E merkure, 24.04.2024, 03:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Perikli Jorgoni: Zëra të largët nga nëntoka (1)

E shtune, 12.11.2022, 08:33 PM


ZËRA TË LARGËT NGA NËNTOKA

(P o e m ë, 1975)

Autori: Perikli Jorgji Jorgoni (1936-2012)

"Në Selcën e Poshtme po duken gjurmët e një qyteti të lashtë ilir, ku mendojmë të jetë Pelioni i përmendur i dasaretëve. Pas disa ditësh rrëmimi të lodhshëm e të vështirë në faqet e kodrave plot rrënjë të mpleksura e gurë, zbuluam varre shkëmborë monumentalë, të madhërishëm, të ngjashëm me ato të Azisë së Vogël (të Frigjisë dhe të Likisë). Në njërin prej tyre, pasi hoqëm me mundim pllakën e madhe prej guri të hyrjes, gjetëm një diademë të punuar me mjeshtëri të hollë nga duart e argjendarëve, vathë ari me kokë arapi prej kornaline me një bukuri të mahnitshme dhe kockat e një vajze nga dera mbretërore... dhe pak më tej skeletin e një skllavi me pranga në kyçe... Kjo na futi në mendime të thella. Përpara na ndehej filli i çuditshëm i dy jetëve të ndryshme njerëzore, na shfaqej lashtësia si një përbindësh mitologjik me gjymtyrë të llahtarshëm. Para syve na u ringjall me një tension të jashtëzakonshëm dramatik atmosfera e rëndë dhe e zymtë e asaj kohe të vrazhdë, kur fshatarët e lirë, të mbytur në borxhe, po humbisnin tokat e kopetë e po ktheheshin në skllevër, kur zotërit e pasur zhvasnin me të dyja duart e grumbullonin pasuri përrallore; kur gjendja po acarohej tepër, kur kryengritja e turmës së shtypur ishte në pragun e shpërthimit..."

(Nga ditari i një arkeologu)

PJESA E PARË

1.

U kthyen ushtarët e mbretit Glauk

Mbi kuaj plot pluhur e djersë,

Mes heshtash tërhiqnin, të çarë në ballë,

Një trim porsi lulja me vesë.

I fryhej kraharori nën rroben e linjtë

E sytë i shkrepnin si flakë,

I digjej nga etja si shkrumb buzë e nxirë

Dhe këmbët i kishte me plagë.

2.

Kumtari vrapoi si era t'i thotë,

Rebelin ta zunë ushtarët.

Dhe muzgu i kaltër rrëzohej mbi shpat,

Barinjtë në stan ndiznin zjarret.

U derdhën në rrugë dhe pleq dhe fëmijë,

Dhe gra dhe bujarë hijerëndë,

Tunika u varej nga shpatullat - shkëmb

Plot hir, madhështi gjer në këmbë.

3.

Dhe mbreti u sul mes gardhit të hekurt,

Mes turmës që hapej e shtangur,

Të pyeste robin që shihte plot mall

Luadhe e re të përflakur;

Të pyeste robin që s'vrente xhelatin,

Që mëngët përvishte e priste

Në rrotë mundimi, mbërthyer në pranga,

E dinte se shpejt do të vdiste.

4.

I thinjur në flokë, i ligur, i zbehtë,

I tha zemërak, duke britur:

"Më thuaj nga fryve si era e marrë,

Sa rojet s'të kapnin, i krisur?

Më thuaj, pse trimin Dyrkan mënt ma shtrive

Nër këmbë, në gjak të mbuluar,

Tek zbrazej nga shtëmbat sabaja (1) e vera

Dhe kënga nuk kish të mbaruar.

5.

Mos vallë armiqtë e egër, dinakë,

Flori edhe plaçkë të dhanë,

Që gazin e dasmës në vaj të ma kthesh,

Të fshihesh në shkurre të thanë?

Apo një shpagim të lashtë kërkoje,

Që gjyshi dhe ati s'e morën,

Apo shpirtin - pus zilia ta breu,

Mbi hark tërë mllef zgjate dorën?!"

1) Sabaja - një lloj birre që përdorej nga ilirët.

Vazhdon...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora