Mendime
Adil Fetahu: Nerrativ real për politikën gjenocidale serbe kundër shqiptarëve
E enjte, 03.02.2022, 08:55 PM
NARRATIV REAL PËR POLITIKËN GJENOCIDALE SERBE KUNDËR SHQIPTARËVE
(Rade Radovanoviq: QESHJA NËN TREKËMBËSHIN E
VARJES, roman historik, botoi “Koha”, Prishtinë, 2021)
Nga Adil
FETAHU
Autori i romanit, Rade Radovanoviq, është
gazetar e kolumnist i cili ka punuar për disa media të vendit e të
hueja, është njëri nga themeluesit e gazetës së pavarur “Danas”. Është edhe
dramaturg e skenarist. Mbi të gjitha, është njeri, antifashist dhe
antiracist. Në kohën e bombardimeve të
NATO-s mbi forcat serbe, ka qenë korrespodent i luftës dhe shef i studios Radio Evropa e Lirë në Beograd. Për
punën e tij, në raportimet objektive gjatë kohës së bombardimeve, është
shpërblyer nga drejtori i përgjithshëm i REL. Pas asaj lufte, të cilën autori
me sarkazëm e quan “Lufta e parë
serbo-botërore”, Radovanoviqi ka shkruar romanin “Qeshja nën trekëmbëshin e
varjes”, me tematikë për ngjarjet më dramatike dhe më të tmerrshme të
krimeve serbe në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Pjesa dërmuese e romanit i kushtohet
tmerreve që kanë përjetuar e pësuar shqiptarët nga forcat serbe para dhe gjatë
kohës së bombardimeve, por edhe shkatërrimeve,
pasojave dhe viktimave në
Serbi. Romanin e ka përkthyer në gjuhën
shqipe Flaka Surroi, drejtoreshë dhe kryeredaktore gazetës “Koha”, Prishtinë.
Titulli i romanit “Qeshja nën trekëmbëshin e varjes”, është metaforë për gjendjen psikologjike, kur
njeriu qeshë pavend, edhe kur është në
gjendje të pashpresë, sikur në rast kur është vu në trekëndëshin e varjes.
Kështu edhe udhëheqësit në Serbi qeshnin derisa NATO bombardonte e shkaterronte
infrastrukturën e tyre. Në nëntitull ka
shtuar: “krejt çfarë kishit dashur të
mos e dini për luftën në Kosovë”. Me këtë
nëntitull ka aluduar në tri
kategori të njerëzve në Serbi: ata të cilët i dijnë krimet serbe kundër
shqiptarëve por që nuk duan t’ja dijnë;
ata që nuk i dijnë ato, dhe ata të cilët nuk kishin dashur t’i dijnë.
Romani është i strukturuar në 50 ese, në të cilat shtjellohen ngjarje e
tema të ndryshme të periudhës dyvjeçare
(1998 e 1999). Shumica prej tyre kanë të bëjnë me krimet e forcave serbe të
kryera kundër civilëve shqiptarë, gjatë vitit 1998 dhe gjatë kohës së
bombardimeve të NATO-s (24 mars – 9 qershor 1999). Gjithashtu ka trajtuar
aspekte të ndryshme politike e të
sigurisë dhe shkatërrime, viktima në njerëz e dëme të cilat NATO i ka shkaktuar
në Serbi. Prej krimeve serbe të kryera kundër civilëve shqiptarë, autori i
përmendë dhe jep hollësi për vrasjen e civilëve në Gllogovc, Qirez e Likoshan;
luftën treditore dhe vrasjen e 55 pjesëtarëve
të Familjes Jashari; betejën e Rahovecit, në të cilën u vranë 95
shqiptarë dhe u zhdukën 42 serbë, trupat e të cilëve më vonë janë gjetur në
varreza masive në Malishevë, Volljakë dhe Kleçkë; atentatin në Kafenënë “Magic”
në Prishtinë, ku u vra studendja Adriana Abdullahu dhe u plagos profesori Enver
Petrovci; krimi në kafenenë “Panda” në Pejë; krimet në qytetin dhe në fshatrat
e Gjakovës, veçmas krimet e vrasjes masive në Meje; krimet e tmerrshme në
Picerinë “Kalabria” në Suharekë; krimet dhe kurdisjen e kolonës me refugjatë në
Korishë që u goditën edhe nga bombat e NATO-s; masakrën e Raçakut, etj.Për të
gjitha këto masakra dhe krime tjera, autori jep hollësi me shifra e fakte, me
emra e mbiemra (shifrat për to i ka marrë nga Fondi për të Drejtën Humanitare),
ndersa faktet nga burime të ndryshme, për të cilat ka raportuar në emisionet e
Radios Evropa e Lirë, si reporter i luftës. Këto krime, si dhe zhdukja e gjurmëve
të tyre, ishin strategji dhe të
planifikuara që nga kreu i shtetit, nga “Udhëheqësi”, siç e quan
S.Millosheviqin, nga Shtabi i Përgjithshëm dhe në nivele tjera, për eliminimin
e shqiptarëve dhe pastrimin etnik të Kosovës. Sistemi i pastrimit etnik të
Kosovës ishte i përpunuar dhe zbatohej me përpikmëri: granatoheshin fshatrat,
hynin policia, ushtria e paramilitarë të ngjyrave të ndryshme, vrisnin e
nxirrnin njerëzit prej shtëpive, plaçkitnin gjithçka që mund të merrej e
bartej: para, vetura, traktorë, motokultivatorë, makina, mobilje, e pastaj i
sperkatnin me benzinë dhe u jepnin flakën shtëpive, ndonjëherë edhe me njerëzit
brenda. Policë e paramilitarë, në mesin e të cilëve kishte edhe shumë kriminelë
nga luftërat e Bosnjes e të Kroacisë, me gëzim vinin në Kosovë, për të vrarë e
plaçkitur. Plaçkën e ndanin edhe me komandantët e tyre. Për hollësitë e disa
nga veprimet kriminale të forcave serbe në fshatrat e Gjakovës, autorin si
reporter i luftës, e kishin informuar edhe policët e dezertuar Zhelko Staniq e
Bojan Zllatkoviq, nga njësia 32 e Policisë Speciale. Ai thotë se Kosova në
vitin 1998 ishte Eldorado për
plackitësit. (fq.49). Një ish-polic tjetër, Sllobodan Stojanoviq i njësisë 37 të Policisë Speciale, tregon në
hollësi ngjarjen e tmerrshme. Në fshatin Lez, të Hoçës së Prizrenit, gjyshi
mbante në prehër një djalosh të vogël, tre-katër vjeç. I afrohet polici i
quajtur me nofkën Rambo, dhe e pyet:
Nip e ke?
Po, nip, thotë plaku.
Gjyshi e ruan nipin, e babai në mal, a po?
Jo, babai punon në Gjermani.
Eh mirë pra. Mbasi punon në Gjermani, çon pare, a po; ia kthen tytën e
automatikut fëmiut. Sa pare i ke?
Të jap krejt sa kam, thotë plaku.
Jo krejt, por aq sa vlen nipi, dhe ia cakton “vlerën” 5000 marka. Shkon
plaku në shtëpi, i merr sa ka të holla, kthehet ia jep policit.
Këtu janë 3000, edhe 2000 marka, që të mos ta vras nipin.
Të gjitha që kisha t’i dhash, flet plaku duke qarë.
Rambo shtiu me plumb në kokën e fëmiut. Asnjë zë s’iu dëgjua fëmiut!
(fq.66).
“Ka mbi një dekadë që zgjatë thuajse pa ndërperje tmerri
shtetëror serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. Nuk është asnjë lajm i ri, terror ka
pasur edhe më heret, nga koha e luftërave ballkanike, kur ushtria serbe kishte
kryer masakra të tmerrshme ndaj popullatës shqiptare. Ka pasur edhe pas Luftës
së Parë Botërore, kur historianët dhe akademikët serbë, hartonin plane për
spastrimin etnik, torturën dhe dëbimin e shqiptarëve të Kosovës në hapësirën e
Anadollit”, thotë atori.(fq.30). Që
pastrimi etnik i Kosovës ishte strategji e planifikuar e regjimit, e vërteton
edhe biseda e kolonelit Millan Kotur, me kolonelin britanik Richard Chonglinski, oficer i ndërlidhjes i Misionit
të Verifikuesve në Kosovë. Në atë bisedë, koloneli serb, duke i shpalosur hartat
e aksioneve që do të ndërmarrin forcat serbe në luftimin e UÇK-së dhe
deportimin e popullsisë, ia shpjegon kolegut britanik arsyet dhe fazat e aksionit të pastrimit
etnik të Kosovës:
-Kur të mbarojë puna me eliminimin e plotë të UÇK-së, do
t’i largojmë të gjithë shqiptarët nga Kosova. Kështu Serbia i bënë shërbim
(edhe) Perëndimit dhe NATO-s.
- Çfarë shërbimi?
- Shërbim të madh
të serbëve në mbrojtjën e civilizimit perëndimor, se nëse tash nuk e zgjidhim
problemin me UÇK-në dhe shqiptarët, ju duhet ta bëni në të ardhmën (fq.192).
Qosiqi pranon se kishte gjenocid
Në kohën kur faktori ndërkombëtar kërkonte
nga kreu i shtetit ndaljën e krimeve dhe torturave kundër shqiptarëve
dhe kërcënohej me intervenimin e NATO-s,
nënkryetari i Qeverisë, Shesheli
në mbledhje të Parlamentit të Serbisë kërcënohej kundër shqiptarëve: “Nëse
ndodhë bombardimi i NATO-s, nëse ndodhë agresioni amerikan, ne serbët do të
pësojmë mjaft, por më nuk do të ketë shqiptarë në Kosovë. Do t’i ndjekim përtej
Bjeshkëve të Nemuna, prej nga edhe kanë ardhur. E pra ju tash zotërinj,
urdhëroni e na sulmoni, kurse deri atëherë…”(fq.76).
Pas krimit të kryer, të vrasjes masive në Meje, aksion që u zhvilluar nën
komandën e gjeneralit Vlladimir Llazareviq, Udhëheqësi
(S.Millosheviq,v.j.) më 27 prill, e
kishte dekoruar Llazareviqin me Medaljen e Flamurit të Luftës, me motivacion: “për
rezultatet e realizuara në mbrojtjen e shtetit” (fq.369-370). Për
hollësitë e krimit të kryer në Gjakovë
dhe në fshatrat përrreth, ka folur
polici ushtarak, dëshmitari i mbrojtur në Tribunalin e Hagës. Kanë folur edhe
policë tjerë të dezertuar: Zhelko Staniq (fqi i autorit) dhe Dejan Zllatkoviq.
Ata kanë treguar se në operacionin
”Reka,” më 27 e 28 prill, në rrethin e Gjakovës ishin vrarë mbi 350 civilë. Duke
i mbledhë informatat pas aksionit të kryer, komandanti Llazareviq i kishte
raportuar gjeneralit Pavkoviq, që ishte komandant i Armatës së Tretë (në
Kosovë), se gjatë operacionit “janë eliminuar mbi 350 “terroristë” dhe se më
shumë se 4000 shqiptarë janë dëbuar për në Shqipëri. I gjithë operacioni u krye
me djegëjen e pothuajse të gjitha shtëpive në fshatrat ku është krye
operacioni”. Këtë informatë Pavkoviqi ia ka përcjellë kryeshefit të Shtabit të
Përgjithshëm, Dragolub Ojdaniqit, ndërsa ky i fundi, sipas linjës komanduese, i
ka referuar komandantit suprem (S.Millosheviqit,v.j.).
Pasi ishte informuar prej disa serbëve nga Kosova për këtë dhe krimet
tjera që ushtria dhe policia serbe
kishin kryer kundër shqiptarëve, “Babai i kombit serb”, akademiku Dobrica
Qosiq, kishte shkruar në ditarin e tij: “Nëse vërtetë kjo është bërë me urdhër të
komandës dhe të komandantit suprem,
atëherë ata duhen gjykuar në Beograd për krime lufte dhe gjenocid ndaj
popullit shqiptar. A me pastrim etnik të Kosovës e Metohisë do ta
përfundojmë luftën tonë për mbrojtjën e tokës së shejtë serbe? Ky është turp
kombëtar, ky krim kolektiv i ushtrisë serbe e zhdukë etosin e popullit serb dhe
e rreshton atë mes të tillëve çfarë janë popujt gjermanë, amerikanë, kroatë,
myslimanë, aziatikë…Si do ta vazhdojmë ekzistencën historike me këtë faj
kolektiv” (fq.374).
NATO paraprakisht informonte për caqet dhe kohën e
bombardimit !
Nuk ka dyshim se nga selia e NATO-s, para se të zhvillonin
aksionet e bombardimit, udhëheqësve të caktaur iu vinin informatat për
caqet dhe kohën e bombardimit. Kjo bëhej me qëllim që t’iu shmangën vrasjes së
civilëve, punëtorëve në objektet, fabrikat dhe institucionet. Kështu, nga
bombardimi i Ndërtesës së KQ të LKJ-së, të Fabrikës së armëve në Kragujevc, dhe
të disa objekteve tjera, ishin evakuar punëtorët dhe nuk ka pasur viktima në
njerëz. Këtë fakt ia vërtetoi autorit
vet ministri i atëhershëm i informatave, radikali Aleksandar Vuçiq, kryetari i tashëm i
Serbisë. Vuçiqi ishte afrua shumë me autorin pas vrasjes së gazetarit e
redaktorit Quruvie, me qëllim që në REL ta plasojë “të vërtetën” e tij, se
Quruvien e ka vrarë mafia malazeze. Por, afrimin më të madh e pati pas
bombardimit të ndërtesës së RTS, ku u vranë 16 e u plagosën disa gazetarë,
redaktorë e punëtorë tjerë. Të nesërmën e bombardimit, ministri takohet me
reporterin e REL, dhe shumë i mllefosur i tregon se për bombardimin kanë qenë
të informuar drejtori i përgjithshëm, Millanoviq, redaktori Komrakov dhe dy-tre persona tjerë udhëheqës, të cilët
i kanë hequr prej ndërrimit njerëzit e vet, ndërsa këtë nuk e kanë informuar që
ta evakuojë nënën e tij, Angjellina, që ishe redaktore e lajmeve në RTS.
Qëllimi ka qenë që të vritën sa më shumë njerëz, për ta shfrytëzuar rastin për
propagandë në mediat ndërkombëtare kundër NATO-s. Kur autori e ka pyetur
ministrin Vuçiq, a të raportojë në REL për këtë, i ka thënë: “Kjo do të ishte e
fundit e që do të thoshe diçka”.
Me Vuçiqin që ishte ministër për informata, autori që ishte reporter i
luftës dhe shef i përfaqësisë së Radios Europa e Lirë, në Beograd, ka pasur
shumë takime, sidomos gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s. Për karakterin e
Vuçiqit, autori thotë se ishte dhe mbeti një radikal perverz, pa karakter, lavdëraç, cinik, frigacak, i
pabesë. Gjatë luftës në Bosnje, Vuçiqi
publikisht ka deklaruar se për një serb të vrarë, do t’i vrasim 100 myslimanë!
Si ministër për informata, ishte një censor që dënonte dhe mbyllte gazetat e
pavarura (merr shembëll gazetën “Danas”). Pas rënies së regjimit të
Millosheviqit, Vuçiqi organizoi aksione për përkrahjen dhe mbrojtjen e
kriminelvëe të luftës, pastaj e braktisi Partinë Radikale Serbe (të Sheshelit),
por mbeti një radikal filiz, formoi partinë tjetër dhe arriti në postin e
kryeministrit e të kryetarit të Serbisë!.
** *
Në romanin “Qeshja nën trekëndëshin e varjes”, do të gjeni shumë emra
personazhes reale, të njohura e të pa njohura, negative e pozitive. Si roman
historik paraqet një pasqyrë reale të tmerrit që kanë përjetuar shqiptarët
gjatë luftës në vitin 1998 dhe gjatë bombardimeve të NATO-s (1999). Temat e trajtuara kanë mbështetje jo vetëm në
aspektet individuale, por edhe të spektrit të formacioneve shetërore, politike,
ushtarake, policore, që e bëjnë librin të besueshëm si literaturë
historiografike. Është botuar pothuajse në të njëjtën kohë në Beograd, në
Zagreb dhe në Prishtinë.
Libri ka karakter edhe si roman
autobiografik, sepse në qendër të ngjarjeve është vet autori, Rade Radovanoviq
(Radomir Radoviq), si reporter i luftës, korespodent i shumë mediave të brendshme e të jashtme dhe
shef i përfaqësisë së Radios Europa e Lirë në Beograd, e të cilin regjimi dhe
segmentet tjera shoqërore të Serbisë e konsideronin si spiun i Amerikës dhe i
NATO-s. Edhe vet titulli i romanit në njëfar mënyre ka të bëjë me situatën në
të cilën vepronte autori.
I koncipuar në mënyrë dramatike, gjatë leximit të romanit të krijoht
përshtypja se je duke parë filmin apo dramën e ngjarjeve të përshkruara. Ka
zëra që thonë se romani do të ishte si lektyrë historike për shkollat e mesme.
Por, sa të jetë ky regjim dhe ky sundimtar (Aleksandar Vuçiqi, v.j.), nuk do të
dihet as për viktimat e veta, e lere më të “armikut”, thotë autori.
Mjerisht, mentaliteti dhe qëndrimi i njëjtë është edhe sot në elitat
politike, shtetërore, kishtare e kulturore të Serbisë dhe të shumicës së serbëve
kudo që jetojnë, gjë që paraqet rrezik për paqen në “Ballkanin e hapur” të
Vuçiqit, Ramës e Zaevit!