Mendime
Florim Zeqa: Të ndarë dhe pa platformë shtetërore!
E merkure, 02.02.2022, 07:00 PM
Të ndarë dhe pa
platformë shtetërore!
Shkruan:
Florim Zeqa
Vizita
treditore e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe
e emisarit të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar me vizitat e
ndara dhe me dyer të mbyllura për media me liderët shtetërorë dhe partiakë të
Kosovës nuk është ogurmirë për vendimet që e presin Kosovën në fazën finale të
dialogut!
Ndarja e spektrit
politik, rritë presionin ndaj Kosovës
Deri
tek kjo ka ardhur si produkt i ndarjes së skenës politike kosovare karrshi
dialogut me Serbinë. Një situatë e tillë lë hapësirë për ushtrim më të madh të
presionit ndërkombëtar ndaj forcave politike dhe liderëve kosovarë në veçanti!
Sikur
të ishte e unifikuar skena politike kosovare, emisarët perëndimor nuk do t’i
kalonin tri ditë, e madje as tri orë në vendin tonë, ngase do të merrnin
përgjigjen e duhur brenda një ore nga lidershipi kosovarë.
Ndarja
e skenës politike është një mundësi e mirë për presion shtesë të faktorit
ndërkombëtar ndaj politikanëve kosov(r)arë për vazhdimin e dialogut në mes të
Kosovës dhe Serbisë, me temën numër 1 në agjendë, atë të Asociacionit të
komunave me shumicë serbe, i nëshkruar nga dy ish kryeministrat e Kosovës në
Bruksel në vitin 2013, respektivisht 2015.
Pavarësisht
interpretimit të Gjykatës Kushtetuese ndaj marrëveshjes së fundit për
Asociacionin dhe faktit se Qeveria e Kosovës, presidenca dhe shumica e
deputetëve në Kuvendin e Kosovës i kanë bërë të ditura qëndrimet e tyre rreth
çështjes së Asociacionit, qëndrimet e liderëve opozitarë mund t’i ndryshojnë
agjendat e ndërkombëtareve sa i përket procesit të dialogut .
Mosunifikimi
i liderëve partiakë pa dallim pozitë-opozitë, krijon dilemat për zgjidhje të
imponuar e cila shumë lehtë mund ta vë në pikëpyetje sovranitetin dhe
integritetin territorial të vendit tonë! Jo pse po e themë unë kështu, por
përvoja e hidhur e Demarkacionit me Malin e Zi na shtynë të dyshojmë në vendimin
final (fatal) për shtetin e Kosovës!
Sikur
të mbahej takimi i përbashkët me zyrtarët perëndimorë, gjasat për zgjidhje të
imponuar, për të mos thënë fare, do të ishin minimale!
Një
situatë e tillë nuk është e re dhe e papritur për rrethanat kosovare. Edhe në
të kaluarën, gjegjësisht në fazat e mëhershme të dialogut, kur janë nënshkruar
marrëveshje të dëmshme për vendin, pikërishtë kjo pozitë e tanishme e
bojkotonte pjesëmarrjen në procesin e dialogut me Serbinë me arsyetimin “se ne
nuk ulemi në dialog pa njohje paraprake nga Serbia” dhe justifikime tjera të
cilat sot po i shkelin me të dyja këmbët!
Çasja hakmarrëse dhe
inatet personale, kanë dëmtuar të ardhmen e shtetit
Prandaj,
për aq sa ishte jo serioze çasja e LVV-së dhe e Albin Kurtit si opozitarë, aq
është jo serioze çasja e opozitës së tanishme, e cila në formë të revanshit
politik nuk është duke i dhënë mbështetje Albin Kurtit në dialog me Serbinë!
Kësisoji,
çasja jo serioze e partive politike dhe e liderëve partiakë po vazhdon edhe në
këtë fazë të dialogut, duke i sfiduar interesat e shtetit për hakmarrje dhe
inate personale.
Mbetja
vetëm e Qeverisë Kurti në ballafaqim me Serbinë dhe ndërkombëtarët, nën
presionin për Asociacionin e komunave serbe me kompetenca ekzekutive, është
produkt i opozitarizmit të shfrenuar të Albin Kurtit, kundër të gjithëve dhe
kundër çdo veprimi dhe vendimi
shtetformues dhe shtetndërtues për Republikën e Kosovës.
Kjo
situatë i shkon për shtati Serbisë që të jetë më këmbëngulëse në kërkesat e saj
ndaj bashkësisë ndërkombëtare, por e jo edhe Kosovës, e cila nuk flet me një zë
të vetëm para bashkësisë ndërkombëtare!
Unifikimi
i faktorit politik kosovarë në kundërshtim të Asociacionit njëetnik serb me
kompetenca ekzekutive, do t’i detyronte zyrtarët ndërkombëtar që t’i çasen
ndryshe fazës finale të dialogut, për çka do të dobësohej edhe pozicioni i
Serbisë në dialog, për ta detyruar këtë të fundit që të heqë dorë nga kërkesat
e saj maksimale.
Mirëpo
mosuniteti i spektrit politik kosovarë dhe mungesa e një platforme të
përbashkët nacionale për dialogun, jo vetëm që e dobëson pozicionin e Kosovës
në fazën finale të dialogut, e bën të pafuqishme Qeverinë e Kosovës përballë
shtetit të Serbisë, i cili kur është në pyetje Kosova paraqitet gjithnjë e më
unike në qendrime karrshi faktorit ndërkombëtarë.
Megjithatë,
mbetët shpresdhënës mesazhi i emisarit të posaçëm amerikan për Ballkanin
Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili para ardhjes në Kosovë deklaroj se ShBA-të
e nxisin qeverinë e Kosovës të shqyrtojë modelet më të avancuara dhe mundësitë
më të mira për realizimin e asociacionit
në përputhje me Kushtetutën dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës.
Në
historinë më të re kombëtare, në veçanti të shqiptarëve të Kosovës, një herë ka
ndodhur mrekullia e unifikimit të qenjes sonë kombëtare dhe atë në fillim të
viteve të ’90-ta, më as në luftë dhe as pas saj nuk arritem të bëhemi bashkë
për shtetin e Kosovës! Të gjitha meritat për njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare
i atribuohen SHBA-ve dhe shteteve më të fuqishme të Bashkimit Evropian.