Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Kush e vrau Xhemail Mustafën?
E merkure, 23.11.2022, 08:59 PM
Kush e vrau Xhemail Mustafën?
(Kujtime
për mikun e kolegun. Të gjithë i dinin vrasësit, ndërsa askush s'guxonte të
bënte me gisht. Gjyqi i Hagës pas 21 vjetësh do ta zbardh fshehtësinë)
23
nëntor 2000
Nga
Gani Mehmetaj
Vrasja
e Xhemail Mustafës, shkrimtar, këshilltari i parë i Ibrahim Rugovës, ishte
vrasja më e rëndë e pasluftës në Kosovë. Rugova ishte në një udhëtim zyrtar
jashtë vendit. Me gjithë praninë e mbi dyzet mijë trupave ndërkombëtare,
pasiguria nuk kishte qenë asnjëherë më e brishtë. Trupat ndërkombëtare na
ruanin nga ndërhyrja e Serbisë, por nuk bënin gati asgjë kundër grupeve që
donin të merrnin pushtetin me dhunë e të përvetësonin tërë pasurinë kombëtare.
Ndërkombëtarët i regjistronin vrasjet, por pak gjë bënin për të kapur vrasësit
apo për t’i dënuar.
Xhemail
Mustafa shpëtoi nga masakrat në Prishtinë, ku mbeti i ngujuar 78 ditë gjatë
bombardimeve, por nuk u shpëtoi plumbave të shqiptarëve të kriminalizuar. “Një
lutje për Prishtinën”, që e la si dëshmi të terrorit, mbeti ndër librat më
tronditës për fatin e shqiptarëve në kryeqytet.
Atë
ditë kur u vra Xhemail Mustafa, rrija në zyrën time në Pallatin e Shtypit, duke
redaktuar materialet për revistën “Titanic”, me të cilën nisa të merresha që të
mos rrija kot. Hyri papritmas si era e malit, poetja Naime Beqiraj: E vranë
Xhemail Mustafën! Më bëhet se ende pa e përfunduar fjalinë, më dolën pyetjet e
pathëna: Kush? E shikova, por nuk isha në gjendje t’ia thosha ndonjë fjalë të
artikuluar. Lajmi më tronditi. Nuk doja ta besoja, megjithëse e dija që është e
vërtetë. Shumë të qeta u zhvilluan zgjedhjet lokale, ndërsa druanim nga
vrasjet, shantazhet e vjedhjet masive të votave. Shumë me eufori i morëm
rezultatet e para, ndërsa duhej ta dinim se ata që e projektuan veten në majat
e pushtetit, nuk do të hiqnin dorë aq lehtë nga pushteti.
Më
doli parasysh disa ditë më parë në restorantin e “Grandit”, ku Xhemaili rrinte
shpesh. Pimë kafe, megjithëse i thashë se më bezdisin fytyrat e shëmtuara që
t’i mbërthejnë sytë me pafytyrësi e kërcënueshëm. Më këshilloi t’i shpërfillja,
ilaçi më i mirë kundër tyre. Bisedonim për gjëra nga më të ndryshmet.
Vazhdimisht më këshillonte të bëja kujdes, sidomos më thoshte të mos
eksponohesha me shkrime. “Askush nuk të mbron”, ma përsëriste shpesh. Disa muaj
më herët na sugjeroi të mos vazhdonim botimin e gazetës “Dardania press” –
“Sepse jemi në rrezik”.
Ndërsa
bluaja këto kujtime, dola nga redaksia i përhumbur. I rashë trup e tërthor
qytetit, pa përshëndetur dhe pa takuar asnjeri. Nuk doja të flisja, as të
ndalesha me askënd, duket as të tjerët në ato çaste nuk donin të më jepnin të
njohur.
M’u
kujtua lajmi i vrasjes së Jusuf Gërvallës, në dimrin e acartë të vitit 1982,
ndërsa ecja i përhumbur dhe i vetmuar rrugicave me borë të kazermës së ushtrisë
jugosllave në Kranj të Sllovenisë, pasi lëshova kufjen e telefonit publik.
Atëbotë, askujt s’munda t’i thosha se e vranë Jusuf Gërvallën, me askënd s’mund
ta qaja hallin. Ishte kohë tjetër: e tmerrshme dhe e frikshme. Kurrë nuk më kishte
shkuar nëpër mend se do ta ndieja veten prapë të braktisur e të pikëlluar gati
njëzet vjet më vonë nëpër rrugët e Prishtinës, qytetin tim të dashur. Në
kazermë nuk guxoja t’ia thosha askujt se e vranë kolegun e mikun tim në
Gjermani, sot s’kisha kujt t’i thosha - ma vranë një shok e koleg, me të cilin
punuam në një rubrikë njëzet vjetët më të mira të jetës sonë.
Me
Xh. Mustafën u njohëm në fillim të punës sime në gazetën “Rilindja”, më 1978,
megjithëse e mbaja mend nga studimet kur ai vazhdonte vitin e dytë, ndërsa unë
isha “brucosh”, në vitin e parë. Xhema shkruante për letërsinë, unë për filmin.
Tavolinat e punës i patëm përballë njëri-tjetrit. Shquhej për njohuri letrare e
teorike, qarqet letrare e intelektuale e çmonin vlerësimin e mendimin e tij. Rrezatonte
pjekuri e maturi, për dallim nga ne që përpiqeshim ta gëzonim jetën e moshën.
Më vonë u shqua për shkrime analitike e të guximshme, që e pasuronin rubrikën e
kulturës dhe gazetën” Rilindja”.
Redaktor
e gazetar shumëvjeçar i gazetës, u bë njëri ndër themeluesit e Lidhjes
Demokratike të Kosovës, duke i qëndruar parimor botëkuptimit të tij. Ëndrrës së
madhe i ndenji deri në fund, nuk pati luhatje, as atëherë kur miqtë tanë të
përbashkët patën mëdyshje, druajtje a presione që të shkëputeshin nga kompozicioni
i trenit të LDK-së. Pastaj u bë njëri ndër njerëzit kyç në parti e Presidencë,
pavarësisht presioneve e kërcënimeve.
Gjatë
78 ditëve të terrorit serb në Kosovë, kaloi nëpër rrathët e ferrit, por
shpëtoi. Po ta kapnin kriminelët e Milosheviçit, sigurisht do ta ekzekutonin,
sikurse vranë Fehmi Aganin, nënkryetarin e LDK-së, Latif Berishën, shkrimtar
dhe kryetar i LDK-së në Mitrovicë, Agim Hajrizin sindikalist, Bajram Kelmendin,
avokat i njohur që mblodhi dëshmi për krimet e Milosheviçit, e të tjerë. Të gjitha
këto i mendoja, ndërsa sillesha vërdallë nëpër qytet, ndonjëherë duke u kthyer
në të njëjtën rrugë që kisha shkelur një gjysmë ore apo një orë më parë.
Së
fundi u futa në restorantin e “Grandit”, më bëhet se i pashë të gjithë ata
njerëz që i shihja edhe herë të tjera, më panë me të njëjtin shikim bezdisës.
Një përftim mashtrues më kaloi nëpër tru, por e shmanga, sepse e dija që nuk
është e vërtetë. U kalova pranë, duke i shpërfillur. Dikur nisa të hamendësoja,
cili nga këto fytyra urdhëroi vrasjen? Me celular thirra në Qendrën Informative
të Kosovës, ku ma konfirmuan vërtetësinë e lajmit. Kot që shpresoja ndryshe.
Xhemail
Mustafa ishte këshilltar i presidentit Rugova, punonte në Qendrën Informative
të Kosovës (QIK), shkruante për dy gazeta ditore, kishte një erudicion që
pakkush e pati në Kosovë. E karakterizonte mençuria e maturia, që nuk i
shquante të tjerët. Por ajo që ishte me rëndësi, Xhemaili ishte njeriu më me
ndikim te Rugova, mbase i vetmi nga themeluesit e LDK-së, që mbeti pranë tij.
Vrasjen
e tij, në mbrëmje e dhanë të gjitha mediet elektronike me paraqitjen e ngjarjes
me të gjitha detajet. Të vinte plasja kur dëgjoje sesi vrasësit u larguan të
qetë në drejtim të panjohur, pa i penguar askush dhe pa hasur në asnjë polic
ndërkombëtar. Besohej se duhet të kenë rënë në sytë e dikujt, por cili qe ai që
do të denonconte? Askush nuk arriti t’i identifikonte, askush nuk ishte
dëshmitar, askush nuk i kapi, askush nuk guxoi të dëshmonte. Policia e
UNMIK-ut, e rekrutuar nga Britania e Madhe deri në Somali e Indi, nuk
garantonin siguri po dole dëshmitar.
Kështu,
në orën 15.00, kur ende ishte ditë, u vra njëra ndër personalitetet më të
rëndësishme të politikës shqiptare, një intelektual i majave, i cili u qëndroi
besnik parimeve të veta, duke mos kalkuluar në asnjë çast. Themelues të tjerë,
pos Rugovës, nuk mbetën në Kryesinë e LDK-së, e as në Presidencë.
E
vranë kohën e idealeve, po vinte koha e intrigave dhe likuidimeve.
Disa
muaj më herët u bë bestseller libri i Xhemail Mustafës: “Një lutje për
Prishtinën”, rrëfim tronditës për tmerret e qytetarëve të kryeqytetit ato ditë
lemerie, kur mbetën peng në banesat e tyre duke pritur me ankth a do t’i vrasin
e torturojnë tash a më vonë. Xhemailin e zgjodhi fati të ishte dëshmitar në
rrethimin e hekurt të kryeqytetit tonë. Jetoi për të na rrëfyer, por nuk arriti
ta gëzonte lirinë e shumëpritur. Përjetoi situata të rënda, por i shpëtoi
policisë serbe që ndiqnin intelektualë shqiptarë dhe kur i zinin, i vrisnin pa
gjyq. Ra nga plumbat e grupeve kriminale shqiptare, që nuk ia falën pse u
qëndroi besnik parimeve të veta dhe pse nuk u largua nga Rugova, sikurse bënë
shumë nga shokët e tij.
Më
vonë nisën spekulimet: pse u vra, kush e vrau, cili qe shkasi etj. U tha se
Xhema paska shkruar një shkrim kritik në gazetën “Bota sot”, për opozitarët e
UÇK-së. Sërish, më kujtoi kërcënimin e Adem Demaçit për ngrënien e gazetave. A
thua të buronte prej këtu, apo vrasja qe planifikuar shumë kohë më parë? (Në
fillim të verës 1999, shtypi perëndimor shkruante se KFOR-i u paska gjetur grupeve
të UÇK-së një listë prej 2000 intelektualësh shqiptarë, që duhej të
likuidoheshin).
Xh.
Mustafa kohë më parë shkroi tekstin “Mallkimi i popullit nga “të mallkuarit e
popullit”, ku u referohej atyre që hidhnin gur e dru mbi shqiptarët pse nuk ua
dhanë votat. Jakup Krasniqi, i deprimuar që nuk mori vota ai e partia e tij,
fyente shqiptarët: “LDK-në e votuan ata që e ndiejnë më afër Beogradin se
Tiranën”, shkruante në kolumnën e rregullt të “Zërit” ditor. Krasniqi mallkonte
e fyente popullin, pse nuk e votuan.
Grupet
kriminale të së kaluarës e të së tashmes, janë bërë njësh. Titistë e enveristë,
UDB-ashë e SHIK-istë, në dukje të parë të papajtueshëm, krijuan aleancë të
fuqishme kundër demokracisë së brishtë.
Për
vrasjen e Xh. Mustafës, nuk u dha asnjë fjalë nga shteti shqiptar. Nuk e tha
asnjë fjalë as Kryeministri i Shqipërisë, as ministri i Jashtëm, Paskal Milo.
Disa rreshta tekst u dhanë nga Shoqata e Shkrimtarëve e Kosovës. Shkroi “Bota
sot”, aty ku Xhemaili shkruante kolumnen javore. “Rilindja” e uzurpuar nga
grupet marksiste po ashtu gati heshti, ndërsa Xhemaili punoi në të mbi njëzet
vjet. Vrasja e Xhemail Mustafës qe porosi e qartë për shumicën e intelektualëve
shqiptarë..
Mbi
varrin e Xhemail Mustafës foli presidenti Ibrahim Rugova. Ai foli me pikëllim
dhe i deprimuar. Në një çast, Rugova i mallkoi vrasësit. Mbi varrin e Xhemës
foli edhe Adem Demaçi, ai kishte një lidhje familjare me të ndjerin. Edhe ai
tha se Xhemën e vranë ata që duan ta marrin pushtetin me dhunë. A thua e dinte
kush janë vrasësit?
Nderime
te varri i Xhemës bënë me mijëra shqiptarë. Më dhimbseshin gruaja e fëmijët.
Fëmijët do të rriteshin pa baba, kurse gruaja që i përkushtohej aq shumë, do të
mbetej e vetmuar. Babai i Xhemail Mustafës shikonte i përhumbur.
Atë
ditë pikëllimi më ra në sy se shumë nga miqtë e përbashkët nuk erdhën në
varrim. Më shtrëngoi diçka në gjoks nga dhimbja. M’u bë se bota u zvogëlua e u
tëhuajësua sa s’ka ku shkonte më shumë. E dija se kishin frikë, por nuk i
përligjja dot. Dikur ne shkonim në varrimet e viktimave të policisë serbe, dhe
nuk ua kishim frikën policëve serbë. Na kërcënonin me vdekje, por ne ua bënim
nderimet e fundit të njohurve tanë. Ne dikur nuk i frikësoheshim regjimit mizor
të Milosheviçit, sepse e patëm vrarë frikën. Sot ua kishim frikën hijeve të
natës.
Ëndrra
jonë po përgjakej. Ne u përpoqëm për një shtet human, të dashur për të gjithë.
Kurrë s’më shkonte nëpër mend se një grup shqiptarësh do të vriste miqtë e mi,
madje s’mendoja fare se do të vriteshin shqiptarët nga shqiptarët. Mendoja se
jemi populli më i shëndetshëm e më human në botë. Isha idealist naiv, si
Kandidi i Zhan-Zhak Rusosë.
Nga libri "Rugovën, si e kam njohur’’