Kulturë
Syrja Etemi: Figura e Musë Arbanasit në folklorin tonë burimor të Pollogut
E diele, 20.11.2022, 08:48 PM
FIGURA E MUSË ARBANASIT NË FOLKLORIN TONË BURIMOR TË POLLOGUT
Shkruan:
Syrja Etemi
Kemi dëgjuar këngë e këngë...Kemi përshkuar vise e vise
ku, rrëzëllimat e inkurajimit akoma prafullojnë në kurreshtjen e atyre
pasionantëve të harlisur, të cilët i ushqen shpresa se, folklori ynë burimor ,
kënga jonë e lashtë dhe e stërlashtë, akoma po mbahet në jetë. Na pëshpëritë
pupthi te veshi si një nanurisje herë të përhumbur e herë e shpërfaqur me
nuancat sa të dukshme e ashiqare, po aq edhe të hijëzuar e të mjegulluar; sa
mistike e fantastike aq edhe reale , e gjallë dhe jetike. E tillë është edhe
kënga namëmadhe që i dedikohet një personazhi a figure mjaft komplekse dhe,
shpesh të mbushur e stërmbushur me elozhe e plot lavdi, por shpesh edhe të
poshtëruar, të stigmatizuar dhe të nëpërkëmbur, duke i mveshur edhe nofka me
kuptime pezhorative si Musa “Kesexhia” - nga ana e komshinjve sllavë, Mus’
“Arbanasi” (në sensin ofendues), e madje-madje -si “kopil” - nga ana e
anadollakëve.
Bëhet fjalë për këngën Mus’ Arbanasi, e cila është
kënduar në vitet 60-ta e 70-ta në zonat tona arbërore të Pollogut, e, më
konkretisht - në Kopanicë nga rapsodët: Avdil Emurllahi (lindur në vitin 1920)
dhe Riza Emurllahi po ashtu nga fshati Kopanicë të Tetovës. Këngën e kam
shënuar nga Tahir Vejseli dhe që e kam publikuar në vitin 2017. Këngën në fjalë
me 280 vargje e kam të evidentuar dhe përfshirë në librin tim me këngë nga
trojet shqiptare të Ilirisë, e cila është kënduar në formën: a kapella, ose me
kavallë.
Pak shoshitje historike
Kush është në fakt Mus’ Arbanasi?
Këtu, sigurisht, kjo figurë është Musë (Qesexhia)-princ,
i biri i Sulltan Pajazitit, dhe nga viti 1409 deri më 1413 ka udhëhequr luftën
për pushtet me vëllezërit e vet dhe vdes më 1413. Në këtë luftë fiton vëllau i
tij, Mehmeti, prandaj qarqet udhëheqëse në Turqi ushtronin një propagandë të
paparë kundër Musës, duke e quajtur atë tradhtar, rebel dhe qesexhi, i cili epitet
u përhap edhe tek popujt tjerë të Ballkanit dhe, me ç’rast , përkundër
propagandës së pushtuesit, popullata e rrezikuar e këtyre trojeve, e sidomos
popullata shqiptare (arbanase), këtë figurë apo personazh e personifikonte me
epitete si kreshnik me një fuqi të jashtëzakonshme, i cili ka edhe tre zemra;
për arsye se Sulltani, i cili e ka quajtur edhe “arnaut” (Arbanas), nuk arriti
të del në krye me të, gjoja thirr në ndihmë Kralat e Serbisë, sidomos Marko
Kralin (vazal i osmanëve) që ta luftojë Musën. Takimi apo mejdani i parë në mes
këtyre dy kundërshtarëve ka ndodhur diku në Grykën e Kaçanikut, ashtu siç thotë
Nedim Filipoviç në publikimin: “Princ Musa dhe Sheh Bedredini”. (Botuar në
Sarajevë më 1971, fq. 118, 351).
Por, shikuar në aspektin historik, në shumë këngë epike
sllave, këndohet apo thuhet se Krali Marki e vret me topuz Musën. Këtu kemi të
bëjmë me një paradoks të llojit të vet, sepse, shtrohet pyetja: Si është e
mundur që “Krali” ta vrasë Musën kur ky i pari vritet në betejën e Rovinit në
vitin 1395 nga Vojvoda i Valakisë (Rumanisë jugore), i quajtur Mirçe Vojvoda,
bashkë me vazalin tjetër të Turqisë, bullgarin Konstantin Dejanoviç?! Nga ana
tjetër, Musa (18 vjet më vonë - 1413), vritet në betejën e Novobërdos, në
luftën qytetare të udhëhequr nga vëllai i tij Mehmeti, në bashkëpunim me
përkrahjen e Stefan Llazareviçit, i cili edhe ky luftonte kundër kushërinjve të
vet - me nipin Gjergj Brankoviqin.
Kush është Krali Marki?
Ky është personalitet historik (që sllavët e kanë
shndërruar edhe në një figurë legjendare), i cili ka jetuar në viset e
Maqedonisë së sotme, që, pas vdekjes së babait Vukashin (Vollkashin) në luftë
kundër Turqisë në vitin 1371 te lumi Marë (Marica), ky bëhet kral i Maqedonisë-
me qendër në Prilep (1371-1395, por kuptohet, në të njëjtën kohë, duke njohur
pushtetin e Sulltanit, bëhet vazal i Turqisë.
Kjo figurë historike, me popullaritetin e tij, në këto
vise të Ballkanit hyri edhe në këngët popullore, jo vetëm ato sllave. Sidomos
janë të njohura këngët epike: “Gjurgja shtozovallja”, “Erina shtozovallja”,
“Marki me Arapin e Zi” (Me ç’rast me emri A r a p , mendohet në zezakët, të
cilët, bashkë me Turqinë vijnë si robër lufte apo për të luftuar e, që në
popull njihen edhe si ekzekutorë-me pamje të vrazhdë e të frikshme dhe mjaft brutale,
që “nga hundët u del tym e mjegull e xixa nga sytë...”
Një ndër këngët epike më të njohura e më të
popullarizuara në këto treva është edhe “Musa Qesexhia e Krali Marki” ose
anasjelltas. Këtyre të dyve u dedikohet dyluftimi i famshëm ballkanas, të dy të
anatemuar nga Perandoria otomane, që nuk mbet pa u përfshi edhe në letërsinë
tonë gojore, pasi ngjarja ndërlidhet edhe me shtrirjen gjeografike ku kanë
jetuar dhe jetojnë edhe shqiptarët, e të cilët i janë ekspozuar dy rreziqeve:
edhe nga Kralat e Sebisë, edhe nga invazioni otoman në këto troje. Sipas
këngëve të shumta madje edhe të kësaj kënge, dhe sipas gojëdhënave të shumta në
popull, beteja është zhvilluar në Kaçanik.
(Transkribuar
nga autori i shkrimit, S.E.)
Musa Kesexhija e Kraleviç Marku
Pej pleqt e moçëm e kom ndiguo qet hiqaje: Jon kon ni
vakt dy eshkie te mdheja. Qat here njerz azgën jon kon. Dit për dit hajshin ka
ni dash e pikan ven me shek. Njoni e kish pas zapuo honen e kishave
t’Karadakut, atje ka Çuçeri e Bllacë. Musa Kesexhija e pat zapuo xhaden e
Kaçanikut. Ni mudet e kishin pas da granic, tevona ni dit erdh Musa Kesexhija e
thir Markun n’mejdan. Te dy erdhën me atllara tu dy lisa n’udut Çuçerit. Aty u
kan nxhit kunjat e e kan lidh kuval’ (Pej qata dy kunjat jon bi ata dy lisa qi
ditën e sodit hala jon aty) e jon kap. Tu e përla, tu e përla jon ra n’xhade,
skej Lepensit. Musa e kish pas qit Markin n fundi, e qat’her Marku e ka nxir
hanxharin, e e ka ther Musën, e ja ka derdh zorët. N’vend ku ja kan dal’ zorat
e ka bi fiç. Fiç jon hala, fekat qetash qata fiçat jon t’egër. Qe aty hallku po
thot qi osht Vora e Musës.
Nga
Kaçaniku
Shënoi
Gl. Elezoviç
Në vend të përfundimit
Meqë mësipër paraqitem tekstin e këngës në tërësi, këtu
nuk do të kridhem shumë në aspektin historik të kohës së karakterizuar me vlime
dhe intrigat pushtetore të paimagjinueshme, por do të akceptoj me pak fjalë
rrethanat në të cilën lindi kënga dhe rolin e saj në folklorin tonë burimor.
Pra, konteksti është i qartë nga ajo që përshkruan vet teksti dhe sqarimet që
dhamë, kurse rolin e saj e gjejmë te vet lashtësia dhe vjetërsia e këngës, e
cila me siguri se duhet të jetë 500 apo 600 vjeçare, sepse këtë e dëshmojnë
primesat që kanë të bëjnë me toponiminë e përdorur, e cila lidhet ngushtë me
gjeografinë e këtyre viseve të Pollogut dhe Kardakut, si: Kaçanejk (Kaçaniku i
sotëm në R. e Kosovës), Krejenejki (Kryeniku), Arbinoa (afër Jegunocit),
Vardari, Lipeneci (Lepenci), Katund’ i Bardh, Kodr’e Bardh, Lugji, Grika
(Gryka) etj. Prandaj, qëllimi i prezentimit të kësaj kënge indicon edhe në vet
faktin apodiktiv të shënjestrimit të neglizhencës sonë karshi vlerave tona që i
kemi dhe, se, sa inert ndjehemi në përqasjen dhe kultivimin e tyre. Le të ngelë
kjo klithje edhe një apel për të gjithë folkloristët qoftë profesionistë, qoftë
amator, të gjurmojnë, të pikasin dhe t’i evidentojnë ato dhe t’ua përcjellim
brezave që do të vijnë.