E enjte, 28.03.2024, 09:54 AM (GMT)

Kulturë

Albert Zholi: Lasgush Poradeci, Poeti brilant dhe përkthyesi elegant

E marte, 15.11.2022, 07:22 PM


Lasgush Poradeci, Poeti brilant dhe përkthyesi elegant

-35-vjetori i vdekjes-

Përgatiti: Albert Z. ZHOLI

Llazar Gusho u lind në Pogradec, më 27 dhjetor të vitit 1899. Ka vdekur në Tiranë, më 12 nëntor 1987. Në letërsinë shqipe është i njohur nën pseudonimin Lasgush Poradeci, qe poet, shkrimtar e përkthyes shqiptar. Pseudonimi letrar me të cilin njihet vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshi atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur pseudonimin e vendlindjes, Poradeci. I ati si arsimdashës që ishte e dërgoi pas mësimeve fillore që i kreu në vendlindje, në një shkollë të gjuhës rumune në Manastir nga 1909 deri më 1916. I ati më pas e nis në Athinë pranë liceut Léonin, instituti më i hershëm privat në kryeqytetin grek – lice ku qëndroi deri më 1920. Pasi sëmuret, e shtrojnë në sanatorium dy vitet e fundit të qëndrimit të tij në Greqi. Më 1921 regjistrohet në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Bukuresht pas një viti me ankesa për të tejkaluar valën e ksenocentrike që kishte kapluar qeverinë rumune. Atje lidhet me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare, u miqësua me Asdrenin, të cilin e zëvendësoi si Sekretar i Përgjithshëm i kolonisë. Por edhe me të riun Mitrush Kuteli; mjedisi rumun ndikoi shumë në formimin letrar të Llazarit. Nisi të botojë vargje në të përkohshmen shqipe ‘Shqipëri e re’, një e përjavshme kombëtare me ilustrime që botohej në Konstancë, dhe tek DielliBostonit. Vargjet e tij të kësaj periudhe po shfaqnin tashmë një afri teosofike me poetin lirik rumun Mihai Eminescu. Verën e vitit 1924 Qeveria e Nolit i dha bursë dhe ai regjistrohet në Universitetin e Gracit “Karol Francik” në fakultetin e filologjisë romano-gjermanike. Vitin tjetër u kthye në Tiranë duke mësuar arte në një shkollë të mesme. Vitet 1944-’47, vitet e turbulluara të fillimit të regjimit komunist ishte i papunë dhe jetonte në kryeqytet me të shoqen. Pas punësimit jetëshkurtër pranë Institutit të Shkencave, pararendësit të Universitetit të Tiranës, nisi punë si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese shtetërore “Naim Frashëri” deri kur doli në pension më 1974.

Botimet

Lasgushi është Autor i dy vëllimeve me poezi “Vallja e yjeve” botuar në vitin  1933 dhe “Ylli i zemrës” në vitin 1937, Këto dy përmbledhje poetike i ka botuar në Bukuresht të Rumanisë. Vëllimin e parë e ka  botuar me ndihmën e mërgatës shqiptare në Konstancë; ndërsa vëllimin e dytë i botuar me ndihmën e Mitrush Kutelit. Përmbledhja e dytë poetike përmban edhe vargje të përpunuara nga vëllimi i parë me poezitë me vargënimin e melodinë më të hollë në gjuhën shqipe. Përpos dy vëllimeve, Poradeci botoi tregime në prozë ndër të përkohshmet e viteve ’30-’40 veçanërisht tek “Përpjekja shqiptare” e redaktorit Branko Merxhani. Shkrime prej tij janë shfaqur edhe në të përkohshmet ‘Drita’ dhe ‘Nëntori’, të cilat të bluara siç qenë nga censorët e kohës ishin hapësira më të volitshme për sërën e shqipëruesve. Lasgushi është autor i më se shumë se  100 poezive, një pjesë prej të cilave edhe poezi dashurie. Ishte adhurues i fjalëve arkaike, shprehjeve filozofike popullore po aq sa i fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore për një amë të re. Kuteli që i redaktoi “Yllin e zemrës” e quajti “Poeti i vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkruajti vetëm në gjuhën shqipe”. Veç të tjerash, janë të njohura poemat: “Eskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si: “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, e poetëve të tjerë të njohur botëror.

Vlerësime

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes në 27 dhjetor 1999, Presidenti i Republikës Rexhep Mejdani i jep titullin “Nderi i Kombit” dhe Pogradeci, qyteti i tij i lindjes titullin “Qytetar nderi”. Pallati i Kulturës në Pogradec mban emrin Lasgush Poradeci. Në lagjen Kombinat në Tiranë ndodhet shkolla “9-vjeçare Lasgush Poradeci”. Rruga te Diga te Liqeni artificial i Tiranës mban emrin Lasgush Poradeci.

Ç’u mbush Mali

Shqipëri! moj nëna ime,

më ke rritur me thërrime!

Shqipëri! të qofsha falë,

të kam nënë e më ke djalë!

Ç’u mbush mali me dëborë,

ç’u mbush deti me pamporë,

seç u mbush e shkreta Vlorë

plot me krushq e me dasmorë.

S’janë Toskë e Malësorë

me flamur të kuq në dorë,

si dhëndurë me kurorë.

Ç’u zbardhë malet, ç’u zbardhë:

Nga çdo anë seç na ardhë

shqipëtarët gunë-bardhë.

Seç na ardhë palë-palë

duke rutulluar male.

Kush më këmb’e kush më kale,

kush më shpejt, kush më ngadalë;

kush i lum e kush i gjorë

kanë zbritur mun në Vlorë,

Mun në Vlorën e lirisë,

n’atë thelb të Shqipërisë.

Poradeci

Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir

po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.

Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,

duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…

E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:

Në katund kërcet një portë…në Liqer heshtë një lopatë…

Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…

Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.

Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…

Zotëroj më katër anë errësira…

Po tashi:

Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,

Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…

Malli

Syri-i bukur që t’u mvrenjt –

Syri yt që më lëndon:

do më lerë-a von a shpejt,

do më lerë-a shpejt a von!

Sapo shpirti m’u delir –

Shpirti im i nxirë krejt –

Do më lerë me pahir

syri-i bukur që t’u mvrenjt.

E do mbetem përnjëmend

varfanjak, si mbret pa fron:

Mbretëresha që më çmend

do me lerë-a shpejt a von.

Do më lerë-a von a shpejt,

do me lerë-a shpejt a von!

Syri i bukur që t’u mvrenjt –

Syri yt që më lëndon.

Do më lerë…A! po si –

Qoftë-aherë-ose tani –

Do të qaj aq dashuri

që të humb me mall te ti?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora