Kulturë
Jusuf Buxhovi: Koha e Vazalëve
E marte, 15.11.2022, 07:11 PM
KOHA E VAZALËVE...
Nga
Jusuf Buxhovi
Princi
i shkërmoqur nga vetmia dhe pesha e viteve të trishta i mbyllur në Kështjellën
e Pashtrikut nga Kryqtarët që kishin marrë vendin nën mbikëqyrje, dukej si i
pajetë. Të kota ishin fjalët e oborrtarit besnik, Mikelit plak, që po i flise
për pritjen me padurim të kryqtarëve të rinj si dhe fjalëve të tyre se vinin si
"çlirimtarë" për t'ua hequr qafe, kundërshtarët e tij - vasalët e
kryqtarëve, që vendin e kishin kthyer në plaçkë...
Të
menduarit se tashmë shumë prej bashkëpunëtorëve të dikurshëm, që i kishin
takuar kauzës së një principate të mvetësishme jashtë luftës së kryqit me kryq
dhe jashtë përkatësive armiqësore, (shkrimtarë, artistë dhe klerikë të vrarë
nga fitimtarët pse nuk ishin pajtuar me rrugën që ata ndiqnin ose që t’u
shkruanin apologji lapidarëve të tyre), nuk do t’ua gjente as varret, e kthente
në një të paqenë, në një kufomë të gjallë, që edhe mëtutje u duhej Kryqtarëve -
atyre që botën pafundësisht do ta mbanin nën ethet e kërcënimit të "luftës
së shenjtë"... Madje, nuk e ngushëllonte as ajo që, me rikthimin e tij në
fronin e nënçmuar, qoftë edhe sa për sy e faqe, atyre, me heqjen e mallkinit të
të shpallurit "tradhtarë", mund t’u kthehej nderi i humbur!
“Froni
po të pret, imzot. Vendi ka nevojë për me e marrë veten pas gjithë zezonës...
Fjala juaj pritet me padurim...”
Por,ndjenja
e hiçit e përzier me atë të viktimës së përhershme që mashtrimin e ka fat,
Princit të ngrysur, iu tumir përgjithmonë kur mbi Urën e Shenjtë, në pirgun e
lartë, pa të valonte flamuri i Kryqtarëve të rinj. Ishte po ai flamur, që para
shumë e shumë vitesh e kishte pritë me shpresë se vendit do t'ia heqte
mallkimin e të qenit "kufi i botëve të armiqësuara". Në atë gjendje,
ato që po ia thoshte Mikeli plak se kundërshtarët e tij fillimisht të kremtuar
si shpëtimtarë e mandej, të paditur për vrasës e çmos, tashmë ishin dërguar në
Kështjellën e Pashtrikut dhe thuhej se nuk do të kthehen kurrë, nuk po e
ngushëllonin. Po e deshpëronin edhe më shumë.
“Vazhdon
koha e vasalëve”, deshi të thoshte. Por heshti, ngaqë nuk dëshironte që para
atyre që po e prisnin me shpresën e madhe se ajo pritje mund t'ua ndryshonte
gjendjen e viktimës, të dukej i nënçmuar...
(Shkëputje nga romani “Letrat për Kryeprincin”, Prishtinë,
2003)