E merkure, 01.02.2023, 07:47 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Imzot lehin qentë

E enjte, 08.12.2022, 07:55 PM


KALOSH ÇELIKU

IMZOT LEHIN QENTË

(Dramë në tri pamje)

Vetat:

AUTORI I DRAMËS, POETI, SELVIA E BUKUR, SAKU, XHEBRAILI, Dr. MADHI, PLAKU I MARRË, PIJANECI I RREJSHËM, ZONJA ME GJEL, SHËNT ËLLIU dhe gra e burra.

PROLOGU

Skena është e errët. Dikur hyn autori i dramës dhe e ndez llambën e tavolinës së punës. Në dorë e ka dorëshkrimin: "Imzot, lehin qentë"; ulet në karrige, merr thellë frymë dhe i drejtohet publikut:

AUTORI I DRAMËS: Mirëmbrëma! Shikues të nderuar, para se të fillojmë lojën skenike, dua t'ju them se për ta shkruar këtë dramë i kam munduar trutë pa mëshirë dhe i kam shtrydhur me dorë natë e ditë. Dhe, për çudi, edhe sot e kësaj dite habitem sesi më kanë mbetur grusht në kokë, nuk më kanë fluturuar si zogj të çmendur në qiell, përtej mjegullave, mes yjeve. Ose të m'i shtinin me dhunë në një palë hebe të arnuara, t'i shkilnin mirë me këmbë dhe të m'i varnin në një degë lisi... Zorrët më janë lidhur nyjë në bark, sa që ia thonë shpeshherë një kënge të vjetër nga shekulli i kaluar dhe më përdridhen njëra me tjetrën si gjarpinj, brenda lëkurës. Disa herë më erren sytë, më ngushtohen trutë të them se: Mos vallë jam krimbur më, jam kalbur e qelbur si ndonjë coftinë në rrugë. Nga një mendim i tillë i trembur, këmbët i kam ngarkuar në shpinë, jam përbiruar nëpër sokaqe, nëpër shtëpi, nëpër kafene e nevojtore. Kam qenë i sharë dhe i lëvduar... I nderuar dhe i poshtëruar... I përkëdhelur dhe i rrahur... I ngritur dhe i shkelur... I dashur dhe i urryer... Por, kurrë i gjunjëzuar... Kurrë s'kam rënë para këmbëve... Kurrë s'jam shtrirë në baltë... Kurrë nuk ia kam fërkuar dhe nuk ia kam përkëdhelur asnjërit me duar. E kam dashur më shumë veten, prandaj ju kam dashur edhe ju të tjerëve. Kjo nuk më ka varfëruar, nuk më ka mjeruar, nuk më ka dobësuar... Por, aq më tepër, më ka gatuar, më ka pasuruar, më ka bërë njeri. Mu për këtë askush deri më sot nuk më hipi në qerre, nuk më këndoi këngë dhe as më duartrokiti, nuk ma shtroi rrugën me lule. Për të qenë ky që jam sot, i dashur dhe i urryer, është dashur të eci rrugëve të jetës përtej ditëve me dy e katër këmbë. I etshëm dhe i urtë, i leckosur dhe i lodhur... I sharë, i pështyrë dhe i harruar... I dënuar dhe i mbyllur në libra... E di, dikush ka qenë i lëvduar, i lakmuar, i zbukuruar, i përkëdhelur dhe i shpërblyer si kalemxhi. I shëtitur karrige më karrige...

I stolisur me dekorata... I zbukuruar me lule... Po, kjo mua nuk më ka trembur, nuk më ka munduar fare. S'kam pasur kohë të merrem shumë me vetveten, me këto marrëzi. Ditët, që i kam kaluar rrugëve dhe netët pa gjumë mbi libra, më kanë tërhequr drejt dhiareve nga majat me borë. Tekefundit, kush më ka faj mua, që veç shkarravitjeve nëpër libra dhe rrokullitjeve nëpër errësirë, nuk jam marrë edhe me punë të tjera. Ta zëmë, kurrë të mos ia shkel pragun Bibliotekës Universitare të Kryeqytetit... T'i kem disa dashnore të bukura dhe të gjithave t'u gjej vende pune dhe banesa shoqërore. Të kem shtëpi në kryeqytet, vilë në mal, vilë në liqen e vilë në bregdet. Djalit të madh t'i gjej punë në Institut, ndërsa djalin tjetër, pasi t'ia jap vetë diplomën e fakultetit, ta bëj drejtor që të vjedhë fabrikën. Vajzën, pasi t'i japë stipendi, ta dërgoj disa vjet rresht në Universitetin e Sorbonës në Paris. Ose vetveten, për punë të pakapërcyera shkencore, ta shpërblej, bashkë me sekretareshën, disa javë punë zyrtare në Venedik...

E di, mund të ma merrni për të madhe, pse ngjarjen nuk e kam vendosur në ndonjë kohë e vend të caktuar. Ndonjëri nga ju ndodh të shkojë edhe më larg, të më shpallë të marrë. Letënxirës... Kalemxhi... Po, mos t'i fryjë shumë kosit, unë kam arsye. Poeti nuk e di as vetë se cilës kohë i takon me Librin e mëkateve. Selvia e Bukur mund t'i takojë së kaluarës, së tashmes, por edhe të ardhmes. Saku, kohës së Omar Khajamit. Xhebraili, që merr shpirtra, të gjitha kohëve, por, më së shumti, së ardhmes. Shtrigani i Allahut  fatkeqësisht  të gjitha kohëve. Dr. Madhin me qëllim nuk e hedh në asnjë kohë, mund ta caktoni fare lehtë ju vetë, nuk e keni të vështirë. Plaku i Marrë, pasi u ka takuar të tjerave, mund të vendoset edhe në kohën e tashme. Pijaneci i Rrejshëm le t'u takojë të gjitha kohëve, vetëm të tashmes, jo, se do të më nxjerrë punë në libër. Zonja me Gjel i takon kohës së tashme, ruana Zot! Dhe Shënt Ëlliu  botës së luleve... (Ngadalë ngrihet në këmbë, dorëshkrimin e dramës e hap në faqen e parë, e shuan llambën e tavolinës dhe del nga skena.)

PAMJA E PARË

Skenën gjysmë të errësuar e ndriçon vetëm një llambë tavoline. Ndërsa, mureve mezi shihen raftet plot me libra. Diku në mur, mbi shtrat, edhe dytri piktura moderne. Në njërën,  dallohen disa gurë varresh, një Bollë me flokë dhe dy laraska, duke çukitur me sqep në një kafkë. Pranë dritares shihet një tavolinë pune dhe karrige në dritën e së cilës duket Poeti, të cilin e ka zënë një gjumë i thellë mbi makinën e shkrimit. Afër tij janë edhe një bokall me verë të kuqe dhe disa libra. Matanë dritares  në terr dëgjohet zëri i Zogut të Keq. Pak më vonë, njëra pas tjetrës edhe dy krisma pushke, që si me sëpatë çajnë terrin. Ushtima e tyre si dy rrufe para ardhjes së shiut humbet nëpër natë. Kënga e Zogut të Keq tashmë nuk dëgjohet, me siguri i trembur pushon në tra, nën ndonjë çati. Përsëri heshtje e rëndë si natën e varrit. E pak më vonë edhe lehja e qenve... Errësirën dikur ngadalë e dëbon nga skena drita e reflektorit, duke e ndriçuar paksa fytyrën e Poetit. Mjekrën e zezë shihet se e ka lëshuar kaherë, po edhe flokët e zezë e të drejtë gati ia kanë mbuluar veshët. Në trup ka të veshur tesha të vjetra me arna nga teksasi dhe një këmishë të kaltër me vija. Në dritare papritmas shfaqet një hije.

ZËRI NGA TERRI: Zgjohu, o Imzot! Zgjohu, se nëpër natë dëgjohet troku i kuajve... Fishëkllima e erës... Kënga e Zogut të Keq... Melodia e rrotave të qerres... Krismat e pushkëve... Gjëmimi i rrufeve... Lehja e qenve... Bubullima e maleve... Vjen Dr. Madhi me shokë! Shpatën e ka në dorë. Sytë i janë skuqur, i janë përgjakur... E ti duhet ta shkruash Librin e mëkateve para shpatës së tij të pamëshirshme. Zgjohu, mos të të gjejë në gjumë!...

POETI: (Kokën e ngre i trembur nga makina e shkrimit. Përgjon. I fërkon sytë me gishta. Veshin e afron te dritarja. E merr bokallin me dorë dhe pi verë të kuqe.) Asgjë nuk dëgjoj, o Imzot! Asgjë nuk shoh nëpër errësirë. Veshët m'i kanë shurdhuar me marrëzi... Zemrën me urrejtje... Sytë m'i kanë dhënë në dorë... Këmbët m'i kanë varur për qafe... Librat m'i kanë hedhur në zjarr... Kokën ma kanë ngulur në shkop dhe më kanë hipur në kalin e Don Kishotit. Skeleti im më heq zvarrë nëpër errësirë...

ZËRI NGA TERRI: Kokën hiqe nga shkopi, o Imzot! Sytë vëri në ballë!... Këmbët hiqi nga qafa!... Rrugën vazhdoje me shokë... Gjoksin nxirre para rrufeve!... Grushtin çoje në errësirë!... Udhëtimi është i gjatë dhe plot rreziqe...

POETI: Po, si ta heq kokën, kur nuk kam duar?! A se sheh se nata më ka në grusht?... Terri më troket në dritare?... Gjumi mundohet të më mashtrojë me një ëndërr?... Kam frikë unë, i pagjumi. Frikë, mos e lë përgjysmë Librin e mëkateve mbi tavolinë. (Përsëri fillon të shkruajë me makinë.) Jo, jo Librin e mëkateve do ta shkruaj, po qe nevoja, edhe para shpatës së pamëshirshme të Xhebrailit. (Dikur nervozohet dhe e nxjerr rrëmbimthi letrën, duke e grisur copëcopë. E ngre përsëri bokallin me verë. I nervozuar, me duar pas shpine, ecën nëpër dhomë.) S'keni nga të ikni më, o njerëz të dobët!... O të mjerë!... O të varfër!... O qen!... S'keni ku ta futni as kokën! Të gjithëve një ditë do t'ju fut në libër! Të gjithëve, sipas meritave dhe mëkateve... Të gjithëve!...

SELVIA E BUKUR: (Hyn e trembur, duke marrë thellë frymë, në dhomë.) Urdhëro, Imzot! Kërkove gjë?

POETI: Jo.

SELVIA E BUKUR: As verë të kuqe?

POETI: As verë të kuqe.

SELVIA E BUKUR: Atëherë, ç'të mirën ke, Imzot? Mos t'u përzien trutë në kokë?!... Personazhet?... Mos të rrahën prapë xhindet?... Tollosuni?... Satanai?... Ç'është gjithë kjo britmë nëpër natë?

POETI: E shkruaj Librin e mëkateve.

SELVIA E BUKUR: E, çka ka lidhje kjo, Imzot?

POETI: Ka lidhje, Selvia ime e Bukur. Ka, se më kanë hipur në “Kalin e Trojës”...

SELVIA E BUKUR: Hahahaaa, o Imzot! Po, ti s'di ta shalosh kalin. Në mes të udhës të flug mu në kokërr të shpinës si kungull të kalbur në tokë. Nuk di ta ngrehësh frerin. Kamxhik nuk ke në dorë. Aq më keq, ti s'ke guxim të luftosh as me mullinjtë e erës. Pastaj duhet të të gjej edhe një Sanço Pançë, një Dulqine...

POETI: Oh, sa e marrë je, Selvia ime e Bukur! A kaq e vështirë qenka në këtë kohë marrëzish të të gjejnë mulli ere, Sanço Pançë e Dulqine?...

SELVIA E BUKUR: Është, o Imzot! Është.

POETI: Jo, oj Selvia ime e bukur. Jo. Kemi ne aq shumë Donë Kishotë shqiptar, Dulqine, mullinj ere e Sanço Pança, sa nga ata nuk mund të dalim edhe në rrugë. Po, nuk kemi Servantes...

SELVIA E BUKUR

Unë nuk të lë, o Imzot, asnjë betejë të marrë ta bësh për Dulqinenë! Po e bëre ndonjë, pa ditur unë, dhe po e mora vesh, dije  baj plaçkat! Ik nga sytë këmbët! Nuk më duhet një burrë i tillë me kalë shale...

POETI: Mos u bëj e marrë, Selvia ime e Bukur! Unë asnjë varg nuk e kam shkruar për Dulqinenë!

SELVIA E BUKUR: Kot mundohesh të më gënjesh, o trim! Në mes të ditës të m'i mbyllësh sytë... Të ma zbutësh zemrën... Të ma hedhësh mbi kokë një shami... E di unë sesi janë poetët. E di. S'mund të më bindë askush me fjalë. Këndej të shkruajnë vargje, andej, sa çelembyll sytë, ta bëjnë gati shtratin...

POETI: Selvi, eja në vete, mos u bëj e marrë! Asnjërës nuk ia kam bërë gati shtratin... Nuk ia kam hedhur teshat nëpër dhomë... Nuk e kam bërë të qajë mbi libra...

SELVIA E BUKUR: Nuk ia ke bërë gati, ë? E çka ishin gjithë ato telefonata dy net rresht pas mesnatës? Frymëmarrjet e thella nëpër tel... Zëri i panjohur, që të lutej si fëmijë t'ia dëbosh xhindet... Vetminë, që aq vonë e mundonte në shtrat, që e kishte lënë pa gjumë... Takimin në kafenen "Menada"?...

POETI: Asgjë e jashtëzakonshme, Selvia ime e Bukur. Atje nuk bëra asnjë mrekulli... Trokitje nate... Epshe të zgjuara... Ngatërrime... Mosmarrëveshje... Gabimisht, ndonjëra e ka gjetur veten nëpër librat e mi...

SELVIA E BUKUR: Gabimisht, ë? E rrokullitjet nëpër kashtë në vjersha?... Koha e luleve?... Loja e syve?... Edhe ato ishin gabime?...

POETI: Jo. Dorë nuk pata t'i vritja, Selvia ime e Bukur. Më magjepsën me bukuri, m'i morën mendtë... Ata i bëra bythekrye...

SELVIA E BUKUR: (E zemëruar, duke mos e mbajtur veten, i turret, duke e sulmuar me grushta e libra.) I poshtëri i botës... Bira e fundit e kavallit!... Rriqra e grave të huaja!... I ke bërë bythekrye, ë? (E sulmon përsëri me libra.)

POETI: (Duke ikur nëpër dhomë dhe duke u mbrojtur, e mbulon kokën me duar.) Mos u bëj e marrë, Selvia ime e Bukur! Freno veten. Ki mëshirë librat!... Emrat e shkrimtarëve!... Mendimet... Marrëzitë... Ato deshën vetë... Më thane, se i duan vjershat me simbole...

SELVIA E BUKUR: Obobo, ç'më panë sytë e ç'më dëgjuan veshët! Shihe ti njëherë të poshtërin e botës! I duan vjershat, ë?... E ti, ç'deshe, o i krisur?

POETI: Unë? Unë, asgjë, Selvia ime e Bukur. T'i rrokullis në kashtë!... Me shkop t'ua nxjerr të ligat... Xhindet... Tollosunin... Ta shkruaj edhe një libër!...

SELVIA E BUKUR: Po mua, ore i krisur, kur do të më rrotullosh në mes të dhomës? Ja, unë nuk dua në kashtë. Nuk dua. Unë dua në mes të dhomës. Ja, mu këtu mbi këtë lëkurë lope të larme! Hajt, bëju gati, çka pret? Kur do të shkruash për mua libër? Unë dua roman! Roman!...

POETI: Kur të duash, Selvi e Bukur... Natën, ditën... Në shtëpi  në rrugë... Në mes të grunajave, në mes të livadheve... Ja, ku më ke gati me gjithë kafshën. Për ty, dije, do të shkruaj roman!... Madje, çfarë romani  me dyqind faqe...

SELVIA E BUKUR: Unë dua tash, Imzot! Djersët të më shkojnë rrëke deri në zog të këmbës... Britmat të marrin rrugë lëmë më lëmë, matanë këtyre mureve... Frymëmarrja e thellë nëpër errësirë... Zjarrit t'ia hedhësh një kovë me ujë, ta shuash këtë zjarr që më brambullon në zemër gjithë flakë. Ja, mu këtu, në mes të dhomës, mbi këtë lëkurë!...

POETI: Atëherë, çka pret! Këput brezëmbrekun! Mjedisin lidhe me dy shami!...

SELVIA E BUKUR: (Me të dy duart ia shqyen këmishën. Pullat i fluturojnë një nga një nëpër dhomë. Dikur i vërsulet egërsisht, duke e puthur nëpër fytyrë, gjoks...) E këputa. Ja, ku i ke të gjitha... E këto (Tregon shamitë.), le të varen edhe në një degë mani... Le t'i shtijë në gji dhe le t'i ruajë me xhelozi Plaku i Marrë... Ose, le t'i shqyejnë qentë rrugëve e le t'i bëjnë copëcopë...

POETI: Tash mbylle mirë derën dhe dritaret që të mos e dëgjojnë fqinjët frymëmarrjen e thellë, britmat matanë mureve. (E rrëmben me egërsi dhe e rrëzon në dysheme.)

SELVIA E BUKUR: Oh, oh, oooh... Më ngadalë, se m'i theve eshtrat! Dorën ma ke zënë keq përfundi. Kokë e këmbë m'i bëre bashkë... Ty të paskan çmendur krejt librat...

POETI: Edhe më kanë përflakur... Më kanë ndezur zjarr... Rebeluar... Përgjakur... Egërsuar... Selvia ime e Bukur, qëndro! Nuk jam duke shkruar vjersha, po roman!

SELVIA E BUKUR: Oh, oh, oooh... Po luaj krejt mendsh. Kush thotë se toka nuk e ka formën e rrumbullakët?... Cili? Heeej, edhe unë rrotullohem si toka rreth boshtit të vet në hapësirë. Rrotullohem... Ohohooo... (Bërtet.)

POETI: Selvi, po unë nuk të kam faj. Vetë hipe në luhajë... E këtu çdo gjë sillet në rreth...

SELVIA E BUKUR: (Pasi qetësohet pak.) Hesht! (Dëgjohet zilja.) Dikush i bie ziles...

POETI: Kush dreqin është tash, kaq vonë, që na e preu lojën e  kësaj Drame erotike?! Selvi, lidhi Dy shamitë e kuqe për brezzi, dhe hapja derën!

SELVIA E BUKUR: (Duke i lidhur Dy shamitë e kuqe për brezi.) Po, unë, Imzot, kam frikë t'ia hap derën. Është natë...

POETI: Selvi e Bukur, çelja derën më shpejt, kur të them, se dua t'ia shoh surratin!... Sytë... Më kanë thënë se natën i ka edhe më të shëmtuar, më të skuqur... Me siguri, pasi troket kaq vonë, pas mesnatës, është vetë Satanai...

SELVIA E BUKUR: Ore, ti vërtet qenke i poshtër. Po si u çmende sonte kaq vonë, në mesnatë! Vallë, mos të magjepsi Hëna e plotë atje lart në qiell?! Jo. Jo, e di unë. E di. Po, për ç'arsye do të më bindësh edhe me marrëzi? Ndal, mos pret ndonjë nga ato të vjershave me simbole? Heroinën me të cilën përmes vargjeve rrotullohesh nëpër kashtë? Në mesin e librave ta përgjakësh edhe atë... (Niset nga dera.)

POETI: Selvi e Bukur, hapja derën, sa nuk të kam kthyer edhe njëherë në mes lulesh... Librave… Nuk të kam hipur në minare të thërrasësh ezanin, ta shohësh Çabenë...

SELVIA E BUKUR: Jo. Jo, aman, Imzot. Nuk dua edhe një herë. Nuk dua dhe pikë! Mjaft e thirra pesë herë me radhë ezanin... Më ke dërrmuar fare. Më merren mendtë... Nuk mund të mbushem frymë... Sytë më janë përlotur si të fëmijës... Faqet më janë skuqur, më janë ndezur flakë...

POETI: Atëherë, hapja derën Satanait! (E ngre bokallin me verë dhe i hipën përsëri makinës së shkrimit mbi tavolinën e drurit arrës.)

SELVIA E BUKUR: (Pas pak kohe kthehet me të panjohurin.) Imzot, ja erdhi miku i natës...

SHTRIGANI I ALLAHUT: Mirëmbrëma, o i pagjumë!

POETI: Mirëmbrëma, o i dashuri i Allahut! Ç'e mirë të solli kaq vonë në dhomën time me libra?

SHTRIGANI I ALLAHUT: Më dërgoi Dr. Madhi. Net e ditë të tëra më ka ndenjur mbi kokë. E kemi shëtitur gjithë Qytetin e qyqeve. Emra e emra kërkuam shtëpi më shtëpi. E kemi një vend të lirë për heqjen e valles në Shtëpinë e Kukullave. Por, pasi u menduam gjatë kohë, sollëm përfundimin se, askush më shumë se ti nuk ka merita dhe aftësi si lojtar në hedhjen e shamisë...

POETI: Falemnderit, o i dashuri i Allahut! Do t'jua di për nder, që, më në fund, paskeni menduar edhe për mua, të pagjumin. Fundi i fundit m'i keni nderuar aftësitë.

SHTRIGANI I ALLAHUT: E po, Dr. Madhi, o i pagjumë, thuaj si ti thuash, i do njerëzit e aftë dhe punëtorë. E sidomos ata të ndershmit. Kush të dëshirojë le t'ia ketë inatin. Veten e pastë në qafë. Talentë është burri i botës dhe pikë. Ç'ke me të, detyrën e kryen me përgjegjësi dhe me nder. Është punë tjetër që ne nuk ua dimë për nder njerëzve të aftë dhe punëtorë. I marrim nëpër gojë. Po, a shahet, ore, njeriu që gjithë natën e lume, duke menduar për të mirën e tyre, nuk e merr gjumi. Orë të tëra rrotullohet nëpër shtrat... Mundohet... Djersin... Fol jerm... Vetëm, se...

POETI: Hë, fol, o i dashuri i Allahut! Fol, mos i gëlltit fjalët! Është natë e errët, të gjithë janë në gjumë. E deri në agim nuk çel drita...

SHTRIGANI I ALLAHUT: Vetëm se më tha t'i ndërrosh këmbët sipas të rameve të trumbetave... Muzikës... T'i luajë vallet e njohura të Dr. Madhit...

POETI: Ashtu qenka puna, ë? Unë të luaj me trumbeta! Pas kaq e kaq vjetësh të hyj në valle. Këmbët t'i ndërroj njërën pas tjetrës, ta hedh lart shaminë... Po. Po, nuk e luan as topi. Tash e shoh se për këtë lajm të mirë, si çmim, e more gostinë e shtëpisë. E do një gotë verë të kuqe?

SHTRIGANI I ALLAHUT: Verë të kuqe!? Jo, falemdnerit. Është “hallall”. E pi çajin e rusit… Pastaj, nuk e pi kur jam në detyrë. I bëj nder punës, po edhe barkut...

POETI: Atëherë, e do një kafe?

SHTRIGANI I ALLAHUT: Kafe, bën. Vetëm me pak sheqer!

POETI: Selvi e Bukur, shpejt i bëj të dashurit të Allahut një kafe! E di ti vetë më çfarë, të vdekurit t'i çojë në këmbë...

SELVIA E BUKUR: Si urdhëron, Imzot! Si e pini, zotëri? (I drejtohet Shtriganit të Allahut.)

SHTRIGANI I ALLAHUT: Me pak sheqer, zonjë! Po, le të ketë pak më tepër kafe.

SELVIA E BUKUR: Menjëherë, zotëri! (E hap derën dhe del nga dhoma, duke rendur si flutur.)

SHTRIGANI I ALLAHUT: Nuk e di çka të them tjetër mes gjithë këtyre mendimeve, që më vlojnë në kokë. Kam frikë mos shkretoj me ndonjë marrëzi. Sall, e them pa asnjë frikë, vërtet paskeni lindur ditën e “Shën Gjergjit”. Gjithë këtë bukuri, gjithë këto mrekulli i shoh hapur si në pasqyrë. Dhe, sipas mendimit tim, jeni me fat, duhet të jesh i lumtur, o i pagjumë! Dr. Madhi nuk e qas secilin në Shtëpinë e Kukullave. Valles t'i prijë me trumbeta. Në kët kohë me lule ta hedhë lart shaminë... Vetëm për këtë, merret vesh, duhet të jeni edhe pak i mençur, t'ia ktheni me punë... E mira, ore, kthehet me të mirë, kështu thotë populli. Se, nuk është aq punë e lehtë të fitosh sot besimin e Dr. Madhit.

POETI: Po. Ashtu është, o i dashuri i Allahut... Të gjitha i kam të qarta, si një e një që bëjnë dy. Ama, unë nuk mund t'i bie mohit vetvetes... Ta shaj... Ta urrej... Të them se nuk e dua veten, të tjerët, në shtetin e “përbashkët”...

SHTRIGANI I ALLAHUT: Hahahaaa... Po, askush nuk e kërkoi prej jush këtë gjë: Të mos e duash vetveten, të tjerët... Shtetin e “përbashkët”… Kush t'i ndal këto, o i pagjumë?

POETI: Po. Vërtet është ashtu, o i dashuri i Allahut! Nuk m'i ndal askush. Po, unë më vështirë mund t'u besoj këtyre fjalëve. Se, jehona e tyre merr fund në ajër. E te ne, në fshat, thonë: Si të hysh në valle, e ke vështirë të dalësh...

SHTRIGANI I ALLAHUT: Marrëzi. Marrëzi të mbështillen në kokë. Mendimet të janë turbulluar, t'i kanë përzier me dorë... Ç'lidhje ka vallja këtu me këtë, o i pagjumë?

POETI: Ka, si s'ka, o i dashuri i Allahut! Se, të tjerët u bien trumbetave, e ti duhet të heqësh vallen me shami pas brezi... Këmbën ta ngresh mbi gju, ta hedhësh lart shaminë...

SHTRIGANI I ALLAHUT: Po, hiqe, o i pagjumë! Ç'të keqe sheh këtu? Mos edhe për këtë lypet ndonjë mjeshtëri? Vetëm i ndërron këmbët. Një herë njërën, pastaj tjetrën. E ngre kokën. E shtrembëron mbi njërin sy kësulën e bradhë të Bajram Currit. E hedh shaminë lart, pastaj pas shpine. Bën rrotullime. Të tjerët të vijnë pas...

POETI: Po, i ndërron këmbët, e hedh shaminë. Por, shamia nuk hidhet mbi kurriz të polemit... Mbi varret e të parëve, o i dashuri i Allahut?...

SHTRIGANI I ALLAHUT: Edhe një gjë të frikshme e pashë vetë me sy. Mezi ia dola t'i largoj dyshimet nga koka. Vërtet qenke si më kanë thënë, i pabindur, i çmendur mbi libra... Botën e sheh me syrin tënd sa të bukur, aq të shëmtuar... Kjo më shtyu edhe të dyshoj se vërtet të paska rënë Tollosuni me tokmak mu në kokë. T'i ka marrë mendtë. Ndodh edhe t'i ka ngatërruar e t'i ka bërë lëmsh. Ose i ka shtrydhur, u ka nxjerrë shpirtin... Po, ku të takoi se? Me siguri je kthyer natën vonë vetë në shtëpi. Apo, ke kaluar pranë varreve. Më dhimbsesh...


PAMJA E DYTË

Kafene me disa tryeza dhe karrige. Përballë derës shihet një portret plaku me mjekër, duke pirë verë. Në një kënd nga dy altoparlantët dëgjohet një këngë popullore. Më tutje dytre veta bisedojnë kokë më kokë. Nga një tryezë në tjetrën vrapon t'u shërbejë mysafirëve Saku me tabaka në dorë. Ndihet një atmosferë gëzimi dhe hareje... Tymi e ere alkooli... Dikush që më e ka kaluar kufirin ia ka thënë edhe vetë këngës. Heq valle. U bie duarve... Për shëndet... Shan... E rrok shokun për qafe... I zgurdullon sytë... I dalin jargët... Nxjerr shkumë nga goja... Qan... Ndonjëri edhe qesh me zë kot së koti. E në një tryezë bëhet se gjoja lexon gazetën me zë Plaku i Marrë.

PLAKU I MARRË: Satanai më la pa shtëpi... Ujqit m'i lëshoi në vath... Qenin tim ma ndërseu pas shpine... Djalin ma përzuri nga shtëpia... Cucën ma martoi pas shtatë maleve... Nusen ma dërgoi te hoxha... Arat m'i mbolli me ferra... Lëmën me bar... Magjen ma la pa bukë... Gruan pa fëmijë... Shterpë…

POETI: (Hyn në kafene me disa gazeta dhe dytre libra nën sqetull.) Mirëdita, o plak! (Dikur ulet edhe vetë në një tryezë, nën Rrap.)

PLAKU I MARRË: Mirëdita, zoti Poet!

SAKU: (I afrohet me një tabaka në duar.) Urdhëroni, zoti Poet?

POETI: Atë që ka pirë Omar Khajami! Vetëm, kuptohet, pa çupa!...

SAKU: Zoti Poet, sot nuk i do lotët e Shën Mërisë Virgjër?!

POETI: Jo, i kam pirë herët në mëngjes, para se lindë Dielli. Sot, dua ta pi gjakun e Isu Krishtit (Azreti Isait) në Baba Tomorr!

SAKU: Vetëm, para se të shkoj të ta sjell verën, recitomi disa vargje të poetit nga "Rubairat"!

POETI: Me gjithë dëshirë: ulu në këtë karrige!

"Të madhit Muhamet i çon selam

Dhe e pyet Imami Omar Khajam:

O Pejgamber, më thuaj, mor aman,

Pse dhallën bën hallall, Verën haram?”

Përgjigjet Muhameti me selam:

"S'më more vesh, Imam Omar Khajam!

Dhallën hallall për lolot, mor aman,

Verën për t'Urtët nuk e bëj haram!"

SAKU: Vargje të thella, he burrë! Vetëm se edhe unë, si i madhi Khajam, nuk do ta pija pa çupa... (Dhe fluturimthi iku përmes tryezave.)

PIJANECI I RREJSHËM: (Hyn edhe ai në kafene me një shishe raki në dorë, duke u lëkundur herë në njërën, herë në anën tjetër, duke i përdredhur bythët.) Sak, sillmë raki rrushi! Çka më shikon ashtu si mëzat, dua raki rrushi! Ku e keni këngëtaren? Ma sillni këtu Hatixhe Hanëmin, t'ia thotë njëherë ashtu si di vetë asaj këngës sime të adhuruar, të më ulet në prehër! Ose, atij eprorit të “çmendur” jugosllav nëpër “Bit-Pazar”, në “demokraci”, dhe “Liri”:  “Ma ka lanë Nana amanet”… Çka i keni hapur të gjithë sytë? Nuk më njihni, ë? U dukem i pafuqi t'i ngre grushtat, t'u rrëzoj me një të rame këtu në dysheme. Ikni, ore të sëmurë, dilni në rrugë e gjeni këngëtaren! Dua të më këndojë këngën "Mihane"!

POETI: (Duke ia bërë Sakut me sy.) Sak, sillja më shpejt një nga ato fotogarfitë që i keni varur në mur, sa nuk i ka dalë shpirti! Nuk është shtrirë në dysheme. Nuk ka filluar të përjarget mbi tryezë...

PIJANECI I RREJSHËM: Hahahaaa... Kush do të më shetë mend. Askushi. Ti, djalosh, rrudhe pak gojën! Më duket se nuk e paske për në odë të burrave... E paske me të meta... Belbëzon para burrave... Nuk ia di rendin mejdanit... Ruaj fjalët për në konak tjetër! Me siguri do të të duhen një ditë! Ku ta dimë ne, pas natës vjen dita, përsëri nata, vijnë kohë të vështira...

POETI: Nuk e pata me të keq, zotëri! E ndjeva si detyrë njerëzore, desha të të ndihmoj në këtë gjendje të vështirë, krize nervore, dhe politike. Asgjë nuk thashë të padëshiruar, vetëm e ngrita zërin të ta sillnin me shpejt, sa nuk të kanë rënë herdhet si dardha të qullta në tokë. E, sa për kohët me të reshura atmosferike: shi, breshër, stuhi dhe borë, nuk mërzitem shumë, rrugën e kanë të lirë. Qielli është i hapur me yje e Hënë, edhe për dhiare. Moti ua kam hapur derën. Vetëm nuk e di pse nuk vijnë edhe përoxhaku, me siguri janë harruar rrugës. Dhe, pasi Hatixhe Hanëmi nuk qenka këtu, qe po ta këndoj unë një këngë popullore:

"M'ka mbet pushka pa fishekë.

Kush ta ketë i fishek me m'dhanë,

ia jap tokë e ia jap shpi,

(i) fal bjeshkë i fal vrri."

PLAKU I MARRË: (Çohet nga tryeza dhe i afrohet Pijanecit të Rrejshëm.) Hihihiii... Zoti Poet, ti thua se ky ka brekë, ë? Po, ku i ka, ore? Në do të dish, ky nuk ka as herdhe. Këtë e ka përmjerrë Shtrigani i Allahut.

PIJANECI I RREJSHËM: (Dorën e mbështet në dysheme, bën gjoja sikur do të çohet, kur e sheh ngushtë punën. Por, kësaj radhe jo nga rakia, po nga frika nuk e mbajnë këmbët përnjëmend.) Cccilin e kka pppërmjerrë Shshtrigani i Allahut?

PLAKU I MARRË: Ty, ore qen. Ty, madje në gojë. Ja, kështu: përrrr... Se, njeriut si ti, që nuk ka brekë, duhet bërë edhe diçka tjetër si shërbleim, po mua të ta them këtu më skuqet fytyra. Ti edhe sot e kësaj dite nuk e di cila rrugë të çon në shtëpi... Nuk e di ku e ke nusen... Cilin ta duash, cilin ta urresh... Trutë t'i kanë përzier me dorë... T'i kanë bërë kaçamak...

PIJANECI I RREJSHËM: Sak, ky i marrë filloi edhe të më ofendojë me fjalë. E kaloi kufirin. E çdo hyrje në territor të huaj, pritet me zjarr. Më dhimbset i gjori, por s'kam çka t'i bëj, veten e pastë veten në qafë. Kokën më duket e ka të tepërt në qafë. Hidhe jashtë si qen, sa nuk ia kam prishur fytyrën!

POETI: Fytyrën duhet të ta prish ty, ore palaço! (Ia bën përsëri Sakut me sy.) Nëse ke pirë, ke pirë për vete, ke bërë qejf, ke kënduar këngë, ke hequr valle... Ç'faj të kemi ne këtu, ore qen, të na e prishësh ahengun. Ose, ulu pi siç ka hije, ose mbaju në shtëpi te gruaja!...

PLAKU I MARRË: Hihihiii... (I shkon rreth e rrotull me gazetë në dorë.) Burra, pritni një herë t'ia shohim brekët e kuqe! Nuk do të shkojë në shtëpi pa ia parë brekët e kuqe, zoti Poet. Vëmë bast se, nuk i ka, është pa brekë kanapi, vetëm për një përdorim...

POETI: Vëmë. Ja, dorën. Me siguri, pas asaj pune ia kanë varur në lis... Ose, ia kanë hedhur në kontinierë hedhurinash, në “Bit-Pazar”...

PLAKU I MARRË: Mbaje mirë, zoti Poet me të Dyja duart, t'ia zgjidhë pantallonat! Me siguri nuk ka as halete. (Plaku, bën sikur gjoja do t'ia zgjidhë pantallonat.)

PIJANECI I RREJSHËM: Ore, juve u paskan shqepur dru xhindet! Më lëshoni, se m'i grisët pantallonat! (U shpëton nga dora dhe arrin të ikë në rrugë.)

PLAKU I MARRË: (Duke iu turrur deri te dera pas këmbëve.) Ore, një ditë, për merita të “vëllazërim-bashkimit”, do të të rrasin edhe një hu shelgu në b...

POETI: I gjori. Më ndiqte këmba këmbës. Mendonte mos më binin rraçet rrugës...

SAKU: Me siguri priste t'ia nxjerrësh edhe mbi tryezë, të t'i përkëdhelte pak me dorë... Ka bërë shkollë për kësi punësh...

POETI: Po, a nxirren, ore, gjithë këto vorba me raki rrushi dhe verë të kuqe mbi tryezë? Mos vallë, edhe ai më vjen prapa si ajo dhelpra e përrallës popullore shqiptare, kur i shkonte pas dashit e bindur se do t'i binin diku rrugës...

SAKU: Nuk e di, zoti Poet. Vetëm një gjë e di, se nxirren mbi tryezë. Po, kur t'i shihte gjithë ato rraqe, ndodh nga frika do t'i binte portës me kokë dhe do të ikte nga sytë këmbët.

PLAKU I MARRË: Qeni me zgjebe. Na e preu malin... Tjegullat ia hoqi shtëpisë... Themeleve ua vodhi gurët... Na i tredhi burrat... Në zemër na e mbolli urrejtjen... Na i la udhëve fëmijët... Na e prishi gjakun... Na i shau të parët historik... Na i turpëroi varret... Kokën një ditë do t'ia presë vetë Xhebraili...

ZONJA ME GJEL: (Hyn në kafene me një gjel në duar, duke bërtitur me sa zë që ka.) I poshtëri i botës! Qe, tri net rresht nuk vjen në shtëpi. Ku ta dish para cilës shtëpi rri si qen, nën cilën dritare me kitarë këndon serenadë.. E ka harruar dhomën e fjetjes... Gruan... Fëmijët... Ku fshihet qeni? Më tregoni, t'ia këpus vetë me këto duar! Pesë para nuk i bëjnë më ato të shkreta. Kot së koti i mban në mes këmbëve. Çka i duhen? Më tregoni ku iku qeni? Tregoni!..

SAKU: Cili, zonjë e nderuar?!

ZONJA ME GJEL: Si, ore, cili? Burri im, në i thënçin burrë...

SAKU: Burri yt?! Qe, tash sa doli nga dera e Shtëpisë Publike, zonjë e nderuar. Çudi, si nuk e paske takuar në rrugë?!

ZONJA ME GJEL: Doli për dere, ë? Edhe, atë nga Shtëpia Publike?! Po, ku i pata unë e shkreta sytë? Mjera unë e mjera si më paskan lënë para kohe. Me sytë që i kam nuk është mirë të dalë as në rrugë. Se, ndodh të bie në ndonjë gropë, të lahem në bazenin e krimbave... Ëhë, tash m'u kujtua. Prit pak! Po, e di unë se ç'qen i zgjebosur është ai. E di. Ma ka hedhur dhe pikë. E pranoj se është treguar i gjindshëm, e ka luajtur rolin edhe më mirë se një aktor teatri. Me siguri e ka pasur me vete ndonjërën nga ato, bukuroshet e maskuara si në karnevale. Ndonjërën nga ato, veshur krejt në lëkurë, me zixhirë të trashë ari rreth qafës e rreth këmbës... Dëm i madh që nuk e zura sot me pelë për dore...

SAKU: Jo, zonjë e nderuar. Ne, si duket, nuk u kuptuam. E keni gabim. Mos u ngutni ta zbrazni zemërimin. Kini durim! Një vjellje si kjo nuk çon ujë në asnjë mulli. Qetësohuni! Burri juaj sot nuk e kishte asnjërën me vete.

ZONJA ME GJEL: Jo, ore djalosh. Jo. Mos e mbroj qenin! Se deri këtu më ka ardhur (e prek hundën) me ato meskëputurat. E di unë se çfarë burri kam. E di. Kokën e lë ai pas dhelprave dinake, që ecin në maja të gishtërinjve mes për mes Qytetit të qyqeve. Kot e ke të më bindësh vetëm me fjalë. Juve, ua ka hedhur, e shoh edhe vetë, me dinakëri. Por, jo edhe mua, se nuk jam aq naive, aq budallaqe. E di unë atë, e njoh mirë. Shtratin e ndaj qe disa vjet bashkë me qenin. Në do të dish pak më shumë, edhe si merrë frymë, e di. Me siguri e ka lënë jashtë pas derës... Tinëzaku që është ai  ta ketë më të sigurtë...

SAKU: Zonjë, burri juaj mezi rrinte më këmbë: dukej i lodhur në fytyrë...

ZONJA ME GJEL: Si? Edhe ka pirë qeni, ë? Po, ai kurrë nuk e ka vënë në gojë. Mos edhe këtë të zezë ma ka sjellë mbi kokë? Hapu varr të hyj brenda, se nuk jetohet me marre. Ah, edhe një herë në e shtënça në dorë! Atëherë do të më çmojë dhe do të më dojë si grua...

SAKU: Po, zonjë e nderuar, e kam me gjithë mend, nuk tallem. Vështirë e mbanin këmbët. Herëherë edhe e tradhtonin, duke e lënë në baltë...

ZONJA ME GJEL: Ore, është ai në mend dhe e di sesi duhet të sillet në shtëpi? Po, kush do t'ia punojë arën, po s'e punoi vetë me shat, natë e ditë, sa më thellë...

SAKU: Do ta mbulojë bari, zonjë e nderuar. Gjethet... Ferrat... Ose do ta punojë Plaku i Marrë...

PLAKU I MARRË: Nderimet e mia, zonjë e nderuar! (I përkulet me ironi.) Sa ma shitni gjelin e pulave në livadh?

ZONJA ME GJEL: Jo, gjelin nuk e shes, o lolo! E kam blerë për vete në pazar... Këndon bukur... Fletëve u bie pa zbardhur mirë agimi... Mëngjesin e thirr në gardh...

PLAKU I MARRË: Zonjë, edhe nëse jua paguaj aq sa nuk bën ky gjel?

ZONJA ME GJEL: Jo. Jo se jo. Të thashë një here, se këndon bukur mbi gardh.

PLAKU I MARRË: Po, zonjë, unë e dua mu pse këndon bukur! Ju me kaq para mund të bleni, jo një, po njëqind gjela.

ZONJA ME GJEL: Jo, o i marrë! Mos u mundo më kot! Këtë gjel e kam për hasret... Lëmit ia rrit bukurinë... Dyzet pulave u del zot livadhdit... Gjelin e huaj e ndjek përtej gardhit...

PLAKU I MARRË: Atëherë, zonjë, ma jep vetëm pak ta mbaj në duar! Puplën e gjatë t'ia shoh si e ka në bisht!... Lulen në ballë...

ZONJA ME GJEL: Vetëm pak, bën. Por, të merremi vesh, vetëm pak! (Ia jep gjelin.)

PLAKU I MARRË: Auuu, zonjë e nderuar! Sa gjel i bukur! Po, si duket, ky nuk qenka fare i urtë! Qenka nga soji më i njohur i gjelave. Heq origjinën nga familja e gjelave luftarakë... (E lëshon nga dora, gjoja sikur i shpëton gabimisht, në mes tryezave.)

ZONJA ME GJEL: (Turret pas gjelit.) Qyqja unë, e mjera! Qyqja, si më iku gjeli! Çka do t'i them burrit në shtëpi? Ku do ta kaloj natën unë e mjera? Vështirë do ta kem ta pajtoj me ndonjë rrenë. Ai nuk do t'u besojë këtyre mjeshtërive. Kapeni gjelin! Kapeni! (Turret pas gjelit, i cili struket në një kënd, nën tryezë.)

PLAKU I MARRË:: Mos u tremb, zonjë e nderuar! Gjelin s'ka nga të ikë më larg se kjo tryezë! E po provoi, dihet se çka e pret, tava në shporet...

ZONJA ME GJEL: Plak, ec shpejt, ja ku është strukur nën këtë tryezë! Mos fol marrëzi!... Gjeli im nuk merr fund aq lehtë në tavë... Eja, kërrusu, kape për këmbësh!

PLAKU I MARRË: Jo, kërrusu ti, zonjë! Ia di më mirë hujet gjelit... Ndodh të të jepet më së lehti në dorë. Kushedi? Gjeli yt është me teke...

ZONJA ME GJEL: Të lumtë! Mirë thua, plak. Shihet se ua njeh fijet gjelave... (Kërruset nën tryezë. Dhe, derisa kërruset, vithet i dalin "na", para syve të Plakut të Marrë.)

PLAKU I MARRË: Zonjë, mbaje fort! Jepi një mësim të mirë rebelit! Fletët rrokja me dorë të të mos ikë në rrugë! (Derisa me njërën dorë shpërthen pantallonat, me tjetrën ia hedh mbi kokë fustanin, duke e rrokur nga prapa me të dy duart për beli.)

ZONJA ME GJEL: Oh, ooh, oooh... E hë, e hë, e hë, e hëëë...

PLAKU I MARRË: Zonjë, shtrëngoje fort! Mos ia lësho fletët!... Se, po të shpëtoi edhe një herë, nuk do të mund ta futësh në mes pulave...

ZONJA ME GJEL: Oh, ooh, oooh...

(Skena errësohet plotësisht.)

PAMJA E TRETË

Përsëri dhoma e punës, në të cilën kësaj radhe librat janë hedhur andejkëndej mbi qilima. Çdo gjë duket se ka rënë në gjumë: orenditë, fotografitë, makina e shkrimit, librat... Vetëm terri mundohet ta sundoj, ta gjunjëzojë dhomën, ta hedhë në errësirë, po nuk e lë llamba e tavolinës. Bën dritë. E heshtja që do të lëshojë rrënjë mes këtyre mureve si një rrap shekullor,  dikur zgjohet nga shkronjat që rrahin njëra pas tjetrës si sopata në lis. Poeti i thelluar në mendime vazhdon të shkruaj mbi makinën e  shkrimit. Djerës i shkojnë çurg ballit, dikur papritmas hidhërohet  dhe e nxjerr letrën. Nervozohet. E gris. Përsëri e fut një tjetër letër gjithë inat. Edhe atë pas disa të rrahurash makine e gris pa mëshirë copëcopë. E shkel edhe me këmbë. I zemëruar e çon bokallin me verë. Pi. Matanë dritareve dëgjohen të lehurat e qenve... Në dhomë hyn papritmas Selvia e Bukur, që mezi mbushet frymë.

SELVIA E BUKUR: Imzot, lehin qentë...

POETI: Selvi e Bukur, nuk mund ta shkruaj Librin e mëkateve! E kam vështirë të merrem vesh me rreshtat. Nuk më dëgjojnë këta fëmijë. Qentë që lehin jashtë ua nxorrën gjumin. Ngrenë krye. Nuk duan të flejnë në libër. Janë të prapë. E mua, pa mëshirë, më mundon nata. M'i lidh sytë... Më rrahin xhindet... Duan të më shtrydhin këto mure...

SELVIA E BUKUR: Librin e mëkateve duhet ta shkruash gjithsesi, Imzot! Nuk ke rrugë tjetër. Pa sikur edhe të të rrahin me dru natë e ditë. Xhebraili nuk ka mëshirë, do të ta kërkojë para Ditës së Kiametit...

POETI: Nuk mundem, Selvia ime e Bukur. Litari ma ka bërë varrë qafën. Gjaku më ka dalë mbi këmishë... Trupin e kam me plagë... Shtrigani i Allahut më heq zvarrë nëpër shkretëtirë... Nuk më mbajnë as këmbët... Më dridhet dora... Më janë përzier trutë...

SELVIA E BUKUR: Pi verë të kuqe me Dy shtama, Imzot! Pi verë të kuqe! Ikë nga Lotët e Shën Mërisë Virgjër! Librat hidhi nëpër dhomë!... Dorëshkrimet... Fotografitë... Me siguri do të të kthjellohet truri...

POETI: Me tru të kthjelluar e kam edhe më vështirë, Selvia ime e Bukur. Se, m'i ndërsejnë qentë... Ma hedhin samarin... Më hipin në shpinë... Freri ma mbush gojën gjak... Një kalorës i sëmurë këtyre rrugëve të gjata sa mundet më bie me thupër... Më mbyllin në dhomë pa bukë, pa ujë... M'i lëshojnë minjtë... Më dënojnë mbi libra...

SELVIA E BUKUR: Shkopin me flokë, merre në dorë, Imzot! Ku e ke shkopin me flokë?

POETI: Shkopin me flokë, nuk e kanë frikë qentë me zgjebe, Selvia ime e Bukur... Janë tërbuar... I ngulin këmbët... Qesin dhëmbët...

SELVIA E BUKUR: Atëherë, ec pas meje, të ikim nëpër natë, Imzot! Matanë kodrës e shoh një dritë... Ndizet... Fiket... Ndizet...

POETI: Ku të ikim, Selvia ime e Bukur, kur nuk më shohin sytë nëpër errësirë?

SELVIA E BUKUR: Ma jep dorën, Imzot! Unë e di rrugën nëpër errësirë...

POETI: Jo, Selvia ime e bukur. Jo. E kam frikë Lugatin... Tollosunin... Satanain...

SELVIA E BUKUR: Ec pas meje, kur të them, Imzot! Lugatin do ta mashtroj me bukuri... Natën me vetulla e sy... Qentë me bukë që të mos e këputin zinxhirin... Ty do të të fsheh në dimi...

POETI: Hihiihiii... Po, s'jam unë burrë që fshihem në dimi, Selvia ime e Bukur!

SELVIA E BUKUR: Atëherë, çka pret, shkruaje Librin e mëkateve, para se të vijë Xhebraili!

POETI: Patjetër, do ta shkruaj Selvia ime e Bukur! E shoh se nuk kam rrugë tjetër, nuk kam çaré. Do ta shkruaj edhe në mes rreshtave... Mureve që më shtrëngojnë natë e ditë pa mëshirë... Gjumit që më hyri me dhunë në dhomë... Heshtjes që më troket në dritare... Zogut të Keq, që më këndon mbi çati... Eja, shtriju këtu në dysheme, më ndihmo t'i jap fund Librit të mëkateve!

SELVIA E BUKUR: Imzot, po unë sonte nuk mund t'i shoh shkronjat. Sytë më mjegullohen mbi fletë. Jam e lodhur, më merr gjumi...

POETI: Selvi e Bukur, eja në vete, mos fol jerm! Ec, sa nuk e kam ngritur kufjen e telefonit! Agimi është ende larg, e unë duhet të kërkoj ndihmë, ta vazhdoj Librin e mëkatev...

SELVIA E BUKUR: Imzot, mos u ngut! Ndal! Ja, u shtriva në mes të dhomës...

POETI: Po ti pak më parë the se të merr gjumi?!

SELVIA E BUKUR: Jo, Imzot, tash e ndiej veten më mirë. Vërtet pata një krizë nervash, por ja që m'u hapën sytë përsëri. M'u kthye fuqia... Në dhomë mund të bëj rrotullime të papara si flutur lule më lule livadheve... E di edhe në cilin livadh ka lule... Ec ta shkruajmë së bashku Librin e mëkateve!... (Shtrihet në mes të dhomës.)

POETI: Po, në cilin rresht e lamë, në cilën faqe?...

SELVIA E BUKUR: Në cilën faqe?! Në faqet e pasmesnatës, Imzot...

POETI: Nëse edhe këtë herë nuk ia dal mbanë, do ta gris përsëri, Selvia ime e Bukur!

SELVIA E BUKUR: Këtë herë, Imzot, do ta shkruash me siguri Librin e mëkateve. Rreshtat e tij të prapë do të dalin në rrugë, do të çirren nëpër errësirë, do ta çmendin edhe natën... Hënën e plotë... Yjet, në qiell...

POETI: Nuk e di, Selvia ime e Bukur. Nuk e di. Kam frikë. Përtej këtyre dritareve është natë. Ujqit kanë zbritur nga malet... Këndon Zogu i Keq... Lehin qentë...

SELVIA E BUKUR: Libri i mirë shkruhet me frikë, Imzot. Nisja më shpejt, se çeli agimi! (Jashtë dëgjohet përplasja e fletëve të lisave, dhe kënga e gjelit mbi gardh.) Ja, edhe gjeli po tregon se është afër dita...

POETI: Hesht! (Nëpër dritare vijnë disa tinguj të trumbetave. Poeti niset nga zëri dhe e hap dritaren.) Trumbetat dëgjohen në rrugë, Selvia ime e Bukur!...

SELVIA E BUKUR: Të dalim dhe ne e t'i presim me duartrokitje, Imzot?... Lule?...

POETI: Jo, prit njëherë, Selvia ime e Bukur, ta nxjerr unë i pari kokën nëpër dritare! Vetë dua të shoh çka ndodh në rrugë. (Nxjerr kokën për dritare.) Oh, Selvia ime e Bukur, edhe ç'më panë sytë! Marrëzi... Hedhurina... Trumbetave me një shami në dorë u prin para Shtrigani i Allahut... Dhe, për çudi, gjithë atyre që dalin t'i shohin në rrugë, u vë nga një vulë në ballë...

SELVIA E BUKUR: Lëri trumbetat, Imzot! Rrugëve të Qytetit të qyqeve, le t'u prijë sa të ketë qejf Shtrigani i Allahut. Nuk dua vulë në ballë. Mjaft jam e bukur edhe pa atë shenjë. Mos humb kohë, ec ta shkruajmë Librin e mëkatev!

POETI: Ku mbetëm, Selvia ime e Bukur?

SELVIA E BUKUR: Te frika, Imzot.

POETI: Fike dritën, Selvi e Bukur, se: nuk e kam e më frikë Lugatin... Tollosunin... Satanain... As Dr. Madhin me shokë...

SELVIA E BUKUR: Si urdhëron, Imzot! Ja, po u bie edhe duarve. Perdet hiqen në skenë. Dritat shuhen në sallë. Shfaqja fillon në errësirë... (U bie duarve dhe e shuan dritën.)

POETI: Selvi e Nukur, ku je, më ndihmo ta shkruaj Librin e mëkateve!

SELVIA E BUKUR: Po, a sheh natën, Imzot, ta shkruash Librin e mëkateve?

POETI: Po, Selvi e Bukur, edhe më mirë se ditën. (Nëpër errësirë dëgjohen britma... Frymëmarrje të thella... Muzikë e tmerrshme... Dikur skenën e ndriçon një reflektor, që simbolizon diellin. Në mes të dhomës, në mes librave me Dy bokallë me verë të kuqe në dorë, shihet i shtrirë Poeti.)

XHEBRAILI: (Hyn në dhomë me Shënt Ëlliun, shikon rreth e rrotull dhe, porsa e heton, e merr në prehër.) E paskan munduar shumë të gjorin... E paskan tredhur... E paskan shkelur me këmbë... Ia paskan thyer eshtrat... E paskan futur në ujë shkul... Lëkurë dashi… Edhe e paskan rrahur me dru natën... E paskan shtrirë pa shpirt në mes të dhomës... Qentë me zgjebe...

POETI: (Vjen ngadalë në vete. I hap sytë.) O Zot! Të kujt janë këto duar që ma pastrojnë gjakun, mëkatet? Ballin ma përkëdhelin me dashuri... Mundohen të m'i shërojnë plagët e marra në Luftën me Penë... Të më çojnë në këmbë?...

XHEBRAILI: Janë duart e mia, o i pagjumë!

POETI: Po, cili jeni ju, që m'i bëni gjithë këto nderime, në këtë kohë të vështirë qorre?... Botë të rreme me  lule...

XHEBRAILI: Unë jam Xhebraili.

POETI: Ëhë, tash e mora vesh... Xhebraili... Po, kush të dërgoi tek unë, o Xhebrail?

XHEBRAILI: Allahu, o i pagjumë!

POETI: Mos të çoi të ma marrësh shpirtin?

XHEBRAILI: Jo, o i pagjumë. Të kurseu edhe këtë herë nga ky nder. Tha: nuk e ka merituar. Më dërgoi ta marr Librin e mëkateve.

POETI: Librin e mëkateve, o Xhebrail e kam shkruar vetëm natën... Territ që mundohej të m'i mbyllte sytë... Zogut të Keq, që për çdo natë, më këndonte në dritare... Lehjeve të qenve me zgjebe... Në mes torturave, kamxhikut e mureve... Shtriganit të Allahut, që më rrinte mbi krye... Exhinëve, që më rrihnin natë e ditë... Ja, ku e ke gati mbi tryezë! Merre!

XHEBRAILI: (E merr librin në dorë dhe, pasi ia shikon një herë mirë e mirë ballinën, e shfleton faqe për faqe.) Vepër e mirë, o i pagjumë! Me siguri ke ndenjur mbi të me vite e vite. Trutë i ke shtrydhur me dorë deri në mëngjes. Po. Mrekulli. Ky qenka me të vërtetë një libër, që nuk do të vdesë para autorit. Por, a i ke shtënë të gjithë mëkatarët në libër?

POETI: Po, të gjithë, me emër e me mbiemër. Ndonjëri e ka edhe datëlindjen, vitin... Profesioin... Vendbanimin... Numrin e shtëpisë...

XHEBRAILI: Mos e ka harruar ndonjërin, ose nuk e ke shtënë për hir të miqësisë, familjarizmit?... Ryshfetit...

POETI: Jo, o Xhebrail! E kam kursyer librin nga arti i rrejshëm, karnevalet politike -letrare...

XHEBRAILI: (I drejtohet Shënt Ëlliut.) Shënt Ëlli, shko e m'i sjell të gjithë mëkatarët këtu në dhomë para syve!

SHËNT ËLLIU: Si urdhëron, Imzot! (Del.)

XHEBRAILI: (Dikur, kthehet nga Poeti.) O i pagjumë, ma afro ballin!

POETI: O Zot, edhe ç'më panë sytë, ç'më dëgjuan veshët! Po, ç'të hy kjo në punë, o Xhebrail?!

XHEBRAILI: Ma afro ballin, kur të them! Dua të shoh mos e ke vulën në ballë!...

POETI: Marrëzi! Po, kush ma ka vënë mua vulën në ballë, o Xhebrail?

XHEBRAILI: Si, kush? Edhe këtë nuk e di, ë? Shtrigani i Allahut, o i pagjumë!

POETI: Po, ku më gjeti mua Shtrigani i Allahut, o Xhebrail? Unë nuk largohem natën nga pragu i shtëpisë...

XHEBRAILI: Unë këtë nuk e di, o i pagjumë. Ti e di më mirë. Vetë ke mbajtur përgjegjësi për veten. Me siguri atë ditë, kur erdhi Dexhalli me trumbeta...

POETI: Po, unë nuk dola në rrugë t'i bëj pritje madhështore, o Xhebrail! Ta them të vërtetën, as nga dritarja nuk i duartrokita... Nuk i hodha lule...

XHEBRAILI: Afroma ballin, o i pagjumë! Unë këtë nuk e di. Ai do ta flasë të vërtetën...

POETI: (I frikësuar, e afron ngadalë ballin.) Hë, a e kam vulën në ballë, o Xhebrail?

XHEBRAILI: Jo, ti nuk e paske. Këtë herë shpëtove. Po sille këtu edhe Selvinë e Bukur! Ndoshta ajo e ka vulën mu në mes të ballit...

POETI: As ajo nuk e ka, o Xhebrail!

XHEBRAILI: Më mirë sille këtu, o i pagjumë! Ku e di ti, derisa ke shkruar libra, nga ka bredhur natën vonë, Selvia e Bukur me cilin ka bërë shtrat në errësirë... Ose, me cilin i ka trembur qentë me zgjebe nga kontenierët e hedhurinave... Unë, o i pagjumë, nuk i zë besë as kësaj këmishe në trup. U besoj vetëm syve të mi, që i kam në ballë...

POETI: Selvi, oj Selvia ime e Bukur!

SELVIA E BUKUR: (Matanë derës, para se të hyjë në dhomë.) Urdhëro, Imzot! (Hyn.) Ja, erdha me gjithë pasuri të tundshme!

POETI: Eja këtu shpejt, Selvi! Ashtu, tash ngri flokët të ta shoh ballin Xhebraili!

SELVIA E BUKUR: Po, po... Pse të më shohë mua ballin Xhebraili, Imzot?! Unë nuk e lëviz bishtin... Nuk dal natën vonë te porta... Nuk ma kanë hedhur fustanin mbi kokë...

POETI: Ngri flokët lart, kur të them unë, Selvia ime e Bukur! Ti e di fare mirë se ku flitet dy herë... Shtëpia jonë nuk është mulli. Xhebraili do të shikoj mos e ke vulën e Shtriganit të Allahut në ballë.

SELVIA E BUKUR: Po, ti e di fare mirë që nuk e kam, Imzot. Shtrigani i Allahut, kur erdhi me trumbeta, unë isha bashkë me ty në dhomë...

POETI: E di unë këtë, Selvia ime e Bukur. E di, po nuk e di Xhebraili. Se, ky nuk i beson askujt, kërkon të ta shohë vetë me sy ballin.

SELVIA E BUKUR: (E afron ballin dhe i ngre flokët lart me dorë.) Shihma ballin, o Xhebrail, të cilin nuk e ka parë kush, veç Imzot!

XHEBRAILI: (Pasi e shikon mirë e mirë ballin e Selvisë Bukur.) E pashë, oj Selvi e Bukur.

SELVIA E BUKUR: E, a e kam vulën e Dexhallit me trumbeta në ballë?

XHEBRAILI: Jo, Selvi e Bukur. Nuk e ke, s'të paska mashtruar Shtrigani i Allahut. (Në dhomë hyn Shënt Ëlliu me mëkatarët.)

SHËNT ËLLIU: Imzot, të gjithë i solla të lidhur me duart pas shpinës. Ja, ku i ke. I gjyko dhe i dëno, sipas mëkateve të bëra!

XHEBRAILI: (I drejtohet turmës me shpatë në dorë.) Unë jam Xhebraili i pamëshirshëm. Xhebraili që merr shpirtra. është e kot të flas, ju mua nuk ma keni dëgjuar zërin. E keni adhuruar Dexhallin e Allahut me trumbeta. U jeni shtruar këshillave dhe urdhrave të tij nëpër Qytet. Ai u ka prirë para me trumbeta... U ka mashtruar me muzikë... E unë duhet t'ju gjykoj për mëkate. Më dërgoi Allahu para Ditës së Kiametit ta pastroj botën nga të pëgërët, njerëzit me mëkate. Ku ishit Ditën e Madhe, kur erdhi Dexhalli i Allahut me trumbeta?

PLAKU I MARRË: Unë isha në mes varrezave, o Xhebrail.

XHEBRAILI: Po ti, o plak, nuk je i vdekur?!

PLAKU I MARRË: E di, o Xhebrail! E di, po më të sigurt e ndiej veten në mesin e të vdekurve. Pastaj, e di si është, mjaft më fjetën nën ata gurë. M'u dhimbën, desha t'i zgjoja nga gjumi...

XHEBRAILI: Përralla. Përralla rrëfen, o plak! Nga gjumi do t'i zgjoj unë me këtë shpatë!...

PLAKU I MARRË: E di se do t'i zgjosh, o Xhebrail! E di, por nesër mos bëhet vonë...

XHEBRAILI: Jo, o plak! Jo. Të vdekurit do të zgjohen pas Ditës së Kiametit. Atëherë, kur do të pushojë lehja e qenve me zgjebe... Pasi të kalojnë shirat... Breshëri.. Vetëtima... Bubullima... Rrufetë... Përmbytja e madhe... Atëherë mbi varre do të dalin të vdekurit. Tash afrohu të ta shoh ballin!

PLAKU I MARRË: (E afron ballin me frikë.) Ja, o Xhebrail! është plot rrudha. Lëkura i është çarë dhe i është thelluar, si ta kishin vërshuar lumenjtë malorë. Vitet nëpër ato ugare e kanë shkruar një roman...

XHEBRAILI: (Mbasi e vëren mirë e mirë.) Jo, edhe ti nuk e paske vulën e Dexhallit me trumbeta. Plak, kalo në radhët e njerëzve pa mëkate!

ZONJA ME GJEL: Unë, o Xhebrail, isha rastësisht në kafene... E kërkoja atë të pahajrin tim, po më iku gjeli dhe e shita fare lirë nën një tryezë...

XHEBRAILI: Ty, do me thënë, oj zonjë, të paskan bërë bythekrye mu në mes të ditës...

ZONJA ME GJEL: Po, mëse e vërtetë. Po, nga e di ti, o Xhebrail?! Sa di unë, ti nuk ishe në kafene! Tekefundit, unë s'e pata fajin. Gjeli vetë hyri nën tryezë...

PIJANECI I RREJSHËM: (Duke bërtitur dhe duke e kërcënua Zonjën me Gjel.) Siii, si the, oj e poshtër?! Thuaje edhe një herë! Thuaje! Të paskan bërë bythekrye, ë?... Madje në kafene, nën tryezë, mu në mes të ditës... E kuptova edhe unë vetë sesi qëndron puna, qysh kur më the sesa e ke shitur gjelin... Po, deri kur unë për ty do të punojë me kokën në trastë? Kafeneve do të bëhem herë i marrë, herë pijanec... Rrugëve do t'u ngjitem njerëzve të urtë pas këmbëve si hije. Bushtër e bushtrave!...

XHEBRAILI: Qetësi! Mbani qetësi! Mjaft më, o i gjorë! Nuk kam ardhur këtu t'i gjykoj këto punë. Detyra ime është që t'i dënoj sipas mëkateve ata që i ka mashtruar Dexhalli i Allahut. Afrohu të ta shoh ballin! Ja, mu kjo flet për ty shumë, e paske vulën mu në mes të ballit. Ik andej edhe ti në grupin e njerëzve me mëkate! Ti, zonjë? (I drejtohet Zonjës me Gjel dhe, pasi ia sheh ballin.) Jo. Ti nuk e paske vulën e Dexhallit. Ballin e ke të pastër. Zonjë, hyr në radhët e njerëzve pa mëkate! Ti tjetri?

Dr. MADHI: Unë?!

XHEBRAILI: Ti. Po, mu ti! Pse, mos të kemi ty për farë? Ose do të të ruajmë për “Shën Gjergj”... Ti e di se, nuk je ve e kuqe...

Dr. MADHI: Po, unë jam Dr. Madhi i njohur në krejt Qytetin e qyqeve. Unë kam punuar natë e ditë për të mirën e mbarë njerëzimit. Foltoreve ma kanë përmendur emrin si njeri i ndershëm...

XHEBRAILI: Nuk dua të di më shumë për ty, afroma ballin! Fundi i fundit, çka më interson mua kush je ti, he qen e zgjebe! E di unë se kush je ti, që atë ditë kur fole me emocion në foltore. Të di mirë ky popull. Në një intervistë për gazetë ke thënë se: Njerëzit e ditur janë më të rrezikshmit për shoqërinë... Shtetin... Filozofi moderne, ë?!... Kur'ani këtë nuk e thotë as në një ajet. E as ndonjë libër tjetër i pejgamberëve të urtë. Moto të këtillë deri më sot nuk mban mend as historia. Ti këtë mençuri e polle vetë shumë lehtë nga truri. Tashmë s'mund të bësh gjë tjetër, pos ta futësh nëpër librat e tu me qindra faqe të kalbet në bodrume... E di unë pse, për ndonjë kolltuk, pozitë në shoqëri...

Dr. MADHI: Po, unë jam munduar ta nxjerr njerëzimin nga shpellat në rrugë. Për civilizimin e tyre vite me radhë e kam futur kokën në trastë. E kam vrojtuar nga shpifjet, të pavërtetat, gënjeshtrat... Net të tëra kam kaluar pa gjumë mbi libra...

XHEBRAILI: (Duke ia shikuar ballin.) E kuptoj, ndoshta do të të zija besë. Vetëm se, kjo vula e dexhallit me trumbeta që e ke, ja, këtu në ballë, tregon diçka krejt tjetër, flet për marrëzi, mëkate... Duart i ke të përlyera deri në bërryl...

Dr. MADHI: Unë jam marrë me shkencë... Novatorizëm...

XHEBRAILI: Ti je marrë me punë të kota, të ndyera, me shpifje... Me gënjeshtra... S'merr erë nga shkenca, novatorizmi... Ti je qen me zgjebe...

Dr. MADHI: Unë jam dijetar... Gjeni...

XHEBRAILI: Ti je hiç, palaço... (I drejtohet Shënt Ëlliut.) Shënt Ëlli, afroma t'ia pres kokën! Nuk mund ta shoh as me sy qyqarin. Bota do pastruar nga këto hedhurina. (Ia pret kokën. Kokën ia pret edhe Pijanecit të Rrejshëm, Gungaçit dhe disa të tjerëve që i kanë vulat e dexhallit në ballë. Dikur kokës së Dr. Madhit ia fut gishtat në flokë dhe e ngre lart para turmës.) O burra, a e shihni këtë kokë?

ZËRA NGA TURMA: Poo... Pooo...

XHEBRAILI: Kështu, mu si kjo, do ta pësojë çdo kokë e marrë, që do të punojë kundër vetvetes, mbarë njerëzimit... (E flak me hidhërim tutje në dysheme mu para këmbëve të Poetit.)

POETI: (E shikon dhe i flet me ironi.) Hë, ç'kërkon prej meje, oj garroçe?... Erdhe të më kërkosh mëshirë?... Oj e mjerë!... Oj e shëmtuar!... Ku i ke postet partiake? … Pasurinë?... Titujt shkencor?... Kolltukët qeveritare?... Shpërblimet?... Erdhe pas shpërblimit të fundit, ë? Kuptohet, nuk jam aq i pamëshirshëm. Unë përsëri jam njeri. Edhe unë do të ta jepja shpërblimin e merituar. E di se tash të mungon vetëm edhe ky shpërblim, të tjerët i ke marrë përsëgjalli, me merita... Moti kam menduar të ta japë këtë shpërblim. Merret vesh, kanë ngulur këmbë edhe për të tjerë... Po, unë më shumë të çmova ty, duke mos t'i mohuar meritat... Ja, po t'i bëj edhe unë nderimet e fundit, po Zonja me Gjel qenka më në hall...

XHEBRAILI: (Kur e sheh Zonjën me Gjel që përmirret mbi kokën e Dr. Madhit.) Ç'po bën mbi atë kokë, oj e marrë?!

ZONJA ME GJEL: Përmjerr, o Xhebrail!...

Derisa shuhen dritat në skenë, një dritë e vetme, e cila simbolizon përsëri Diellin me rreze, ndriçon Zonjën me Gjel, duke e përmjerrë kokën e Dr. Madhit. Errësira dikur lëshohet plotësisht mbi skenë. Vetëton... Shtie rrufeja... Përsëri vetëton... Përsëri shtie rrufeja...

(Fund)

Shkup, 1989

Nga Libri: IMZOT LEHIN QENTË (Shkup, 1993, 2013).



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora