E shtune, 26.11.2022, 07:28 PM (GMT)

Kulturë

Dorian Koçi: Dera fisnike e Aranitëve

E shtune, 01.10.2022, 06:18 PM


Dera fisnike e Aranitëve

Nga Dorian Koçi

Arianitët qenë një familje fisnike zotërimet e së cilës shtriheshin përgjatë luginës së Shkumbinit. Në lidhje me zotërimet e Gjergj Arianitit ka versione të ndryshme.Në një burim të Muzakajve thuhej se Gjergj Arianit Komnen Topia ka qenë zot i Çermenikës, i Mokrës e i Shpatit. Një burim tjetër citon se pronat origjinale të kësaj familje ishin në në fshatrat reth e rotull Kaninës, Gjirokastrës dhe Beratit (1506). Kjo e dhënë na vjen nga pjesa e islamizuar e familjes Arianiti. Pas betejave të Skënderbeut pushtimi otoman u duk se ishte i pashmangshëm. Një degë e rëndësishme e famijes u largua për në Itali kurse një pjesë tjetër mbeti në Shqipëri. Dokumentet përmendin Mahmud bin Aranid, i cili u bë sanxhakbej  i Himarës, që shtrihej përgjatë bregdetit të detit Jon. Duket se Mahmudi ishte djali i tretë i Gjergj Arianitit me gruan e tij të dytë italiane.  Djali i Mahmud bin Arianitit i quajtur Ali Bej që zotëronte fshatrat rreth Kaninës, Vlorës, Beratit dhe Gjirokastrës u bë sanxhakbej i Vlorës në vitin 1522. Kjo paqartësi se cilat ishin zotërimet origjinale të familjes Arianiti vazhdon të mbetet ende e pranishme në studimet historike.

Emri i familjes së Arianitëve haset për herë të parë në shek.XI në veprën e Gjergj Kedrenit Përmbledhje Historish.Në burimet historike krahas mbiemrit Arianiti kjo familje fisnike përmendet edhe me mbiemra të tjerë si Komneni, Golemi, Topia, Shpata e Çermenika. Arianitët kishin simbolet e tyre. Stema e Arianitëve është e kaltër me një shqiponjë të artë dykrenore, krahëhapur. Stema shoqërohet me motivacionin: “Komino i derës së zotit Retini të Shqipërisë mbi Skuteri, zot në anët e atij vendi, i cili u pranua dhe u bë anëtar i Këshillit të Madh, sepse kështu iu duk me vend Sinjorisë(Venedikut) Sonë për ta nderuar dhe për ta patur simpatizant tonin. Kjo u bë në vitin 1464”.

Barleti dhe burime të tjera dëshmojnë se Gjergj Araniti, pinolli më i shquar i kësaj familje ishte një nga krerët kryesorë, që mbështeti Skënderbeun në Kuvendin e Lezhës.Ai ishte përkrah tij edhe gjatë kryengritjes së përgjithshme anti-osmane, që ndërmorën shqiptarët nën udhëheqjen e tij.Nga Aranitët vinte Donika, e shoqja e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut.Aranitët sunduan në viset kyçe të Shqipërisë, në rrugët dhe luginat kryesore të Shqipërisë së mesme rrugën e Drinit, hyrjet në Shqipëri nga ana e Ohrit dhe e Dibrës etj.Në fillim të shek. XV Gjergj Arianiti ishte ndër të parët prijës vendës, që ngriti krye kundër pushtimit turk. Shkaku i kësaj kryengitje ishte fakti se Perandoria Otomane në kundërshtim me traktatin e vasalitetit filloi të vendoste spahinj nga Anatolia në tokën e familjes Arianiti dhe Gjergj Arianiti si kryezoti i familjes u dërgua tek Sulltan Murat II për tu ankuar. Sulltan Murati II refuzoi ti kthente tokat kështu që Gjergj Arianiti vendosi të fillonte rezistencën. Gjergj Arianiti, në bashkëpunim me feudalë të tjerë vendës arriti t’u bënte ballë turqve në verën e vitit 1432.Në dimrin midis viteve 1432-1433, Gjergj Arianiti theu përsëri trupat turke në luginën e lumit Shkumbin.Turqit, të komanduar nga Ali Bej Evrenozi, qenë dërguar nga vetë Sulltan Murati II. Fitorja e Shkumbinit u konsiderua në Europë si një fitore e madhe e Gjergj Arianit Komnenit.Pas kësaj fitoreje vërshuan përgëzimet nga Europa. Papa Eugjen IV, mbreti Alfons V i Napolit, perandori gjerman Sigizmund dhe Republika e Raguzës përveç urimeve, i premtuan ndihma Gjergj Arianitit. Kjo eufori nuk vazhdoi shumë, pasi në vitin 1435 forcat turke të drejtuara nga bejlerbeu Sinan Pasha e shtypën revoltën shqiptare dhe e detyruan Gjergj Arianitin të tërhiqej, duke u kthyer në vasal të sulltanit.

Emri i Gjergj Arianitit mbijetoi dhe në muzën popullore të zonave të Librazhdit.Ai haset në kujtesën popullore dhe me emrin Gjorg Golemi.Sipas kujtesës popullore Gjorg Golemi ishte i lavdishëm. Gruaja e parë e Gjergj Aranitit quhej Maria, ndërsa e dyte ishte një italiane. Mara  ishte nga dera e Muzakajve të Myzeqesë.Gjergj Araniti kishte 11 fëmijë: 8 vajza me Marën, gruan e parë dhe 3 djem me gruan e dytë, italianen. Prej tyre njohim vetëm të dytin që quhej Kostandin.Pas vdekjes së babait të tij, Kostandin Araniti iku 12 vjeç në Itali, ku bëri një karrierë të madhe. Në veprën themelore për studimin e mesjetës arbëre, Breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi të Gjon Muzakës, të shkruar në 1510 dhe të botuar nga mesjetaristi dhe historiani Karl Hopf në Chroniques gréco-romaines, Paris 1873,fq. 270–340, lexojmë se Angjelina Araniti , vajza e Gjergj Arianitit e martuar me Despotin serb Stefan Brankoviç pati një vajzë Maria që u martua me Boniface Paleologu  III, Marquess of Montferrat. Ata patën sëbashku dy fëmijë William IX (1486-1518), i cili u bë  Markez i Montferrat midis viteve 1494 dhe 1518, and John George (1488-1533) i cili u bë Markezi i fundit i Montferratit, midis viteve 1530 dhe 1533. Gjurmët e Aranitëve si shikohet shkrihen në fisnikërinë evropiane.

Tre pinjoj të Aranitasve, Moisi Golemi Komneni, Donika Kastrioti, Muzak Araniti Golemi. Gravurat i përkasin autorit George Greblinger, në veprën e tij “Ilustrime të vërteta të princëve turq të Kayser dhe Persian” ... Frankfurt: të botuar nga Johann Ammon, në 1648. Në këtë vepër janë gdhendur, 47 portrete nga THEODORE DE BRY. Botimi në gjermanisht i koleksionit të shkëlqyeshëm të portreteve të sulltanëve osman nga Osman I (1258-1326) tek Murati III (1546-1595) dhe figura të tjera historike si Skënderbeu, Tammas Khuli Khan dhe Barbarossa.

Copyright Dorian Koçi



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora