E merkure, 24.07.2024, 02:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Llesh Ndoj: Romani “Frymëmarrje nate” si mesazh për reflektim

E premte, 11.11.2022, 08:55 PM


ROMANI ”FRYM?MARRJE NATE” SI MESAZH P?R REFLEKTIM

- Roman më i ri i autorit Anton Nikë Berisha –

Nga Llesh Ndoj - poet e studjues

Romani “Frymëmarrje nate” i shkrimtarit, studjuesit e intelektualit të përmasave mbarëkombëtare, Anton Nikë Berisha, botim i shtëpisë botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2021, me botues “Kuvendi Franceskan” i Gjakovës, të mbërthen në leximin e tij nga rreshti i parë deri tek ai i fundit dhe nuk të “lëshon” edhe pasi e ke përfunduar leximin e tij, duke të kalamendur në përjetimet që të ka dhuruar leximi i librit e në “dallgët” e ngritura nga autori në rrëfimin e tij, si të ishe i vetmuar duke lundruar në një varkë në valët e një oqeani të trazuar, ku fati yt varet vetëm nga ti. Ose më saktë, nga besimi jot në Dritën e Hyut, të cilën e ke zgjedhur jo thjesht si “çengelin” ku kërkon të kapesh në një situatë që të vjen si e pa shpresë, por si Dritën e Jetës, Udhërrëfyesin tënd në të mirë e në të keq, e vetmja që do ta drejtojë varkën tënde në një liman të qetë…

E mora librin me një autograf nga autori dhe kisha planifikuar t’a lexoja sa më shpejt, por një fjalë e autorit ma nxiti kureshtjen dhe e lexova atë brenda një nate.

- Fani, - më tha, - ky Fani jot, duke drejtuar gishtin nga kopertina e librit tim “Fani dhe fanasit…” ka zënë vend në subjektin e librit tim! Ishte ky një motiv nxitës për mua që të “thyej radhën” e punëve e t’i përkushtohem leximit të këtij libri dhe, e them me bindje këtë, bëra gjënë e duhur. Është një vepër e arrirë, e shkruar me një gjuhë të pastër e të pasur, plot ngjarje emocionuese, brenda të cilave shpaloset historia jonë kombëtare, drama e këtij populli, puna e përpjekjet për ngjizjen dhe ruajtjen e identitetit tonë kombëtar nga lufta e paskrupullt e shumëshekullore dhe rreziqet që i janë kanosur (dhe i kanosen!) këtij populli, por jo vetëm kaq. Autori, përmes ngjarjeve që zhvillohen në një terren të përcaktuar e relativisht të vogël dhe me pak personazhe, shpalos bukur idenë e tij, ilaçin magjik për t’a ruajtur këtë identitet edhe në të ardhmen e për t’a mbrojur atë nga rreziqe që vazhdojnë t’i kanosen edhe sot e kësaj dite këtij vendi, sigurisht në forma të reja e më të sofistikuara, jo vetëm nga jashtë e drejtpërdrejt, por edhe nga brenda e në formë “të ëmbëlsuar” që duken si “e bukura e dheut” për brezin e ri.

Ngjarjet në romanin e profesor Antonit zhvillohen kryesisht në rajonin e Prizrenit (Perzerendit, siç i thotë autori në libër), por edhe në Gjakovë e rrethina, prej nga synojnë (dhe e arrijnë këtë më së miri!) të përfaqësojnë historinë tonë kombëtare dhe dramat e saj. Jo më kot ky aks, aksi Gjakovë – Prizren – Shkup është zgjedhur nga shumë autorë që i qasen temës historike në krijimet e tyre si rajon përfaqësues për të gjithë trojet shqiptare, pasi aty, ndoshta më shumë se kudo tjetër, është ngjizur edhe represioni e lufta e egër e armiqve për t’a zhduk nga harta kombin tonë, por edhe përpjekjet më të mëdha të patriotëve shqiptarë për t’i dalë zot vatanit. Kujtoj se këtu e ka marrë subjektin e vet edhe shkrimtari Jusuf Buxhovi, pasqyruar bukur në romanin e tij “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, apo shkrimtari i njohur Hasan Hasani për romanin e bukur “Ulërima” e mjaft krijues të tjerë. Këtu është koncentruar dhe ka shfaqur gjithë dimensionin e vet lufta për myslimanizimin e vetë shqiptarëve dhe më vonë sllavizimin e tyre, si mënyra më e lehtë për të arritur çrrënjosjen e vetëdijes kombëtare tek ta. Por duhet ditur se këtu edhe janë zhvilluar luftëra e ngjarje më peshë kombëtare, ndër më kulmoret e të cilave është Lidhja Shqiptare e Prizerenit (1878), për t’a ruajtur e fuqizuar këtë vetëdije, si “thembra e Akilit” e ekzistencës së kombit tonë shqiptarë.

Në qendër të romanit, shkrimtari Anton Nikë Berisha, vendos një personazh interesant, që është Maria, një vajzë me prindër myslimanë, me origjinë nga Fani i Mirditës, të shpërngulur atje për një jetë më të mirë. Maria ishte rritur nën hijen e gjyshes Lizana, një katolike e devotshme, e cila kurrë nuk kishte pranuar të ndryshonte fenë e saj katolike, madje në arkën e së cilës, bashkë me petkat e vdekjes (mirditori, sidomos gruaja mirditore, e ka pasë zakon që kompletin e rrobave të dekës t’a ketë kurdoherë të gatshëm sepse: Të gjithë jemi bashkëudhëtar me vdekjen!) iu gjend edhe Kryqja e Krishtit. Ajo i kishte lejuar djemtë e saj ta ndryshonin besimin nga katolikë në myslimanë (Jaku u bë Jakup) prej hallit, por jo: këtë s’ia kishte lejuar vetes! Maria, nën ndikimin e gjyshes e nën vegimin e Dritës së Hyut, ishte pagëzuar e krezmuar dhe kishte zgjedhur edhe të vinte kunorë në kishën e Shna Ndout me bashkëshortin e saj katolik Prenk Kaçinarin. Pikërisht ky, bashkë me bukurinë që Zoti ia kishte falë me bujari, ishte edhe “mëkati” i saj që autoritet turke te vilajetit, posaqërisht Nazif Pashai, nuk mund t’ia ”falte” kurrë dhe se ky “mëkat” e rrezikonte Marinë, e cila mund t’i humbiste të gjitha (ndoshta edhe jetën!), po të mos ishin Besimi i Saj, Drita e Huyt, ndihma e klerit katolik të zonës e aleatëve të mëdhenj të shqiptarizmës, përfaqësuesit e Austro – Hungarisë, që do të gjenin rrugëzgjidhjen e do ta merrnin atë në mbrojtje diplomatike.

Ngjarjet në roman, përgjithësisht, zhvillohen në mënyrë lineare, duke e ruajtur tek lexuesi fillin pa ndonjë mundim të madh, por autori, në mënyrë të shkëlqyer, ka zgjedhur që herë pas here, t’a shkëpusë këtë linearitet e t’a hedh lexuesin në të shkuarën, përmes fabulave, tregimeve e gojëdhanave të bukura që vijnë si meditime të personazhit kryesor, Maries, treguar nga prindërit e saj, e që transmetojnë të gjithë kumtin e librit: Ruajtjen e identitetit tonë kombëtar si çelësi i mbijetesës dhe zhvillimit. Të tilla ndërprerje të bukura e të kandshme janë ato të gojëdhënës për emrin Drini i Bardhë, Gurin e Kshetës, të Bukurën e Dheut etj, që e bëjnë të këndshëm leximin e të përvetësueshëm mesazhin e librit. Ngjarjet në romanin e prof. Antonit lëvizin bukur në rrafshin horiziontal e atë vertikal, me një gërshetim, që flet shumë dhe që e mban lexuesin gjithnjë të lidhur me qëllimin e idesë kryesore që transmeton ky libër. Në rrafshin horizontal ngjarjet, siç e kemi cekur edhe më lart, zhvillohen në një terren disi të ngushtë, nga Pëlqima në Marash, Isniq e Deqan në Prizren e deri në Stamboll, por domethënia e tyre përfshin gjithë trojet shqipfolëse, apo edhe kontestin e tyre nën sundimin e Perandorisë Osmane, ndërsa në rrafshin vertikal, lexuesi nuk e ka të vështirë të kaloje nga personazhet e librit: Maria, kulla e Hakmet Hoxhës, Nazif Pashai, kryeipeshkvi Buçireli, tek Pallati i Sulltanit, për t’u ngjitur pastaj në Fe e Atdhe, si një binom i palëkundur ndër shqiptarë.

Nëpërmjet përcjelljes së idesë kryesore të librit, nevojës për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar përmes ruajtjes së besimit në Dritën e Hyut dhe katolicizmit, autori sjell pashmangshmërisht edhe disa ide e tema dytësore të cilat ndërthuren bukur, nuk e sfumojnë boshtin kryesor të librit, pasi autori i ruan mrekullisht raportet mes atyre që janë kryesore e përbëjnë boshtin qendror dhe atyre që janë plotësuese, por e pasurojnë e plotësojnë më së miri atë. Kështu, përmes shtjellimeve dhe gojës së personazheve kryesorë, përmes ngjarjeve të vogla në dukje apo dialogjeve, autori sjell në evidencë faktin se të huajt i kanë realizuar qëllimet e tyre kurdoherë duke përdor shqiptarët kundër shqiptarëve, siç paraqiten në libër bajraktarët e caktuar nga Pashai për realizimin e grabitjes së Maries e dërgimin e saj tek ai, si pjesë e haremit të vet (që s’u realizua kurrë!), nuk vjen pa qëllim nga autori në evidencë fakti se sundimtari i ri turk i Vilajetit të Prizrenit, Nazif Pashaj, puna e parë që do të bënte ishte caktimi i “vëzhguesve” në çdo fshat të vilajetit, thënë ndryshe informatorëve apo spiunëve, që ishin pika referencë për ta mbajtur nën zap vendin e ruajtur gjatë pushtetin e vet absolut, apo ngjarja e varrimit të Lizanës, gjyshes së Maries, e presioni i madh që iu bë Jakut të myslimianizuar në Jakup, për ta varrosur jo sipas amanetit të saj, në varret katolike, por në ato myslimane, si dhe për të mos lejuar Kryqin (që lëshonte rreze drite e shprese edhe ne gjoksin e saj të pafrymë!) të ishte pjesë e veshjes së kufomës, kërkimi i Maries nga shërbëtorët e sundimtarit turk edhe “në arkën e rrobave” të një gruaje mirditore, ku s’kishin si të mungonin Flamuri e Kryqi, apo edhe “thirrja e genit” e shërbëtorit të myslimanizuar për t’mos i prek ato edhe pse u duk i shqetësuar prej tyre, ngjarje ku, edhe pse me mundime, gjithnjë triumfon e mira mbi të keqen, pozitivja mbi negative, shpresa mbi brengën.

Një ndër pasuritë më të rralla që vetë Zoti e ka bekuar për shqiptarët është harmonia fetare. Autori kujdeset që këtë përmasë ta sjellë bukur në libër, përmes fakteve e ngjarjeve, në dukje të vogla e të “pavemendshme”, por që flasin shumë, madje edhe ta “ballafaqoje” këtë virtut të shqiptarëve me përpjekjet e paskrupullta të armiqve e krerëve sundimtarë për t’a dëmtuar këtë unitet shqiptaro - shqiptar. Përzgjedhja e bashkëjetesës në të njejtën shtëpi të personazhëve të besimit katolik e mysliman, mbështetja që ata gjejnë tek njëri - tjetri edhe në raste të të rrezikimit të jetës tyre, prania në të njejtin territor i kishave dhe xhamiave e deri tek pjesmarrja së bashku në festat e secilit besim, janë episode që vijnë në libër si dëshmi e këtij uniteti. Zoti i ka falë fetë e besimet për bashkim e jo për ndarje… Mirëpo, siç ndodh jo rrallë, pikërisht ajo që përbën edhe momentin më të mirë të njeriut, mund të kthehet edhe në fatkeqësi e deri edhe në përndjekjen e tij. A nuk ndodh kështu me Marien, personazhin kryesor të librit, ku bukuria fizike dhe shpirtërore e saj janë edhe përndjekëset më të madhe në jetë?! Edhe në rrafshin shoqëror, autori e sjell këtë moment bukur ku harmonia e uniteti i besimtarëve ballafaqohet me goditjen e vazhdueshme të sundimtarëve. Sentenca “Përça e sundo”, ka qenë edhe motoja e vazhdueshme e atyre që nuk e kanë dashur kurrë këtë popull. Jo vetëm sunduesi turk që e nxiti këtë më së shumti, por në terrenin e ngjarjeve të këtij romani, ashtu si edhe në jetën reale, një faktor mjaft ndikues negativ dhe armiqësor, ka qenë (edhe mbetet!) kisha serbe e besimit ortodoks.

Ngjarjet ilustruese për sa sipër vendosen në Isniq të Deçanit, aty ku bashkëjetojnë pjestarë të komunitetit katolik, mysliman e ortodoks, ku gjenden pranë e pranë në territor kisha, xhamia edhe manastiri. Pikërisht në këtë manastir, pra në atë të Deçanit, kleri ortodoks serb, më shumë se veprimtari normale kishtare zhvillonte veprimtari përçarëse e antishqiptare. “Merimangat e zeza” i quan me të drejtë autori ata, nisur jo thjesht nga veshja, por mbi të gjitha nga brendia dhe nga aktiviteti “i errësirës”, që zhvillonin. Ngjarja kulmore vjen në roman në xhaminë e fshatit Isniq, kur në prag të kremtimit të Bajramit, “merimangat e zeza”, bëjnë një akt të kobshëm: Natën, në errësirë të plotë, ashtu siç edhe ishin, përmes një të paguari të tyre, futin në xhami një derr, të cilin e therin dhe me gjakun e tij spërkasin muret e xhamisë! Ky veprim bëri që populli i armatosur dhe mbushur me urrejtje të ishte gati për një kasaphanë, ndoshta ndër më të egrat e të paparat… Po Zoti e ka gjithnjë një zgjidhje! Hiri i Hyut deshi që ngjarjen e futjes në xhami të “merimangave të zeza” në mesnatë, t’a shohë Drini Gurra, një katolik i devotshëm, i cili edhe pse në terrin e natës s’e kishte kuptuar çfarë ndodhi brenda saj, por i kishte ndjekur nga pas hijet deri në Manastirin e Deçanit, ndërsa vegimi i dritës e ballafaqoi me një vullkan zemërimi në shpërthim. Fati, zgjuarsia e Drinit, besimi që kishin njerëzit tek ai, ndërhyrja e bajraktarit me kërkesën e tij, bëri që ngjarja të kalonte pa incidente. Jo vetëm kaq! Kulla e bajraktarit shëndrrohet përkohësisht në xhami lutjesh dhe aty kryen një vizitë edhe Kryeipeshkvi… E solla gjithë këtë ngjarje për të treguar se si autori e sjell gjithë dramën e jetës atje, por edhe zgjidhjen që vjen nga Drita e Hyut me bujari dhe besim shpirtërorë.

Shpalosen bukur në libër edhe veset njerëzore të Nazif Pashait, ashtu si transmetohen edhe tiparet e rralla të Diloshes apo Drenushit mysliman, që e mbajtën dhe e mbrojtën Marien.Bile edhe emrat që autori ka përzgjedh për personazhet e veta flasin shumë! Maria, në përngjasim të Zojës bekuar, Lizana, Diloshja, Drenushi, Mirushja etj, për personazhet positive dhe emra të tjerë tipik për personazhet negative si Thatani e plot të tjerë.

Zgjedhja e personazhit kryesor nga autori, një vajzë e bukur nga Mirdita, vendi që ka sakrifikuar më shumë se çdo krahinë tjetër për Fe e Atdhe, ndërthurja e fitores së të drejtës së saj edhe me ndihmën e Konsullit Austriak etj., janë përqasjet e autorit me historinë reale të kombit tonë dhe e bëjnë gjithë rrëfimin edhe më të afërt për lexuesin. Atëherë kur e gjithë Shqipëria (pjesa më e madhe e popullsisë në trojet shqipfolëse) u myslimanizua nën Perandorinë gjakatare osmane, ishte pikërisht Mirdita me krerët e saj që e ruajtën të paprekur këtë besim, duke sakrifikuar shumë e vuajtur “si Krishti”, por edhe duke zgjedhur aleatë të mëdhenj, siç ishte shteti austro - hungarez që e përkrahu shumë Mirditën dhe mirditorët. E kanë thënë më shumë se një herë e më shumë se një autor, se Mirdita e besimi i saj kanë luajtur një rol thelbësor në ruajtjen e vetëdijes kombëtare shqiptare e në ruajtjen e kombit tonë nga asimilimi. Ky roman e sjell këtë ngjarje mjaft bukur permes subjektit të tij mjaft të organizuar, gojës së personazheve, dhe ngjarjeve që zhvillohen larg saj, por në të njejtin terren shpirtëror. Udha e Maries drejt triumfit të saj: Ruajtjes së fesë së Krishtit e ruajtjes së kunorës së shejtë me Prenk Kaçinarin, vjen plot vuajtje e sakrifica. Ato të kujtojnë vuajtjet e mundimet e Jezusit, por edhe triumfin e Dritës mbi Terrin. Ajo, Maria, bëhet në sytë e mendjen e lexuesit shumë shpejt një personazh i dashur, së cilës ke dëshirë t’i ngjash, ashtu siç bëhen figura të urryera personazhe si ato të bajraktarit e sidomos të Nazifit, kreut turk të Vilajetit të Perzerendit.

Në libër, përmes personazheve të veta, autori sjell fraza e shprehje të bukura që në pak fjalë thonë shumë dhe që të mbeten në mendje gjatë, si: vuajtja është mënyrë e mbëltimit të jetës, heshtja si forma më e lartë e fjalës, mirditoret më parë flijojnë veten sesa pranojnë t’i mbesë një njollë e zezë turpi, ne s’mund t’a ndërrojmë historinë se ajo i përket të kaluarës, por mbi të mund të ndërtojmë të sotmen për t’i hapur shteg të nesërmes, joshja për pushtet i zhbën edhe virtytet më të mira të njeriut, është mëkat me hedh gurë në muranën e së keqes, njeriu pa të vetët është si pema pa rrënjë, apo më mirë të durohet padrejtësia se sa të shpërdorohet e drejta, të cilat janë apostulate edukative dhe përbëjnë mësime në vete e mbeten të çmuara për të gjithë.

Në mbyllje të gjithë këtij rrëfimi fantastik, vjen një persiatje mendimesh të Maries, kur ishte në Shkodër dhe po përgatitej të udhëtonte drejt Portës së Lartë për gjykimin atje të kërkesës së saj për ruajtjen e besimit katolik, një meditim lidhje mes detit e lumenjëve. Deti është zemërgjerë e pranon çdo pikë ujë të lumenjëve, por edhe lumenjtë janë damarët e detit. Në se nuk janë  lumenjtë edhe deti vdes, por as lumenjtë s’ekzistojnë pa detin, i cili ua kthen përsëri ujin atyre…, ai është ati i lumenjëve, të cilët kthejnë aty ku kanë lindur. E gjitha vjen si një mesazh e mësim, se atdheu ka nevojë për kontributin e të gjithëve dhe se forca e njeriut për të përballuar dallgët e jetës buron nga atdhedashuria e bëhet shumëfish më e madhe kur orientohet ka Drita e Hyut dhe e Besimit.

Është një libër për t’u lexuar e rilexuar e për ta patur pjesë të bibliotekës personale e të trashëgimisë kulturore, për brezat e ardhshëm. Faleminderit profesor Antoni për çastet e bukura që më dhurove përmes leximit të kësaj vepre me vlera të veçanta historike dhe letrare.

Lezhë, më 10 Nëntor 2022



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora