E premte, 26.04.2024, 05:48 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Mbi historinë e një nofke

E enjte, 10.08.2023, 07:57 PM


Prof. Blerim Latifi:

Mbi historinë e një nofke

Tipi që u dënua, në fjalinë kërcënuese drejtuar Avdullah Hotit e kishte quajtuar këtë të fundit "bugar". Bugar është forma në serbisht e emrit bullgar.

Prej të gjitha ushtrive pushtuese që kanë qëndruar në Kosovë në kohë e rrethana të ndryshme historike, më së paku mbahen mend ushtritë bullgare. Folklori hesht për to. Edhe historianëve nuk duket se u pëlqen kjo temë. Megjithatë në kujtesën popullore është ruajtur nofka "bugar", e cila u vihet banorëve të disa rajoneve të Kosovës. Me gjasë këtë nofkë e kanë marrë gjatë Luftës së Parë Botërore. Aso kohe Kosova ishte e ndarë në zonën austro-hungareze dhe në zonën bullgare. Në këtë kontekst atyre që ishin gjetur në zonën bullgare filluan t'u referoheshin si "bullgarë", në kuptimin se ishin vënë nën hyqmin e Bullgarisë. P.sh.në Drenicë kështu emërtoheshin shqiptarët e zonës rreth Drenasit, e cila i kishte kaluar nën kontroll Bullgarisë pas ofensivës së madhe austro-bullgare në vitin 1915, e cila e shkatërroi shtetin serb. Me kohë ky emërtim situacional duhet të jetë shndërruar në nofkë me konotacion negativ.

Edhe Rahoveci ishte zonë kufiri midis bullgarëve dhe austriakëve. Por në rastin e Rahovecit origjina e nofkës nuk mund të shpjegohet thjesht dhe vetëm me faktorin e një situate të përkohshme, siç ishte okupacioni bullgar. Ajo duhet të ketë lidhje edhe me një faktor tjetër kulturor: dialektin që flitet në Rahovec, i cili paraqet një sintezë e çuditshme sintaksore të leksikut shqip, atij serbisht dhe atij bullgar.

Natyrisht, këtu nuk është vendi për t'i hyrë analizës etno-linguistike të këtij dialekti.

Ajo që kisha parasysh në këtë tekst të shkurtër është fakti se sa shumë histori fshihet brenda një nofke të vjetër, e cila na u soll në vëmendje nga një kërcënim i shëmtuar në rrjetet sociale.

__________

Shpesh thuhet se nga krizat që godasin ekonominë ndërkombëtare më së keqi e pësojnë vendet e varfëra. Ka qindra shembuj që e konfirmojnë një gjë të tillë. Por, gjithashtu, ka plot shembuj të tjerë që na tregojnë për vende të varfëra që përfitojnë shumë nga krizat e mëdha të ekonomisë ndërkombëtare.

Para më shumë se gjysmë shekulli dy vende në zhvillim, të Ballkanit, Jugosllavia dhe Greqia, si pasojë e krizave të viteve 1970 dhe 1973 që goditën ekonomitë perëndimore, do të përfitonin një bum me miliona turistë perëndimorë, të cilët vërshuan bregdetin jugosllav e grek për arsye të kostove më të ulta të pushimeve. Aso kohe shtypi perëndimor vlonte nga lajmet sensacionale mbi "bukuritë përrallore" të sapo zbuluara të këtyre bregdeteve. Kështu lindën mitet e turizmit jugosllav dhe atij grek. Në ndërkohë, Shqipëria e shkretë zhytej thellë e më thellë në izolim ndërkombëtar, paranojë kombëtare, varfëri masive, ndërsa në vend të turistëve të huaj vija bregdetare mbushej me bunkerë luftarakë.

Gjysmë shekulli më vonë kriza e stërgjatur e ekonomive perëndimore ka krijuar miliona turistë të cilët kërkojnë vende pushimi me kosto të përballueshme dhe ja tek e kanë zbuluar një vend që ua plotëson kërkesat, Shqipërinë.

Si dikur që mediat shkruanin për parajsat bregdetare të Jugosllavisë e Greqisë, sot tregime të tilla po shkruhen e thuhen për bregdetin shqiptar.

A do të rezultojë krejt kjo me krijimin e mitit turistik të Shqipërisë?

Kjo do të varet shumë nga aftësia e shtetit shqiptar për ta menaxhuar me mençuri namin në ngritje.

__________

Netët dhe mëngjeset e këtij gushti si me qenë netë e mëngjese marsi! Nuk e meriton emrin e vjetër kalendarik Djegagur. Jo që s'po e djeg gurin nga të nxehtit, por do me na ngri nga të ftohtit. I janë përzi kabllat natyrës diçka. Me këto netë e mëngjese dimrore Gushti nuk e meriton as emrin sakral të cilin ia lanë romakët e pangopur me pushtet e lavdi.

Kishin krijuar një perandori të përbotshme, e cila shtrihej nga ishujt britanikë në Perëndim, deri në brigjet e Detit të Vdekur në Lindje, por kjo nuk u mjaftonte perandorëve romakë. Donin edhe më shumë. Donin ta pushton edhe qiellin dhe përjetësinë. Kështu ata sajuan ritualet e hyjnizimit të tyre. Kur Oktaviani vdiq, gruaja e tij u pagoi një shumë të majme disa fshatarëve për të dëshmuar në Senat se e kishin parë perandorin tek ngjitej në qiell. Për nder të lavdisë së tij Senati kishte vendosur që njëri nga muajt e kalendarit romak të mbante emrin e tij, Augustus. Ky emërtim do të ishte obligativ për krejt fiset e popujt e Perandorisë. Në vështirësi për t'i bërë një shqiptim korrekt këtij emri latin, ilirët, apo protoshqiptarët, siç po kanë dëshirë t'i quajnë studiuesit e huaj, e morën atë, e lidhën në shtratin e prokrustit të fonetikës së tyre dhe Augusti u bë Gusht.

Gjithmonë kemi pasë qejf gjanat me i thanë shkurt e shqip.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora