillim edhe zonës. Por çudia ndodhi sepse këta 30 vjet Grabovën e lanë pa rrugë automobilistike edhe pse e shpallën zonë turistike, fshatrat e tjerë i bënë me rrugë ndërsa në Grabovë nuk e bënë rrugën as sot e kësaj dite. Madje këtë vit ka qenë një çmenduri e madhe fshati bllokohet për dy muaj dhe na u desh të ndërhynim deri lart në qeveri që erdhën e hapën rrugën sepse këta të pushtetit vendor nuk tregonin interes fare. Unë mendoj se bëra një gjë shumë të mirë për Grabovën. Së pari shuajta pasionin tim për ëndërrën që kisha gjatë fëmijërisë për hotelin, së dyti  m´u dha mundësia që ta vazhdoj sportin e skive. Deri nga vitet 97-98 isha vetë skiator dhe merrja pjesë në shumë kampionate. Më pas u bëra trajneri i skuadrës dhe paralelisht president i shoqatës së skiatorëve ku kemi marrë pjesë në shumë kampionate evropiane dhe ballkanike. Kohët e fundit falë edhe një të apasionuari pas aventurës, qe u bë president i federatës së skive e që quhet Elvis Toçi Federata e skive mori një emër të madh në Shqipëri, sepse ajo arriti të marrë pjesë në kampionatet ballkanike, evropiane por dhe botërore. Ky është një fat i madh për Shqipërinë se u bë e dëgjuar në të gjithë botën. Në ato vite që mendoja se do ta kisha hotelin vetem për skiatorët dhe zhvillova edhe disa kampionate lokale, doli shumë e domosdoshme: shumë njerëz thanë se mund ta bëjmë edhe për turizmin malor. Edhe ashtu bëra. U lidha me shumë agjenci  të turizmit të aventurës sidmos me suedezët, me italianët, ku ata vinin nga 5-6 ditë dhe ngjisja 5-6 maja malesh, më pas përfshiva aventurierët me motora mali ku ish kampionet e Italisë kishin krijuar agjenci dhe sillnin nga 25-30 veta por edhe me një shoqatë tjetër aventurierësh me makina “Alfa Matta” që binin makina me rrota të mëdha që bënin xhiro nëpër male. Them që kam bërë një gjë shumë të mirë, unë isha për patriot për vendlindjen time, u përpoqa të investoj e të jap kontributin tim në shumë drejtime, madje edhe pse kam mbaruar një fakultet nuk u ushtrova asnjëherë profesionin e mësuesit, por vazhdova traditën e të parëve të mi, pra vazhdova të merresha me grumbullim përpunimin e qumeshtit dhe të gjtihë nënprodukteve të tij. Mendoj se Grabova ndër shekuj ka qenë një vend ku prodhimet tradicionale të bulmetit kanë qenë nga më të mirat. Mendoj që edhe sot e kësaj ditë e vazhdoj traditën tonë të djathit tradicional të fshatit Grabovë siç e kanë berë të parët tanë deri tek prodhimet e traditës që benim me shakull: djathin shakull, salcën shakull,  djathin stopan, kam vazhduar edhe djathin kaçkavall, futa edhe fetën që është një nënprodukt i qumështit e që sot frekuentohet shumë.

Me sa kuptoj me shumë dinjitet ju e keni çuar përpara traditën e të parëve tuaj, por cili do të ishte një mesazh për të rinjtë që do të na lexojnë ose këshilla që do të kishe për dikë që do të dëshironte t´i qasej jetesës që ju bëni në fshatin Grabovë?

T.BUZO: Mesazhi im kryesor për të rinjtë është të mos braktisin vendlindjen, mos të braktisin Shqipërinë. Unë kam qenë në shumë vende të botës dhe kam parë që një nga vendet me të mira është Shqipëria. Shqipëria ka katër stinët, ka diell pa fund, ka bregdetin, ka malet, nëse dëshiron të ngresh aktivitete në fusha të ndryshme Shqipëria ka hapësira. Mesazhi im për të rinjtë është: ju mund të shkoni jashtë, të shihni çfarë bëhet por mos harroni të ktheheni në vendin tuaj! Jashtë nuk do të mund të arrish kurrë atë që mund të arrish në vendin tënd. E dyta dua që të paktën ne që kemi etninë armëne (vllahe) dhe jetojmë ne fshatra kemi shumë gjëra për të bërë, duhet të ruajmë traditën e grumbullimit dhe përpunimit të leshit, duhet të ruajmë qilimat e dikurshme, kuvertat që bënin të parët tanë. Sot i kanë tezgjahet nëpër shtëpi por janë të rralla vajzat e sotme që i bëjnë. Në Grabovë kanë qenë ndër shekuj përpunuesit e gurit, këtu kishte brigada që ndërtonin shtëpira, jo vetëm në zonën e Grabovës, por në gjithë zonat e tjera. Po të pyesësh në fshtatrat e Gramshit, Tomoricës, Mokrës dhe Oparit thoshin "na vinte dikur një brigadë nga Grabova e ndërtonte shtëpitë". Grabova ka pasur ndër shekuj përpunuesit e drurit. Grabovarët kanë qenë mjeshtra në prodhimin e dyerve, dritareve, taveneve, dyshemeve, hambareve, fucive të verës, fuçive të bulmetit, bucelat e ujit e shumë prodhime të tjera të drurit. Të rinjtë duhet t´i kthehen prapë  e t´i vazhdojnë traditat e të parëve sepse ai është një profesion, është një zanat. Sidoqë t´i mendojnë ata, sërish ato kanë vend,  mund t´i punosh edhe t´i shesësh ato produkte që ti bën.  Mesazhi i fundit është të ruajmë shumë besimin tonë ortodoks, kristian që kemi si dhe të ruajmë doket e zakonet tona që të parët na i kane lënë me aq mundim, duhet të kemi marrëdhënie të mira mes njëri-tjetrit dhe duhet që mendjen ta kemi gjithmonë ne vendin tonë, në Shqipëri, por edhe ne fshatin e Grabovës, apo në vendlindjen qe kanë  në shumë fshatra të tjerë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Entela Binjaku: Pranverë kulturore mes miqve nga Timishoara Entela Binjaku: Parking Art Gallery - një oaz i vogël kulturor në Tiranë Entela Binjaku: Konferenca "Acta Historica Civitatis Lugosiensis” mirëpret punimet e edicionit të dytë Entela Binjaku: Tomë Mrijaj sjell në librat e tij kontributet e figurave të shquara të kombit Entela Binjaku: QKF Fier rrëmben çmimin për aktoren më të mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrit për fëmijë Entela Binjaku: Kontribut i arsimtarëve fierakë në edukimin e fëmijëve nga Kosova Entela Binjaku: Nxënësit fierakë sjellin në skenën e Beratit dramën “Kush e solli Doruntinën?” Entela Binjaku: Studentët e “Shëndetit publik” paraqesin temën “Vaksinimi në Shqipëri-sfidë apo realitet?” Entela Binjaku: Të rinjtë fierakë prezantojnë në Gjirokastër kompaninë e tyre të shërbimeve online Entela Binjaku: Arumunët që kam takuar, një udhëtim kulturor tek bashkëkohësit e mi Entela Binjaku: Në një vjetorin e ndarjes nga jeta të intelektualit të njohur Vasil Moçka! Entela Binjaku: A është ky moshimi aktiv që dëshirojmë për më të moshuarit e shoqërisë sonë? Entela Binjaku: Lamtumirë artistit dhe mikut të madh të Shqipërisë, Jon Karamitru! Entela Binjaku: Thoma Binjakut në përvjetorin e lindjes! Entela Binjaku: Sekretarja e Shtetit për Rumunët e Kudogjendur mes banorëve të Mekatit Entela Binjaku: Ajrina Dimo - “Ruajtja e elementëve identitarë, e rëndësishme, e dobishme dhe shumë e nevojshme" Entela Binjaku: Laboratori "Dr. Limbach" tashmë edhe në Tiranë "Pasditja ime blu" - Entela Binjaku: Përdorimi i gjuhëve të huaja tek fëmijët Entela Binjaku: Në Mekat, mes miqve dhe dashurisë për gjuhën Entela Binjaku: Vetëvrasjet e qytetarëve – kur dukuria do të nisë të shqetësojë shoqërinë?

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora