Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Dardania
E merkure, 01.03.2023, 08:00 PM
DARDANIA
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Më 22 shkurt 2023,
në një pjesë të rrugës “Skupi” të bashkisë Karposh të Shkupit, gjatë gërmimeve
apo punimeve të caktuara, midis tjerash është gjetur edhe një pllakë mermeri me
mbishkrimin “Dardanus”. Lidhur me zbulimin e këtij thesari të çmuar për
historinë, kulturën dhe trashëgiminë materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve,
janë sensibilizuar përfaqësues të shoqërisë civile, mediume, drejtues shqiptarë
të institucioneve të shtetit dhe mbarë publiku. Këto zbulime kapitale edhe
njëherë dëshmojnë për autoktoninë e shqiptarëve – bijë të ilirëve – në këto
hapësira të gadishullit ballkanik. Artefaktet, d.m.th. gjërat apo sendet, të
krijuara mjeshtërisht nga dora e njeriut dhe të zbuluara në këtë vendburim
arkeologjik apo në nekropolin e tij, duhet të studiohen nga
arkeologët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Siguria e zbulimeve të tilla duhet të
jetë në kompetencë të organeve ndërkombëtare, përkatësisht të UNESCO-s. In
ultima linea, zbulimet e tilla paraqesin thesar për njerëzimin dhe jo
vetëm për shqiptarët.
* * *
Dardania dhe dardanët - Dardania është vend i dardanëve. Në shekullin I, me
krijimin e provincës së Mëzisë së Sipërme (Moesia Superior), Dardania u
shkëput nga provinca e Maqedonisë dhe u përfshi në të (në Mëzinë e Sipërme).
Gjatë sundimit të Dioklecianit*, Dardania përbënte një provincë me vete
të Ilirikut*, me qendër Skupin*. Qytete të tjera të rëndësishme
të provincës së Dardanisë qenë Naisi (Naissus – Nishi i sotëm), Ulpiana*
dhe Municipium DD*. Në antikitetin e vonë qyteti më i madh dhe
kryesor i Dardanisë u bë Justiniana I*.
* * *
Dardanët kanë qenë fis i madh ilir, banorë të një treve të gjerë që shtrihej në veri
të lumit Angri e Margi (Ibri dhe Morava jugore e sotme), duke përfshirë edhe
Naisin (Naissus – Nishi i sotëm) në jug, deri te rrjedha e sipërme e lumit
Aksios (Vardari) në kufi me paionët. Në lindje, dardanët
kufizoheshin me trakët*, ndërsa në perëndim arrinin deri te mali Scard
(Sharr) si dhe deri te lumi Drilon (Drin). Zemrën e trojeve të tyre
e përbënte Kosova e sotme. Nga nën-fiset kryesore të dardanëve njihen galabrët
dhe thunatët. Zbulimet arkeologjike në viset e Dardanisë dëshmojnë se
këta kishin arritur zhvillim ekonomik dhe shoqëror relativisht të lartë – që në
Kohën e hekurit*. Të kësaj kohe janë vendbanimet e para të fortifikuara
dhe marrëdhëniet me Greqinë si dhe me qytetet e mëdha të bregdetit të
Adriatikut jugor. Në shekullin III para K. në Dardani u zhvillua jeta qytetare.
Qytet i rëndësishëm dhe qendër minerare ishte Damastioni* që ka
prerë edhe monedha. Në burimet antike të shkruara, dardanët përmenden
relativisht vonë, sidomos lidhur me luftën kundër maqedonasve. Si fis i fortë
dhe luftëtar, dardanët u bënë ballë për rreth dy shekuj përpjekjeve të shtetit
maqedonas për t’i shtrirë kufijtë drejt veriut, në kurriz të Dardanisë. Në
shekullin III para K. dardanët kishin krijuar mbretërinë e tyre me dinastinë e Longarit*
dhe ishin bërë një fuqi politike e rëndësishme e gadishullit. Në shekujt III-I
para K., dardanët bënë një qëndresë dhe luftë të gjatë kundër pushtuesve
romakë. Pas pushtimit të Dardanisë, romakët ndoqën një politikë shtypjeje të
egër dhe i shfrytëzuan me të madhe xehet. Me këtë ndërlidhet krijimi i një
kolonie romake në Skup (Shkupi i sotëm) dhe ngritja e vendbanimeve të vjetra
dardane pranë zonave minerare në rendin e municipit, si Ulpiana, Municipium
DD etj. Dardanët ruajtën gjuhën dhe shumë elemente të kulturës materiale
dhe shpirtërore ilire edhe në shekujt I-IV pas K. Ata i bënë ballë
asimilimit nga Perandoria Romake dhe bënë kryengritje kundër shtypjes.
Kryengritësit dardanë njihen në histori si Latronët e Dardanisë. Në
antikitetin e vonë dhe në mesjetën e hershme, dardanët ia dolën të ruajnë
gjuhën dhe kulturën e tyre ilire dhe bashkë me fiset e tjera ilire
morën pjesë në formimin e popullit shqiptar (sipas Skënder Anamalit).
* * *
Shënim:
Diokleciani (Gajus Aurelius Valerius Diocletianus, 245-313 të erës së re) në vitet
284-305, ka qenë perandor romak me prejardhje nga Dalmacia. Sipas
organizimit të tij të provincave, trevat shqiptare të sotme përbënin katër
provinca: Praevalis me kryeqendër Scodra, Epiri i Ri me
kryeqendër Dyrrachium (Durrësi), Epiri i Vjetër me kryeqendër Nikopolin
dhe Dardania me kryeqendër Scupi (Shkupi). Diokleciani vdiq
në Split (Kroaci).
Iliriku (Illyricum) –
provincë dhe prefekturë e periudhës së sundimit romak, pjesa veriore e Ilirisë.
U krijua si provincë në fund të shekullit I para K. nga shteti romak për të
shtypur dhe për të shfrytëzuar popullsinë e krahinave ilire të pushtuara.
Shtrihej nga Danubi në veri deri te lumi Mat në jug, nga Adriatiku në perëndim
deri në brigjet e Moravës në lindje, duke përfshirë pjesë të Shqipërisë, Malin
e Zi, Dalmacinë, pjesë lindore të Istries, një pjesë të madhe të Bosnjës dhe të
Kroacisë dhe Serbinë perëndimore. Në fillim Iliriku ishte provincë e senatit,
pas viti 11 para K. u bë provincë perandorake. Pas reformës administrative të
Dioklecianit, Iliriku u kthye në prefekturë. Përbëhej nga tri dioqeza dhe 18
provinca. Tokat shqiptare të sotme të kësaj prefekture përfshiheshin në
provincat: Prevali, Dardania, Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër (sipas Faik
Drinit).
Skupi (Scupi antik) – qendër dardane që nga periudha e hekurit.
Në shekujt e parë të erës së re, Skupi (Scupi) ishte njëkohësisht stacion
rrugor në rrugën Tesalonik-Naissus-Syrmius dhe kolonia e parë romake në Mëzi,
lokalizuar në afërsi të fshatit Zaklluçan, pranë Shkupit të sotëm. Gjatë kësaj
kohe kishte statusin e colonia Scupi (colonia Flavia Scupi). Në shekullin
II, Skupi si koloni romake paraqet një qendër të rëndësishme, kryesisht gjatë
sundimit të Dioklecianit, i cili e ktheu në qendër të provincës së Dardanisë,
ndërsa Konstandini – në qendër peshkopale. Në territorin e Shkupit janë gjetur
rreth 200 mbishkrime latine nga shekulli I-IV. Në ditët tona u gjet një
nekropole dardane. Me rastin e tërmetit të vitit 518 u shkatërruan 25 qytete të
Dardanisë. Midis tyre edhe qyteti i Skupit. Të mbijetuarit e Skupit të
shkatërruar themeluan një qytet të ri, që gjatë mesjetës u zhvillua në Shkupin
e sotëm. Në gjysmën e dytë të shekullit IX Shkupi ra nën sundimin bullgar. Më
vonë u bë një nga qendrat e shtetit të Samuelit (1018). Më 1082 u pushtua nga
normanët. Më pas u pushtua edhe prej pushtuesve serbë. Deri në vitin 1282 kaloi
në sundimin bizantin, ndërsa më 1392 u pushtua nga osmanët.
Ulpiana (Justiniana
Secunda) – qytet i krahinës ilire të Dardanisë. Rrënojat e tij janë zbuluar
afër fshatit Graëanicë në jug të Prishtinës. Në vitet 1954-1969 aty ka kryer
gërmime arkeologjike arkeologu Emil Çershkov (Emil Čerškov, 1931-1969),
i lindur në Siveriq të Dalmacisë. Gjatë pushtimit romak në vendbanimin e lashtë
dardan u vendosën qytetarë italikë dhe mori emrin Ulpiana. Në shekullin
II pas K. u ngrit në rangun e një municipi. Si qendër e një krahine të pasur me
xehe dhe si nyjë e rrugëve kryesore të Dardanisë, në shekujt III-IV pas K.,
Ulpiana u bë qytet i madh. Pas tërmetit të vitit 518 u rindërtua me mure të
forta nga perandori Justinian, ndaj për ta dalluar nga Justiniana e Parë, tani
u quajt Justiniana e Dytë. Qyteti ekzistoi deri në mbarim të periudhës së vonë
antike.
Municipum DD (Dardanorum) – Municip romak. Njësi urbane e identifikuar në
territorin e provincës romake Mëzia e Sipërme. Gjendet në fshatin Soçanicë,
buzë lumit Ibër, 27 km në veri të Mitrovicës. Themelimi i këtij municipi nga
romakët në shekullin II pas K., duhet lidhur me nxjerrjen e pasurive minerale –
plumbit dhe argjendit.
Trakët – Në lashtësi,
kanë banuar në Traki, e cila është përmendur shpesh në historinë dhe në
letërsinë antike greke. Sot është pjesë e Bullgarisë, e Greqisë dhe e Turqisë.
Trakishtja është gjuhë indoevropiane. Flitej në periudhën antike në lindje të
gadishullit të Ballkanit. Prej saj njihen sot disa emra vendesh, emra njerëzish
dhe fisesh, disa glosa si dhe disa emra bimësh mjekësore të mbledhura nga fisi
i dakëve në shekullin I pas K. nga mjeku grek Dioskorides. Nga
trakët kemi edhe disa mbishkrime të gjetura në Rumani dhe në Bullgari pranë
Plovdivit, si dhe në ishullin e Samotrakës në Greqi. E një trungu me trakishten
mbahet edhe gjuha e frigasve, që banonin në lashtësi në
Azi të Vogël. Kohët e fundit, ka studiues që e kanë vënë në dyshim karakterin
unitar të trakishtes dhe është ndarë prej saj si gjuhë më vete dakishtja.
Justiniana e Parë (Iustiniana Prima) – qendër civile dhe kishtare në
Dardani, e themeluar nga perandori bizantin Justiniani I*.
Justiniani I (Flavius Justinianus, 483-565 pas K.) perandor bizantin me prejardhje ilire,
nga fshati Tauris i Dardanisë. Sundoi në vitet 527-565. Në provincat ilire të
Dardanisë rindërtoi dhe ndërtoi një numër të madh kështjellash. Emrat e
kështjellave që janë përmendur në veprën “Mbi ndërtimet” të Prokopit
të Cesaresë* përbëjnë një burim të rëndësishëm për toponomastikën dhe
onomastikën ilire.
Prokopi i Cesaresë (rreth 500 – pas vitit 565 të erës së re) – historian
bizantin i kohës së Justinianit I dhe figurë politike e perandorisë. Autorë i
veprave: “Historia e luftërave”, “Mbi ndërtimet” dhe “Historia
e fshehtë”. Në to ka njoftime me vlerë edhe për krahinat e Ilirisë. Rëndësi
të veçantë ka traktati “Mbi ndërtimet” kushtuar fortifikimeve të gjera
që u ndërtuan për t’u bërë ballë dyndjeve barbare. Traktati përmban të dhëna të
vlefshme për gjeografinë dhe
toponomastikën e trevës ilire.
Damastioni – qytet ilir, ende i papërcaktuar si vend, diku në viset e Dardanisë. Për
herë të parë përmendet nga Straboni*. Në fillim të shekullit IV para K.
preu monedha prej argjendi me emrin e tij. Në simbolet e përdorura mbi monedha
ndodhet çekani i minatorit, që dëshmon se qyteti ka qenë qendër e një zone të
pasur me miniera argjendi.
Longari – sundimtari i
parë dardan që njihet me emër. Jetoi në çerekun e fundit të shekullit III para
K. Gjatë sundimit të tij mbretëria e dardanëve u forcua shumë dhe u bëri ballë
të gjitha sulmeve të mbretërve maqedonas të kohës – Demetrit II, Antigon
Dosonit dhe Filipit V, të cilët synonin t’i zgjeronin kufijtë veriorë të
shtetit maqedonas, në viset dardane. Luftën kundër maqedonasve e vazhdoi edhe i
biri Longarit, Batoja – sundimtari i dardanëve, i cili në vitin
200 para K., bashkë me mbretin ilir Pleuratin (shekulli III para K.)
- baba i Agronit*, mori pjesë në një koalicion
kundër-maqedonas.
Agroni (shekulli III
para K.) – mbret ilir, i biri i Pleuratit. Sundoi rreth viteve 250-231 para K.
Në kohën e tij shteti ilir u bë fuqi e rëndësishme në Ballkan. Pas fitores në
Medion u sëmurë rëndë. Vdiq në vitin 231 para K. Politikën e tij e ndoqi gruaja
e parë e tij Teuta*, e cila sundoi si regjentë në emër të Pinit,
trashëgimtarit të mitur të Agronit. Pini është djalë i Agronit, me gruan e dytë
të tij – Triteuta.
Teuta – regjentë e
mbretërisë ilire në vitet 230-228 para K. U vu në krye të mbretërisë pas
vdekjes së të shoqit Agronit, si tutorë e Pinit të mitur.
Straboni – historian,
gjeograf dhe filozof grek. Ka lindur në vitin 63 ose 64 para K., ka vdekur në
vitin 24 pas K. Në kohën tonë vlerësohet për Gjeografinë e vet, vepër
kjo e përbërë prej 17 librave të cilët përmbajnë histori dhe përshkrime
njerëzish dhe vendesh që kanë qenë të njohura për të. Lindi në një familje nga
Amasea (Amasya e sotme në Turqi), e cila u bë pjesë e Perandorisë Romake
pikërisht në kohën kur lindi ai.
Koha e hekurit – epokë që karakterizohet nga prodhimi dhe përdorimi i veglave dhe i armëve
prej hekuri. Ndahet në tri faza: faza e parë (fundi i shekullit XII-XI para
K.); faza e dytë (shekujt VIII-VII para K.); faza e tretë (shekujt VI-V para
K.). Në fazën e tretë, në strukturën shoqërore dhe ekonomike të ilirëve
ndodhin ndryshime të mëdha që shpejtuan shthurjen e rendit të bashkësisë
primitive, duke krijuar premisa që në Iliri të lindë rendi skllavopronar.