E marte, 27.09.2022, 02:12 AM (GMT+1)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: 109 vjet nga Njohja Ndërkombëtare e Shqipërisë

E enjte, 28.07.2022, 07:59 PM


109 VJET NGA NJOHJA NDËRKOMBËTARE E SHQIPËRISË

Nga Adil FETAHU

Fundi i muajit korrik të sivjem shënon 109-vjetorin e njohjes ndërkombëtare të subjektivitetit juridik të Shqipërisë. Kjo ishte njohje kolektive nga Konferenca e Ambasadorëve të gjashtë Fuqieve të Mëdha, mbajtur në Londër më 29-31 korrik 1913. Me këtë njohje, shteti shqiptar fitoi subjektivitet juridik ndërkombëtar.

Edhepse shqiptarët e kishin shpallur pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912,  vetëm dy javë më pas,  gjashtë fuqitë  e  mëdha të asaj kohe: Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austrohungaria, Italia dhe Rusia, në Konferencën e ambassadorëve të tyre në Londër më 17 dhjetor 1912, kishin vendosur që Shqipëria të mos jetë e pavarur, por të jetë një provincë atonome nën sovranitetin e Perandorisë Osmane, respektivisht të Turqisë, pa caktuar as kufijë e asaj province.

Derisa Konferenca në Londër zhvillonte punimet, aleanca ortodokse e monrakive të Ballkanit: Serbia, Mali Zi, Greqia dhe Bullgaria, kishin pushtuar pjesën më të madhe të tokave shqiptare. Qeveria e Vlorës nuk kontrollonte as një të katërtën e territorit të Shqipërisë.

Duke parë shkatërrimin e Perandorisë Osmane nga luftërat ballkanike, që ishte e sigurtë se Perandoria Osmane,  nuk ishte në gjendje të sundojë më tutje në Shqipëri, Austrohungaria dhe Italia, duke u nisur nga interesat e tyre, i kishin paraqitur Konferencës së Londrës një projekt të ri për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.

Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit

Pas një lufte të ashpër diplomatike në baza të interesave të ndryshme dhe të kundërta të fuqive të mëdha, Konferenca e Ambasadorëve, në mbledhjen e mbajtur në Londër më 29 – 31 korrik 1913, kishte vendosur që Shqipëria të bëhej e pavarur dhe neutrale e të vehej nën kontrollin ndërkombëtar të Fuqive të Mëdha, kurse në krye të shtetit shqiptar të caktohej një princ i huaj. Ishte vendosur të formohej Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, i përbërë nga përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të Mëdha dhe përfaqësuesi i Shqipërisë. Komisioni u formua më 15 tetor 1913,  me këtë përbërje:

1.Harri Harling Lamb, përfaqësues i Britanisë së Madhe

2.Leon Alphonse-Thadee Krajewski, përfaqësues i Francës

3. Aristotele Petroviq; August Kral, përfaqësues të Austrohungarisë

4. Julius Vinckel , përfaqësues i Gjermanisë

5. Alesandro Leoni; Carlo Galli, përfaqësues të Italisë

6. Aleksandr Mihajlloviq Petrjaev, përfaqësues i Rusisë

7. Myfit bej Libohova; Mehdi bej Frashëri, përfaqësues të Shqipërisë.

Në punën e Komisionit secili nga Fuqitë e Mëdha dhe Shqipëria përfaqësoheshin me nga një anëtar, por këtu paraqiten nga dy emra, për shkak se ndonjeni prej anëtarëve ishte ndërrua gjatë periudhës sa ka funksionuar Komisioni (15 tetor 1913 – 9 shtator 1914.

Selia e Komisionit ishte në Vlorë. Komisioni hartoi Statutin organik të organizimit dhe funksionimit të shtetit Shqiptar. Ai Statut mund të konsiderohet si kushtetuta e parë e shtetit shqiptar, sepse me të rregulloheshin çështje të natyrës kushtetuese. Statuti përmbante 216 nene, të sistemuara në 17 kapituj, me të cilat rregulloheshin këto çështje:

·       Shqipëria (shteti) dhe territori i saj,

·       Sovrani

·       Popullsia

·       Legjislativi

·       Organet e qeverisë

·       Administrata lokale

·       Financat

·       Punët publike

·       Forcat e armatosura

·       Drejtësia

·       Kulti (besimet)_

·       Institucionet publike

·       Prona themelore

·       Bujqësia, tregtia dhe industria

·       Postat, telegrafi dhe telefonat

·       Lidhjet e jashtme

·       Ankimimet administrative.

Sipas Statutit organik të Komisionit të Fuqive të Mëdha, Shqipëria ishte projektuar të jetë monarki kushtetuese, me një asamble me fuqi legjislative. Territori ishte ndarë në pikëpamje administrative në shtatë rrethe, rrethet në kaza e kazatë në nahije, sipas organizimit që ka pasur nën PerandorinëOsmane.  Secili prej rretheve do të zgjedhte,me vota të drejtpërdrejta,  nga tre përfaqësues për Asamblenë Kombëtare; Princi do të emëronte dhjetë përfaqësues dhe tri bashkësitë fetare do të zgjedhnin nga një përfaqësues në Asamblenë Kombëtare, e cila do kishte mandat katërvjeçar. Princi do të emëronte Këshilin e Ministrave, me kompetenca ekzekutive.

Zgjedhja e Princit për Shqipërinë

Për pozitën e principit të Shqipërisë kishte shumë pretendentë nga familjet mbretërore të shteteve të Europës. Ishte bërë një tentim nga Xhonturqit, që për princ të Shqipërisë të dërgohej ministri i luftës i Perandorisë Osmane, Izet  Pasha, që ishte me origjinë shqiptare. Me gjasë, për këtë ishin pajtuar edhe  Ismail Qemali dhe Esat Pasha,  me shpresë se me forcat ushtarake të Perandorisë, princi do të përzente ushtritë serbe, malazeze e greke nga territori i Shqipërisë. Por ai komplot u dekonspirua dhe dështoi, veçse shkaktoi që besimi i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit në Ismail Qemalin të zbehej. Madje ky do të jetë shkaku që ndaj Ismail Qemalit të bëhej presion nga Komisioni për të dhënë dorëheqje nga Qeveria e tij e përkohëshme.

Pas të gjitha pretendimeve dhe ofertave, Konferena e Londrës, në tetor 1913, kishte vendosur që në fronin e princiit të Shqipërsë të jetë gjermani Wilhelm Friedrich Heinrich von Wied, një protestan i cili nuk i përkiste asnjë besimi fetar që kishin shqiptarët. Më 1 nëntor ishte shpallur se princ Wiedi do të zëjë fronin  mbretëror të Shqipërisë. Këtë shpallje, gjoja e kishte mirëpritur dhe e kishte pëlqyer kryetari i Qeverisë së Përkohshme në Vlorë, Ismail Qemali, duke shpresuar se me këtë do të sigurohej pavarësia, njohja ndërkombëtare dhe zhvillimi i përgjithshëm i shtetit shqiptar. Në këtë kontekst, Ismail Qemali  më 22 janar 1914, jep dorëheqjen e Qeverisë së tij dhe qeverisjen ia dorëzon Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Duke marrë parasysh rastin e komplotit xhonturk, për ta dërguar përfaqësuesin e tyre për princ të Shqipërisë dhe pajtimin e Ismail Qemalit për këtë, të gjitha gjasat janë se mbi Ismail Qemalin u bë presion nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit për të dhënë dorëheqje. Por, pavarësisht nga shkaqet, ia vlenë të lexohet raporti i Komisioit për momentin e dorëheqjes. Ja se çka shkruante në raportin e atij Komisioni, të datës 22 janar 1914:

“Sot, më 22 janar 1914, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit shkoi te Shkëlqësia e tij Ismail Qemal Beu. Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, i bindur se i vetmi mjet për t’i dhënë funt përçarjes dhe anarkisë në vend është që të formohet një qeveri e vetme për të gjithë Shqipërinë dhe se në rrethanat e tashme, ky qëllim mund të arrihet vetëm po t’ja dorëzojë pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, që përfaqëson Fuqitë e Mëdha, përsëriti kërkesën, që i kishte paraqitur më parë, në prani të ministrave të tij, që Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, që të marrë përsipër këtë detyrë dhe ta marrë pushtetin në dorëzim.

Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit  çmon për së tepërmi ndjenjat patriotike që e frymëzuan Shkëlqësinë e Tij Ismail Qemal Beun, dhe me këtë rast pranon që sot të marrë në dorëzim pushtetin, duke qenë rregullisht i autorizuar nga Fuqitë e Mëdha, merr përsipër në emër të qeverisë që përfaqëson administrimin e Shqipërisë.”

Pasojnë nënshkrimet: Ismail Qemal, Petroviq, Leon, Krajevski, Hari Lemb, Leoni, Petriaev.

Po atë ditë, Ismail Qemali i dërgon letër Prefekturës së Elbasanit, me të cilën tregon shkaqet e dorëheqjes së tij nga kryesia e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Dhe, ja se ç’shkruante në letrën e tij:

PREFEKTURËS SË ELBASANIT                                             22 janar 1914

“E mbajta në dorë plot 14 muaj dhe e administrova pa ndonjë të metë pushtetin qeveritar që ma besoi mua delegacioni kombëtar që shpalli Pavarësinë tonë Kombëtare dhe përdora të gjitha mjetet që të sigurohej tërësia kombëtare e Shqipërisë. Do të ushqej ndjenja mirënjohjeje deri në vdekje për përkrahjen që më dhanë të gjithë miqtë e shokët, të cilët në qendër e në qarqe bashkëpunuan me mua, si dhe për besimin e madh të kombit ndaj meje deri më sot.

Disa ngjarje të mjerueshme të shkaktuara nga disa anë, që u ushqyen nga ambicje e nga interesa personale dëmtuan harmoninë e shtetit, për të cilën sot e gjitmonë kishte nevojë vendi ynë dhe e futën në një anarki njësinë qeveritare. Kështu çështja jonë kombëtare u vu përballë një rreziku të madh. U detyrova t’i jap fund kësaj gjendjeje fakeqe, e cila do të kapërcehej vetëm me ekzistencën e një qeverie kompakte, të fortë e me influencë. E sigurimi tani i një qeverie të tillë ishte një detyrë atdhetare që rëndonte mbi mua. Për këtë qëllim iu drejtova Fuqive të Mëdha, duke u paraqitur si modus vivendi marrjen e qeverisë në dorë nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, deri sa të vinte mbreti i Shqipërisë. M’u pranua dëshira ime që paraqita në këtë rast dhe Komisioni në fjalë, i mbledhur sot, në praninë time, më deklaroi pranimin e kërkesës sime nga Fuqitë e Mëdha.  Kështu redaktuam dhe nënshkruam një kontroll, në bazë të të cilit pushtetin qeveritar ua lash në dorë atyre dhe unë u largova nga kyesia e qeverisë kombëtare. Jam i sigurt se do do të çmohet nga i gjitë kombi e nga kolegët e qeverisë sakrifica ime, që ka për qëllim shpëtimin e kombit, duke lëshuar fatin e atdheut për një kohë të shurtër në duart mrojtëse të Fuqive të Mëdha e duke u largur nga kryesia këtë herë. Këtë sakrifiëe e bëra edhe kur kreva detyrën time atdhetare, duke e udhëhequr  kombin në shpalljen e Pavarësisë.

Ju bëj të njohur se ditët që më anë mbetur nga jeta ime do t’i vë në shërbim të atdheut dhe ju porosis sinqerisht t’u shtroheni të tërë urdhërave, ashtu siç është dëshira ime, të nderuarit Komision Ndërkombëtar që mori mbi vete administrimin e vendit me qëllim dashamirës për t’i dhënë fund agresionit të jashtëm dhe trazimeve të brendshme. Ju them lamtumirë dhe lëshoj ndër duart e  Perëndisë atdheun e kombin”.

Ish-Kryetari i QeverisëKombëtare

Ismail Qemali

Po atë ditë, 22 janar 1914, Drejtori i Përgithshëm i Punëve të Brendshme, i Qeverisë së Vlorës, me një qarkore i njohton prefekturat e Vlorës, Beratit dhe Elbasanit, se Kryetari i Qeverisë së Vlorës ia dorëzoi me vullnetin e tij qeverinë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit të Fuqive të Mëdha.  Përmbajtja e njoftimit është si vijon:

-“Shkelqësia e Tij, Ismail Qeml Beu, kryetar i ndritur i Qeverisë sonë Kombëtare, lëshoi në dorë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit qeverinë dhe u largua nga kryesia e saj, me vullnetin e tij të plotë, për të vetmin qëllim të lartë që dhe këtë herë Shqipëra të gjejë rrugën e saj të shpëtimit e të lumturisë dhe të forcohet pushteti qeveritar i lëkundur që prej disa kohësh. Krejt administrata e vendit i është besuar Komisionit të Kontrollit. Ky Komision më ngarkoi mua me titull Drejtor i Përgithshëm i Punëve të Brendshme, detyrën për të shikuar e administruar punët e të gjitha qarqeve. Këtej e tutje do të njihni si autoritet  funksionin tim, për të gjitha punët e brendshme, të cilat do t’i administroj unë në emër të Komisionit të Kontrollit. Do të korespondoni me mua dhe do të keni kujdes për kryerjen e detyrës.  Është vendosur që të gjithë nëpunësit të mbeten në postet e tyre ku janë sot. Në këtë kohë kur Atdheu ynë ka nevojë më tepër për qetësi, priet bindje nga kolegët tuaj nëpunësa e nga gjithë Kombi, se kështu do ta provojnë ata patriotizmin e tyre. Veçanërisht ju lutemi që në këtëdrejtim t’i bëni komunimin e duhur gjithë qarkut.

(Nuk kanënshkrim)

Lidhur me dorëheqjen e Ismail Qemalit nga detyra e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme, kishte kryesisht reagime përkrahjeje.  Këtu më poshtë po i transmetojmë disa sosh, marrë nga libri: “Ismail Qemali – Përmbledhje dokumentesh,1888- 1919, redaktuar nga Teuta Hoxha. Prej të njëjtit burim i kemi marrë edhe dokumentet tjera të cituara, në kurziv.

Përfaqësuesit e strukturave udhëheqëse të Elbasanit, më 23 janar i kishin dërguar urimet dhe përkrahjen Ismail Qemalit për aktin burrëror e patriotik. Në telegramin e dërguar nga Elbasani shkruan:

Të nderuarit zotëri Ismail Qemal Bej, Vlorë

Me gjithë shpirt ju lutem të pritni urimet e nxehta tonat për burrnijën e atdhetariën që dëftyet. Kjo therori me të vërtetë i gjanë asaj burrënie që ngrite Flamurin për të parën herë në Vlorë. Këto dy punë nuk ka ,me t’i  harrue Shqipënia. Rrnofsh pra ene shumë kohë.

Nënshkruarnga: Ataji, Halimi, Ali, Ajah, Ahmet Dakli.

Në telegramin e dërguar nga Lushnja, shprehet keqardhje për dorëzimin e Ismail Qemalit. Në telegram shkruan:

23 janar 1914

Atdhetarit të madh, shkelqësisë së tij Ismail Qemal Beut,në Vlorë

Lajmi i hidhuri largimit nga kryesia e Qeverisë Kombëtare të një atdhetari të madh si shkelqësia juaj, që e ka bërë jetën fli për shpëtimin dhe pavarësinë e Shqipërisë, u prit me një keqardhje të thellë nga ana e gjithë popullit. Por, vepra e shkëlqësisë suaj, që ka shkatërruar qëllimet e mallkuara të disa keqdashësve të popullit, të cilët si në të kaluarën edhe tashi sakrifikojnë Shqipërië për interesat egoiste personale të tyre, adhurohet prej të gjithëve dhe duke shpresuar t’ju shohim përsëri pas një kohe fare të shkurtër në atë pozitë të lartë, po ju puthim duart me plot respekt”.

(Dokumenti pa nënshkrim)

Më 5 shkurt, Aqif Pasha i shkruante Ismail Qemalit telegram me këtë përmbajtje:

Gjesti atdhetar i Shkëlqësisë suaj i shton një fletë lavdie shërbimeve të larta atdhetare të tjera nga Ju. Meritoni nderime dhe në këtë rast adhuroj Shkëlqësinë tuaj!

Aqif

Ardhja e Princit

Princi Wilhelm Wied arriti në Shqipëri (Durrës) më 7 mars 1914. Në Portin e Durrësit u prit me brohoritje dhe enthusiazëm të shqiptarëve që kishin ardhur nga të gjitha anët, me shpresë se Wiedi do t’i realizonte dëshirat e tyre. Pas dhjetë ditëve të arritjes në Shqipëri, Princi formoi Qeverinë e tij dhe shpalli Durrësin kryeqytet të Shqipërisë. Kabinetin e qeveritar të Princit e përbënin:

1.Esat Pashë Toptani, ministër i luftës dhe i punëve të brendshme

2.Aziz Pashë Vrioni, ministër i bujqësisë, tregtisë dhe industrisë

3. Myfit Bej Libohova, ministër i drejtësisë dhe i kultit

4. Mithat Bej Frashëri, ministër i financave

5. Hasan Bej Prishtina, ministër i postë-telegrafeve

6. Dr Mihal Turtuli, ministër i arsimit dhe

7. Prenk Bib Doda, ministër i punëve botore

Edhepse u prit me shumë shpresë dhe enthusiazëm, Princi nuk pati sukses në misionin e tij, për shkak se vendi ishte i pushtuar nga ushtritë serbe, greke e malazeze dhe i gjithë vendi ishte i turbulluar me protesta, kryengritje e luftime. Fuqitë e Mëdha nuk e ndihmuan Princin, kur ai kërkonte financime dhe forca ushtarake për t’i përzënë nga Shqipëria ushtritë e hueja. Duke mos pasur përkrahjen nga Fuqitë e Mëdha për të kryer misionin e tij, atij i rrezikohej edhe koka e vet, prandaj u detyrua të largohej nga Shqipëria më 3 shtator 1914, kur Lufta e Dytë Botërore veçse kishte plasur, dhe ato Fuqitë e Mëdha luftonin njena kundër tjetrës, duke u bërë “hashtër-neshtër”. Ato, duke pasur interesa dhe aspirata të ndryshme dhe të kundërta me njëra-tjetrën edhe për territorin e Shqipërisë, nuk arritën që përmes Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe Princit të tyre, ta konsolidojnë shtetin shqiptar në asnjë segment. Lufta e Madhe që e gjeti Shqipërinë në gjendje të mjerueshme, i rriti apetitet e monarkive fqinje që ta copëtojnë dhe ndajnë midis tyre tërë territorin e saj.

Përkundër zhvillimeve dhe mossuksesit të Komisionit Ndërkombëtartë Kontrollit dhe të Princ Vidit, ajo storje e shkurtër e përpjekjeve për konsolidimin e shtetit Shqiptar, ka rëndësinë e vet juridike për historinë e shtetit shqiptar, për konceptet dhe mënyrën e përcaktuar me akt kushtetues për formimin rendin juridik dhe funksionimin e shtetit Shqiptar në një kohë të historisë së tij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora