Editorial » Ukaj
Gani Mehmetaj: Kur Kadareja nxitonte në vlerësimet politike kundër Rugovës
E diele, 22.01.2023, 07:59 PM
Ibrahim
Rugova, Ismail Kadare, Musa Jupolli: Nga takimi në një restorant afër Sorbonës
(Paris, 1996)
Kur
Kadareja nxitonte në vlerësimet politike kundër Rugovës
Gani Mehmetaj: “Rugovën, si e kam njohur”,
UETPRESS, Tiranë, 2022.
Në
redaksinë e Cyrihut (Zvicër), ku isha kryeredaktor i gazetës
"Rilindja" botim për Evropën Perëndimore dhe SHBA, më informuan për
takimin e Kadaresë në Gjenevë, ku foli për politikë, megjithëse promovonte një
libër.
Një
gazetar më lajmëroi se ai foli për Rugovën, duke e kritikuar për qëndrimin
paqësor, përderisa policia e ushtria serbe bënin dhunë të paparë.
Ibrahim
Rugova me Ismail Kadarenë njiheshin më herët. Takimi i tyre i parë u bë në
vitin 1996 në Paris, ku ishte Musa Jupolli, intelektual dhe veprimtar i njohur
në Francë. Pastaj thuhet se ata u takuan disa herë në rrethana të ndryshme.
Kadare lobonte në qarqet intelektuale e artistike, shkruante shkrime në shtypin francez për çështjen
shqiptare të Kosovës, kurse Rugova takohej me personalitete të politikës.
Kur
e kritikoi Rugovën, në parim Kadareja pati të drejtë, sikur gjërat të ishin
ashtu siç i vlerësonte ai nga Gjeneva apo nga Parisi. Çdo rezistencë
individuale të shqiptarëve, Serbia e ndëshkonte rëndë, ia shuante familjen, e
shuante katundin. Të paktë ishin ata që do të pranonin të flijonin familjen.
Ministria
e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës dështoi, sepse u formua brenda territorit
të Kosovës, ku ndiqej hap pas hapi nga shërbimi sekret serb, që ishte ndër më
të organizuarit jo vetëm në Ballkan. Shqipëria nuk lejonte struktura të
armatosura të Kosovës, brenda territorit shqiptar. Perëndimi ndiqte çdo
përpjekje për organizim. Dhe Rugova, megjithëse i përcaktuar për politikën
paqësore, e tha shumë herë publikisht: Askush nuk mund t’ua ndalojë shqiptarëve
ta mbrojnë pragun e shtëpisë, pra vatrën e tyre. Rrethanat ishin më të rënda
sesa mund t’i përshkruaj. Raportet nga terreni të rrëqethnin.
Rugova
ishte i pafuqishëm të bënte më shumë. T’i kundërviheshe Serbisë me kryengritje
të armatosur, paraqiste aventurë me pasoja të rënda. T’i kundërviheshe me luftë
guerilje, pa mbështetje ndërkombëtare, do t’i kushtonte shtrenjtë popullatës.
Shenjat për mbështetje të tilla qenë të vakëta.
Në
atë kohë kur fliste Kadareja për indolencën dhe mospërgjigjen e duhur ndaj
dhunës me dhunë, asnjë faktor ndërkombëtar nuk e këshillonte rezistencën e
armatosur, përkundrazi në çdo takim ndërkombëtar i tërhiqnin vërejtje Rugovës
që të mos hynte në aventura. Është çështje tjetër që shtetet e rajonit u
përpoqën ta fusnin në lojën e rrezikshme të luftës, për ta shpërqendruar
vëmendjen e Serbisë nga vetja. Këtë e bëri Kroacia në kohën e Tuxhmanit, këtë
donte të bënte edhe shteti shqiptar, sepse kishte probleme të brendshme e
acarime me ndërkombëtarët, që nuk ua përfillnin fjalën.
T’i
përgjigjeshe dhunës serbe me rezistencë të armatosur, ashtu sikurse duhej të
veprohej, ishte aventurë me pasoja të mëdha, me më shumë të vrarë sesa në
Bosnjë e Hercegovinë, sepse ata u armatosën mirë. Ndërkaq, ne s’kishim as
pushkë gjuetie.
Kadareja,
me zemër të plasur për çështjen shqiptare, do të gjente aventurierë të tipit të
Demaçit, i cili qysh më herët kishte deklaruar: “Ç’është nëse vriten treqind e
pesëdhjetë mijë shqiptarë?” Tipa të tillë, po të kishin mbështetje, do futeshin
në luftë pa e vlerësuar çmimin, pa asnjë garanci se do të fitonin.
Kur
fliste, Kadare i hynte në hak Rugovës, më shumë nën peshën e përjetimit nga
gjendja e rëndë e shqiptarëve, pra ishte reagim emocional e jo racional.
Nga
takimi i gjerë i Kadaresë në Gjenevë, sepse shkrimtarin tonë e vlerësonte
gjithë bota, botova një raport pa e komentuar. Ditëve në vijim shkrova një
koment kritik ndaj akuzave të Kadaresë, të cilin e çmoja sa për gjenialitetin e
tij në romane, aq edhe për angazhimin e jashtëzakonshëm për çështjen e Kosovës,
si asnjë shkrimtar e intelektual tjetër. Por më brente dyshimi se i kishte rënë
në qafë Rugovës, i keqorientuar nga të tjerët. Mbase edhe ndonjë
“bashkëpunëtor” i Rugovës, e nxiti mërinë e Kadaresë.
Më
dëshpëronte dijenia se Kadareja informohej kryesisht nga kundërshtarët e
Rugovës: Adem Demaçi, Rexhep Qosja dhe ata që s’bënin gjë tjetër pos villnin
vrer. Diplomatët shqiptarë në Perëndim, po ashtu bënin punë të mbrapshta.
Më
dëshpëronte Kadareja, sepse fjala e tij çonte peshë, Rugova e çmonte shumë,
tregonte simpati e dashamirësi.
Rugova
kurrë nuk iu përgjigj kritikave të rrepta të Kadaresë, kurrë nuk nxori asnjë
fjalë të keqe për të, as në bisedat private.
Ibrahim
Rugova ndryshonte nga tipat e aventurierëve, që i ndryshonin opsionet politike
sipas stinës.
Kadareja
ishte aktiv në jetën publike dhe sidomos, u bë militant i çështjes së Kosovës.
Shkruante e polemizonte me ata që përpiqeshin të fshihnin krimin e serbëve në
Kosovë. E vlerësoja për gjenialitetin e tij, e botoja çdo lajm që na vinte për
të; për romanet e tij të botuara në shqip, apo të përkthyera në gjuhë të huaj.
Por
asnjëherë nuk jam pajtuar me vlerësimet e nxituara.
Takimi
me të pas 23 vjetësh ishte i këndshëm, në praninë edhe të z,Bujar Hudhri,
botuesi i “Onufrit”. Në ambientet e
“Juveniljes” biseduam për çështje nga më të ndryshmet, për fenomenet
devijante të shoqërisë shqiptare, për shqiptarët e Maqedonisë, për të cilët
Kadareja ishte i brengosur me të drejtë, druante se i kemi humbur me
përcaktimin e tyre oriental të fanatizmit islamik. Në këto tema, kishim të njëjtin mendim e vlerësim. Por raporti i dikurshëm
me Rugovën rrinte pezull në ajër.
“Unë
i kërkova falje Rugovës për kritikat që i bëra”, më tha ndër fjalitë e para.
“Gabova, i kërkova falje dhe mbetëm miq”. “Burrat e mëdhenj, kur gabojnë
kërkojnë falje”, i thashë, i bindur se ai ishte ndër ata burra. Me kujtohej
ardhja e Kadaresë në Prishtinë te Rugova, jo shumë kohë pasi u çlirua Kosova.
Më kujtohej edhe konferenca e shtypit që organizuan bashkë dhe miqësia që e
vazhduan. “Rugova e pranoi faljen time”, më tha, sikur të qe shkarkuar nga një
barrë.
Rugova
e kishte mbrojtur veprën e Ismail Kadaresë shumë vjet më parë me një prononcim
publik, ku thoshte se nuk duhet ndaluar vepra e shkrimtarit nëse politika
zyrtare nuk pajtohej me prononcimet e tij publike. Kadare kishte kritikuar
rreptë politikën jugosllave për dhunën e terrorin që ushtronte ndaj shqiptarëve
në Jugosllavi. Prandaj u tërbuan zyrtarët jugosllavë. Kritikën e Ismailit e
dëgjuam i madh e i vogël në Radio Tirana. Këto kujtoja, teksa bisedonim.