Kulturë
Shyqyri Fejzo: Shuk Orani, një artist i kompletuar që nderon veten dhe shqipfolësat
E shtune, 19.11.2022, 06:59 PM
Shuk Orani, një artist i kompletuar që nderon veten dhe shqipfolësat
Nga
Shyqyri Fejzo
Një ditë të bukur Nëntori (nga ato që rrallë
ndodhin në Hamburg në këto ditë vjeshte e prag dimri), të ftuar nga artisti
piktor Shuk Orani, vizituam studion dhe ekspozitën e tij në BALLINDAMM 17,20095
HAMBURG. Shuk Orani është një artist me origjinë nga Kosova i cili jeton nga
viti 1995 si artist i pavarur në
Gjermani(Hamburg). Ne ishim katër vetë nga tre shtete të ndryshme që flasim e
shkruajmë gjuhën e bukur shqipe. Ishte bisnesmeni e patrioti Xhelil Musa me
origjinë nga Kosova, Sadbere Emshiu me origjinë nga Maqedonia e Veriut dhe Silvana Gjekmarkaj e Shyqyri Fejzo
nga Shqiperia. Së pari u befasuam nga salla e madhe e ndriçuar bukur ku
ndodheshin të ekspozuara veprat e piktorit, artistit Shuk Orani si dhe mjetet e
punës të tij; dhe së dyti u befasuam e
lumturuam kur dëgjuam se sa të pastër sa bukur e shqiptonte ai gjuhën shqipe që
mund ta merrje pa dyshim për një aktrim
të përkryer.
Pas
prezantimit, biseda nisi e qetë, ku artisti po tregonte veprat e tij të
ekspozuara aty, të cilat duhet thënë për hir të së vërtetës, se ato janë një
bukuri e rrallë, dhe zënë një sipërfaqe të pa imagjinueshme për syrin tonë. E
themi që në fillim se artisti Shuk Orani lëvron kryesisht stilin abstrakt dhe
neo-ekspresionist me disa veçori në krijimtarinë e tij të begatë. Kështu, përsa
pamë e dëgjuam për rreth dy orë së bashku, mund të themi pa u gabuar se
pikturat e tij kanë gjallëri nga brenda, janë impulsive. Aty bashkëjetojnë edhe
qetësia absolute shlodhëse për syrin, edhe shtërgata që mund të shpërthejë nga
minuta në minutë. Ato zhvillohen me një dinamikë tërheqëse dhe interesante,
duke na përcjellë ksisoj përshtypje estetike unike. Në thelb të punës tij me
pikturën mund të konkludojmë se artisti Shuk Orani ka një qëndrim të kundërt e
kritik për çorientimin e njeriut dhe mungesës së vullnetit, ndjenjave dhe
intuitës, stresit, dukuri të cilat sot në botën e qytetëruar kanë marrë vend e
rol të veçantë dhe shqetesues. Atë(si duket) e mundon dhe e lodh kjo mungesë në rritje e vullnetit
e cila në thelb, shkakton një reduktim të dimensioneve të realitetit. Këtij
realiteti të diskutueshëm Shuk Orani i
kundërvihet me kujdes e finesë përmes mundësive të reja të perceptimit,
nëpërmjet artit të tij.
Veçori
e veprave të tij, mendojmë se është formati i madh. Në këto formate vizitorit më të thjeshtë do i bjerë në
sy ngjyra blu e qartë e cila shpesh
kombinohet e vende-vende mbulohet dhe me të bardhë. Veçori përsa i përket
kombinimt të ngjyrave, është fakti se ato janë të mbivendosura me shumë kujdes
dhe të nderthurura në mënyrë jo të ndjeshme për syrin, duke i ofruar çdo
shikuesi një strukturë imagjinare kompakte. E themi pa ndroje se ky objektiv
është arrirë më së miri nga autori. Kur pashë
dhe u njoha me veprat e tij, m’duk sikur vetja ishte midis një rebusi të
komplikuar midis qetësisë dhe stuhive e
rrebesheve të forta qiellore. Në këtë pikë më duket se konvergojmë me artistin
piktor. Sa herë që qielli buçet e afrohet stuhija me shira, erë e gjëmime, kam
dëshirë të hap dritaren të shikoj e ndjej atë që ndodh në natyrë. Se, e di, e
marr me mend që pas stuhisë vjen një qetësi e bukuri e rrallë, ku natyra ka
larë vetveten dhe tani gëlon për jetën. Piktori e ka kapur këtë, mbase pa e
ditur. Ndoshta e ka imagjinuar, ndoshta e ka ndjerë, nuk arrita të futem “në
lëkurën e tij” për këtë. Eshtë një sensibilitet që e kanë vetëm mjeshtrit e
vërtetë.
Me
sa vihet re, Shuk Orani ka një njohje të hollë e të thellë për ngjyrat dhe ai
luan shumë bukur me to duke na dhënë kënaqësi të veçanta estetike. Për
problemet e zhvillimt të sotëm të artit dhe të kulturës Shuk Orani ka mendimet
e veta,një pjesë të cilave i përcjellim dhe në këtë shkrim.
Mendime.
Për pavarësinë dhe vërtetësinë e krijimit..
“Çfarëdo
forme e krijimtarisë artistike që bazohet në një ideologji të momentit,
politike apo çfarëdo qoftë ajo, nuk mund të ketë kurrë njëherë legjitimitetin e
vërtetësisë së veprës dhe vlerës se përgjithshme për t`u emëruar…”Për kritikën
ndaj artit dhe venitjen e saj…“… Ndërsa kritika në këto raste prevente do
ndikonte indirekt edhe në zhvillimin e “drejte” te artistit bazuar në vlerë
ndërkombëtare.” Për strategjinë dhe
standartet e krijimit…“… Krijimi i një koncepti nacional për artin dhe kulturën
i percjellë me një strategji afatgjatë bazuar ne stadardet e vlerësuara
botërisht dhe plotësisht e pavarur nga ky lloj politike që po përjetojmë.”
Në
bisedë dhe këmbim të mendimeve u ndalëm dhe problem të tjera, siç është
frymëzimi, tema e fabula e ndonjë vepre etj. Edhe në këto probleme artisti
piktor ka bindjet dhe mendimet e veta. Ai gjithnjë, për çdo krijim ka mbledhur
material dhe krijuar qartësi mendimi të pjekur se ku do dalë e çfarë të arrijë.
Kështu shpreh mendimin se frymëzimin e merr
jo vetëm nga realiteti, por edhe abstragon, shtrin imagjinatën në
thellësi dhe lartësi dhe prej aty nis e vazhdon punën për atë që do të krijojë.
Qartësi e mendimit është një anë themelore e arritjeve të një objektivi. Por
është dhe këmbëngulja ajo që bën të realizohet një objektiv që merr autori. Në
këtë aspekt Shuk Orani nuk bën lëshime. E kjo të bie në sy nga veprat e shumta
të realizuara, nga ekspozitat e çelura dhe të vizituara në shumë vende.
Një
përzgjedhje e gjerë e veprave të tij mund të shihet në ekspozita anë e mbanë
botës. Prej ekspozitave në vendlindjen e tij, në Prishtinë, deri tek ekspozitat
në institucione prestigjioze të tilla si Muzeu i Artit Bashkëkohor-Pekin dhe
deri në Muzeun e Luvrit në Paris, New York në galerinë “NYA Galery” etj. Veprat e tij janë të
përfaqësuara gjithashtu në koleksione private dhe publike në mbarë botën.
Ndahemi me dashuri dhe mall me këtë artist piktor të talentuar patriot krijues
virtyoz në fushën e vet, me të cilën ka nderuar veten dhe gjithë shqipfolësit
kudo ku janë, duke shpresuar që
ekspozita me veprat e tij të vizitojmë dhe në Shkup e Tiranë.
Shyqyri Fejzo
Publicist
Hamburg, Nëntor 2022