Mendime
Ramiz Selimi: Cilat ishin arsyet e emigrimit në dekada? Kush emigroi?
E hene, 31.01.2022, 09:00 PM
Cilat ishin arsyet e emigrimit në dekada? Kush emigroi?
Nga
Ramiz Selimi
Meqenëse
lëvizja e njeriut nëpër botë është e lindur që me njeriun, edhe pse mendohet se
emigrimi është gjë normale, unë kujtoj se largimi i qytetarëve kosovarë nga
vendlindja nëpër dekada ndodhi për shkaqe të ndryshme.
Ne
nuk ishim dhe as nuk jemi viktimat e para, por as të fundit, bile kjo nuk duhet
të diskutohet fare.
Megjithatë,
fenomeni i emigrimit sot tek shqiptarët është shumë më shqetësues, sesa tek
disa popuj tjerë, si ballkanas ashtu edhe evropianë, sepse gradualisht vendi po
mbetet në njerëz të moshuar.
Madje
është e dhimbshme kur njerëzit me peshë nga politika thonë se, “sot qytetarët
po ikin në perëndim për një jetë më të mirë”.
Me
bindje të plotë u them, se kjo është një gënjeshtër e kulluar dhe se nuk është
aspak e vërtet, sepse jetën më të mirë e ka kapur peng vet politikani, prandaj
qytetarit që nuk pati njerëzit e tij dhe paranë, edhe në qoftë se ishte
kualitet i lartë, nuk i mbeti gjë tjetër pos ta marri botën në sy.
Liri
nuk është vetëm mungesa e një pushtuesi, ose lëvizja prej qyteti në qytet.
Liria do të thotë qasje e barabartë e qytetarëve pa dallim në secilin segment
të atij shteti.
Patën
qytetarët e Kosovës qasje të barabartë? Jo! Kjo nuk ndodhi për shkak të
nepotizmit, ryshfetit, harraqit, tenderëve,...prandaj këta njerëz pas lufte i
vrau vet politika. Disa tjerë (në mesin e tyre gazetarë dhe analistë) thonë se
po ikin të dobëtit, të paarsimuarit dhe problematikët. As kjo nuk qëndron?
Sepse kemi student ku për shkak të mungesës së lidhjeve është detyruar të
emigroj.
Ky prononcim është një idiotizëm në stilin që
vetëm këta njerëz mund ta prodhojnë. Prandaj me këtë shkrim po bëjë përpjekje
ta tregoj realitetin sesi ndodhi emigrimi ndër dekada, edhe pse fundi për të
gjithë emigrantët do të jetë i njëjtë.
Kush ishin ata që morën
epitetin “Gastarbieter”?
Arsyeja
e emigrimit të qytetarëve nga Kosova dallon nga dekada në dekadë. P.sh. në
vitet e 70-ta emigruan kryesisht fshatarë dhe njerëz të papunë. Enti i
punësimit në qytete dhe qyteza e bënte organizimin. Kjo ndodhi në bazë të një marrëveshje
shtetërore që kishte arrit Jugosllavia me disa shtete të Evropës, por edhe
atyre aziatike dhe afrikane. Ky numër i punëtorëve nuk ishte i madh dhe nuk
përbënte kurrfarë rreziku për zbrazjen e shoqërisë kosovare.
Madje
këta punëtorë që morën epitetin e punëtorit të përkohshëm ikën të vetmuar, pa
familje, me synimin e vetëm që të kontribuonin për mirëqenien e familjes në
vendlindje. Ishin njerëz të urtë dhe punëtorë që nuk kishin arrit për asnjë
çast të lënë gjurmë në vendet ku punonin. Madje ata as nuk provuan fare të
integrohen.
Jetuan
të vendosur nëpër baraka dhe shtëpi të vjetërsuara, ku brenda një hapësire 4x4,
jo vetëm që gatuanin, por aty e kalonin kohën e lirë dhe në atë dhomë e bënin
edhe gjumin. Përpos vendit të punës dhe kolegëve që bashkëjetonin, ata nuk
ishin të interesuar të kyçeshin në asnjë segment të jetës së vendasve.
Qëllimi
primar i tyre ishte kursimi i të ardhurave mujore në maksimum.
Kjo
gjeneratë e vuajtur arriti të blinte pasuri të patundshme edhe nga ardhacakët
që kishin zaptuar tokat e tyre më herët.
Veç
kësaj vendasit nga shtetet evropiane e kujtojnë këtë gjeneratë të punëtorëve
mysafirë me emrin, “Gastarbeiter”. Ata cilësoheshin si njerëz të varfër, të
dëgjueshëm, tamam si shegertë, që ishin në gjendje ta bënin secilën punë.
Atë
kohë të rrallë ishin ata burra që patën guximin të emigronin me bashkëshorte
dhe fëmijë. Familjet e tyre emigruan tek në vitet e 90/ta. Evidente ishte se,
rrallë kush prej tyre e kishte të përfunduar shkollën fillore. Gjithandej
thuhej se arsyet e emigrimit të këtyre njerëzve ishin kryesisht ato ekonomike,
pasi atë kohë në shoqëri njerëzit e shkolluar ishin të pakët. Shkollimi i madh
kishte filluar tek pas hapjes së universitetit në Prishtinë....Vijon,...